Mendime
Ermal Mulosmani: 'Malokët' e Drejtësisë së Shqipërisë
E premte, 01.04.2022, 07:37 PM
“Malokët” e Drejtësisë së Shqipërisë
Nga Ermal
Mulosmani
Në vitin 1992, me marrjen e pushtetit nga Partia Demokratike, një ndër
vendimet e para të Qeverisë së re ishte reformimi i drejtësisë. Sistemi i
deri atëhershëm ishte i ndërtuar për t’i shërbyer dënimit të elementëve armiq
të Partisë, shpesh me proçese të montuara politikisht. Direktiva e Partisë
ishte mbi çdo ligj, detyra e Prokurorëve dhe Gjykatësve ishte konvertimi i
kësaj direktive në një proçes gjyqësor që, të paktën formalisht, të dukej e
kopsitur. Në shërbim të Drejtësisë viheshin ligje ekstreme, dëshmitarë të
rremë, prova të sajuara dhe lejoheshin tortura çnjerëzore.
Juristët më të mirë ishin edhe aleatët më të mëdhenj të sistemit
komunist.
Ky ishte sistemi i trashëguar.
Pushteti i ri demokratik, megjithëse krejt pa eksperiencë drejtimi apo
profesionale, e dinte shumë mirë që ata gjyqtarë e prokurorë, në Pallatin e
Drejtësisë, ishin anomalia më e madhe e një sistemi që bazohej mbi lirinë e
fjalës, ekonominë e tregut, barazinë përpara ligjit. Gjyqtarët e diktaturës së
proletariatit nuk mund të bëheshin menjëherë partizanët e fjalës së lirë dhe,
fjala vjen, dënuesit e udhëheqësve të tyre të deridjeshëm për krimin e
genocidit. Ndaj, me një vendim të Qeverisë Meksi të vitit ’93, shumë
njerëzve iu dha e drejta që me një kurs tre mujor të bëheshin prokurorë ndërsa
për 6 muaj mund të bëhej gjyqtar. Kursi u krye në ambientet e Shtëpisë së
Pushimit të Ministrisë së Brendshme në zonën e Plepave-Durrës, dhe mori emrin
legjendar “Kursi i Plepave”.
Kjo ishte një reformë thellësiht politike dhe bëhej haptas për të
zëvendësuar gjyqtarët komunistë me besnikë të Partisë së re. Përzgjedhja e
këtyre kursantëve ishte e udhëhequr nga kjo moto. “Të heqim të tyret e të vëmë
tanët” – një zëvendësim mekanik me kritere krejt abuzive…
Reforma e sotme ndryshon shumë në formë nga Plepat e dikurshëm.
Mekanizmi i vetingut dhe forma e tij ligjore është sofistikuar shumë.
Por, fatkeqësisht, thelbi është i njëjtë.
Unë e kam ndjekur me shumë vëmendje proçesin e Vetingut dhe tani mund të
them me bindje që ka qenë kryekëput nën ndikimin politik të udhëheqësve të rinj
postkomunistë. Dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe. Ja pse.
Fatmir Xhafa, ish hetuesi komunist që torturonte të rinjtë në burgje pse
ata kishin qeshur në zinë personale të Fatmirit – vdekjen e Enver Hoxhës, ishte
i përzgjedhuri për të drejtuar këtë Reformë. Ky është fakt i njohur botërisht.
Ish Hetuesit komunistë rikthehen triumfalisht. Arben Kraja emërohet
Kryeprokuror i SPAK. Ardian Dvorani ish Prokuror komunist në Shkodër shpallet Kampion kundër Korrupsionit!
E dini kush e jep këtë çmim?! Vetë Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony
Blinken! Puna e fundit që kishte bërë zoti Dvorani për këtë meritë ishte
shmangia e radhës së emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Një shkelje e hapur e
Kushtetutës së Shqipërisë!
Në thelb të vendimit të Dvoranit qëndronte vullneti për ndërtimin e një
Gjykate Kushtetuese larg ndikimit të Presidentit të Shqipërisë si i
papëlqyeshëm i maxhorancës qeverisëse dhe Ambasadës së USA. Ose edhe DASH-it
ndoshta. Dvoranit iu kërkua ta shmangte detyrimin kushtetues. Ai e bëri dhe u
dekorua. Kjo gjë u bë aq haptas dhe në mënyrë mospërfillëse ndaj kushtetutës.
Ajo ditë ishte guri mbi varrin e Reformës ligjore.
Ambasada Amerikane, maxhoranca dhe mashat e tyre “Kampionë të
Drejtësisë” do të sillnin në Pallatin e Drejtësisë me ligj apo me “maliq” ata
që dëshironin vetë.
Qeveria e kontrollon proçesin përmes organeve të Vetingut (KPK, KPA dhe
Komisionerë Publik). Njerëzit e emëruar aty janë të përzgjedhurit e saj.
Procesi monitorohet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM). Këta janë
disa juristë të huaj që vijnë e bëjnë Prokurorin ndaj funksionarëve tanë të
Drejtësisë. Ata ngrenë zërin, ulërasin, bëjnë ironi, kërcënojnë haptas. Me një
fjalë “vrajnë e kthjellin” në atë proçes.
Trupa shqiptare e Drejtësisë është në bankën e të akuzuarve si të bëhej
fjalë për kriminelë të dorës së fundit, batakçinj, hajdutë, vrasës serialë. Për
dinjitetin e tyre askush nuk merakoset. Turma shpërthen në duartrokitje sapo
“sëpata e xhelatit” veting lëshohet mbi kokën e aksh prokurori apo gjykatësi.
