Mendime
Adil Fetahu: Libër i ngjarjeve historike në Kosovë
E merkure, 15.06.2022, 08:39 PM
LIBËR I NGJARJEVE HISTORIKE NË KOSOVË
(Jusuf
Zejnullahu: REZISTENCA E THYER, botoi SAS, Prishtinë, 2019)
Nga
Adil FETAHU
Disa fjalë për autorin
Jusuf Zejnullahun,
ish-kryeministër i Kosovës në vitin 1990, në kohën kur Serbia me akte
formale-juridike dhe me veprime reale të dhunshme e suprimoi autonominë e
Kosovës,- e njohin vetëm brezi i rritur i asaj kohe. Para se të vinte kryetar i
Qeverisë së Kosovës, Jusufi ka krye funksione të ndryshme politike dhe
ekonomike: këshilltar për ekonomi në Kuvendin e Kosovës; drejtor i Entit për
Zhvillim Ekonomik të Komunës së Prishtinës; nënryetar i Odës Ekonomike të
Kosovës; drejtor i përgjithshëm i Kombinatit Metalurgjik “Feronikeli”;
nënkryetar i Odës Ekonomike të Jugosllavisë; kryetar i Lidhjes së Stuentëeve të
Kosovës, sekretar i LK të Prishtinës; anëtar i Komitetit Qendror të LKJ.
Si magjistër i shkencave
ekonomike, me punën në funksionet e përmendura të fushës ekonomike dhe
politike, Jusufi kishte fituar dije e përvojë dhe guxim intelektual, prandaj
nuk është e rastësishme që në një periudhë të krizave dhe vlimeve të ngjarjeve në Kosovë dhe në
Jugosllavi, të përpjekjeve për reforma kushtetuese, politike dhe ekonomike,
Kuvendi i Kosovës më 4 dhjetor 1989 e zgjodhi kryetar të Qeverisë, në të cilën,
sipas propozimit të mandatarit, në pëbërjen e qeverisë ishin zgjedhur
edhe: Mr Mazllum Beqa dhe Gjorgje Aksiq,
nënkryetarë, Rexhep Haxhimusa, Tomisllav Sekulliq, Rashida Muhoviq, Jusuf
Karakushi, Sllobodan Bojiq, Mr Rifat Zylfiu, Radman Millosavljeviq, Shefqet
Cana, Lekë Berisha, Selajdin Skeja, Dr Muhamet Bicaj, Lekë Vuksani, Radovan
Vujoviq dhe Mr Isa Mustafa, anëtarë të Qeverisë, në pozita të caktuara.
Sapo erdhi në krye të
Qeverisë, me angazhimin e tij personal dhe institucional për ta ruajtur
autonominë dhe statusin e Kosovës si njësi e Federatës së Jugosllavisë, sa nisi
të hapë procese për reforma ekonomike edhe në Kosovë, të cilat i kishte nisur
kryetari i Qeverisë Federative, kroati Ante Markoviq, Jusufi hasi në pengesa e
kundërveprime të strukturave politike të Kosovës e të Serbisë. Ishte ajo kohë kur ishin bërë ndryshimet
(amandamentet) kushtetuese në Kushtetutën e Jugosllavisë dhe në atë të Serbisë,
me të cilat ishte reduktuar statusi i autonomisë së Kosovës dhe të Vojvodinës,
duke i shndërruar ato në autonomi teritoriale-kulturore, e duke i çveshur nga
çdo autorizim, kompetencë dhe element të
shtetësisë. Intenca kryesore ishte heqja e statusit të njësisë federale dhe
futja e krahinave nën “sqetullat” e Serbisë.
Duke mos u pajtuar me
politikën e Sërbisë ndaj Kosovës dhe me qëndrimet e strukturave politike të
Kosovës, kur ato udhëhiqeshin nga Rrahman Morina që ishte kryetar i Komitetit
Krahinor të LK,- Jusufi (më 9 prill 1990) i ofron Kuvendit të Kosovës
dorëheqjen nga pozita e kryetarit të
Qeverisë. Bashkë me Jusufin dorëheqjen e ofrojnë edhe 6 anëtarë të Qeverisë nga
radhët e shqiptarëve: Jusuf Karakushi, Mazlllum Beqa, Selajdin Skeja, Muhahmet
Bicaj, Lekë Vuksani dhe Shefqet Cana.
