Mendime
Adil Fetahu: Elbasani i Normales apo Normalja e Elbasanit
E shtune, 02.04.2022, 07:35 PM
ELBASANI I NORMALES APO NORMALJA E ELBASANIT
(Roland
Gjini: “ELBASANI, personalitete, ngjarje e dukuri historike”, Albas, 2022)
Nga
Adil FETAHU
Kohë më parë doli nga shtypi libri i autorit Roland Gjini,
me titullin e dhënë këtu brenda kllapave. Pas Parathënies (fq.7-19), autori ka
shtjelluar “Pak histori për Elbasanin” (fq.10-37) ndërsa tekstin tjetër e ka ndarë në katër
pjesë: 1) “Disa figura dhe personalitete të Elbasanit”; 2) “Njgjarje, dukuri
dhe zhvillime historike”; 3) ”Normalja e Elbasanit”, dhe 4) “Intervista për
televizionin kombëtar “Top-channel”. Në dhjetë faqet e fundit (245-255) ka
regjistruar bibliografinë e shfrytëuar për librin e punuar.
Pjesa e parë e librit
përmbanë biografitë e 12 personalieteve më të shquara të Elbasanit. Listës së
personaliteteve më të shquara u prinë Lef Nosi, për të vazhduar me të tjerët:
Taq Buda, Ahmet Hastopalli, Jovan Dimtresku, Qamil Musa Hahifeza, Shyqyri Demiri
Sulçebeu, Vasil Andoni, Osman Deraci, Sulë Harri, Aleks Buda, Mentar Belegu,
Bardhyl Graceni.
Në pjesën e dytë të librit
(fq.114 – 191), autori si historian që është, ka shtjelluar tema të ndryshme
nga historia e Elbasanit, por edhe më gjërë. Në këtë pjesë autori ka shtejlluar
këto tema: “Lëvizja unite në trevën e
Elbasanit”; “Përpjekjet për krijimin e
një kishe shqiptare”; “Bashkëpunimi ndërfetar në Elbasan dhe pavarësia”; “Konsolidimi
i shtetit shqiptar dhe çështja e krijimit të institucioneve fetare”; “Kongresi
i Elbasanit, kongres i shkollës shqipe”; “Klubet kulturore dhe patriotike të
fillim shekullit XX”; “Kryengritja e Shqipërisë së Mesme e viteve 1914-1915”;
“Rezonimi i jetës politike në trevën e Elbasanit në vitet 1920 – 1923”;
“Elbasani dhe Lufta e Dytë Botërore”; “14 dhjetori – datë historike për
Elbasanin dhe demokracinë”.
Në pjesën e tretë (fq.192 –
225), janë trajtuar aspekte të ndryshme të historisë së Shkollës Normale të
Elbasanit, prej theelimit të saj (1909), deri në shndërrimin në Institut
Pedagogjik dhe rritjen në Universitet (“Aleksandër Xhuvani”).
Pjesa e katërt e librit (fq.226 – 244), përmbanë intervistat që i ka
dhënë autori Televizionit “Top Çhannel” për tema të dhe personalitete të
ndryshme.
Libri i prof.dr.Roland
Gjinit, ELBASANI…,mund të cilësohet si libër shkencor, sepse është punuar nga
një historian me kompetencë profesionale e shkencore; mund të cilësohet si
monografi, sepse I kushtohet historisë së qytetit, personaliteteve dhe
institucioneve të Elbasanit; mund të
cilësohet si publicistikë, sepse materialet që përmbanë libri, janë punime të
autorit të botuara më heret në buletine,
revista shkencore, profesionale e kulturore, në Enciklopedinë e Elbasanit, apo
janë kumtesa të paraqitura në sesione, konferenca e simpoziume me rastin e
pçrvjetorëve të ndryshëm.
