Mendime » Radovani
Fritz Radovani: At Gjon Shllaku
E diele, 27.03.2022, 08:26 PM
Nga Fritz RADOVANI:
Pjesa
Nr. 14. Zamak i Flamurit…
AT GJON
SHLLAKU O.F.M.
“Kallxonte nji zonjë, e cila
aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim personal të sekretarit të Partisë
Enver Hoxhës, në marrëdhanjet diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në
Tiranë, si njiditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasatorit titist e Enverit,
ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit
gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm
Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!”. Simbas
rrëfimit të grues, ambasatori diplomat i vjetër pan-serbian, i paska pasë
përgjegjë: “Po, po! Po keni ende gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon
shumë”, duhet - vazhdoi ai “ si mbas porosisë që kam prej qeverisë seme, të
zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në
Shkodër, me në krye Françeskanët!” (At
Daniel Gjeçaj “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare” fq. 36.).
At Gjon Shllaku O.F.M. asht
kenë një Françeskan i përgatitun në disa fusha.
Kishte kohë që e kishte thanë
At Gjon Shllaku O.F.M., këte aksiomë të Tij:
“Tjetër kund njerëzit e idealit
nëse i mbysin për së gjalli, i nderojnë për së vdekuni. Ndër né, ata mbyten dy
herë, edhe harrohën!”.
Fatkeqësisht, një thanje që sot, asht ma aktuale se asnjëherë!
At Gjon Shllaku asht le në
Shkodër më 27.07.1907. Vazhdoi shkollen nder Françeskanët e Shkodres ku ra në
sy per mprehtësi. Studimet universitare i bani në Lovanio të Hollandës si dhe
në Paris. Asht shugurue Meshtar më 15.03.1931. Ka dhanë mësim si Profesor në
filozofi, gjuhë frënge, ekonomi politike në Liceun Illyricum të Fretënve në
Shkoder. Zotnoi disa gjuhë.
Ishte fillimi i vitit 1945, kur
në Shkoder vinte Sejfulla Maleshova, gjoja me themelue “Parti Demokristjane”,
dhe nepermjet rinisë shkodrane u takue edhe me At Gjonin, i cili e vuni në
dijeni se: “Provinçiali I Françeskanve At Mati Prennushi, ua ka ndalue
rreptësisht Fretenve me u marrë me politikë, dhe se, në rast të kundert do ti
ndalonte thanjen e Meshes.” Vendimi i Tij ishte i padiskutueshem nga të gjithë
Françeskanët e Shqipnisë.
Shpesh, flitej se asht mendue
për një Parti Demokristjane.
Shpesh, bisedohej se, “ka kenë
formue” kjo parti në Shqipni.
Kishte nga ata që e thonin të
sigurt ekzistencën e kësaj partie; por nga shumë burime që për mue kanë kenë
burime të sigurta e të sakta edhe pse ishin burime gojore, si bie fjala Prof.
Gaspër Ugashi, Mark Gjon Shllaku, At Meshkalla, Don Mark Hasi, At Gegë Luma, At
Dioniz Maka, Prof. Nush Radovani, Don Nikoll Mazrreku, At Gardini, Monsinjor
Mikel Koliqi, etj., me të cilët, kur unë kam bisedue për këtë çështje, e thonin
pa ma të voglin dyshim, “se kjo parti nuk ka ekzistue kurrë në Shqipni,“
por, asht kenë një shpikje e komunistëve për me shkatrrue klerin katolik,
inteligjencën dhe rininë entuziaste për ndryshime politike demokratike.
Asnjë organizatë antikomuniste
prej vitit 1943 nuk ka pasë në emnin e saj një sigël demokristjane. Asnjë
përson nuk merr përsipër një detyrë nga kjo parti. Ende sot nuk gjindet një
dokument ku shkruhet një pikë e statutit të kësaj partie. Arkivat sot kanë edhe
detaje të programit të „Besëlidhjes së Veriut“, që u formue në vitin 1943, si
dhe perfundimin e saj.
Kjo përputhet edhe me thanjet e
At Gjolajt, në librin „Çinarët“. Ky libër u ba shkak që në vitin 1998 me u
bisedue kjo temë edhe njëherë me z. Nino Kurti. Ai kishte lexue librin dhe
ishte i kënaqun që At Gjolaj, kishte shkrue një fakt që njihej edhe prej z.