Kuvendi i Kosovës, duke mos
dashur ta pranojë dorëheqjen, e zvarriti shqyrtimin e dorëheqjes, derisa më 4
maj 1990, kur pas shqyrtimit të raportit
të Qeverisë, Kuvendi miratoi votëbesimin ashtu që Qeveria vazhdoi punën e saj,
në kushte gjithnjë e më të vështirësuara, deri sa më 5 korrik 1990, Kuvendi i
Serbisë miratoi Ligjin mbi ndërprerjen e punës së Kuvendit dhe të Qeverisë së
Kosovës, ndërsa forca të mëdha të policisë së Serbisë bënë desant grushtshteti,
duke i uzurpuar objektet e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, të RTK dhe të NGBG
“Rilindja”.
Për të gjitha këto dhe shumë
ngjarje tjera, Jusuf Zejnullahu ka botuar dy libra voluminoze:
“Stuhi lufte mbi Kosovës”
(botim 2007), dhe
“Rezistenca e thyer” (botim
2019), për të cilin këtu do bëjmë një vështrim më të zgjëruar.
Libri
“Rezistenca e thyer”
Në tekstin voluminoz prej 392 faqe, të ndarë në 7
kapituj, me 41 tituj, të librit “Rezistenca e thyer”, autori Jusuf Zejnullahu
ka pasqyruar në mënyrë të hollësishme dhe të argumentuar, gjendjen politike,
sociale, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë prej fillimit të vitit 1990 e deri
pas çlirimit (1999), por edhe më vonë,
deri në vitin 2015.
Tekstit të kapitujve u prinë
një Parathënie e autorit (fq.6-13), në të cilën shkurtimisht paraqet lëndën dhe
dokumentet e shumta që i shtjellon brenda librit. Parathënia i ndihmon lexuesit
ta përqëndrojë vëmendjen në çështjet kryesore që shtjellohen në libër, duke i
përmendur dhe interpretuar ato shkurtimisht.
Në kapitullin e parë: “Kosova
dhe identiteti” (13-25), autori pasi përshkruan pozitën gjeografike,
thekson veçanërisht pozitën strategjike që ka Kosova, si kulm i Ballkanit, e që
kjo në vend se të jetë përparësi e favorshme për zhvillim, i ka shkaktuar
fatkeqësi, duke u bërë cak i sulmeve dhe
arenë e luftërave dhe pushtimeve prej fuqive, perandorive e forcave të
ndryshme barbare. Kështu autori jep një historik të shkurtër të pozitës dhe
statusit të Kosovës dhe vuajtjet e popullit shqiptar, por edhe përpjekjet për
zhvillim nën ato pushtime, për të ardhur deri në periudhën e dekadës së fundit
të shekullit të kaluar.
Në periudhën prej vitit 1968
e deri më 1988, Kosova me një status të avancuar të autonomisë, si pjesë
konstituive e RSF të Jugosllavisë, pati një zhvillim të hovshëm në të të gjitha
fushat, politike, ekonomike, sociale, arsimore, shëndetësore, kulturore dhe të
sigurisë. Atë shkallë të zvhillimit autori e ilustron me te dhëna statistikore
të fushave të ndryshme: ekonomi, punësim, arsim, shëndetësi, kulturë, shkencë,
art, tregti të jashtme me bilanc pozitiv, e kështu me radhë.
Por, krahas atij zhvillimi
të hovshëm, mbretëronte një absurd: me
atë pozitë ishin të pakënaqur edhe Shqiptarët edhe Serbët në Kosovë e në Serbi,
veçse nga interesa diametralisht të kundërta; Shqiptarët ishin të pakënaqur me
statusin e autonomisë dhe kërkonin statusin e republikës, sikur e kishin
gjashtë republikat e tjera të Jugosllavisë, disa me popullsi të barabartë ose
shumë më të vogël se Kosova. Ndërkaq, Serbët ishin të pakënaqur me shkallën e autonomisë
që kishte Kosova si njësi konstituive e Federatës dhe pamundësinë e ndikimit të
pushtetit të Serbisë për të administruar e sunduar në Kosovë. Ata kërkonin në
forume partiake e shtetërore, në rrugë dhe në sheshe të Serbisë, të Kosovës, të
Malit të Zi dhe të Vojvodinës, që kjo autonomi e Kosovës të reduktohet ose të
suprimohet krejtësisht. Për këtë qëllim, në vitin 1989 nisën të bëjnë ndryshime
në Kushtetutën e Serbisë (të vitit 1974).
