Mendime
Enver Bytyçi: Si po ndryshon rrotacioni politik në rajon!
E premte, 28.01.2022, 07:22 PM
Si po ndryshon rrotacioni politik në rajon!
Nga
Enver Bytyçi
Presidenti
i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka kuptuar se koha e tij është në fund të
karrierës politike. Ai tha se nuk do të kandidojë për një mandat tjetër në krye
të partisë që drejton dhe madje la të kuptojë se "po mendohet" për të
rikandiduar për postin e presidentit në zgjedhjet e 3 prillit 2022. Ka sinjale
se djali dhe vëllai i tij do të shpallen persona nën sanksione nga ana e
SHBA-ve për shkak të implikimit të tyre në afera korruptive e kriminale. Ky
paralajmërim i ka bërë me dije presidentit të Serbisë se koha e tij ka mbaruar.
Në
Kosovë mbaroi që para një viti koha e politikanëve të tipit Vuçiq.
Në
vend të kukullave të korrupsionit dhe krimit të organizuar Kosova tashmë ka një
qeveri solide e legjitime, e cila pavarësisht gabimeve dhe dështimeve, nuk mund
të krahasohet me qeverisjet e mëparshme. Në fund të fundit qeveritë janë si
marrëdhënia midis kryefamiljarit dhe amvisës, suksesi i të cilëve shihet te
financat. Qeveria e Kosovës ka arritur një nivel të ardhurash pas ardhjes në
pushtet të zotit Kurti të pakrahasueshëm me të shkuarën dhe po shpenzon tashmë
dhjetra milionë Euro sidomos në fushën e sigurisë e të mbrojtjes. Kosova u
ngrit gjithashtu 17 vende në rankingun e Transparency International per
korrupsionin.
Por
edhe në Maqedoninë e Veriut ndodhi e paprtitura. Zoran Zaev, me shumë akte
kontraverse, më në fund e la postin e kreut të partisë e të kryeministrit. Ai
shihej si pengesë e përparimit të vendit drejt integrimeve europiane, sidomos
në marrëdhëniet me Bullgarinë. Por edhe si person me orientim ideologjik të
tipit sorosist. Kurse në Shqipëri ka sinjale se lidershipi në pushtet do të
rrëzohet në bark për shkak të peshës së korrupsionit dhe bashkëpunimit me
organizatat kriminale e mafioze. Diskredidimi publik i Erion Veliajt dhe
mbrojtja që po i bën atij Edi Rama shprehin dëshprimin e madh që ata kanë nën
këtë peshë të papërballueshme. Në Itali tashmë po shpjegohen katër të pandehur
të organizatave mafioze si të penduar. Do të shohim çudira nga pohimet e tyre
për lidhjet mafioze të këtyre organizatave me lidershipin e shtetit shqiptar!
Në
fakt hapi i parë i çmontimit të lidershipit politik në Ballkan nisi me
shpalljen e akuzës së prokurorisë Speciale në Hagë në qershor 2020 kundër ish-presidentit
të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai u përpoq që ta kapërcente goditjen që iu dha
rrugës për në Uashington atë ditë qershori, por pak muaj më vonë u detyrua t'i
hipë avionit e të aterrojë në Hollandë për të qëndruar atje si i akuzuar për
krime lufte. Jam i bindur se akuzat kanë të bëjnë me vrasjen e shqiptarëve
kundërshtarë të tij politikë dhe jo me serbë, siç pretendojnë Dick Martty dhe
Aleksandër Vuçiq. Megjithëse ky i fundit nuk do ta donte akuzën dhe arrestimin
e zotit Thaçi në momentin e dhënë për shkak të bashkëpunimit të ngushtë midis
tyre për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe
Serbisë.
Por
largimi i Thaçit nga skena politike përmes arrestit ishte mënyra e vetme për të
filluar goditjen kundër grupit destruktiv ballkanik të lidhur me mafien dhe
krimin e organizuar, Vuçiq-Rama-Thaçi-Dodik. Ky i fundit po izolohet gjithashtu
dita-ditës në Republikën Srpska. Duke goditur Thaçin ishte e kuptueshme se
goditej e gjithë superstruktura e grupit konspirativ në linjën Beograd-Tiranë-Prishtinë-Banja-Luka.
Ka mbetur të jepet një goditje edhe në Podgorisë, gjë që do të ndodhë në javën
e ardhshme.
Ndoshta
konflikti në Ukrainë ka diktuar që amerikanët të përshpejtojnë hapat e
eleminimit të kësaj klase politike të korruptuar e inkriminuar që sundon sot në
rajonin e Ballkanit Perendimor. Me këtë lidership ngjarjet e Ukrainës mund të
interferojnë lehtësisht në rajonin tonë. Kontigjenti më i gatshëm për t'i
shërbyer zgjerimit të konfliktit nga Uralet në Ballkan është lidershipi i korruptuar
dhe i lidhur me bandat krimnale të trafiqeve të drogës. Prandaj dhe pastrimi i
politikës nga ky kontigjent politikanësh ka hyrë në një fazë vendimtare.
Gjithçka ka kohën dhe radhën e vet. Shqipëria do të pastrohet e fundit, sepse
lidershipi mafioz i saj është më pak i rrezikshëm për Perendimin sesa ai në
Serbi, Bosnjë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa Kosova duhej të
ndryshonte e para. Pikërisht kjo ishte e parashikuar në skemën e ndryshimeve
politike në rajon.
Në
këto kushte të ndryshimeve të mëdha politike të Ballkanit Perendimor ka rëndësi
që forcat opozitare të jenë të përgatitura dhe të trajnuara për marrjen dhe
ushtrimin e pushtetit. Rajoni është në tranzicion, që do të thotë në ndryshim
të madh e madje epokal. Kjo lidhet me kapërcimin e periudhës së qeverisjeve të
brishta e të korruptuara. Tashmë ka ardhur momenti që qeverisja të realizohet
me duar të pastra, si e vetmja mundësi për përparim dhe progres. Por këtë
qeverisje nuk mund ta ushtrojnë kopjet e Edi Ramës, Aleksandër Vuçiq dhe të
Milorad Dodik. Ajo kërkon një opozitë të shëndoshë, atdhetare e të përkushtuar
për paqen e interesat e vendeve të rajonit.
Bashkë me largimin e këtij lidershipi vendosen gjithashtu standarde të reja në bashkëpunimin rajonal përtej kushtëzimeve serbe të Open Balkan. Kësisoj duket se gjithçka nuk do të jetë më si më parë. Një Ballkan Pëerendimor i integruar në Bashkimin Europian është dhe mbetet rruga e vetme e prosperitetit, stabilitetit, paqes dhe sigurisë kontinentale e rajonale. Kjo do të thotë se konfliktet e vjetra do të duhej të lihen pas përmes një marrëveshje të re në marrëdhëniet dy e shumëpalëshe. Pikërisht në këtë projekt bën pjesë angazhimi i përbashkët BE-SHBA për të përmbyllur gjithashtu një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjelltë midis Kosovës dhe Serbisë.