Mendime
Ramiz Selimi: Aparteidi i Millosheviqit prodhoi emigrimin e trurit!
E merkure, 02.02.2022, 08:47 PM
Aparteidi i Millosheviqit prodhoi emigrimin e trurit!
Nga
Ramiz Selimi
Intensiteti i emigrimit në
vitet e 90-ta u rritë dukshëm, mbase në ato vite të vështira ai ishte i
përditshëm. Duhet theksuar se në këtë decenie numri qytetarëve që largoheshin
nga vendlindja, nuk ishin vetëm nga pjesët rurale, por një numër i madh i tyre
vinte edhe nga qyteti. Meqenëse në fillim të viteve 90-ta për Jugosllavinë u
vendos regjimi i vizave nga të gjitha vendet evropiane, ata që kishin synim
perëndimin kapën familjen dhe qorrazi u nisën malit, duke ju futur një aventure
krejtësisht të panjohur. Pasi me mbylljen kufijve nuk kishin zgjidhje tjetër,
ata mund të emigronin vetëm ilegalisht.
Tani më gjithçka që kishte
të bënte me emigrimin e qytetarëve ishte politike. Shqiptarët pas dëbimit të
dhunshëm nga puna, u detyruan të fillojnë organizimin e tyre në sistemin
paralel. Shumica e qytetarëve që mbeten pa punë ju nënshtruan një fluksi masiv
të ikjeve. Këtij udhëtimi të rrezikshëm i bëhej hapur publicitet, madje edhe
nga figura të njohura publike. Thoshin se sistemi paralel mund të mbijetonte
vetëm me ndihmën e emigrantëve, prandaj ata që silleshin kot, këshilloheshin
t’ia mbathnin pa humbur kohë në Evropë.
Pas rritjes së numrit të
bashkatdhetarëve në perëndim, në fundin e viteve 80-ta gjithandej u themeluan
kompani udhëtimi. Shumë nga këto ndërmarrje, jo vetëm që bartnin punëtorët me
qëndrim të përkohshëm, por ato bënin kontrabandistin dhe tjera punë të pista,
duke fituar para të majme në kurriz të njerëzve të vuajtur. E çuditshme ishte
pasi secila nga këto agjenci udhëtimi kishte lidhje të ngushta me pushtuesin.
Veç kësaj pushteti i Millosheviqit arriti t’i organizonte ca grupe të
kontrabandistëve shqiptarë edhe në shtete tjera, si në Hungari, Çeki,... të
cilët kishin për detyrë ta zbraznin Kosovën sa më shumë.
Aparteidi i Millosheviqit
duke përdorur, jo vetëm dhunën brutale të paparë deri atëherë, por edhe mjete
tjera, siç ishte helmimi i nxënësve, kishte bërë jehonë në gjithë Evropën.
Askush në shtetet mirëpritëse nuk i trajtonte qytetarët e Kosovës ndryshe, pos
si të ikur politik. Emigrantët ishin të njohur atë kohë në Evropë si, (Ballkan
Flüchtlinge), pasi aty kishte të ikur nga Kosova dhe vende tjera, si Bullgaria,
Rumania, por kishte edhe refugjat lufte nga Bosnja dhe Kroacia.
Ishte e dhimbshme, pasi në
këtë periudhë nuk emigroj vetëm fuçia punëtore, por këtij largimi ju nënshtrua
edhe pjesa më e madhe e trurit që kishte vendi. Përpos bujqve dhe profesioneve
tjera të zanatit, ikën mjek, inxhinier, arkitekt, gazetar, politikan, mësues,
profesor, student, secili që pati mundësi,...Madje mendohet se numri i të
arsimuarve që iku jashtë ishte më i lartë sesa i atyre që mbeti brenda.
U ngrit
niveli i organizimit të shqiptarëve.
Të ikurit pas akomodimit
menjëherë kapën miq në perëndim. U punësuan kryesisht në sektorin e
ndërtimtarisë, por kishte edhe të atillë që kapën punë më të lehta në fabrika
dhe sektor tjerë. Pastaj u kyçën në jetën publike, në klubet sportive, shoqata
kulturore dhe më këtë filloi një integrim i mirëfilltë në sistemin e vendasve.