Duke parë qëllimet, se me
ndryshimet kushtetuese të Serbisë e të Jugosllavisë do të reduktohet autonomia
dhe statusi i Kosovës, populli shqiptar në Kosovë reagoi në forma të ndryshme,
në debatet publike për amandamentet, në greva e demonstrata. Duke i cilësuar
ato reagime si kundërrevolucion, Kryesia e Jugosllavisë, me insistimin e
Serbisë, apliko gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, e cila zgjati prej
fillimit të janarit deri më 17 prill 1989. Në kushte të gjendjes së
jashtëzakonshme, nën presion të madh politik dhe të sigurisë, Kuvendi i
Kosovës, në seancën e mbajtur më 23 mars 1989, me shumicë votash, dha pëlqimin
për ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë, me të cilat u degradua statusi juridik
i Kosovës. Kuvendi i Serbisë i miratoi amandamentet më 28 mars, ndërsa
kushtetutën me amandamentet e përfshira në te e miratoi më 28 shtator 1989.
Ende pa u miratua kushtetuta
me amandamet e inkorporuara në te, organet e pushtetit të Serbisë: Kuvendi dhe
Qeveria, filluan zbatimin e atyre
amandamenteve, vetëm në Kosovë e jo edhe në Vojvodinë, duke uzurpuar kompetencat
e organeve dhe institucioneve të Kosovës.
Mbledhja e
përbashët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë
Të gjitha shtresat dhe
hallkat e organizuara shqiptare të Kosovës i kundërshtonin me vendosmëri e me
sakrifica të mëdha aktet dhe veprimet e
Serbisë në Kosovë. Për herë të parë u krijua një unitet i frontit të përbashkët
kundër politikës dhe dominimit të Serbisë. Në atë front ishin radhitur
punëtorët, studentët, nxënësit, gjithë populli, përveç segmentit politik – të
ashquajtur Lidhja e Komunistëve, ndonëse atë lidhje e braktisën shqiptarët
masovikisht. U formun parti të reja politike dhe shoqata të qytetarëve, si
alternativë politike, të cilën Qeveria e Kosovës e konsideronte si faktor
politik dhe shoqëror. Të gjithë ishin kundër ndryshimit të pozitës kushtetuese
të Kosovës, të cilën e kishin caktuar amandamentet kushtetuese, dhe këtë
qëndrim e shprehnin në debate, në institucione dhe në protesta të punëtorëve,
të studentëve e të qytetarëve, duke përfshirë edhe grevën e minatoryëve të
“Trepçës” dhe greva e përgjihshme
punëtorëve në të gjitha ndërmarrjet tjera (3 shtator 1990).
Në mbledhjën e
përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të mbajtur në
Klubin e Deputetëve në Gërmi (afër Prishtinës) më 9 qershor 1990, u bë ndarja
definitive institucionale e Kosovës nga politika dhe nga institucionet e
Serbisë. Ajo ishte mbledhje historike, në të cilën për 17 orë rresht Qeveria e
Kosovës, me vendosmëri i bëri rezistencë dhe kundërshtoi ultimatumin e Qeverisë
së Serbisë me të cilin kërkonte zbatimin e politikës së Serbisë në Kosovë për
nënshtrim të plotë. Në atë mbledhje ishin komplet, në pëbërje të plotë të dy
qeveritë (në pëbërje të Qeverisë së Serbisë, bashkë me këshilltarë e zyrtarë
tjerë, kishin ardhur 40 veta?). Kush ka pasur rastin ta lexojë stenogramin e
asaj mbledhje (65 faqe të dendura
shtypur në makinë shkrimi), ka mund ta paramendojë atmosferën e krijuar
në atë mbledhje dhe të vërejë qëndrimin e vendosur kundërshtues të Qeverisë së
Kosovës, veçmas të kryetarit të saj Mr Jusuf Zejnullahut, ndaj ultimatumit dhe
insistimit të Qeverisë së Serbisë për Kosovën. Debati, diskutimet, polemikat
ishin zhvilluar aq ashpër e kundërshtuese, deri në fyerje dhe kërcënim të hapur
nga Qeveria e Serbisë kundër kryetarit, kundër Qeverisë dhe kundër Kosovës.