Në librin e tij, Elbasani…,
autori ka shtjelluar tema nga historia, personalitete dhe institucione të
Elbasanit, të cilat deri më tash ose nuk janë studjuar e publikuar fare, ose
janë trajtuar në mënyrë jo të plotë. Natyrisht kjo nuk vlenë për Normalen e
Elbasanit, si institucion arsimor më i rëndësishëm në trevat shqiptare, sepse
për atë Shkollë emërmadhe janë shkruar e botuar shumë studime e monografi, në
mënyrë shumë më të thellë e më të plotë se që i ka lejuar hapësira autorit në
këtë klibër.
Në Parathëniet e librit
autori përmendë edhe shumë e shumë kronikanë, historian, etnografë,
studjues e udhëpërshkrues të njohur, të
vendit dhe të huaj, të cilët kanë dhënë ndihmesa e kontribute për njohjen e historisë së Elbasanit. Për punimn
e këtij libri për historinë e Elbasanit,
autori ka shfrytëzuar edhe materialet e përgatitura për Encipklopedinë e
Elbasanit, si dhe tema të doktorateve të utorëve të ndryshëm, të cilat kishin
të bënin me historinë, personalitetet ose institucionet e Elbasanit.
Elbasani si qytet, është
kërthiza në mesin e Shqipërisë, ka histori të gjatë mbi 2000 vjeçare, që gjatë
kohës është njohur me emra të ndryshëm: “Mancio”, “Skampius”, “Skampi”,
“Valmini”,”Neokastra”. Emri Elbasan shfaqet
në shekullin XV, që lidhet me rindërtimin e Kalasë (viti 1466) nga Sulltan
Mehmeti i Dytë, e që “Eli-Basan”
përkthyer në shqip nënkupton “Vura
dorë”, “vend që sundova”. Skampi-Elbasani ndodhej në kryeqëzimin e rrugëve
very-jug, lindje-perëndim, prandaj ishte vend i rëndësishëm kalimi dhe
stacionimi urbano-civil dhe ushtarak, që pas ndërtimit të rrugës via “Egnatia”,
lidhte Romën me Konstantinopojën. Për shkak të rëndësisë që kishte, në
shekullin IV, në kohën e Perandorit me origjinë ilire, Dioklecianit, u ndërtua
Kalaja, me qëllim të stacionimit të legjionit ushtarak romak. Si kryeqëzim i rrugëve dhe qendër e
rëndësishme që ishte, nëpër Skampin kaluan edhe shumë dyndnje e ushtri barbare
ostrogote e sllavo-bullgare (shek.VII), të cilat e shkatërruan qytetin sa që i
humbi edhe emri. Rindërtimi i qytetit (Kalasë) dhe shndërrimi i qytetit si
qëndër të rëndësishme e kulturore u bë në shekullin XV-XVII, pas invadimit të
Perandorisë Osmane. Elbasani u bë qendër
e rëndësishme kombëtare politike,
kulturore, arsimore shqiptare në kohën e Rilindjes Kombëtare e edhe në kohën e
Pavarësisë. Bile, para se të shpallej Pavrësia në Vlorë, Elbasani më 25 nëntor
1912 ngriti Flamurin Kombëtar dhe shpalli pavarësinë dhe po atë ditë 35
firmëtarë të Elbasanit, myslimanë e të krishterë, nënshrkuan një akt që ia
dërguan Ismail Qemalit në Vlorë.
Elbasani ka luajtur rol të
rëndësishëm edhe në periudhën pas Pavarësisë së Shqipërisë, gjatë periudhës
1913-1919, edhe pas Luftës së Parë e deri në Luftën e Dytë Botërore. Natyrisht,
ka pasur figura të shquara patriotike, si Aqif –pashë Biçakçiu (Elbasanin), por edhe figurë jo denjë, si
Haxhi Qamili me rebelët e tij ekstremistë.
Ndër ngjarje interesante,
por që njihet më pak në opinion, e që u zhvilluan në Shpat të Elbasanit është
Lëvizja Uniate, që ishte një lëvizje e kishës katolike bizantine, në të cilën
besimtarët e krishterë që praktikonin ritet si ortodoksë, donin të ishin të lidhur me Vatikanin. Kjo Lëvizje
u hap dhe zhvillua në pjesën e dytë të
shekullit XIX, që synonte njëfar bashkimi të kishës lindore me atë perëndimore.
