Mendime
Ramiz Selimi: Pse në shoqëritë e brishta sulmohet i pari?
E shtune, 29.01.2022, 07:55 PM
Pse në shoqëritë e brishta sulmohet i pari?
Nga
Ramiz Selimi
Sfondi ynë
me pushtime të njëpasnjëshme, pastaj rrethanat e tanishme të ndryshimit ndoshta
kanë ndikuar që të jemi këta njerëz që jemi. Se kemi problem të gënjejmë hapur,
të shpifim, të mashtrojmë, të xhelozojmë, ta kemi inat, mikun, shokun, etj...,
por ndryshimi pozitiv dhe ajo që duam të kapim në të ardhmen varet kryesisht
nga ne.
Ajo që bie në sy dhe për
mendimin tim që është tepër shqetësuese për gjithë shoqërinë tonë është fakti i
sulmeve denigruese ndaj personave të parë, jo vetëm nga media, analistët dhe
opozita që është gjë normale. Por, ajo që dhemb më tepër janë sulmet nga vet brendia
e shoqërisë ose subjekteve politike prej nga vijnë. Kjo qasje dhe mendim
orientalist (e them me qëllim orientalist, sepse sulmet e pabaza në perëndim e
kanë një pikë deri ku mund të shkojnë, kurse në disa vende të lindjes veprohet
në këtë formë deri në pakufi) fillon atëherë kur X personi zgjidhet kryetar
klubi, shoqate, fshati, komune, partie, shteti,...dhe jo më herët. Arsyet e
sulmeve nga të gjitha anët janë të ndryshme, duke filluar nga ambiciet për të
qenë vet në atë pozitë dhe arsye tjera interesi. Dhe, veç kësaj për disa është
problem edhe mentaliteti, pasi nga sulmet ata dëfrehen dhe ndjejnë kënaqësi të
brendshme. Këto shpifje dhe akuza të përsëritura po merren si të vërteta nga
një pjesë e njerëzve, pastaj deshëm apo nuk deshëm kjo dukuri negative po e
dëmton shoqërinë tonë deri në palcë.
Demokracia ka nevojë për
opinione dhe mendime të kundërta, brenda shoqatës, fshatit, komunës apo
partisë. Madje askush nuk duhet t’i shmanget asnjë debati dhe sa më i mprehtë
të jetë ai, aq më i mirë do të bëhet, sepse përfshirja në ofrimin e
alternativave është pasuri e demokracisë, prandaj deri këtu gjithçka është në
rregull. Mirëpo kur nga diskutimet e brendshme dilet publikisht me shpifje,
fyerje dhe spekulime pa fakte, për mikun dhe kryetarin e tij, që shpeshherë i
dëgjojmë nga njerëz të strukturave dhe të niveleve të ndryshme, jo vetëm që
është mjerim për personin i cili nxjerrë ato fjalë nga goja, por në fakt është
një lloji infektimi i panevojshëm për shoqërinë. Këta njerëz që proklamojnë
njëfarë lloji lirie totale njerëzore, as vet nuk e dinë çfarë duan. Në realitet
ata nuk duan të ketë rregulla që duhet respektuar, nuk njohin statutet dhe
ligjet e shkruara. Nuk duan që i
zgjedhuri në mënyrë demokratike të marr vendime mbi tjetrin, prandaj duke mos
ju bindur kryetarit, e dëshirojnë një lloji anarkie brenda organizatës ku është
aktiv.
E
panevojshme ishte kritika ndaj Lumir
Abdixhikut.
Zakonisht në perëndim kur X
personi zgjidhet në krye të shoqatës ose një institucioni, i jepet mundësia të
punojë me kapacitetin e plotë deri në kuvendin e radhës, duke u mbështetur edhe
nga konkurrentët, por edhe nga ata që nuk e duan. Vetëm në rast të shkeljes
flagrante të statutit, ose të ndonjë veprimi të pamenduar i cili prish imazhin,
e shoqatës, partisë, shtetit, i kërkohet dorëheqja ose mbajtja e një kuvendi të
jashtëzakonshëm. Kryetari i tanishëm i LDK-s është zgjedhur pastër në mënyrë
demokratike dhe atij duhet ti jepen të gjitha mundësitë dhe mbështetja e duhur
në realizimin e synimeve që ka nga i gjithë subjekti që ai përfaqëson, jo vetëm
nga ata që e duan, por edhe nga ata që e kanë inat, sepse ky është bazamenti i
demokracisë dhe tek në kuvendin e radhës mund të flitet për rezultatet dhe
suksesin e arritur.
