Mendime
Enver Bytyçi: Mendja e "ngrirë" shqiptare në funksion të mitit serb në Kosovë!
E enjte, 03.02.2022, 08:51 PM
Mendja e "ngrirë" shqiptare në funksion të mitit serb në Kosovë!
Nga
Enver Bytyçi
Kur
Bill Clinton shkroi në vitin 2000 për Kosovën dhe u kërkoi liderëve shqiptarë
"të bëjnë paqen", një pjesë e madhe e këtyre liderëve të dalë nga
lufta e përçmuan porosinë e presidentit amerikan, që urdhëroi bombardimet e
NATO-s kundër Serbisë, me qëllim çlirimin e Kosovës prej saj. Clinton shkroi
asokohe mesazhin e paharruar "Ne bëmë luftën, ju bëni paqen"!
Por
pjesa e lidërëve të Kosovës me Hashim Thaçin në krye nuk e pëlqeu pjesën e parë
të mesazhit "Në bëmë luftën"! U tallën me këtë pohim të presidentit
amerikan. Thanë "Luftën e kemi bërë ne! Nuk e ka bërë Amerika e
NATO"! Këtë injorim të rolit amerikan e të NATO-s për çlirimin e Kosovës
ata nuk e bënë thjesht për lavdinë e tyre. Por që të injorojnë edhe pjesën e
dytë të mesazhit, pra që të mos bënin paqen.
Të
bëje paqen, sipas porosisë së Bill Clinton, do të thoshte të ndërtoje shtetin e
së drejtës demokratike. Të ndërtojë këtë lloj shteti do të thoshte të vendosje
drejtësi dhe paqe. Të ndërtoje drejtësi dhe paqe, do të thoshte të mos e plaçkitje
Kosovën, pra të mos pasuroheshe në kurriz e dëm të saj. Por do të thoshte t'u
jepje liritë demokratike pa imponim pakicave. Pikërisht kjo pjesa mohimit të
pasurimit në emër të kontributeve për luftën nuk u pëlqeu horrave që përfituan
nga lufta. Prandaj dhe e shpërfillën porosinë e presidentit Clinton.
Po
tani ku jemi? Një pjesë e mirë e këtyre që injoruan porosinë e ish-presidentit
amerikan na shfaqen çdo ditë si pro-amerikanët më të mëdhënj jo vetëm të
Kosovës, por edhe të të gjithë globit. Sa herë që propozimet amerikane shkojnë
pak a shumë në favor të Serbisë dalin ky soj politikanësh e analistësh
shqiptarë dhe thonë "Pa Amerikën nuk bën"! Kështu thanë kur deshën të
ndryshojnë kufijtë midis Kosovës e Serbisë dhe ta copëtonin territorin e shtetit!
Kështu thonë edhe për asosacionin e komunave serbe. Përkthimin e slloganit
"Pa Amerikën nuk bën" e qartësoi Skëndër Hyseni, kur para dy-tri
ditësh tha se "Kosova pa Serbinë nuk bën"! Pra, këta soj abuzuesish
me Kosovën e pasuritë e saj slloganin "Pa Amerikën nuk bën" e
përdorin për të shkuar te sllogani "Pa Serbinë nuk bën"!
Ndërkaq
ekranet televizive gëlojnë me tabu si kjo. Sikur Amerika është një ishull
polar, i cili thjesht dikton, por nuk logjikon, nuk diskuton dhe nuk provon në
praktikë sa të efektshme dhe të drejta janë rekomandimet e saj. Sikur
amerikanët janë një qenie jashtëtokësore që ndërmjetëson Zotin me njerëzimin
dhe nuk paska nevojë që opsionet e saj të provohen nga praktika! Këta lloj
kameleonësh që dje stigmatizonin thagmën e Bill Clinton për rolin amerikan për
çlirimin e Kosovës, sot e përdorin pikërisht këtë rol për t'i shkuar në ndihmë
interesave serbe në Kosovë e në Ballkan. Këtë e bën Edi Rama me Open Balkan-in,
e bëjnë dhe bëniaminët e tij e të Vuçiqit në ekranet televizive pa fund në Prishtinë
e në Tiranë për dialogun me Serbinë.
Të
gjithë kanë një pikë të përbashkët ku takohen: "Pa Serbinë Kosova është e
mbaruar"! Miti serb në Kosovë tashmë po etablohet prej vetë shqiptarëve.
Donika Gërvalla përmendi këto ditë një alternativë të thyerjes së këtij miti
serb në Kosovë. Tha se pesë vendet anëtare të BE-së duhet ta njohin Kosovën
shtet të pavarur e sovran. Por promovuesit e mitit serb në Kosovë nuk kanë
lejuar në asnjë rrethanë të koncentrojnë enerigjinë politike e diplomatike të
Kosovës e të Shqipërisë në këtë drejtim. Pra që të ndikojnë e të punojnë për
njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, si alternativë e shkatërrimit të
këtij miti mbi peshën e Serbisë në Kosovë e shtetndërtimin e saj. Ata nuk kanë
dashur që kjo energji të sintetizohet në këtë drejtim. I pari ndër ta që hoqi
dorë nga njohjet e Kosovës ishte Edi Rama. Më pas kësaj filozofie të varësisë
nga miti i fuqisë diplomatike, politike, ushtarake dhe ekonomike të Serbisë i
shërbeu Hashim Thaçi, i cili në vend të sponsorizonte njohjet, sponsorozoi
ndarjen e Kosovës!
Dhe
dalin disa e thonë "Nuk është mirë të përmenden bëmat e kryeministrave të
qeverive të kaluara"! Në fakt këta kryeministra e sidomos Hashim Thaçi,
veçmas në rolin e presidentit të Republikës së Kosovës, duhet shpallur tradhtar
i Kosovës dhe kombit shqiptar! Asnjë ilaç tjetër nuk e shëron sindromën e mitit
për epërsinë dhe faktorizimin e fuqisë serbe në Kosovë! Asgjë tjetër nuk e bën
null ndikimin e Beogradit në këtë vend.
Dhe
gjithkush duhet të mësojë se në momentin që shqiptarët, sidomos politikanët,
elitat e gazetarisë, akademisë, shkencës, kulturës dhe hierarkisë kosovare të
shkëputen njëherë e përgjithmonë nga miti i fuqisë serbe, në atë momënt do të
arrihet pavarësia e plotë e Kosovës nga Serbia! Pavarësia realizohet më së pari
në mendjet e njerëzve! Pa këtë prerogativë nuk mund të ketë pavarësi reale të
Kosovës nga Serbia. Pavarësia është sa një nocion konkret, aq edhe abstrakt.
Abstraksioni lidhet me trurin tonë, me bindjen tonë, më vetëpërcaktimin tonë
për pavarësi dhe liri nga Serbia! Nëse e kushtëzojmë këtë liri, pavarësi dhe
demokraci me Serbinë në mendjet tona, atëherë e kushtëzojmë atë edhe në
praktikat e veprimtarisë politike dhe diplomatike!