Qëllimi i kësaj Lëvizjeje ishte çlirimi nga skllavëria fetare dhe shpirtëroe prej Patrikanës së Stambollit
dhe prej priftërve grekë, të cilët fenë e shfrytëzonin për qëllime shoviniste.
Rolin udhëheqës në këtë Lëvizje e pati Papa (Ati) Jorgi Theohari. Lëvizja unite kishte karakter politik dhe
kombëtar, sepse kërkonte shkëputjen nga tutela e Patrikanës së Stambollit,
predikimin në kishë dhe mësimin në shkolla në gjuhën shqipe. Në një letër
dërguar fuqive të mëdha në Stambill, shkruanë: “Duke qenë shqiptarë dhe në
qendër të Shqipërisë, ne nuk kuptojmë as greqishtën, as bullgrishten dhe as një
gjuhë tjetër dhe nuk mund të shkollohemi veçse në gjuhën shqipe”. Kështu,
unitarizmi iu bashkua programit politik të Rilindjes Kombëtare Shqiptare,
prandaj kundër kësaj Lëvizje ishin agresive edhe Patrikana dhe kisha greke edhe
Porta e Lartë. Lëvizja unite mori
përkrahje dhe zhvillim gjatë okupimit Italian (1939-1943), sa që krijoi lidhjet
me uniatët arbëreshë të Italisë. Por, kjo lëvizje mori fund me kapitullimin e
Italisë (1943).
Libri për Elbasanin
shtjellon edhe çështjen e shpalljes së autoqefalisë së kishës ortodokse
shqiptare, në vitin 1929, me patriotin at Visarion Xhuvanin në krye të kësaj
kishe. Bënë fjalë për bashkëpunimin ndërfetar, tolerancën dhe harmoninë fetare
shqiptare, të cilën e kanë lavdëduar si shembullin më të mirë në botë papa Gjon
Pali II, gjatë vizitës në Shqipëri (1993) dhe papa Françesku (2014).
Në Librin “Elbasani…”do të
gjeni materiale interesate nga fusha e arsimit dhe kulturës: materiale për
Kongresin e Elbasanit, klubet kulturore dhe patriotike, kryengritjet e viteve
1914-1915; grupimet (partite) politike dhe zgjedhjet parlamentare (1920-1923);
Elbasani në Luftën e Dytë Botërore, demonstratat antifashiste, Lëvizjen
Komuniste, Ballin Kombëtar, njësitet partizane e deri te çlirimi i Elbasanit,
më 11 nënor 1944. Në luftën antifashiste mbi 300 elbasanas kanë dhënë jetën;
vetëm nga normalistët knaë rënë 70 dëshmorë. Po Elbasani me protestën e 14
dhjetorit 1990, i dha kontribut edhe në rrëzimin e komunizmit.
Normalja e
Elbasanit, apo Elbasani i Normales!
Për shumicën e
intelektualëve shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri por gjithandej ku jetojnë e
veprojnë, kur përmendet Elbasani – menjëherë iu shkon mendja te Normalja, sikur
që kur përmendet Normalja – menjëherë e dijnë se është fjala për qytetin e Elbasanit.
Normalja e Elbasanit ishte
institucioni kryesor arsimor për shqiptarët kudo që ishin, prej themelimit të
saj 1909. Punoi e veproi 111 vjet, deri sa u shua, me vendim te Ministrisë së
Arsimit dhe u shndërrua në gjimnaz, i cili shërben si shkollë ushtrimore për
kryerjën e praktikës pedagogjike të
studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Shikuar nga ky
aspekt, Universiteti është vazhdues i
drejtpërdrejt i Normales emërmadhe të
Elbasanit, se edhe Normalja edhe
Universiteti janë institucione të të njëjtës natyrë, duke ruajtur të njëjtat
funksione e tradita dhe duke zbatuar të
njëjtat detyra.
