Mendime
Enver Bytyçi: Paralajmërimi i Zelenskit për pozicionin francez në Ukrainë!
E marte, 29.03.2022, 08:16 PM
Paralajmërimi i Zelenskit për pozicionin francez në Ukrainë!
Nga
Enver Bytyçi
Presidenti
i Ukrainës Volodomir Zelenski çdo ditë e më shumë na zbulon faktin se interesat
e Fuqive të Mëdha Europiane në zonën e kunfliktit me Rusinë ndryshojnë nga
njëra - tjetra. Ai veçoi angazhimin maksimal të Britanisë së Madhe dhe
kryeministrit Boris Johnson në këtë konflikt. Tha se ky angazhim është modeli i
ndihmës që i duhet dhënë Ukrainës për ta fituar luftën me Rusinë. Dhe dukej se
nuk kishte hipokriizi në vlerësimin e tij për Londrën, sepse në fund përmend
pasigurinë e tij nëse edhe Anglia është ose jo për zgjatjen e kësaj lufte!
Më
tej Zelenski ndihmën e Gjermanisë e karakterizon si konjukturale, herë me
aksionet e duhura dhe me ndihma domethënëse dhe herë tjetër të kushtëzuar nga
reagimi i opinionit të brendshëm, si dhe nga ndikimet që japin sanksionet
kundër Rusisë te ekonomia gjermane. Një realitet ky i provuar tashmë në
raportet e fuqisë më të madhe europiane ndaj konfliktit dhe sulmeve ruse kundër
Ukrainës. Por i dëshmuar edhe në krizën e Krimesë në vitin 2014.
Por
presidenti ukrainas kritikon ashpër qëndrimet e presidentit të Francës,
Emmanuel Macron, për të cilin thotë se "ka frikë nga Rusia"!
Qëndrimet franceze ai i karakterizon si
qëndrime që favorizojnë politikën dhe agresionin e Kremlinit në Ukrainë, si
qëndrime, të cilat nuk i ndihëmojnë kauzës perendimore në atdheun e Volomir
Zelenskit. Kritika ndaj qëndrimit francez bazohet në refuzimin e këtij vendi
për ndihmë më të fuqishme ndaj luftës së drejtë që bën Ukraina për mbrojtjen e
sovranitetit të saj. Ajo ka një bazë, sepse sjelljet e Macron në samitet
ndërkombëtare ngjajnë me një lloj "moderacioni" që favorizon
agresorin rus.
I
përmenda këta tre shembuj për të provuar faktin se Europa në thelbin e vet nuk
ka ndryshuar. Fuqitë e Mëdha të saj, para së gjithash Britania e Madhe,
Gjermania dhe Franca, kanë qasje jo të njëjta në raport me luftën ukrainase.
Askush nuk mund të presë që këto fuqi të jenë unike dhe në harmoni absolute
edhe në këtë rast kur kërcënohet ekzistenca e Bashkimit Europian dhe e vetë
shteteve europiane. Megjithatë dallimet nuk mund të jenë esenciale. Nëse
Britania e Madhe është aktive në luftën e Ukrainës kundër Rusisë, Gjermania
mban një pozicion pak më të butë. Ndërkohë Franca shfaqet me mentalitetin
historik të një aleance e miqësie të trashëguar me Rusinë.
Në
fakt do të duhej të ishte ndryshe. Sulmet ushtarake të Moskës kundër një vendi
sovran për pushtimin e tij, ose për t'ia ndryshuar atij hartën politike, janë
kërcënim në radhë të parë për Europën Lindore dhe Juglindore, ku bën pjesë edhe
Ballkani Perendimor. Ky kërcënim po përsëritet për të tretën herë në 13 vite të
mbretërimit të Vladimir Putin në Moskë. Rreziku rus anti-perendimor nisi në
vitin 2008 me aneksimin e Abkazisë dhe Osetisë së Jugut, të cilat ishin pjesë e
sovranitetit të Gjeorgjisë. Vërtet ky lloj pushtimi nuk u njoh de jure nga bota
e civilizuar. Por ishte presidenti Sarkozy, ai që "shkriu" akujt e
marrëdhënieve të Europës me Kremlinin.
Në
vitin 2014 ndodhi e njëjta gjë me Krimenë, e cila iu shkëput dhunshëm dhe pa
asnjë shkak Ukrinës dhe u bë pjesë integrale e Rusisë. Vladimir Putin e
udhëhoqi këtë luftë personalisht, ndërkohë që ndezi flakët e konfliktit në
zonën e Donbasit në lindje të Ukrainës. Europianët dhe amerikanët gjatë kësaj
kohe u konfliktuan midis tyre se kush prej tyre do të kontrollonte ngjarjet në
sheshin Maidan të Kievit. Kurse Vladimir Putin vazhdoi me gjakftohtësi dhe pa
pengesa projektin e tij të aneksimit të gadishullit në fjalë. U vendosën
sanksione edhe atëherë. Por ishin përsëri francezët ata që "shkrinë"
akujt e ftohtë të marrëdhënieve midis Brukselit e Moskës. Krimeja nuk është
njohur si pjesë e Rusisë, por de facto ajo është pjesë e saj. Deputetë të
shumtë të Asamblesë Kombëtare të Francës e kanë vizituar Krimenë e aneksuar,
duke legjitimuar aneksimin e saj nga Moska.
Duke
mësuar nga eksperienca e lëshimeve europiane sipas skemës së Parisit, Putin
nisi aksionin ushtarak të pushtimit të Ukrainës. Ukraina luftoi, qëndroi dhe
Rusia po pëson humbje në terren. Por në Europë duket se ende ka një lloj
disharmonie në qëndrimin ndaj agresorëve rusë. Kjo disharmoni mund të kthehet
në konflikt brenda-europian. Ka prej atyre që thonë se Macron nuk e kupton që
përçarja e Europës është pritshmëria me fatlume e presidentit të Rusisë. Por
nuk është "moskuptimi" arsyeja e qëndrimeve toleruese të presidentit
francez. Shkaku themelor lidhet me afeksionet dhe ndjesitë pro-ruse të shumë
francezëve, të cilët do të përdorin votën për zgjedhjet e këtij viti
presidenciale në Francë, gjë që nuk ndodh te Fuqitë e tjera të Mëdha të
Europës. Nuk ndodh sidomos te britanikët, por në një masë të madhe edhe te
gjermanët.
Nëse
Fuqitë e Mëdha Europiane nuk do të jenë bashkë e në të njëjtën valë reagimi
ndaj agresorëve rusë kundër sovranitetit të Ukrainës, atëherë bota do të shkojë
lehtësisht drejt një lufte të tretë. George Soros thoshte në një editorial të
botuar në mediet botërore se kjo luftë tashmë ka filluar. Por kjo nuk është e
vërtetë, sa kohë që Ukraina mbrohet me sakrifica të shumta. Nëse do ketë ose jo
një Luftë të Tretë Botërore, kjo varet nga harmonia dhe uniteti i europianëve,
para së gjithash të tri vendeve më të fuqishme të saj!
Ajo
që pohon presidenti i Ukrainës, Zelenski, vlen edhe për ngjarjet në Ballkan e
në Kosovë. Janë përpjekjet individuale të Fuqive Europiane dhe ndikimet
franceze shkaku i stërzgjatjes së krizës dhe konfliktit si në Kosovë edhe në
Bosnjë-Hercegovinë. Këtë duhet ta mbajnë parasysh liderët politikë të këtyre
vendeve!