Nino, tue fillue nga loja e Sejfullah Malëshovës e deri tek laboratorët e
Sigurimit të Shtetit, në lidhje me këtë parti fantazëm e çpikun e gjithmonë e pakenun, që hangri sa koka
njerëzish të pafajshëm.
I nderuemi z. Nino Kurti tregon
se në muejn maji të vitit 1945, kishte shkue në shtëpinë e Mark Gjon Shllakut
(Gjon Mark Pyka i Rusit), mbasi ishin shumë shokë. Aty kishte gjetë Mark
Lulashin dhe Paulin Kel Palin, që sapo kishin shkundë mandin e po hanin në
oborr. Ka shkue pak ma vonë edhe njëfarë Mark Palit nga Laçi, që Nino kishte
kohë që nuk e kishte takue. I fundit ka mërrijtë Pjetër Berisha edhe ky krejt
rastësisht. Asht bisedue për zgjedhjet që do të zhvilloheshin në dhjetor të
1945.
Asht bisedue idea e ardhun nga Tirana prej Mark
Palit dhe dyshimi që kishin të gjithë këta përsona se, mos kjo ide asht lojë e
Sigurimit. Ndoshta, dy-tre nga këta përsona ndonjëherë kishin bisedue për këtë
parti, por të gjithë sëbashku nuk e kishin bisedue kurrë. Sigurisht paraqiste
rrezik.
Atëditë, i kujtohej mirë z.
Ninos, se ishte kenë i pari Pjetër Berisha që ka hapë bisedën për këtë parti.
Si parime për të gjithë nuk kishte asgja të panjoftuna, kuptohet pa hy ndër
detaje.
Debati aty kishte fillue tek
mënyra se si do të reagojë pjesa e kulturueme Myslimane dhe a do të mërrijë ajo
pjesë e pergatitun e myslimanëve me ba për vedi shumicën tjetër. Njëkohësisht
edhe a do të pranojnë ata me u drejtue kjo parti nga përsona që përfaqësojnë
pakicën e popullsisë?
Problemi i dytë ishte kenë
lidhja me klerin për me pa a pranohet prej tyne si parim. Këtë e ka marrë
përsipër Paulin Kel Pali e Mark Shllaku, per me e bisedue me At Gjon Shllakun.
Kur asht ba fjalë se kush mund të ishte kryetari, Mark Lulashi ka propozue
emnin e Andro Petroviq, i cili nuk ishte aty dhe as nuk dinte gja për këtë
bisedë. Të gjithë ishin dakord për Andron mbasi njihej si njeri i aftë, i
prëgatitun mirë si intelektual dhe shumë besnik. Mbas pak ditësh Mark Shllaku
kishte njoftue Ninon se, At Gjon Shllaku nuk ishte dakord që të formohet një
parti e tillë, mbasi largimi i Delegatit Apostolik të Vatikanit Imzot Leone
Nigris nga Shqipnia, prej qeverisë së Tiranës, më 5 maji 1945, asht tregues
shumë i keq për problemet e katolikëve në Shqipni. At Gjoni u kishte tregue se
një çështje si kjo as nuk mund të bisedohet as me Provinçialin At Mati
Prennushi, e as me Imzot Thaçin, mbasi asnjeni nuk janë dakord. Mendimin e tyne
sigurisht, ai e dinte nga takimi me Sejfullah Maleshovën, ku, At Gjoni asht
kenë prezent. At Gjoni kishte shtue se propozimi i Tiranës asht vetem lojë e
komunistëve prandej, si përfundim “kleri nuk përzihet në çështje partishë
politike mbasi mund t’a pësojë si At Lekë Luli prej zogistave”.
Nino Kurti dinte se asht ba
edhe një përpjekje tjetër prej Prof. Gjelosh Lulashit me At Çiprian Nikën,
Guardian i Françeskanëve, por edhe kjo pa asnjë rezultat. At Çipriani, përveç
shkaqeve të paraqituna nga At Gjoni, kishte shtue se ishte njoftue që edhe
shkollat fetare shpejt po mbyllen.
Gjendja sa vjen e randohet
mbasi kishte sinjalizime se ka xhakoj të përzimë me Sigurimin. Ai madje, kishte
porositë Prof. Gjelosh Lulashin, që mos të përzihen asnjë në këtë çështje mbasi
si po shifej, edhe anglo-amerikanët Shqipninë e kanë lanë në dorë të
jugosllavëve dhe, “nuk dijmë si do të bahet halli i jonë”. Nino, shtonte, se
nuk ishte kenë dakord që në fillim që kjo parti të formohej në lidhje me klerin
katolik.
