Mendime
Idriz Zeqiraj: Kurti befasoi me deklaratën për Thaçin!
E premte, 01.04.2022, 07:09 PM
KURTI BEFASOI ME DEKLARATËN PËR THAÇIN!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Marksi
ka thënë se "kombit dhe gruas nuk u falet, nëse i dorëzohen aventurierit
të parë"! Mjerisht, kjo i ndodhi kombit tonë me diktatorin aventurier e
kriminel, Enver Hoxha, në Shqipëri dhe po ashtu popullit të Kosovës, me
megallomanin aventurier, dinak, komplotist, e pak më shumë, për çka edhe po
akuzohet, Hashim Thaçin. Është për mbamendje thënia lapidare, e lansuar nga
LVV, si thirrje drejtuar shqiptarëve: "Një njeriu s`i nënshtrohet një
popull!" Megjithatë, nënshtrimi, përtokja, ndodhi! Dhe, ai, Hashimi u bë
mbinjeriu, duke abuzuar, cinikisht e mangupërisht, me pushtetin absolut, që
vendosi ndër vite në Kosovën tonë të përgjumur. Liria pa demokraci, është një
përralë dimri, nuk vlen asgjë. Mjerisht, kjo ndjesi i mungon populli tonë, në
Kosovën hallemadhe.
Vërtet,
Albin Kurti ka qenë opozitari, kundërshtari më i drejtëpërdrejtë i Hashim
Thaçit, kryeministër dhe president. "Mos u zgërdhi, kryeministër" dhe
"Shko Hashim", (në Hagë), - janë shprehje, jo thjeshtë të një mëllefi
personal apo partiak. Por, rrjedhojë logjike e veprimeve të dyshimta, fort
konspirative, deri në vënien në tryezën e bisedimeve të çështjeve territoriale,
që i kishte përmbyllur shpallja e pavarësisë, me konfirmimin edhe të Gjykatës
Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Letra
proverbiale e Albin Kurtit, drejtuar Thaçit, "Shko Hashim", ishte e
pritshme, por, jo profetike. Sepse Kosova është përgjakur nga bijtë e saj
bastardë, të strukturuar në një organizim kriminal, me qëllime të përcaktuara
dhe me emra të përveçëm, të shënjestruar, për t`u viktimizuar.
Për
dy dekada radhazi, Kosova është qeverisur nga zyrtarë, shtetarë e pushtetarë,
të shantazhuar. Disa nga Serbia e Haga dhe më tej; disa të tjerë nga organizata
kriminale, SHIK-u vendor. Andaj, ndryshimi mëzi pritej dhe kjo u dëshmua me
votimin masiv të LVV, duke e konsideruar si të pashantazhueshme dhe pa ngarkesa
me krime e korrupsion.
Albin
Kurti, kryeministër i bujshëm në premtime: "Kriminelët dhe hajnat në
burg", - ishte refreni i tij i preferuar. Ndërkohë, Hashimi me Kadrinë, të
frikësuar nga revanshi i pritshëm i Kurtit, me AKI-në e tyre, përgadisnin
shpalljen e LVV terroriste, të jashtëligjshme! Krerët e saj, Albinin, Glaukun e
ndoca të tjerë, t`i rrasnin në burg, si terroristë, projekt ky i aprovuar edhe
nga Prokuroria!
Mënyra
e dëshmive dhe sjellja e dëshmitarëve anonimë, tejkalonin metodat UDB-eske, dhe
shkonin në referencë ke OZNA famëkeqe, e fundviteve `40-a dhe fillimin e
`50-ve! Duhej të shkonin në
Hagë,
Hashimi me Kadrinë, për t`i publikuar përgjimet tmerruese
"INSAJDERI"! E trishtme, si në filmat horror. Kjo ishte CV-ja e
presidentit dhe kyeparlamentarit të Republikës të Kosovës!!
Kurti befasoi shqiptarët
me deklaratën në mbrojtje të Thaçit!
Dy
vite më pas, në homazhet për Familjen Jashari, Albin Kurti do t`i befasonte
shqiptarët: "Bashkëluftëtarët e Adem Jasharit po mbahen në Hagë, për
luftën e pashembulltë për liri!"
