Mendime
Eshref Ymeri: Ballkani i Hapur, pasaporta e tradhtisë kombëtare të Ramës
E merkure, 30.03.2022, 07:20 PM
Ballkani i Hapur, pasaporta e tradhtisë kombëtare të Ramës
(Në
gjurmët e analizave të dy publicistëve të njohur)
Nga
Prof. dr. Eshref Ymeri
Në Portalin “Fjala
e Lirë” të datës 22 mars lexova analizën e publicistit Frank Shkreli, me
titull “Shqipëria të distancohet nga këlyshët e Rusisë”. Aty ai shkruan:
“Të parët tanë na
kanë paralajmëruar më shumë se një shekull më parë: Kujdes këlyshët e Rusisë!
Ka ardhë koha që Kombi shqiptar të zgjohet, përfundimisht, nga gjumi shekullor
dhe të distancohet, një herë e mirë, nga majtizmi sllavo-bolshevik ndërkombëtar
dhe nga bolshevizmi liberal i brendshëm. Distancohuni nga këlyshët e Rusisë
para se të jetë tepër vonë. Ku tjetër po ringjallet Stalini veçse në Rusinë
bolsheviko-fashiste dhe në Shqipërinë bolsheviko-liberale!? Shqipëria në
“Ballkanin e Hapur” po fle me djallin. Distancohuni nga e keqja!”.
Në faqen e internetit “Bota Sot” të
datës 27 mars, publicisti Hafiz Shala kishte botuar analizën me titull: “Me
kë është Shqipëria e Edvin Kristaq Ramës: me Serbinë apo me Dardaninë?”.
Nga kjo analizë kam shkëputur disa
citate me domethënie të thellë”:
1. “Kryetitulli i këtij
shkrimi, kërkon një përgjigje nga shqiptarët e Shqipërisë…”.
2. “Në Samitin e shteteve anëtare të NATO-s, përderisa
Presidenti i Kroacisë, zoti Zoran Milanoviç, bëri kërkesë publike zyrtare në
emër të shtetit që Dardania menjëherë të pranohet në NATO, kryeministri i
shtetit amë, që ne dardanët e konsideruam gjithmonë si shtet amë, jo vetëm që
heshti, por edhe foli fjalë të mira për Serbinë, u zgërdhi dhe e shikoi me
ironi, por edhe me xhelozi inatçore, sepse, po ia qartë vëllaznillëkun me
kriminelin Vuçiç. Qytetarët e Shqipërisë, duhet t’i japin përgjigjje kësaj
pyetjeje që i bëhet nga shqiptarët e Dardanisë: a jeni me Serbinë apo me
Dardaninë?!”.
3. “Nëse Serbia nesër hyn në iluzione ta sulmojë Dardaninë,
a duhet ta ruajmë shpinën nga Shqipëria e Edvin Kristaq Ramës?”.
4. “Ky, pra, Edvin Kristaq Rama, po bëhet një Gebels i Enver
Hoxhës dhe i Fatos Nanos, një bashkëpunëtor i Millosheviçit në të njëjtën
mënyrë sikur bashkëpunimi i këtij me Gebelsin e Millosheviçit, Vuçiçin”.
Të dyja analizat e
këtyre dy publicistëve me formim atdhetar shembullor, janë mjaft të argumentuara.
Kanë shumë të drejtë me thirrjet dhe pyetjet që i drejtojnë Shqipërisë për t’u
distancuar nga vemjet në truallin e atdheut amë që janë vënë në shërbim të
serborusosllavizmit me nismën për Ballkanin e Hapur, një nismë kjo që s’është
gjë tjetër, veçse një ringjallje e thirrjeve të kryeargatit të Beogradit Enver
Hoxha për miqësi me serbosllavizmin.
I brumosur deri në
palcë me trashëgiminë e tradhtisë kombëtare të kryetradhtarit Enver Hoxha, Rama
i ka hyrë me zell punës për vënien e saj në jetë. Sepse ai ka parasysh
thirrje-porositë e kahershme të atij kryetradhtari për lidhjet “miqësore” me
serbosllavizmin. Në vijim po rendis disa nga ato thirrje-porosi me pasoja
rrënimtare jo vetëm për Shqipërinë Londineze, por edhe për mbarë kombin
shqiptar:
Së pari, në gusht të vitit 1947 Enver Hoxha deklaronte:
“...Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshalit Tito
dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e
madhe. Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një
aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugosllavia... Po të
studiojmë historinë e vërtetë të popullit tonë dhe jo atë të shkruajtur prej
agjentëve të imperializmit, do të shohim se populli ynë, pa qenë një popull
sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë…
Prandaj populli ynë duhet ta kuptojë mirë se aleanca me popujt e Jugosllavisë
është garancia e shëndoshë për të ardhmen e tij” (Citohet sipas: Pjesë të fjalës
së Enver Hoxhës para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Pleniumin IV të rinisë popullore. Gazeta “Bashkimi”.