Kur Mark Shllaku i ka tregue se
po formohet një organizatë pa pjesmarrjen e klerit dhe asht Mark Çuni që do
t’a drejtojë, Nino ishte kenë dakord dhe
i kënaqun për tè. Me Ninon janë kenë të gjithë papërjashtim shka ishin deri
atëherë për formimin e Partisë Demokristjane.
Kjo ishte edhe arësyeja që as
nuk asht bisedue ma për atë parti që mbeti vetëm një IDE. Mbas tyne nuk asht
mendue ma as si ide. Ai e kishte njohë ma parë Mark Çunin si djalë shumë
inteligjent, trim, i vendosun dhe besnik. Ai e formoi Organizatën “Bashkimi
Shqiptar” e dha edhe jetën për tè. Anëtarët e asaj organizatë edhe sot e kanë
për nderë që kanë ba pjesë në té dhe janë drejtue nga atdhetari i flaktë Mark
Çuni.
Nino e lente ide edhe për
faktin se përsonat që janë kenë në shtëpi të Mark Shllakut, madje, edhe Andro
Petroviq që nuk ishte fare aty, të gjithë janë arrestue vetëm për organizatën
“Bashkimi Shqiptar” dhe as që, asht tregue prej ndonjenit se asht mendue për
parti demokristjane, as gjatë torturave, as gjatë proçesit gjyqësor, madje, as
kur ishin ndër kampe e burgje. Ata nuk e kanë zanë në gojë atë ide se mund të
ridënoheshin mbas njëzet vjetësh. Ata vetëm kanë porositë njeni tjetrin që mos
me zanë me gojë emnin e Andro Petroviq, mbasi mund të baheshin shkak për
zhdukjen si dhe pushkatimin e tij kurdoherë nga komunistët.
Nino Kurti e përfundoi bisedën
e tij me këto fjalë: “Hipotezat, provokimet e bame në hetuesi, në gjyqe etj.,
janë kenë vetëm trillime dhe shpifje, mbasi vetëm po të dihej idea, asnjeni nuk
do të shpëtonte me kokë. Kjo ide asht kërkue për 50 vjetë rresht nga Sigurimi i
shtetit, por asnjëherë nuk asht ra në gjurmët e vërteta të sajë, mbasi
kryesore kemi pasë besën.
Unë jam edhe sot për një Parti
Demokristjane të vërtetë, mbasi ajo do të ndikonte shumë për hymjen në Evropë,
po ku, me e gjetë sot një kopjo të Andro Petroviq, apo të Mark Çunit, per me e
drejtue këtë parti?”.
Mbas asaj bisedë per fatin e
keq unë nuk u pashë ma me Ninon, mbasi edhe Ai vdiq ndër ato ditë krejt
papritmas në Tiranë.
Ka pasë edhe një variant tjetër
që flitej sikur Mark Pali i Laçit të Kurbinit, kur ka ardhë në Shkodër tek
shtëpia e Mark Shllakut në Rus, asht kenë i dërguem për “Partinë Demokristjane”
nga Imzot Vinçenc Prennushi. Edhe ky variant nuk qëndron mbasi as nuk asht folë
në atë shtëpi për Imzot Prennushin. Njëkohësisht, si mujte Imzot Prennushi me
dërgue Mark Palin për një detyrë kaq të rëndësishme, krejt në kundërshtim me
Argjipeshkvin Metropolitan të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçin, apo me kushrinin e
vet, Provinçialin e Françeskanëve At Mati Prennushin?
At Pjeter Meshkalla thonte:
“Asnjëherë Shqipnia nuk asht kenë e pergatitun për një parti demokristjane,
mbasi kleri nuk duhet me u përzi ndër parti politike, ndërsa brezi i inteligjencës
ishte ende në formim. Partia nuk bahet me aq pak njerëz të pergatitun sa kishte
ajo kohë. Duheshin edhe pak vite, por komunizmi kje një shkatrrim për të gjitha
fushat, sëpse, as që mund të bahej ma fjalë për qeverisje demokratike e aq ma
pak Europjane.
Shkollat marksiste-leniniste
kanë me e pengue demokracinë e qeverisjen demokratike edhe mbas përmbysjes së
komunizmit. Shkaqet dihen!”