Kryetari i Qeverisë së Serbisë, Stanko Radmilloviq kishte ardhur me referat të
përgatitur me shkrim dhe me formulim të konkkluzioneve, të cilat duhej t’i
miratonin të dy qeveritë. Kyretari i Qeverisë së Kosovës, Mr Jusuf Zejnullahu,
pa referat të shkruar, por në bazë të një koncepti të përgatitur n; formë
tezash, për më se një orë kishte folur për gjendjen dhe situatën e përgjithshme
tejet të rëndë që mbretëronte në Kosovë, e cila kërkon zgjidhje në parime të
drejtave të barabarta në shtetin e përbashkët të Jugosllavisë, në të cilin
Kosova ishte subjekt kushtetues, por që me amandamentet kushtetuese ky
subjektivitet i ishte hequr. Fajin për
situatën e krijuar ua kishte hedhur masave represive dhe politikës së Serbisë
që po zbatonte në Kosovë.
Fjalimi i Jusuf Zejnullahut
i kishte befasuar kryetarin dhe anëtarët e Qeverisë së Serbisë, sa që reagimi
kishte qenë ulurues, që shfaqte mllef. Njëni nga anëtarët e Qeverisësë Serbisë
kishte thënë: “Nëse do t’isha i penguar të marr pjesë në këtë mbledhje, ose
të kisha vdekur para saj, do ta kisha humbur rastin jetësor për të kuptuar se
çfarë është mendimi i shqiptarëve sot. Atë që e tha sot këtu
kryetari i Qeverisë së Kosovës është mendim i tij, por nuk ka asnjë
dyshim se ai sot ësht mendim edhe i të gjithë shqiptarëve në Kosovë”.
Edhepse kryetari i Qeverisë
së Serbisë kishte planifikuar që fjalimin e tij ta mbante i fundit, me
konkluzione përfundimtare, ai menjëherë e kishte marrë fjalën pas fjalimit të
Zejnullahut dhe e kishte lexuar referatin e përgatitur paraprakisht. Pas shumë
orë diskutime, replika, divergjenca e polemika të ashpra midis anëtarëve të
Qeverisë së Serbisë kundër diskutimit dhe qëndrimit të kryetarit dhe disa
anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, kryetari i Qeverisë së Serbisë ia kishte
ofruar kryetarit Zejnullahu tekstin e konkluzioneve të propozuara për t’i
miratuar të dy qeveritë dhe për t’i shpallur në funt të mbledhjes si komunikatë
të përbashkët. Teksti i konkluzioneve ishte formuluar në 5 pika, me këtë
përmbajtje:
1.Këshilli
Ekzekutiv i Serbisë dhe Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, janë pajtuar që
bashkarisht dhe veç e veç në mënyrë strikte dhe angazhuese të realizojnë
politikën e Serbisë për Kosovën, në të clën element kryesor është autonomia e
Kosovës e çveshur nga elementet e shtetësisë…
2.Këshilli
Ekzekutiv i Serbisë dhe Këshilli Ekzekutiv i
Kosovës bashkarisht dhe veç e veç do të angazhohen në sigurimin e rendit
dhe qetësisë publike, si dhe të sigurisë së jetës dhe pasurisë dhe barazisë së
qytetarëve të Kosovës.
3.Këshilli
Ekzekutiv i Serbisë dhe Këshilli Ekzekutiv i Kosovës në mënyrë efikase do të
veprojnë kundër separatizmit dhe nacionalizmit shqiptar dhe kundër çdo
nacionalizmi tjetër, pa marrë parasysh se në çfarë preteksti paraqiten.
4.
Këshilli Ekzekutiv i Serbisë dhe Këshilli Ekzekutiv i Kosovës plotësisht do të
bashkëpunojnë në përgatitjen e ligjeve të Serbisë për Kosovën.
5.