Dhe,
vetëm dy javë pas kësaj deklarate, në intervistën e dhënë gazetës prestigjioze
italiane "La Republica", kryeminstri Kurti shokoi me deklarime
paushalle dhe hiç reale: "Ata bënë luftë të fortë me Serbinë, ne patëm
2000 dëshmorë"!? "Është e pabesueshme të kesh politikanë të lartë të
Kosovës në burg, që luftuan për liri. Është një nga paradokset evropiane"!
Së
pari, ata nuk kanë qenë bashkëluftëtarët të Adem Jasharit. Sepse, ishin herë
2000 kilometra e herë 300 kilometra larg nga Ademi. Pra, ishin jashtë Kosovës.
Përkundër, dihet mirëfilli, se ata e kanë penguar në financim dhe me agjitim
kundër Hamzës dhe Ademit. Pra, kanë sabotuar luftën dhe këtë e thonë shokët e tyre
të partisë dhe të hoteleve, ku kanë "mrizuar";
Së
dyti, kemi të bëjmë me pasaktësi, sepse nga katërshja e Hagës në grup, vetëm
njëri syrësh ka qenë fizikisht në Kosovë dhe ka luftuar, Rexhep Selimi. Tre të
tjerët nuk kanë qenë pjesë e luftës, "kanë qenë larg frontit të
luftës", pra, jashtë Kosovës;
Së
treti, Kosova ka 800 dëshmorë të pushkës. Numrat tjerë janë shtuar, fiktivisht,
në 2000, bilëz, edhe 2400, njësoj si veteranët e katërfishuar rrejshëm! Por,
realisht, janë viktima të luftës;
Së
katërti, është nonsens i madh dhe bie ndesh me Bashkimin Evropian dhe Amerikën,
të cilët, faktikisht, e kanë çliruar Kosovën, që kryeministri i vendit,
apriori, pafajëson të akuzuarit, duke qenë në hetim e sipër, ende pa pasur një
vendim gjykate;
Së
pesti, kryeministri i Kosovës i rivret viktimat dhe lëndon shumë-qindra familje
të viktimave, kryesisht, ushtarakë luftë-bërës të FARK-ut të Ibrrahim Rugovës,
zyrtarë e veprimtarë të LDK-së, si dhe kuadro të hershëm, të devotshëm të
LPK-së;
Ndërmarrje e Përbashkët
Kriminale
Së
gjashti, kryeministri habitet "pse nuk gjykohen në gjendje të lirë",
edhe pse ata akuzohen për tej 100 veprave kriminale, vrastare, duke e vënë në
dyshim edhe emërtesën adekuate, - Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale -(NPK), të
pagëzuar nga Prokurori Special amerikan, Xhack Smith;
Së
shtati, kryeministri Kurti nuk merakoset, as për koston e 180 milionë euro, për
mbrojtjen e "luftëtarëve" të tij, disa syrësh të mbrojtur edhe nga 5
(pesë) avoketër të zëshëm botërorë! Krejt kjo barrë e buxhetit të lodhur të Kosovës;
Së
teti, e pakta që duhej të bënte kryeministri, do të duhej të heshte, në lidhje
me të akuzuarit për krime lufte. Ose e shumta të thoshte "ta lëmë gjykatën
në punën e saj profesionale";
Së
nënti, janë shumë-qindra fëmijë jetimër, të të vrarëve politikë, gjatë dhe pas
luftës në Kosovë. Dhe, ne nuk kemi dëgjuar dhe as parë përkujdesjen financiare
dhe as t`i vizitojë, Albin Kurti, qoftë si kryetar partie, qoftë si
kryeministër!? Një gjë mbahet mend, se njëri nga mentorët kryesor i Kurtit, i
ka aprovuar, madje, publikisht, vrasjet politike;
Së
dhjeti, komandantët që kanë bërë luftën e vërtetë për liri, për shembull, në
betejat e Kosharës, janë vrarë 114 luftëtarë për lirinë e Kosovës dhe 108
ushtarakë pushtues serbo-sllavë. Dhe, komandantët e mbijetuar, askush nuk i ka
akuzuar për krime. Por, ekziston një dallim i madh, i komandantëve të Betejës
të Loxhës, Kosharës dhe gjetkë, se ata nuk kanë ekzekutuar shqiptarë të
pafajshëm, natën në errësirë dhe ditën për diell, madje, në derë të shtëpisë,
duke terrorizuar edhe "robtë e shtëpisë"!