Javën e fundit pamë dy
anëtarë të kryesisë së LDK- së që në media verbalisht sulmuan kryetarin e tyre.
A ishte i nevojshëm ky atak? Aspak! Përkundrazi, ishte diçka e shëmtuar, jo për
kryetarin, por më tepër për vet ata që nxorën ato fjalë. Është e padiskutueshme
si Skender Hyseni ashtu edhe Agim Veliu kanë kontribuar në parti me dekada dhe
kjo nuk mund t’iu mohohet asnjëherë, por në anën tjetër kjo në asnjë mënyrë nuk
u jep të drejt atyre ta hapin gojën në opinion për kryetarin e zgjedhur nga
shumica e partisë. Përkundrazi sikur të ishin pjesë e një partie në perëndim do
të kontribuonin edhe më tepër në ngritjen e partisë dhe kurrë s’do ta kishin
guximin të silleshin në këtë formë. Madje kryetarët dhe personat të shpallur
nderi, zakonisht në perëndim janë shumë
aktivë duke e mbështetur të parin në të gjitha mënyrat e mundshme. Prandaj këta
dy burra nëse kanë ambicie (përpos diskutimeve të brendshme) nuk duhet të
flasin në opinion për pakënaqësitë dhe problemet e brendshme, por duhet të
konkurrojnë dhe të maten në kuvend. Qasja e tyre ndaj partisë është me mendësi
të vjetruar që mendoj unë nuk duhet dhuruar shumë vëmendje. Duhet çrrënjosur
mendimet se: “Unë e mbajta partinë gjallë dhe unë duhet të pyetëm”, ose “Unë e
çlirova vendin dhe unë duhet të ha me lugë të arit”.
Demokracia
ka kufi!
Nga jeta politike në Austri
dua t’i ceki dy raste që tregojnë kufirin e demokracisë, sepse ajo ka rregulla
që duhet zbatuar, në të kundërtën liria pa rregulla quhet anarki. Një deputet
në parlamentin austriak, që ishte edhe anëtarë i kryesisë së parlamentit, me
emrin Dönmez, në një intervistë të dhënë për gazetën e njohur austriake, kur
gazetari e kishte pyetur për ambiciet duke e krahasuar atë me një politikane që
kishte kapur majat dhe kur ky i ishte përgjigjur se: “ duhet pyetur gjunjët e
zonjës dhe bukurinë e saj, sesi kishte arritur atje”, u bë menjëherë skandal.
Dhe pa humbur kohë, e shkarkuan nga të gjitha funksionet, shtetërore, partiake
dhe kështu me radhë. Sot personi në fjalë është tërhequr nga politika. Ose
skandali i përgjimeve nga Ibica, ku gazetari me një goditje rrënoi dy zogj.
Menjëherë hoqi nga politika Strachen dhe pak me vonë kjo aferë e përfundoi edhe
karrierën politike të Sebastian Kurcit. Për mosrespektim të rregullave
statutore të partisë, pse të mos merren edhe tek ne hapa radikal të
përjashtimit nga partia të personave që rrënojnë klimën e shëndoshë.
Unë vet si kryetar i një
shoqate shqiptaro-austriake, që është e dominuar nga austriakët, ka 20 vite që
marr mbështetje të pa rezervë nga e gjithë kryesia. Kurse kur udhëhoqa një klub
shqiptarë, që në ditët e para u sulmova nga të gjitha anët, edhe pse ata nuk e
kishin guximin ta merrnin vet përgjegjësinë në udhëheqjen e klubit. Kjo dëshmi
tjetër tregon se evropianët kanë kulturë të lartë, vlerësojnë dhe mbështesin
gjithçka që shkon në dobi të shoqërisë, kurse shqiptarët më tepër janë të prirë
të pengojnë, sesa të punojnë në ngritjen dhe zhvillimin e përbashkët.
Më kujtohet disa vite më
parë kur ministri i diasporës Valon Murati e pat vizituar Linz-in dhe më pyeti
për organizimin e shqiptarëve që kishim aty. Si ju shkojnë punët Ramiz?, më
pyeti ai. Si në parlamentin e Kosovës, i thashë. Lëvizi dorën me habi, që të
mos flas më tepër, sepse atë kohë parlamenti shkonte tymnajë. I thash se, ku do
që shkojmë, ne prapë mbesim të njëjtë, sepse ky është mentalitet ynë që duhet
ndryshuar, i cili fatkeqësisht nuk mund të çrrënjoset aq shpejtë.