Këshilli Ekzekutiv i Serbisë dhe Këshilli Ekzekutiv i Kosovës janë pajtuar dhe
i kanë dhënë detyrë Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Serbisë dhe
Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës që të organizojnë kryerjen
unike të të gjitha punëve në Kosovë.
*
Për kryetarin e Qeverisë së
Kosovës, teksti i propozuar për konkluzione të përbashkëta ishte i
papranueshëm, prandaj i bënë disa korrigjime me shkrim, duke hequr ose
ndryshuar fjalë e fjali. Veçmas ishte i papranueshëm konkluzioni i formuluar në
pikën e parë: “…të realizojë politikën e Serbisë për Kosovën”. Atë pjesë
të fjalisë, Jusufi e kishte fshirë dhe në vend të saj kishte shkruar: “…të
angazhohet në realizimin e Kushtetutës së Kosovës dhe të Jugosllavisë”.
Kryetari i Qeverisë së Kosovës kishte bërë korigjime edhe në pikat e tjera të
konkluzioneve të propozuara, duke potencuar edhe “nacionalizmin serb dhe
hegjemoninë serbomadhe” (pika 3).
Kur kryetari i Qeverisë së
Serbisë, si kryesues i mbledhjjes së përbashkët, e kishte lexuar tekstin e
konkluzioneve të propozuara prej tij, dhe ato të korrigjuara prej kryetarit të
Qeverisë së Kosovës, ulurima në sallë kishte marrë hov. Kishin qenë aq të
papërmbajtur disa anëtarë të Qeverisë
së Serbisë, sa që njeni prej tyre kishte deklruar: “Tash e tutje me shqiptarët
mund të bisedohet vetëm përmes grykës së pushkës”. Me ofendime e kërcënime nga
anëtarët e Qeverisë së Serbisë, mledhja kishte përfunduar me mospajtime e divergjenca
të hapura, në të cilën Qeveria e Kosovës kishte shprehur atë që kërkonte
populli – kundërshtimin e vendosur të politikës së Serbisë. Ishte ajo mbledhje që bëri kthesën më të
madhe institucionale në raportet midis Serbisë e Kosovës. Pas asaj mbledhje, Qeveria e Kosovës më nuk
pati kurrëfar marrëdhëniesh as kontaktesh me Qeverinë e Serbisë, por kontaktet
i mbante drejtpërdrejt me Qeverinë federative, kryetar i së cilës asokohe ishte
kroati Ante Markoviq, të cilin rregullisht e informonte me rrjedhat dhe pasojat
e dhunës së pushtetit serb në Kosovë, dhe duke kërkuar intervenimin e
Federatës.
Kërcënimet e Qeverisë së
Serbisë, të shqiptuara në mbledhjen e përbashkët të mbajtur më 9 qershor 1990,
nisën të realizohen në praktikë menjëherë. Dy javë pas asaj mbledhje, më 26
qershor, Kuvendi i Serbisë miratoi Ligjin mbi veprimin e organeve
republikane në rrethana të posaçme, me të cilin krijoi bazën
formale-juridike për suprimimin e organeve legale dhe legjitime të Kosovës,
marrjen e kompetencave dhe autorizimeve të organeve dhe institucioneve të
Kosovës nga organet dhe institucionet e Serbis. Në të njëjtën mbledhje, të
njëjtën ditë, Kuvendi i Serbisë, duke u bazuar në atë ligj, mori Vendim (RS,
nr.326), në dispozitivin e të cilit thuhet:
“Vërtetohet se në territorin e
Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës janë krijuar rrethana të posaçme
nga neni 2 i Ligjit mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të posaçme
(“Gazeta zyrtare e RSS”, nr.30/90)”.
Pas atij Ligji dhe atij
vendimi të Kuvendit të Serbisë,
deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, duke iu përgjigjur kërkesave
gjithpopullore dhe situatës së krijuar, më 2 korrik 1990 miratuan Deklaratën
Kushtetuese për Kosovën si njësi e pavarur dhe e barabartë në kuadër të
Federatës (konfederatës) së Jugosllavisë, si subjekt i përbashkët me njësitë e
tjera të Federatës (konfederatës).