“Më mirë djepi bosh sesa me djallin brenda” – lëshon kushtrimin Kryeministri.
Menjëherë trupa e Vetingut ndjek direktivën.
***
Ndër subjektet e rivlerësimit (juristët e sistemit) apo edhe në
ambientet e gazetarisë rreth tyre, kriteret e shkarkimit nuk janë 2 siç
shkruhet në ligj por tre:
E para është të jesh në gjendje të vërtetosh me dokumenta pasurinë e
krijuar; e dyta është të mos kesh njolla profesionale në aktivitetin si gjyqtar
apo prokuror; e treta të mos jesh tropojan. Ti mundet t’i mbijetosh dy
kritereve të para por kurrsesi të tretit. Aty hyn në punë Florian Ballhysa,
Komisioneri Publik, ish-këshilltari i Fatmir Xhafajt. Ai është postblloku
përfundimtar që të gjen edhe gjilpërën në kashtë….I emëruar aty për të mos
lejuar kurrsesi depërtimin e ndonjë “tropojani” në Trupën e Drejtësisë së re.
Kështu bëri me Prokurorin Arben Dollapi.
Një prokuror serioz, i papërfolur kurrë ndonjëherë për korrupsion, ryshfet apo
paaftësi, njeri që i kishte ngjitur një e nga një shkallët e karrierës,
kundërshatri më i hapur i Kryeprokurorit të korruptuar Adriatik Llalla. Ai e
pagoi kundërshtimin e Llallës me transferim me ulje, në Shkodër, sepse nuk
ishte dakort me vendimet e tij klienteliste. U rikthye, pas ikjes së Llallës,
si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë me votat e të gjithë kolegëve
prokurorë. Si njeri dinjitoz dhe mbajtës i devotshëm i rrobës së Prokurorit të
Shtetit. Me një pasuri familjare që nuk e kalon kurrë nivelin mesatar të një
nëpunësi shtetëror 30 vjeçar. Trupa e shkallës së parë e kaloi me emfazë
vetingun e Dollapajt, duke lavdëruar me tepri statusin e tij të respektuar.
Por, pak më tej priste Ballhysa. Ai kishte konstatuar, ndërmjet të
tjerave, se vjehrri i Dollapajt kishte lënë një qokë të tepruar prej 200
dollarësh me rastin e hyrjes në shtëpinë e re…Ballhysa mendonte se kjo
është jashtë mundësive të vjehrrit. Mjaftoi të lexoja këtë pasazh në relacionin
22 faqësh të Ballhysës për të kuptuar se si do përfundojnë tropojanët e
drejtësisë….
Anton Martini ishte prokurori më i famshëm në Shqipëri deri para
Reformës. Të paktën në perceptimin publik. Ai arriti të zbërthente e të dënonte
një nga bandat më të fuqishme në Shqipëri, atë të Durrësit. Përmes dëshmive të
të penduarit të Drejtësisë, Anton Martini kërkoi dënime maksimale për anëtarët
e bandës që shkonin deri në të përjetshme. Bëhej fjalë për Lulzim Berishën,
Doklen e të tjerë të këtij kalibri. Ai proçes ka qenë ndër më të suksesshmit
por edhe të tjerë si banda e Cërrikut, Lushnjës apo vrasja e Komisar
Dritan Lamajt. Por këto nuk mjaftonin, Ballhysa e priste te porta
tropojanin e radhës. Një këst kredie i paargumentuar do të ishte edhe fundi i
Prokurorit të tmerrshëm të bandave shqiptare.
Tani radhën e ka Prokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj. Ky nuk është
një veting i zakonshëm dhe kjo për meritë absolute të Prokurores. Ajo është e
vetmja nga gjithë gjyqtarët/prokurorët e sistemit të drejtësisë që ishte e
zonja të debatojë hapur me përfaqësuesin e ONM-së, Theo Jacobs. Ky zyrtar, që u
bërtet prokurorëve vendas si Drejtori i shkollës nxënësve të fillores, kuptoi
që përballë më në fund kishte një njeri të aftë. Shumë të aftë. Që nuk i bën
syri tërr dhe nuk është kollaj ta sikterisësh. Reputacioni i Imerajt është i padiskutueshëm
mes kolegësh. Integriteti profesional, autoriteti në sallën e gjyqit dhe guximi
për tu përballur me çfarëdo krimineli të famshëm është demonstruar me dhjetëra
herë për çështje nga më të rëndësishmet. Ajo ishte e vetmja që shpëtoi nderin e
Prokurorisë në përballjen me Komisionin e Mandateve të çështjes së Saimir
Tahirit. Ka përfaqësuar akuzën në rastin e bandës së Emiliano Shullazit apo
terroristëve islamikë, pa kurrfarë hezititmi…
Por, siç thotë Genta Bungo, anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit,
në mesazhin e saj të bërë publik: “Çfarë të
duhet, një maloke më pak? Madje nga Tropoja. Pupupupu! Unë u largova se ajo
ishte eprorja ime”, ajo plotëson kushtin numër tre për tu
eleminuar: është maloke. Me këtë
term Genta dhe simotrat e saj kuptojnë tropojan/e/i/-n.
Zbulimi i atij mesazhi nga një anëtare e trupës që përzgjedh “heronjtë e
drejtësisë së re” është dëshmia më e fortë e turpit për këtë drejtësi. Le të
bëjnë si të duan tashmë, Elisabeta Imeraj ishte më e zonja se të gjithë
akuzuesit e saj. Ajo u bëri gjyqin reformatorëve racistë të drejtësisë së re më
shumë se sa britmat e Theo Jacobsit apo pritat e Ballhysës.
gazetaexpress.com