Mendime
Florim Zeqa: Ja hunin ja tirqit!
E diele, 30.01.2022, 11:25 AM
Ja
hunin ja tirqit!
Shkruan:
Florim Zeqa
Lajmi
se javën e ardhshme në Kosovë dhe Serbi do të qëndrojnë i dërguari i posaçëm i
BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i SHBA-ve për Ballkanin
Perëndimor, Gabriel Escobar, është një paralajmërim, se qëllimi i kësaj vizite
është presioni që do të ushtrojnë ndaj Kosovës dhe Serbisë për vazhdimin e
dialogut për normalizim të raporteve ndërshtetërore.
Zvarritja e dialogut ka
krijuar pasiguri tek qytetarët
Stërgjatja
e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, ka bërë që të shtohet presioni i
ndërkombëtarëve ndaj dy shteteve për avancimin e dialogut për arritjen e
marrëveshjes finale, gjithëpërfshirëse dhe obligative për të dyja palët.
Edhe
pse Qeveria e Kosovës në opinionin publik nuk është duke i kushtuar rëndësi të
madhe vizitës së zyrtarëve perëndimorë, ardhja e përfaqësuesit të SHBA-ve,
Gabriel Escobar është dëshmi e seriozitetit të çështjes. Përfshirje direkte e
SHBA-ve në dialog është tregues se ora e zgjidhjes përfundimtare po vjen!
Prandaj,
Qeveria e Kosovës nuk guxon të jetë kaq indiferente dhe e pakujdesshme në
përgatitjen e një platforme shtetërore, me përfshirjen e spektrit të gjërë
politik, shoqërisë civile dhe mediave vendore në pragë të fazës finale të
dialogut.
Zvarritja
e bisedimeve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë
ka reflektuar drejtëpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Pasiguria për të ardhmen
ka bërë që të rritet zhgënjimi i qytetarëve, duke ndikuar në rritjen e numrit
të atyre që çdo ditë po e braktisin Kosovën.
Edhe
po të ndodhë nesër marrëveshja përfundimtare me Serbinë, qytetarët që kanë
ndarë mendjen për të ikur nga Kosova nuk ka kush që i ndalë, për arsye se
shkaqet që po i shtynë kosovarët të ikin nga Kosova drejt vendeve perëndimore
janë të shumëta, filluar nga mungesa e zhvillimit ekonomik, pabarazia qytetare,
mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë, funksionimi i keq i sistemit
shëndetësor, degradimi i sistemit arsimor e deri tek bastardimi i të gjitha
institucioneve shtetërore dhe atyre komunale, të kapura tmerrësisht nga bandat
partiake dhe klanet mafioze që ua kanë bërë jetën ferr qytetarëve gjithandej
Kosovës.
Kosova
po rrezikon të mbetët vend i shkretë dhe për gjynah të zotit, vetëm me
politikanë dhe mbështetës të tyre, me oligarkë ekonomik dhe mbikëqyrës
ndërkombëtar që pasurohen mbi kurrizin e shtresave të varfëra.
“Patatja e nxehtë” në
duart e Albin Kurtit
Mbetja
"patates së nxehtë" në duart e Albin Kurtit, përkatësisht e dialogut
me Serbinë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve është sfidë
e pakapërcyeshme për të parin e ekzekutivit kosovarë i cili pashmangshëm do të
përballet me realitetin e krijuar pas 17 shkurtit 2008, e në veçanti me
produktet e dialogut 11 vjeçar me Serbinë në Bruksel.
Obligimet
ndërkombëtare me të cilat e kanë ngarkuar Kosovën kryeministrat paraprak
(Thaçi-Mustafa) në dialogun e Brukselit për Asociacionin e komunave serbe në
njërën anë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për
ex-territorialitetin e Manastirit të Deçanit në anën tjetër, i cili e bën këtë
manastir pronar të 24 hektarëve tokë të Komunës së Deçanit, janë vendime të
dhimbshme dhe të pakthyeshme, për të cilat u shprehë çartë edhe përfaqësuesi i
SHBA-ve, Gabriel Escobar!
Bazuar
në këto realitete të hidhura dhe sfidave para të cilave ndodhet kryeministri
Albin Kurti, konsiston edhe prolongimi i dialogut me Serbinë! "Pataten e
nxehtë", të bartur nga njëra qeveri në tjetrën siq duket një ditë do ta
gëlltisim të gjithë së bashku, për shkak se bashkësia ndërkombëtare është
lodhur me ne, përkatësisht me liderët kosovarë fjalëmëdhenj e punë pak, të
cilët interesin e shtetit e ndërlidhin me interesin personal dhe anasjelltas!
Ndërkombëtarët
nuk të falin asgjë. Do të marrim atë që kemi fituar, do ta humbasim atë që e
kemi humbur! ‘Qeveria Kurti 2’ me legjitimitetin më të lartë qytetarë nga
paslufta, përkatësisht LVV+LV me shumicën parlamentare në Kuvend duhet t’i
jepin zgjidhje problemit me Serbinë, e jo të ankohen sikurse “gratë e këqija”
se fajin e ka ky apo ai subjekt, ai apo ky lider partiak.
Populli
i di të gjitha, i di meritat dhe të bëmat e secilit në dobi dhe dëm të shtetit
të Kosovës!
Për
të mos u zgjatur, fare lehtë mund të ndodhë që bashkësia ndërkombëtare shumë
shpejtë do t’na vëjë para dy alternativave për zgjidhjen përfundimtare.
Prandaj, klasa politike pa humbur kohë duhet t’i lë menjëanë interesat partiake
dhe ato personale, për t’u unifikuar në përmbylljen e dialogut me Serbinë, për
të nxjerrur më të mirën e mundshme. Kësisoji, me dhe pa fajin tonë kemi arritur
në situatën sfiduese, që të zgjedhim “Ja hunin ja tirqit”! Zgjidhje të tretë
nuk kemi!
E
vetmja shkëndijë shprese për qytetarët e këtij vendi ka mbetur ngjizja e një
force të re politike nga elita intelektuale dhe forcat progresive nga Kosova
dhe Diaspora, në të kundërta zbrazja në heshtje do ta kthejë Kosovën në një
vend të shkretë, pa njerëz dhe pa shpresë për jetë!