Tri ditë pas Deklaratës
Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, Kuvendi i Serbisë më 5 korrik 1990, miratoi
Ligjin për ndërprerjen e punës së Kuvendit dhe të Këshillit Ekzekutiv të
Kuvendit të Kosovës, me të cilin edhe formalisht i suprimoi organet legjitime
të Kosovës, ndërsa realisht po atë ditë, me forca të mëdha policore dhe
ushtarake, bëri desant grushtshteti, uzurpoi selinë e Kuvendit dhe Qeverisë së
Kosovës, Radiotelevizionin dhe Ndërmarrjen “Rilindja”. Me atë rast, sulmuesit
sekuestruan 350 milionë US$ të buxhetit.
Edhe Ligji mbi veprimin e
organeve në rrethana të posaçme, dhe Vendimi mbi vërtetimin se në KSAK janë
krijuar rretana të posaçme, edhe Ligji mbi ndërprerjen e punës së Kuvendit e të
Qeverisë së Kosovës, ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Jugosllavisë, sepse
asnjë njësi federale nuk kishte kompetencë as të drejtë të suprimojë organet
legjitime të njësisë tjetër. Pas këtyre akteve, Kuvendi i Serbisë vazhdoi me
nxjerrje të ligjeve dhe vendimeve e të ndërmerrë masa dhe integrime të dhunshme
të organeve, institucioneve dhe ndërmarrjeve ekonomike të Kosovës me ato të
Serbisë. Të gjitha aktet dhe veprimet e
regjimit të Serbisë në Kosovë ishin “ultra vires”, dmth. me tejkalim të
autorizimeve dhe kompetencave të caktuara me kushtetutën dhe me ligjet
federative. Sipas Ligjit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës në rrethana të
posaçme, të cilin e miratoi Kuvendi i Serbisë më 26 korrik 1999, udhëheqësit
dhe punëtorët shqiptarë të organeve, institucioneve dhe të ndërmarrjeve
ekonomike u përjashtuan prej pune, e në vend të tyre u punësuan serbë e
malazezë të Kosovës, të Serbisë, të Bosnje-Hercegovinës e të Kroacisë
(refugjatë e kriminelë të ikur nga luftërat që zhvilloheshin atje). Revista alternative “Republika”, që botohej
në Slloveni, nën drejtimin e veprimtarit Salih Kabashi, në numrin e saj të
parë, botuar më 25 korrik 1990, si kryeartikull kishte botuar shkrimin e Ukshin
Hotit, me titull: “Qartësi qëllimesh – unitet subjektesh”, në të
cilin autori analizon rëndësinë e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut dhe
uzurpimin e forcave serbe të selisë së Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës.
Format e
rezistencës
Pas shpalljes së Deklaratës
Kushtetuese dhe suprimimit të institucioneve (Kuvendit dhe Qeverisë), duhej të
punohej në jetësimin dhe konsolidimin rezistencës aktive. Deputetët e Kuvendit
të Kosovës, në bashkëpunim me Qeverinë legjitime, më 7 shtator 1990, në mbledhjen e mbajtur në Kaçanik, në ilegalitet të plotë, miratuan Kushtetutën
e Republikës së Kosovës. Dy ditë pas miratimit të Kushtetutës, shumica e
delegatëve të Kuvendit dhe anëtarëve të Qeverisë u shpërngulën jashtë Kosovës,
sepse do të burgoseshin dhe gjykoheshin me dënime të rënda. Të tjerët që mbetën
në Kosovë jetonin në ilegalitet të plotë. Në ato kushte të shpërndarjes, ishte
e pamundur të vepronin si institucione, megjithëse disa vepruan si individë e
grupe më të vogla. Një aktivitet të posaçëm zhvilloi kryetari i Qeverisë, Jusuf
Zejnullahu gjatë qëndrimit të tij në Kroaci e Slloveni. Ai mbajti lidhjet me
Qeverine federative, respektivisht me kryetarin e saj Ante Markoviq, por edhe
me qeverinë e Republikës së Kroacisë dhe atë të Sllovenisë. Ato qeveri e
njihnin Qeverinë e Kosovës për legjitime, e përkrahnin dhe kujdeseshin që të
mos binin në dorë të sigurimit të Serbisë e Jugosllavisë që i kërkonin. Brënda
Kosovës pushteti serb kishte shtuar zullumin, represionin, dhunën, ndër të
tjerë kishte arrestuar e burgosur edhe anëtarët e Qeverisë: Selajdin Skeja e
Lekë Vuksani. Por, populli kishte moral dhe vendosmëri për të bërë rezistencë e
mos pranuar organet e dhunshme, aq sa mund të rezistohej në ato kushte.