Dihet sakt: Gjatë asaj kohe të
shkurtë, per me evitue takimet me Sejfullahin, dy here At Matia e dergoi At
Gjonin, zëvendës-famullitar në Theth dhe, prej datës 14 korrik deri më 27
nëntor 1945, në Nikaj, tue zëvendësue Atë Dioniz Makaj, nder të parët fretën të
arrestuem nga Sigurimi i shtetit në Shkodër.
Po i njajti fat më 23.01.1946,
e ndjekë edhe At Gjon Shllakun ndërsa, jepte mësim në klasë. E arrestojnë dhe
fillon hetimet.
At Gjon Shllaku O.F.M. deklaroi
para gjyqit:
Jam kenë dhe jam kundër çdo
lloj diktature. Për këtë jam kenë i keq edhe me italjanët, mbasi ardhjen e tyne
e kam quejtë pushtim. Për këtë edhe Sejfullah Malëshova më ka kërkue me formue
nji parti Demokristjane por nuk më kanë lejue eprorët, për mos me u përzi Kleri
Katolik në politikë.
Me datën 28. 01. 1946, i kam
thanë edhe z. Prokurorit se, Kisha, lejon pjesëmarrjen në politikë të
anëtarëve të saj, mjaft që politika të përdorët për të miren e shoqnisë dhe të
popullit.
Unë nuk kam ba pjesë në këtë
organizatë dhe as nuk kam sjellë njeri në këtë organizatë mbasi po e përsëris,
nuk më asht lejue me u përzi në politikë. Arsyeja kryesore asht se drejtimin e
shtetit e morën komunistët ateista.
Kur asht inaugurue Shtëpia e
Kulturës në Shkodër, unë kam shprehë bindjen teme, se asht e para herë që
Shqipnia çlirohet me gjakun e bijve të vet. Indipendenca e Shqipnisë sot nuk
asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të popullit Shqiptar.
Për organizatën “Bashkimi
Shqiptar” e kam marrë vesh kur asht arrestue At Fausti dhe At Dajani. Ma
përpara nuk kam dijtë kurrgja.
***
Me datën 08. 02. 1946, kur po
fillonte seanca e mbas drekes, porsa del para trupit gjykues z. Myfit Q.
Bushati, ish student i gjimnazit të Jezuitve, i arrestuem edhe ky si anëtar i
kësaj organizatë, ndërpritet seanca nga ndërhymja e prokurorit Aranit Çela, i
cili i drejtohet kryetarit të trupit gjykues me këto fjalë: “Me qenë se avokat
Muzafer Pipa, implikohet në këtë proçes, se ka pasë dijeni dhe se ka kënduar
trakte të këtyre organizatave apo ka qenë pjestar, kërkoj që të përjashtohet si
përfaqsues mbrojtjëje i të pandehurit Patër Gjon Shllaku me shokë”.
Av. Muzafer Pipa tha: Në lidhje
me kërkimin e z Prokuror, unë nuk kam ndonjë kundërshtim por, në këtë rast unë
nuk përfaqsoj Myfit Q. Bushatin.
Kryetari i trupit gjykues lexon
vëndimin:
Lexoni me kujdes mënyren me të
cilen u shtjellue ngjarja nga Aranit Çela, i cili nxjerrë fëtyren e vertetë të
tij!
“Vëndim: Me qenë se Muzafer
Pipa, mbi egzistencën e organizatës së ashtuquajtur Demokristjane, ka patur
dijeni dhe i atribohet faji që pretendohet që organizator është Patër Gjon
Shllaku, në anë tjetër, që të pandehurit që ky përfaqson kanë qenë pjestarë të
organizatës “Bashkimi Shqiptar”, që do të bashkohej me Demokristjanën, sipas
parimit juridik, nuk duhet të përfaqsojë, për derisa i atribohet faji i
dijenisë ose i pjesëmarrjes, prandaj, Trupi Gjykues, konform kërkesës z.
Prokuror, Vëndosë përjashtimin e tij si përfaqësues Mbrojtjëje i të pandehurve:
Patër Gjon Shllaku, Rrok Martini, Çesk Gjeluci, Ndoc Rrok Jaku dhe emron avokat
Ranko Çerankoviq.”
Avokat Muzafer Pipa doli nga
salla e gjyqit. (Dosja nr. 1068).
Nuk shkoi gjatë dhe Aranit Çela
e mbajti fjalën që i pat thanë tue hy në bar “Impero” të Fushës së Çelës: “Hë,
Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysëm leku edhe për ty!”.(Dëshmi gojore e Prof. Gaspër Ugashit).
