E premte, 29.03.2024, 01:27 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: At Lek Luli u vra...

E diele, 30.01.2022, 07:45 PM


Nga Fritz RADOVANI:

Pjesa Nr.4. Zamak i Flamurit…

AT  LEK  LULI  U  VRA…

At Lek Luli asht le në Malësi të Madhe, në Kastrat, me 8 Mars 1908. Mësimet e para i mori në shkollen Françeskane Shkoder, studimet e nalta i ka vazhdue në Kolegjen e Sant Antonit në Romë. U rikthye në Troshan të Shqipnisë ku, plotsoi kushtet.

Meshen e Parë e tha me 28 Dhjetor 1935. Disa vite dha mësim në Liceun “Illyricum” ku, ra në sy per përgatitjen e Tij kulturore. Në vitet 1938 ishte Kryetar i Shoqnisë së Fretenve, që thirrej Shoqnia “Antonjane”. Ruejti lidhjet e veta me Malësinë e Madhe dhe Ju perkushtue studimeve krahinore të folklorit dhe të historisë, tue mos u pajtue me okupacionet e hueja t’ Atdheut, kryesisht atij Italian. Sigurisht që ky qendrim i kishte rrajtë e veta Atdhetare, kunder pikpamjeve të italianve. Per këte qendrimi i Fretenve në Shqipni ishte i haptë dhe palidhje me okupacionin e tyne. Mbas ikjes së At Lek Lulit në Jugosllavi, Ai u konsiderue jo vetem antifashist, po dishka ma shumë, “frat revolucionar”, se gjoja zhvillonte veprimtari antifashiste. Në fakt në vitin 1941, At Luli i dorzon një notë antifashiste legatës Angleze në Jugosllavi.

At Lek Luli asht nder klerikët e paktë në Shqipni që pelqen pikpamjet zogiste, gja që me 16 Korrik 1944, në fshatin Pac (Bytyç), në rrugen per Jugosllavi, kah Tropoja, At Lek Luli asht Kleriku i Parë Katolik Shqiptar që u vra nga forcat partizane komuniste. Këte fakt e verteton drejtuesi i forcave partizane “Perlat Rexhepi” atje Rexhep Haka.

Rexhepi shkruen atëherë: “Ne e kapem spijunin Lek Luli dhe e pushkatuem...”

Tek libri i Rakip Beqaj, kemi edhe mendime shtesë, gjoja si “demokristjan”...

Të gjitha akuzat që lidhen edhe me Vatikanin dhe lidhjet e At Lulit me Abaz Kupin, justifikojnë vrasjen e parë të një Kleriku Katolik nga batalioni komunist, po në fakt mungon “dëshmia se ku shkuene të hollat” që At Lek Luli kishte atëditë me vete?!

Asht e vertetë që historia e asaj periudhë ka mangsitë e veta po, dëshmitë e shkrueme nga Prof. Dr. Zyhdi Zekja e Namik Kruja tek libri i Dr. Pjeter Pepës, janë e mbeten dokumenta me vlerë në thesarin e Klerit Katolik Shqiptar i masakruem nga PPSh dhe, vrastari ma i madh i shteteve të Ballkanit, diktatori Enver Hoxha.

Me këte rasë botojmë një poezi të Fratit Malsisë së Madhe:

At Lek LULI:

ZANI I SHQIPES

Nalt mbi male tue dihatë

Idhshëm shqipja po piskatë:

“Braf në kambë djelmëni Shqiptare!

Rrokni armët e qitnje fare

Italinë, qi n’kater vjet

Fé u zhduki, Atdhé e shtet

Mbi zogj t’tjerë, se d’bamë robneshë,

Krah e kambë keq m’i ka lidhun,

pa u t’jetë kush, qi me m’i zgidhun

Prej verigave të robnisë?!...”

Po a thue kaq, djelmt e Shqipnis,

ftyren marrja u ka mulue,

sa mos t’mund’ni m’u kujtue,

Se Italija e ka qitë cekën

Shqiptaris’ me i sjellun dekën

Me çdo mjet! S’jeni tue pa,

Se sa poshtersitë e mëdha

po ban mbi ne tash kater vjet,

Q’se na ka nën thember t’vet?