Emigrantët e këtyre pasi u
bashkuan me studentët e fund viteve 80-ta që kishin vazhduar studimet atje, e
kishin një çikë më të lehtë orientimin, pasi merrnin udhëzimet e duhura nga
vëllezërit e tyre. Jo si më herët, për qytetarët kosovarë këto vite pati një
mbështetje të jashtëzakonshme nga shtetet pritëse, qoftë në ndihma materiale, qoftë në
ndërmjetësim për punë, qoftë për vazhdimin e studimeve.
Mirëpo, në anën tjetër me
këta njerëz të arsimuar u ngrit edhe cilësia e organizimit të mërgimtarëve. Në
perëndim u përmirësua ndjeshëm jo vetëm organizimi i klubeve, por edhe niveli i
marrëdhënieve të bashkatdhetarëve. U themeluan fondet për financimin e sistemit
paralel. U themelua shkolla shqipe. Shqiptarët u larguan nga të gjitha klubet
jugosllave. Pati një bashkim dhe dëshirë për veprim. Me një fjalë mërgimtarët
ishin bashkuar dhe qëndronin në gatishmëri për ta ndihmuar vendlindjen në
çfarëdo forme, qoftë me ndihma, qoftë me ushtarë.
Përderisa një pjesë e
qytetarëve në vendlindje nisi organizimin ilegal për mbrojtjen e vendit nga
lufta që pritej të ndodhte, mërgimtarët bënin maksimumin të mbanin gjallë
sistemin paralel, por edhe familjet në vendlindje.
Me ardhjen e këtyre
emigrantëve në vendet pritëse ndryshoi edhe perceptimi për shqiptarët. Nuk
ishin më ata punëtorët e gjorë që nuk dinin shkrim-lexim, por ishin gjithnjë e
më të respektuar, pasi kishte konkurrencë edhe në dituri. Fëmijët e tyre po
tregonin interes dhe suksese në secilin sektor të jetës. Pra, filloi një
shkollim për çdo lëvdatë dhe emancipim çfarë as vendasit nuk e kishin imagjinuar.
Kjo gjeneratë nuk dallonte
shumë nga evropianët, pasi shumica prej tyre nuk e praktikonin besimin islam.
Veç kësaj disa prej tyre pa humbur kohë filluan të martohen dhe të
bashkëjetojnë me femrat nga vendet pritëse. Madje këta njerëz filluan të heqin
dorë nga shtetësia jugosllave dhe nisën të pajisen me shtetësi të vendeve ku
jetonin.
Emigrimi i
pasluftës dhemb dyfish më tepër!
Lufta ka ligjet e veta,
prandaj refugjatët e kësaj kohe duhet trajtuar ndryshe nga pjesa tjetër e të
ikurve. Megjithatë, pas aksionit serb të përndjekjes së madhe, populli i tregoj
botës sesi duhet vendlindja, kur pas çlirimit masivisht u kthyen në shtëpitë e
tyre.
Prandaj ikjet e paslufte
janë tepër të dhimbshme, ndoshta numri i lartë prej mbi 350 mijë të ikurve
është edhe për t’u shqetësuar, sepse entuziazmi dhe vullneti për ta ndërtuar
një vend çfarë e ëndërronin ishte shuar përfundimisht. Dëshpërimi ishte edhe më
i madh sesa në kohën e pushtuesit dhe tjetërsimi është një zgjidhje për ta.
Hiq bashkimet familjare,
pjesa tjetër iku për shkak, jo të serbëve, por për shkak të vëllezërve idiotë
që kapen peng secilën sektor dhe pore të jetës. Madje këta idiotë që hanë me
lugë të arit, proklamonin hapur se, qytetarët po largohen për një jetë më të
mirë, duke harruar se jetën e mirë e kishte kap peng vet ai.
Emigrantët e paslufte kanë
tërësisht tjera ndjena dhe tjetër perceptim për vendlindjen në krahasim me ata
të paraluftës. Të ikurit e rinj kanë humbur çdo shpresë se vendi i tyre mund të
bëhet një vend normal, me liri dhe barazi të plotë për secilin, pa dallim, pa
ryshfet, pa nepotizëm, pa favorizime, prandaj ata nuk e besojnë këtë dhe e kanë
shumë më të lehtë të asimilohen, sesa gjeneratat e mëhershme, të cilat edhe pse
të zhytura në baltën e gjallë, kthimin akoma e kanë imperativ...., Vijon, Si
jetojnë dhe si janë të organizuar emigrantët?