22 gusht 1947).
Kryeargati dhe kryeservili i serbosllavizmit Enver Hoxha, si njeri me
kulturë gjysmake, anashkalon të vërtetën
historike dhe armiqësinë e egër shumëshekullore të serbosllavizmit kundër
etnisë shqiptare, kërkonte t’ia shiste opinionit publik për “miqësi”. Një
intelektual i njohur i Dardanisë, Profesori Hakif Bajrami, citon priftin serb Nikollaj Velmiroviç,
i cili në vitin 1942 pati deklaruar:
“Atë që po bën sot Hitleri kundër
hebrenjve, atë e ka bërë Shën Sava (1169-1236) në mesjetë kundër arbanasëve,
që nuk donin të konvertohen në sllavë” (Citohet sipas: “Pse Serbia sot është
në ofensivë defaktorizuese ndaj Republikës së Kosovës”. Faqja e internetit “Agjencioni
Floripress”. 11 dhjetor 2020).
Mjerani Enver Hoxha shpërfillte
krimet e egra të serbosllavizmit kundër Dardanisë pas Kongresit famëkeq të
Berlinit, harronte masakrat e tij shtazarake kundër mbarë kombit shqiptar në
vitet e Luftës Ballkanike, të pasqyruara me aq vërtetësi historike në librin “Akuza që ulërijnë”, me autor hebreun austriak Leo
Freundlih (1875-1953). Në atë libër, të botuar në vitin 1913, kopjen e
vetme të të cilit, në vitin 1982, e zbuloi studiuesja Safete Juka në
Bibliotekën e Universitetit të Harvardit, autori shkruan se sebët patën vrarë
500 mijë shqiptarë.
Së dyti, në mbledhjen e Byrosë Politike të 15 dhjetorit 1947, Enver Hoxha kërkonte
që Shqipëria të bëhej republikë e shtatë e Jugosllavisë titiste. Ajo thirrje
për republikë të shtatë të ngrehinës jugosllave ishte thjesht një maskë, me të
cilën kryetradhtari Enver Hoxha kërkonte të fshihte qëllimin e vërtetë të
statusit të asaj republike - shndërrimin e Shqipërisë në një koloni të
Jugosllavisë.
Ja cila ishte
thirrja e kryerenegatit Enver Hoxha në atë mbledhje:
“Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më
shpejt bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat
(parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i
pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë…”.
Kam bindjen e
plotë se kjo ka qenë thirrja më kryekriminale, më kryetradhtare dhe më poshtëruese në historinë e mbarë kombit
shqiptar. Me këtë thirrje, kryeservili i Titos Enver Hoxha fyente rëndë
popullin shqiptar, tek i cili nuk kishte kurrfarë besimi te forcat dhe
energjitë e tij krijuese, dhe si një njeri me formim gjysmak, pa kulturë
universitare, me trurin e tij të mykur
nga servilizmi ndaj serbosllavizmit, kishte krijuar bindjen e plotë se
Shqipëria nuk mund të mbijetonte dot pa u futur në vathën e Jugosllavisë
titiste. Është për të vënë duart në kokë që komunistët shqiptarë, mes të cilëve
ka pasur edhe nga ata që kishin formim të admirueshëm nacionalist, lejuan që në krye të partisë
komuniste të vihej një këlysh i serbosllavizmit, i përzgjegjur me shumë kujdes
nga Beogradi përmes emisarëve të tij Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.
Komunistët me formim nacionalist duhej të kishin pasur parasysh fjalët e
Mustafa Kaçaçit në Konferencën e Labinotit (mars 1943), kur ai e denoncoi
publiksht Enver Hoxhën:
“Ti Enver ke qenë
askushi”.
Po ashtu, në
mbyllje të asaj konference, pasi Omer Nishani lexoi rezolutën, Mustafa Gjinishi
e denoncoi Enver Hoxhën edhe më rëndë. Në sallë ai u ngrit më këmbë dhe me
gishtin tregues nga presidiumi, iu drejtua me fjalët:
“Ti je një
tradhtar”.