Metamorfoza dëshpruese e
kryministrit Kurti!
Metamorfoza
e kryeministrit Albin Kurti, nga një qendrestar opozitar, akuzues faktik dhe
mbrojtës i pa kompromis i Kosovës, nga pazaret e pista të pushtetarëve, fort të
shantazhuar dhe batakëçinj të papërmirësueshëm, tashmë, ka shokuar shqiptarët,
me deklarimet paushalle dhe "ka marrë dhenë"! Andaj, është vështirë
të shpjegohet kthesa, ndryshimi i shumë-shkallshëm i tij!
Vështirë
të kuptohet dhe aq më vështirë të shjegohet Kurti i sotëm: Edhe "shko
Hashim", në Hagë; edhe "kriminelët e hajnat në burg", edhe
"Ballkani ka nevojë të lirohet nga kriminelët e luftës",- lëshoi
deklaratën bombë, duke trazuar skenën politike të Kosovës, sidomos, ata që e
kanë "mizën pas veshit"! Dhe, tani, "është absurde të mbahet
Hashimi me shokë në burg", - thotë Kurti, vërtet, logjika e shëndoshë,
është në hall, për ta kuptuar dhe zgjidhur!?
Hamendësohet
se kjo kthesë kushtëzohet me votën e ardhshme elektorale partiake? Por, të
gjitha sondazhet, matjet publike, të shqiptarëve të Kosovës, aprovojnë, në
masën tej 85 %, thirrjen refren të Albim Kurtit: "Kriminelët dhe hajnat në
burg"! Atëherë, pse të këtë frikë, nëse ngulmohet për qerimin e hesapeve,
me kriminelë dhe hajna zyrtarë, të djeshëm dhe të sotëm?!
Padyshim,
Albini ka ndryshuar dhe me këto veprime rrezikon shumë, edhe politikisht. Kjo
do të reflektojë, negativisht, edhe në
mos përmbushjen, as për së afërmi, të premtimeve të tij, sidomos, ato parësore,
siç janë luftimi i krimeve vrastare dhe makro-hajninë zyrtare.
Qëndrimi
aktual i Kurtit, është paradoksal, kontravers, që bie ndesh edhe me parimet
elementare të një qeveritari të dinjitetshëm, i cili, gjithëherë, është thirrur
në mbrojtjen e ligjshmërisë, shtetit.
E
kuptoj presionin enorme të PDK-së, PAN-it në kor, për t`i mbrojtur kolegët
bashkëpunëtorë në punët e liga. Me gjithë deklarimet mbrojtëse të Kurtit, për
"luftëtarët e lirisë", në Hagë, kreu i PDK-së, e akuzon kryeministrin
"për paturpësi, pse nuk i përmendë me emra ata?!" PAN-istët duan ta
turpërojnë, madje, me fund, kryeministrin tonë, dikur krenar.
Pozicioni
kryeministër, assesi nuk duhej të ndikonte në shkeljen e parimeve bazike të
drejtësisë. Atëherë, cili është shantazhi që i bëhet Kurtit kryeministër? A
është i vetëdijshëm ai se mbrojtja zyrtare, të atyre që akuzohen nga Gjykata
Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, është një ogur i keq për Kosovën. Jo pse
akuzohen, sepse çdo komb i ka bakçinjtë dhe kriminelët e vetë, por, pse
mbrohen, apriori, pa pritur vendimin e gjykatës.
Arsyeja
e ndryshimit të madh të Albin Kurtit, edhe mund të vonojë, por, gjithësesi, një
ditë, "do t`i dalë tymi". Megjithatë, uroj të jetë një bërje qejfi
dikujt apo disave, dhe jo bindje e Kryeminstrit! Pëndryshe, do të ishte
zhgënjim i madh i shqiptarëve, madje, të kudondodhur, të cilët, në masën më të
madhe, festuan ndryshimin e gjatë-pritur, 14 shkurtin 2021.