Kapitulli i tretë i librit
titullohet: “Përpjekjet për konsolidimin e rezistencës” (fq.121-239). Në
kuadër të këtij kapitulli, autori ka përshkruar përpjekjet e tij, nga pozita e
kryetarit të Qeverisë legjitime, që të koordinojë punën me faktorin e brendshëm
në Kosovë. Duke pasur parasysh shfaqjen e pluralizmit politik, kur ishin
formuar edhe disa parti të vogla politike dhe organizata tjera shoqërore, ky
kishte propozuar formimin e një qeverie të koalicionit me përfaqësues edhe të
atyre partive. Për hirë të krijimit të unitetit, Jusufi ishte i gatshëm që në
krye të qeverisë së unitetit të vinte dikush tjetër. Por, përpjekjet e kryetarit Zejnullahu, me
liderin e LDK-së, Dr. Ibrahim Rugovën, për të koordinuar punën dhe aktivitetet,
kishin dështuar, pasi Rugova nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes, thotë autori.
Në kapitullin IV, që mbanë
titullin e librit: “Thyerja e rezistencës” (fq.241-282), autori sqaron se,
përkundër besimit që kishte fituar populli në institucionet legjitime: në
Kuvendin dhe në Qeverinë, pas arratisjes në egzil, filluan përçarjet dhe u thye
uniteti i qëndrimit dhe veprimit. Ndërmerreshin aksione të pakoordinuara e pa
kontrollë. Formimi i Qeverisë së Përkohëshme, në egzil, përkundër ekzistimit të
qeverisë legjitime, veçsa e komplikoi koordinimin e institucioneve legjitime, e
theu tehun e rezistencës institucionale dhe popullin e la në “rezistencë
paqësore, krejtësisht pasive”, e cila i konvenonte pushtetit okupues që të
veprojë e të mbahej në qetësi. Puna kryesore e asaj qeverie të përkohëshme,
gjysmake dhe jolegjitime, konsistonte në mbledhjen dhe shpërndarjen e mjeteve
të fondit të 3%. Në ato kushte, delegatët e Kuvendit dhe anëtarët e Qeverisë
legjitime, të izoluar dhe të injoruar, pa përkrahje materiale, kishin mbetur të
gjendën kush si të mundej. Vetëm falë solidaritetit të punëtorëve dhe të
biznismenëve shqiptarë në Kroaci, Slloveni, Zvicër, Gjermani e në vendet e
tjera të Europës, arritën të mbijetojnë. Kurse në Kosovë pushteti okupues
kishte shkallëzuar dhunën e represionin kundër popullatës, me të gjitha pasojat
e saj.
Pas zgjedhjeve paralamentare
dhe “presidenciale” të mbajtura, në vitin 1992, në kushte të pushtimit të egër
serb, skena politike e shqiptarëve u dominua krejtësisht nga LDK-ja dhe lideri
i saj, dhe u instalua filozofia e rezistencës paqësore dhe durimit, me shpresë
se çështja e Kosovës do të zgjidhet në mënyrë paqësore. U ndërprenë të gjitha veprimet e rezistencës
aktive. Kjo gjendje i konvenonte
pushtetit okupues të Serbisë që të mbahej i patrazuar dhe të ushtronte dhunë.
Rezistenca paqësore, që preferohej nga faktorët ndërkombëtarë, nuk u shpërblye
prej tyre, as me çlirimin e vendit as me pakësimin e dhunës nga Serbia.
Diplomacia botërore preferonte dhe premtonte autonomi të Kosovës në kuadër të
Serbisë, e jo pavarësi. Prandaj, populli u detyrua të ndërmerr veprime më
aktive kundër dhunës dhe pushtuesit. Atmosferën e qetësisë e thyen gratë e
Prishtinës, me protestën kundër vrasjes së Armend Dacit. Një kthesë e madhe e
rezistencës aktive u bë me protestën e studentëeve të Universitetit të
Prishtinës (tetor 1997), ndërsa në protestat e vitit 1998 të studentëve dhe nxënësve të shkollave të
mesme, atyre iu bashkua populli. Paraqitja publike e UÇK-s, që u bë në Llaushë
më 28 nëntor 1997, me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci, të vrarë nga
policia serbe, dhe masovizimi i protestave shënoi braktisjen e rezitencës paqësore.