Të dy këta
komunistë me brumosje të shkëlqyer nacionaliste, u vranë pabesisht nga këlyshët
e serbosllavizmit, të cilët Miladini dhe Dushani i kishin “mbjellë” me shumë
kujdes në radhët e partisë komuniste, si agjenturë e Beogradit, si edhe në
radhët e ushtrisë.
Së treti, një tjetër fakt konkret vërteton katërcipërisht se Enver Hoxha as që donte
t’ia dinte për opinionin publik shqiptar dhe çdo vendim e merrte me kokën e
vet. Në një letër që i dërgonte Titos në mars të vitit 1948, ai, me ndjenjën e
inferioritetit dhe të servilizmit politik që e karakterizonte kokë e këmbë në
marrëdhëniet me Jugosllavinë, ishte duke vënë në pikëpyetje pavarësinë edhe të
kësaj cope Shqipërie që i kishte shpëtuar thikës shoviniste evropiane të
copëtimit\, me frymëzimin e armikut tonë më të tërbuar, rusocarizmit. Ja si i
drejtohej Titos në atë letër:
“Shoku Mareshal,
…Populli ynë është aq i lidhur shpirtërisht dhe
ekonomikisht me popujt e Jugosllavisë sa asnjë popull tjetër dhe ky bashkim
s’ka asgjë formale, por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë. Ne duhet të
punojmë konkretisht për Federatën [Jugosllave] dhe për këtë gjë në vendin tonë
punohet me të gjitha forcat… Ne kemi bindjen se, si kurdoherë, Komiteti Central
i Jugosllavisë do të na sqarojë dhe do të na këshillojë hapat dhe shoqërisht
mbi këtë çështje të rëndësishme për të dy vendet tona.
Pranoni të falat e mia më të nxehta shoqërore.
Enver Hoxha
Tiranë, 17 mars 1948” (Citohet sipas: Vasfi Baruti.
“Enver Hoxha në optikë të re. Shtëpia Botuese UEGEN. Tiranë,
2013, f. 207).
Kjo letër dëshmon ditën për diell se ç’udhëheqës
servil dhe pa dinjitet kombëtar ka pasur në krye Shqipëria. Inferioriteti dhe
servilizmi politik i Enver Hoxhës para Titos kishte arritur deri në atë
derexhe, saqë ai, pasionin e vet të
zjarrtë për ta bashkuar Shqipërinë me Jugosllavinë, kishte guximin ta shiste
për pasion të popullit shqiptar.
Po ashtu, pasardhësi i Enver Hoxhës, kryetradhtari
me damkë Rama, pa pyetur absolutisht se cili është mendimi i opinionit publik
për të ashtuquajturin “Ballkan i Hapur”, shkon në Beograd dhe vihet kokë
e këmbë në shërbim të shovinistit Vuçiç, duke firmosur me kokën e vet, paçka se
opozita faktike dhe kryetari faktik i saj, Prof.dr. Sali Berisha, e ka
denoncuar me rreptësinë më të madhe dhe kryetradhtinë e Ramës e ka demaskuar
paq. Dhe për t’i vënë vulën tradhtisë
ndaj mbarë kombit shqiptar, Rama, për Ballkanin e Hapur, merr edhe miratimin e
deledeputetëve injorantë të Kuvendit.
Publicistët e
njohur Frank Shkreli dhe Hafiz Shala i bëjnë thirrje Shqipërisë për distancim
nga këlyshët e Rusisë. Po si t’ia bëjmë se këlyshë të tillë janë si fara e
gramit dhe nuk besoj se janë të paktë në radhët e partisë neokomuniste apo
neobolshevike me etiketë socialiste. Një kryekëlysh i tillë është vetë Rama, ai
që është vënë në shërbim të serbosllavizmit me thirrjen për Ballkanin e Hapur,
çka do të thotë vënie në shërbim të neobolshevizmit rus, armikut tradicional të
kombit shqiptar.