Populli i Shkodrës ruen në
kujtesën e tij përjetë veprën heroike të Prof. Kol Prelës, Deputet i Kuvendit
Popullor në zgjedhjet e 2 dhjetorit, i cili si burrat paraqet para gjyqit:
DEKLARATË:
Unë i nënshkruemi Kol Prela,
profesor në Liceun e Shtetit Shkodër, dhe Përfaqsues i Dekretuem në Asamblenë
Kushtetuese, përsa i përket të pandehurit Patër Gjon Shllaku, Françeskan nga
Shkodra, deklaroj sa ma poshtë vijon:
Pader Gjon Shllakun e kam
njoftë për herë të parë në verën e vjetit 1940 kur u ktheva prej Italijet,
mbasi mbarova studimet universitare. Qyshë në takimet e para që kam pasë me té
kam muejtë me konstatue, se ai ishte nji element anti-italian dhe anti-fashist.
Kudo qi kishte rastin dhe
mundësinë demaskonte dhe disaprovonte ardhjen e Italisë këtu dhe, vëprimet të
cilat Italia me trathtarët bante vazhdimisht këtu, në dam të tonë.
Në rast konkret dij se, ai
propagandonte kundër njollosjes së Flamurit tonë Kombëtar me fashjot e Liktorit
e, kundër artikullit denigrues për Popullin Shqiptar që P. Fulv Cordignano pat
botue në revistën “Albania”. Madje, në këtë rasën e fundit nuk u kondenue vetëm
me disaprovue por edhe punoi për përpilimin e broshurës: “Cordignano në gjyq
përpara botës”, tue gjetë gadi të gjithë bibliografinë, tue përkthye të gjithë
copat e autorve gjerman që nëvojiteshin për atë përgjegje. Nuk e vuni emnin në
fund mbasi broshura delte n’emnin e grupit të profesorëve të Liceut të Shtetit
të Shkodrës e me vue emnin edhe ky, do të dukej se profesorët e nji instituti
Shqiptar mos të ishin në gjendje me shkrue nji artikull pa kërkue ndihmën edhe
jashta rrethit të tyne.
Këtë, mund t’a dishmojnë edhe
Prof. Mark Ndoja e Prof. Simon Deda, të cilët në këtë kohë janë kenë në kontakt
vazhdimisht me të pandehurin.
Këtë qëndrim anifashist ka
vazhdue t’a mbajë gjatë gjithë kohës që kam kenë në kontakt me té, d.m.th.,
deri në qershor 1943, datë në të cilën jam ilegalizue, mbas së cilës, nuk kam
pasë ma rasë me ra në përpjekje me té derisa asht shlirue Shqipnia.
Mbas shlirimit dihet prej të
gjithve se Pader Gjoni, ka dhanë kontribut në lamën që ishte ma i pregaditun
d.m.th. në atë të kulturës.
Ka ba konferencën për inaugurimin e Shtëpisë së
Kulturës në Shkodër, në të cilën ka thanë ndër tjera edhe këto fjalë:
“Asht e para herë që Shqipnia
shlirohet me gjakun e bijve të vet.
Indipendenca e Shqipnisë sot
nuk asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të Popullit Shqiptar”.
Përmbajtjen e kësaj deklarate,
jam gadi me e vërtetue edhe para Gjyqit të Popullit, po mos të jemi i xanun në
shkollë me mësime.
V.F.L.P.
Deklaruesi: Prof. Kol Prela
d.v.
Shkoder, 14. 02. 1946.
Ndersa At Gegë Luma deklaron në gjyq në vitin 1968: “Shqipnia ka dy
krahina të ndame, Veriu dhe Jugu, ka tre besime të ndame, myslimanë, orthodoks
dhe ma pak se të gjithë katolikë. Sikur të kishte edhe dy parti, një në pushtet
dhe një opozitë, popullsia do të ndahej në shtatë pjesë, që asht vështirë me
u kuptue njena me tjetrën vetëm dy pjesë të sajat, jo ma shtatë. Atëherë,
ku mbetë vend për Parti Demokristjane?”.
At Gjon Shllaku OFM u dënua me
vdekje me pushkatim me 22.02.1946. Asht pushkatue në Shkodër, në orën 5 të
mëngjesit, më 04.03.1946, së bashku me At Danjel Dajanin S.J., At Giovanni
Fausti-n S.J., Seminaristin Mark Çuni, të rinjtë Qerim Sadiku, Gjelosh Lulashi
e të tjerë.