Normalja e Elbasanit u
“lind”, u rrit dhe kontribuoi në një mjedis
të emancipuar patriotik, intelektual dhe arsimdashës. Ambienti i tillë
krijoi parakushtet për themelimin e Normales, që filloi punën më 1 dhjetor1909,
vetëm dy muaj pas mbajtjes së Kongresit të Elbasanit. Puna e Normales u
përvijua nëpër kohë, kushte e rrethana të veçanta të realietit shqiptar. Disa
herë u mbyll dhe u rihap, për shkak të Luftës Ballkanike, Luftës së Parë dhe
asaj të Dytë Botërore. Madje ka pasur përpjekje të transferohej prej Elbasanit
në ndonjë qytet tjetër, kurse gjatë Luftës së Parë Botërore kishte ide të
transferohej për ta vazhduar punën në Zvicër! Por, falë këmbënguljes së
intelektualëve elbasanas, Normalja mbeti aty ku u lind dhe u rrit, prej ku
rekrutoi më se 15000 mësues të kualifikuar
e të zellshëm për të gjitha trojet shqiptare.
Trupi arsimor, i mësuesve të
Normales, ishin intelektualët më të njohur nga të gjitha trojet shqiptare, të
cilët ishin shkolluar në universitetet dhe shkollat e larta në Perëndim, prej
nga e sollën dijën dhe përvojën e përparuar. Normalen e drejtuan personalitete
të njohura kombëtare: Luigj Gurakuqi nga Shkodra, Sotir Peci nga Korça, Aleksandër Xhuvani nga Elbasani, Qamil Bala
nga Gjilani, Bajo Topulli nga Gjirokastra,
Ahmet Gashi nga Prishtina, Salih Çeka nga Çamëria, etj.
Mësimdhënësit e Nomales
dhanë kontribut të veçantë në hartimin dhe zbatimin e plan-programeve mësimore
dhe librave shkollore, dokumentacionit dhe
literaturës didaktike, jo vetëm për Normalen e tyre, por për të gjitha
shkollat shqipe.
Në kohën e diktaturës
komuniste, duke devijuar nga praktika pedagogjike dhe programi tradicional
mësimor, Normales iu imponua regjimi ideologjik i mësimit në tre komponente:
mësim – punë prodhuese – edukim ushtarak.
Për të gjitha këto e të
tjera dhe për historinë, ngjarjet, personalitetet e shquara dhe institucionet e
Elbasanit, më detajisht e më gjërësisht do të informoheni poqese e lexoni
librin e prof.dr.Roland Gjinit: ELBASANI, personalitete, ngjarje e dukuri
historike.
Konsiderojmë se për temat e
shtjelluara në këtë libër do t’iu shkonin mirë
po të ikustroheshin me disa fotografi, qoftë të qytetit, të Kalasë, të
Shkollës Normale, të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, si dhe të disa personaliteteve më të shquara.
Gjithashtu, mendojmë se në
elitën e personaliteve të shquara të Elbasanit, është dashur të përfshihet
Mehmet Gjevori, elbasanas, i cili në vitin 1941 erdhi ne Kosovë me kontigjentin
e parë të 350 mësuesve nga Shqipëria, prej të cilëve 200 kanë qenë normalista
të Normales së Elbasanit, për të punuar në shkollat shqipe. Mehmet Gjevori për një kohë të gjatë ishte
kryeinspektor i shkollave shqipe në Kosovë, hartoi Abetaren e parë për shkollat
shiqipe në ish-Jugollavi, si dhe disa tekste tjera shkollore, pastaj punoi
redaktor i botimeve të “Rilindjes” në Prishtinë. Aq më tepër, që Mehmet Gjevori
ishte edhe “qytetar nderi” i Elbasanit, kurse në Kosovë ishte personaliteti më
i nderuar i fushës së arsimit.