Në
faqen e internetit të gazetës “Bota Sot” të datës 19 shkurt 2021, ishte
botuar shënimi me titull “Dy gracka për Albin Kurtin”, me autore
publicisten e njohur Kimete Berisha. Në atë shënim, për të cilin kishte marrë
shkas nga ideja e Albin Kurtit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ajo ishte
ndalur në këndvështrimin e Pandeli Majkos, i cili qenkej shprehur kundër
bashkimit në fjalë. Ajo thekson:
“Pandeli
Majko mendon se ideja e “bashkimit kombëtar” është ide e vjetruar, e shekullit
të kaluar, prandaj, sipas tij, Albin Kurti nuk duhet të merret më me të. Rrush
prej mendve, Pandeli Majkos prej se i kanë shkuar shokët në hapsanë, ka harruar
që është shqiptar”.
Në
shënimin e vet, publicistja Kimete Berisha përmend edhe Elisa Spiropalin, e
cila paskej bashkuar zërin e vet me zërin e Pandeli Majkos kundër bashkimit të
Kosovës me Shqipërinë, sepse, siç shkruan publicistja e nderuar, “… edhe Elisa
Spiropali po shqetësohet sa herë po e përmendin bashkimin. Milionerja zhelane,
i tha Albinit “s’ka cicmic””.
Kur
deklaron kështu edhe Elisa Spiropali, e cila njihet si “uni i dytë” (alter ego)
i Ramës, si më kryeservilja e tij, s’ka më asnjë fije dyshimi se Rama, ashtu si
Enver Hoxha me servilizmin e vet ndaj serbosllavizmit, e ka zgjeruar rrjetin e
këlyshëve në shërbim të Beogradit, çka do të thotë edhe në shërbim të Rusisë
neocariste.
Shumë
vite më parë, një publicist i njohur i formatit nacionalist, pati denoncuar
publikisht një figurë me paha të madhe në krye të partisë neokomuniste-socialiste.
Sipas publicistit, ajo figurë e lartë e asaj partie, pikërisht në vitin 1997,
pra, në vitin e gjëmave tragjike për vendin tonë, takohej fshehurazi në Tiranë
me atasheun ushtarak rus.
Në
këto kushte, thirrjet e publicistëve të nderuar Frank Shkreli dhe Hafiz Shala,
për fat të keq, s’ka kush t’i kthejë në realitet, sepse këlyshizmi në shërbim
të serbo-ruso-sllavizmit, në Shqipëri ndodhet në majat e pushtetit, aq më tepër
që krejt ngrehina e partisë neobolshevike socialiste s’është gjë tjetër, veçse
një rojtinë e kalbur “bujkrobërish socialistë”, të cilët Rama i shkel me këmbë,
çka të kujton kopenë komunisto-puniste
nën çizmen e Enver Hoxhës.
Sikur
në Shqipëri të ndodhej në krye një tjetër kastë politike, me brumosje
dinjitoze, nacionaliste, në mbrojtje të interesave jetike jo vetëm të atdheut
amë, por edhe të mbarë kombit shqiptar, do të ishte më se e domosdoshme që të
rishikoheshin marrëdhëniet diplomatike me Serbinë shoviniste, e cila jo vetëm
nuk pranon të njohë krimet e rënda fashiste që ka kryer gjatë më shumë se një
shekulli në Dardani, por edhe vazhdon ende për pretendime teritoriale ndaj saj.
Prandaj do të ishte shumë mirë që ambasada jonë në Beograd të mbyllet
përfundimisht dhe problemet e ndryshme me Serbinë t’i mbulojë amasada jonë në
Kroaci. Madje ajo ambasadë duhej mbyllur që kur Serbia fashiste filloi
masakrimin e popullit shqiptar të Dardanisë në fundin e viteve ’90.
Po
ashtu, duke pasur parasysh qëndrimet tradicionalisht armiqësore të
rusopolitikës shoviniste ndaj mbarë kombit shqiptar, duke filluar që nga
Kongresi i Berlinit deri në ditët tona, dhe sidomos qëndrimet tejet armiqësore
ndaj Republikës së Dardanisë, do të ishte shumë mirë që ambasada jonë në
Moskë të mbyllej dhe problemet me Rusinë
t’i mbulonte ambasada jonë në Poloni.. Personalisht nuk mund ta përfytyroj dot
pozitën e ambasadorëve tanë në Serbi dhe në Rusi. Si është e mundur që ata
ambasadorë nuk gjejnë dot forca në vetvete për të dhënë dorëheqjen?
Armiqësinë
tradicionale të politikës ruse ndaj kombit shqiptar e kam pasqyruar me fakte
konkrete në një analizë të gjatë, me titull “Rusia, kjo armike e betuar e
kombit shqiptar”, të botuar në internet në vitin 2009.
Las Vegas, Nevada
29 mars 2022