Patër Gjon Shllaku tha: “Lamtumirë mi
thoni shokve Françeskanë dhe të gjithë të njoftunve. Rrnoftë Krishti Mbret dhe
Rrnoftë Shqipnija!”
Kështu mbylli
jeten dijetari i madh At Gjon Shllaku.
At Gjon Shllaku O.F.M. nder
shkrimet e veta me vlerë ka lanë një thesar të çmueshem nga ana historike dhe
filozofike, tue mos nenvleftsue asnjëherë pikpamjet e Tij Fetare dhe gjuhsore.
Ajo që e veçon Ate asht mospajtimi i Tij per asnjë arsy me pikpamjet komuniste
të kohës dhe të shtetit Shqiptar.
Ishte viti 1938 kur At Gjoni
ishte drejtor i Revistës “Hylli I Dritës”.
Aty botoi shkrimin “Shka asht komunizmi”, në të cilin analizoi doktrinën
komuniste dhe njëherit tue e njohë mirë vuni në dukje të metat e saj.
Ky studim i mirëfilltë rreth marksizmit mbetë gjithnjë i kohës dhe
aktual. Bie në sy sesi në ketë shkrim, Át Gjon Shllaku pohon se komunizmi u nis
si shkencë, nga themeluesit e parë, por përfundoi si diktaturë, nën drejtimin
fanatik të njerëzve të etun për pushtet që, për ta shue këtë etje të tyne, nuk
hezituene që të flijojnë tue vra me miljona njerëz të pafajshëm të Globit.
Shkrim aktual dhe shumë i vlefshëm, ky shkrim për historinë e filozofisë.
Kushdokjoftë ai Shqiptar që sot do të lexojë mendimet rreth organizimit
shoqnor, shkrimet filozofike, hulumtimet historike të Át Gjon Shllaku, ai do të
vrejë menjëherë se ndër ata, do të spikasin tri fjalë me vlerë të madhe:
“Shqiptari – Frati – Shqipnia”, dishka shumë origjinale dhe me vlerë per të
gjitha kohët e historisë së Shqipnisë.
E ajo që ka vlerë asht se historia e Shqipnisë asht dishmitare e këtij
trinomi të pandashëm, unjisues për idealet kulturore, shpirtnore dhe atdhetare.
Át Gjon Shllaku vazhdon edhe sot e na mëson se, idealet shpirtnore dhe
atdhetare janë shumë të çmueshme, të njisueme me jetën e atij, që i jeton dhe i
provon nder rrethanat e jetës së vet.
Mësimet e At Gjon Shllakut sot na kujtojnë gjithnjë sesi: Atdheu
ndërtohet gjithmonë mbi themelet e botës Shpirtnore.
Në shkrimet e Tij At Gjoni, pohon pahezitue asnjë moment të jetës së Tij:
“Veç nji kulturë shpirtnore e hapët âsht e zoja të lindë nji atdhedashtní, me
të cillen të çmohen, të ruhen e të lavrohen karakteristikat e ndjesítë
kombtare, e mund të na shtyj me bâ flije të panumurta per të miren e Atdheut”.
E sidomos At Gjoni (na mëson), kurr të mos bijmë në kurthën “ku aventurjerat e
të çmendunit i bijnë lodrës e na duertrokasim marrít e tyne.”
Kjo kujtesë sot na tregon saktësisht sesa i perkushtuem ishte tirani Ever
per zbatimin e porosive të diktatorit Tito, per zhdukjen Klerit tonë Katolik.
Ky krim i dha vrasësit Ever dekoraten “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, që ai e
ka edhe sot të varun në fyt, mbasi nuk ka kush ia prekë me dorë, sepse tash ne,
po presim dekoratat tjera që do të na “dhurojnë Ballkani i hapur”!
Por, mos harroni se tradhëtia e Atdheut paguhet edhe nga sternipat tuej!!
“Mallkimi i Popullit Shqiptar”, per të cilin lutet Nanë Tereza, njëditë
jo larg do të marrin me vete të gjithë ata, që me perkushtim i sherbejnë sot
atij!
Vlerat e paçmueshme të At Gjon Shllakut, edhe pse lehen në heshtje, ato
janë vertetë të doemosdoshme po, edhe të perjetëshme per jeten e Atdheun.
Sa shumë nevojë ka Shqipnia sot, per Figura si At Gjon Shllaku O.F.M., që
asht gjithmonë një Zamak i freskët i Flamurit të Kastriotit - Skenderbeut !
Melbourne, 26 Mars 2022.