Populli i Kosovës dhe bota e kuptoi se rezistenca paqësore ndaj një pushtuesi
siç ishte Serbia, ishte eksperiment i dështuar. Ngjarjet që rrodhën më vonë,
deri në luftën e lavdishme të UÇK-së, të ndihmuar nga NATO, e vërtetuan
dështimin e filozofisë së rezistencës së paqësore dhe durimit.
Për hollësitë e ngjarjeve,
të thyerjes së rezistencës dhe pasojave të saj, lexonie vet librin. Aty do t’i gjeni argumentet te cilat
i ka analizuar dhe interpretuar autori.
Kapitulli i shtatë, që mbanë
titullin: “Dekada e sundimit nga të huajt dhe vazalët”, është analiza më
e mirë që deri më tash i ka bërë dikush gjendjës të periudhës së pas çlirimit
të Kosovës. Administrata e korruptuar e KB, që kishte uzurpuar të gjitha levat
e pushtetit në Kosovë, me ndihmën e vazalëve vendorë, përmes procesit të
privatizimit e shkatërrpi tërësisht ekonominë e Kosovës dhe e ndau Kosovën në
vija etnike, duke e cënuar sovraniteti, integritetin, konsolidimin
dhe funksionimin e shtetit të Kosovës.
* * *
Libri i mr. Jusuf Zejnullahut:
Rezistenca e thyer, është një kronologji e ngjarjeve historike që kanë
ndodhur në Kosovë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar dhe e situatës së
krijuar nën administrimin kolonialist të Kombeve të Bashkuara (UNMIK-ut). Autori, nga pozita e kryetarit të Qeverisë, e
ka përcjellur gjendjen me vëmendje të përqëndruar, ka pasur njohuri, argumente
e dokumente të bollshme për të shkruar librin dhe kemi bindjen se ngjarjet i ka
shtjelluar realisht. Libri “Rezistenca e thyer” është edhe si një autobiografi
e vet autorit Jusuf Zejnullahu, sepse një pjesë e madhe i referohet
aktivaitetit të tij personal dhe kolektiv të Qeverisë në krye të së cilës
ishte. Dikush mund të bëjë vërejtje, se autori e ka potencuar me tepri
kontributin e tij, si në periudhën sa ishte në Kosovë, ashtu edhe atë në egzil.
Por, nëse analizojmë me realizëm punën dhe aktivitetin e tij, sidomos nga
mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Serbisë (më 9 qershor
1990), dhe përkrahjen e fituar nga qeveria e Kroacisë dhe e Sllovenisë dhe të
disa shteteve të Evropës, është e pamohueshme se autori ka bërë punë të vyeshme
dhe ka pasur vizion veprimi, por i ka
munguar përkrahja nga “pushteti i
rezistencës paqësore” që ishte instaluar në Kosovë, i mbikëqyrur dhe
kontrolluar rreptësisht nga pushteti okupues i Serbisë. Prandaj, ky libër është
i mirë për t’ua përkujtuar atë kohë dhe ato ngjarje atyre të cilët i kanë
përjetuar, aq më tepër për t’i mësuar e ditur gjeneratat e mëvonshme, të cilët
nuk i dijnë ato.
Nëse dikush mund të bëjë
ndonjë vërejtje për vlerën artistike-letrare të librit, unë i them se ajo kompensohet me vlerën dokumentare, të
realizmit dhe të argumenteve që ka prezentuar e shtjelluar autori. Tematika që trajtohet në këtë libër meriton
debat të gjërë e të thellë profesional dhe shkencor.
Autorit i uroj për botimin e
të dy librave të përmendura, i sugjeroj t’i vejë në faqet e internetit, që të
lexohen nga sa më shumë lexues, dhe i uroj shëndet e vullnet edhe për vepra
tjera, sepse ka dije, përvojë dhe vizion dhe çka të thotë edhe shumëçka për atë
kohë, por edhe për kohën e tashme dhe të ardhshme.