Shifni ç’ban n’ne Italija:

Djelmt ma t’mir’t, qi ka Shqipnija

Dalë ngadalë po i qet t’gjithë fare

Ke n’konop, ke grijë n’batare,

Ke ndryj n’burg t’tjerë n’mergim

A ka kund ma t’madh poshtnim:

Daj njerz’t vendit, ku kan lé,

Merr o treti n’nji tokë t’re;

Daj me shokë, miq, dashamirë,

Mos i len Shqiptar m’u thirrë.

Gra e varza tue koritun.

Fmijtë e vogjël n’treg tue shitun,

Kndej djeg Kishë e andej Xhamija,

Tredhen burrat si bagtija

Para syvet t’gravet veta!..

Ç’na vien t’gjallt, sot ç’na vie’ jeta.

Paj qe besa e t’madhit Zot

S’asht kashatë qi bluhet dot

Me i puthë hasmit kamë e dorë,

E mbi krye me i vu kunorë.

Për mbrapshti, çi po veproka,

Atme e shpi kur t’i zaptoka!

Kush Shqiptar pra i thot vedit

N’mal e n’fushë o n’breg të detit:

Kapni pushk’n e lenje sht’pinë,

Kapni pushk’n e bashk me mue:

Kapni pushk’n pa u vonue

Ja me vdekë ja me fitue

Atdhen t’onë pë me librue!!!

S’asht nevoja për me p’vetë

Ku ju pres? e dini vetë:

Mbi ato male mbushë me borë

Me Flamur t’ Shqipnis në dorë

Aty u pret ju...

Mos t’ua tusin synin deka,

Pse fitimi asht i joni.

Ku luftoni ju, fitoni,

Si fituen t’part t’uej perherë

Para Botes damun me nderë:

Teuta, Pirri e i Madhi Leka.

Por dhe n’kjoftë, se na vjen deka

Ardhët e bardhë, pse besa e Zotit,

Dekë ma e bukur s’ka n’ditë t’sotit

Se me dekë me pushkë në dorë,

Si qytetas si malsorë,

Tue luftue kundra italjanit,

Per me i sjellë lirinë Balkanit.

E me flamurë përmbi krye

Kuq e Zi pa e përlye

Tue u valvitë neper ajri

N’sa djelmnija per rreth ti,

Pa ndalë turrin pa ndalë hapin

Shoqi sho’it zemer t’i napin:

“Urra djelm u dhashtë e mbara,

Se né, fati na hecë para!”...

Kshtu do t’marrin zjarm beteja

N’mal e n’fushë si t’shkrepte rrëfeja

Gjithkahë pushka do t’ushtojë,

Toka deti do t’gjimojë,

Dersa topi pa ia da

T’rrahin logje dhe kala

Dhe avionat përmbi krye

N’hekur tanksat mirë mbërthye

T’bombardojn dhe t’mitraljojn

Por Shqiptarët luftën s’do t’lëshojn:

Fyta fyt n’ia mbajt’t anmikut

do t’a mbysin. Kurrnji rrezikut

S’i ka hikun i balkanasi

Por atme e shtet. Ilirianasi

Asht mësue m’u vra e m’u pre

Me has’m t’Kombit. Per Atdhe

Kur Shqiptari n’luft t’ket ra

Tjetër fat lufte aty s’ka:

Por ja vdekje, ja liri!...

Vet’m at herë pra n’ Shqiptari

Ka me prajtë kjo luftë titane

Kur krejt forca italiane

T’jeten shue, e Shqiptari

T’gzojë lirinë siç i a la i pari!

Kshtu do t’marrë vesht rrokullija:

Gjallë robneshë s’bahet Shqipnija.

1941.

Shenim F.R. Tek vjerrsha asht ruejt origjinaliteti i paprekun.

Viti 1941 nuk asht i saktë.

Melbourne, 28 Janar 2022.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora