Mendime
Enver Bytyçi: Kush e ka radhën pas Ukrainës?!
E merkure, 26.01.2022, 08:23 PM
Kush e ka radhën pas
Ukrainës?!
Nga
Enver Bytyçi
Rusia
ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa ushtarake në kufi me Ukrainën. Pasi nxiti dhe
sponsorizoi konfliktin në lindje të saj, Moska tani pas 8 vitesh mendon se i ka
ardhur momenti të përdorë sërishmi forcën për t'iu imponuar nga pikëpamja
gjeopolitike SHBA-ve dhe Europës. Në fakt Kremlini llogarit në përçarjen e
faktorit europian, por shfrytëzon edhe ndonjë dobësi të administratës
amerikane. Dhe ka investuar jo pak për këtë përçarje. Duke filluar te Gerhard
Schroeder e duke shkuar deri te Joseph Borrell e Miroslav Lajçak. Për këto
qëndrime të vendeve euro-atlantike ka njerëz që qortojnë Perendimin. Ndërkohë
që janë rusët e Vladimir Putin ata që po përdorin metodat e Hitlerit e të
Stalinit për destabilizimin e Europës Lindore dhe të të gjithë kontinetit europian.
Bisedimet
midis sekretarit Blinken dhe shefit te diplomacisë ruse, Lavrov, kanë
përfunduar pa sukses, pra, pa marrëveshje midis palëve. Gjeneva duket se ka
marrë pamjen e Konferencës së Mynihut të vitit 1938. Që do të thotë se Vladimir
Putin është pas këtij takimi i gatshëm të veprojë me forca ushtarake në
Ukrainë, njësoj si Hitleri mbi Çekinë. Dikush beson se ky do të jetë thjesht
një inkursion ushtarak, që do të sjellë ndryshimin e qeverisë në Kiev, për të
sjellë politikanët e vijës ruse. Dikush tjetër e trajton si pushtim të
Ukrainës. Sigurisht që presidenti rus do të donte një Ukrainë vasale dhe jo të
pushtuar. Por çfarë do të ndodhë në fakt? Këtë do ta mësojmë në pak ditë ose në
pak javë.
E
sigurt është se Rusia dhe presidenti i saj llogarisin në destabilizimin e
Ukrainës. Kjo do të shërbejë jo vetëm për të vendosur kontrollin rus në këtë
vend, por edhe "për ta harruar" Krimenë! Madje Krimeja mund të jetë
objekktivi kryesor i një marrëveshjeje midis Fuqive të Mëdha në këmbim të
rikthimit të paqes së përkohshme. Them të përkohshme, sepse një paqe e tillë u
vendos në vitin 2008, kur Moska ndërhyri në Abkhazi e Osetinë e Jugut, pjesë të
Gjeorgjisë. Dhe paqja e asaj kohe zgjati vetëm gjashtë vite, deri në
fillim-pranverën e vitit 2014, kur u sulmua dhe aneksua Krimeja. Tani
përkohshmëria kaloi dhe po nis një furtunë e re.
A
do ta fitojë Perendimi kësaj radhe një paqe të përkohshme si dy herët e tjera?
Vështirë është për ta thënë. Sepse Rusia duket se i ka turbulluar ujërat e
paqes përgjithmonë. Megjithatë NATO, SHBA dhe Europa nuk janë të gatshme të
hyjnë në luftë për shkak të Ukrainës. Këtë gjë e dinë në Kremlin. Ndonëse me
vonesë, e mësuan edhe në Kiev. Dhe e gjitha po ndodh për shkak të përçarjeve në
faktorët perendimorë. Francezët dhe gjermanët thuajse kanë shpallur
neutralitetin, ndërkohë që aleatët e tyre në lindje e madje edhe në veri të
Europës, deri në Suedi e Finlandë, po dridhen përpara ariut rus. Ndoshta nuk
kanë asnjë mundësi të reagojnë.
Por
duket se po jetojnë ëndërrën e gomarit, të cilin ujku e kafshonte nga mbrapa
dhe ai thoshte "inshalla jam në ëndërr"!
Ukraina
është stacioni i radhës. Kush do ta ketë fatin e saj nesër ose pasnesër?
Sigurisht Moldavia. Por në rrezik është e gjithë lindja, vendet balltike e
sidomos Ballkani. Lavrov i kërkoi Blinken që NATO të tërhiqet edhe nga Rumania
e Bullgaria. Ky është një parakusht për shtrirjen e influencës ruse në Ballkan.
Kremlini ka kërkuar gjithashtu që NATO të garantojë se nuk do ta përfshijë
Serbinë në radhët e saj. Kjo do të thotë se Moska ka për qëlllin ta shtrijë
ndikimin e saj në perendim të Ballkanit. Pra objektivi i Moskës është
Adriatiku, njësoj siç ishte në fillimin e shekullit XX. Asgjë nuk është si më
parë dhe asgjë nuk është e sigurt. Ndërkaq asgjë nuk ka ndryshuar nga
gjeopolitika e para një shekullit.
Për
këto arsye Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në Ballkan do të duhet të
pozicionohen qartë dhe prerë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një
deklaratë me të cilën ajo shprehet solidare me Ukrainën. Por është pak.
Shqipëria dhe Kosova duhet të shprehin gatishmëri që të ndihëmojnë Aleancën
Atlantike me gjithçka munden në konflikin midis Rusisë dhe Ukrainës. Përcaktimi
i sotëm është paralajmërim për ndarjen përfundimtare të vijës së demarkacionit.
Ukraina është paralajmërim sidomos për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, si dhe
për Malin e Zi, të cilat janë të ekspozuara para modelit rus në Ukrainë, por që
e përdor Beogradi në Ballkan.
Taktika
e asnjanësisë e më shumë se një shekulli për Shqipërinë na ka provuar se nuk na
shërben për prosperitet dhe zhvillim. Asnjanësia na ka lënë në fushëbetejën e
Fuqive të Mëdha si objekt gjahu. Tashmë Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe te
ne po ndërtohet një bazë ushtarake e kësaj Aleance. Ndërsa në Kosovë thuajse
është ndërtuar baza amerikane e Bonstillit. Në këto kushte është tashmë i
përcaktuar vendi i të dy shteteve në fjalë, por edhe i shqiptarëve në
gjeopolitikën e sotme. Megjithatë në rastin e këtij konflikti të përsëritur
midis Rusisë dhe Ukrainës ka nevojë që politika, parlamentet, qeveritë, partitë
dhe shoqëria shqiptare të solidarizohen fuqishëm në përkrahje të së drejtës së
Ukrainës për mbrojtjen e sovranitetit të saj dhe të lirive që i takojnë në
vendimmarrje e në raportet ndërkombëtare.
Rikthimi
i Rusisë në Ukrainë është fundi i epokës së bashkekzistëncës paqësore midis
Lindjes dhe Perendimit. Ofensiva ruse në Ukrainë është jo vetëm paralajmërim,
por edhe trokitje e fortë në dyert e qytetërimit europian. Rënia e Ukrainës
është rënia e Europës dhe Ballkani do të jetë preja e radhës për ujqërit
siberianë. Gjithkush që ka një rol për ta luajtur, është koha të veprojë sot.
Nesër mund të jetë vonë, madje shumë vonë!