Mendime » Xharra
Fahri Xharra: 400 vjetori i Tiranës e humbi të kaluarër mijëra vjeçare të saj
E shtune, 26.03.2022, 07:56 PM
400 vjetori i Tiranës e humbi të kaluarër mijëra vjeçare të saj
E
përgatiti Fahri Xharra
Varri
i Sulejman Pashë Bargjinit është afër qendrës së qytetit të tanishëm të Tiranës
dhe ruhet, ashtu si tre objektet e ndërtuara prej tij, si një trashëgimi
përkujtimore e historisë së Tiranës. Sulejman Bargjini nuk vërtetohet të ketë
thënë apo lënë të shkruar se “…po ndërtoj xhaminë dhe hamamin për të filluar
qytetin e Tiranës”.
Gjithashtu,
nuk ekziston ndonjë dokument osman, i cili përmban vendimin urdhërues ta quajë
Tiranën edhe Tiranë edhe qytet. Sulejman Bargjini nuk ndërtoi ndonjë kështjellë
mbrojtëse, nuk i vuri emrin Tiranës, nuk ia ndryshoi asaj emërtimin nga fshat
në qytet, nuk hapi ndonjë shkollë shqipe apo universitet, nuk regjistroi pronat
e banorët dhe as krijoi ndonjë zyrë bashkiake që të përmblidhte të paktën 10
000 banorë, nuk pagoi ndërtimin e linjave të furnizimit me ujë dhe kanaleve të
ujërave të zeza etj..
Sulejman
Bargjini vetëm pagoi të ndërtohej një xhami (ku edukohet dhe përhapen ide dhe
ndjenja jo shqiptare), një hamam (ku njerëzit lajnë pjesët e trupit) dhe një
furrë buke. Sulejman Bargjini ishte një ushtarak që i shërbeu vetëm Perandorisë
Osmane dhe nuk bëri ndonjë gjë për Shqipërinë; shumë e mundshme është që ai të
ketë udhëhequr edhe ekspedita ndëshkimore kundër kryengritësve shqiptarë. A ka
dëshmi të shkruar ose të skalitur mbi gur nëse Sulejman Bargjini i ka pas thënë
vetes shqiptar apo është paraqitur si i tillë?
Sulejman
Pashë Bargjini është një shembull nga mijëra e mijëra shqiptarë-arbërorë të
tjerë që i shërbyen vetëm Perandorisë Osmane, si shtet e si fe, në pozitat e
kryeministrave, ministrave, gjeneralëve, ushtarakëve, qeveritarëve e zyrtarëve
të tjerë të rëndësishëm.
Të
tillë si edhe Ali Pashë Tepelena apo Mehmet Aliu. Të gjithë ata janë pjesë e
historisë shqiptare, por vetëm për t’u treguar dhe aspak për t’u lavdëruar ose
mburrur, sepse vetëm për Shqipërinë, fisnikërinë shqiptare dhe gjuhën shqipe
nuk u përpoqën. Ato i shërbyen vetëm pushtimit osman të Arbërisë-Shqipërisë dhe
vazhdimit të atij pushtimi mizor në rrafshin ushtarak, administrativ, mendor
dhe mënyrë jetese. Ato i shërbyen errësimit të plotë që ra mbi trojet e
popullatën arbërore të Europës Juglindore.
A
hapën ato ndonjë shkollë shqipe? A botuan ose përhapën libra dhe letërsi në
shqip? A krijuan vepra arti shqiptar? A shkruajtën mendime shqip mbi natyrën,
jetën shoqërore, sportin, letërsinë, artin, shkencat, politikën, inxhinierinë,
drejtimet e përparimit?
A
nxitën ose paguan zhvillimin e qyteteve shqiptare me të paktën një shenjë që të
quhej jetë qytetare ku respektohej prona, pasuria dhe jeta e njeriut? A paguan
që rinia të arsimohej në shkenca e inxhinieri, të cilat do industrializonin
vendin dhe do lidhnin akoma më shumë rajonet shqiptare-arbërore?
A
paguan apo nxitën ndërtimin e rrugëve, urave, kanaleve dhe tuneleve? A paguan
apo nxitën zhvillimin e mendimit shqiptar, përhapjen e ideve shqiptare dhe
mosfutjen e ideve jo shqiptare? A i shërbyen ato ndriçimit dhe zgjimit kombëtar
e shoqëror? A përmblodhën ato, të paktën në libra, diturinë popullore në art,
mjekësi, ndërtim?
A
paguan ato hartimin e hartave në shqip për trojet dhe popullatën
arbërore-shqiptare? A paguan të shkruhej, të përkthehej në shqip dhe të shtypej
mbi letër gjuha shqipe? A shkruan vetë ndonjë gjësend në shqip? A grumbulluan
libra nga vendet e tjera dhe i sollën në Arbëri-Shqipëri? A urdhëruan ose
paguan ndërtimin e bibliotekave, muzeumeve, parqeve dhe lulishteve? A urdhëruan
ose paguan kryerjen e gërmimeve për qëllim studimi të lashtësisë (arkeologjisë,
e thënë jo shqip)?
A
urdhëruan ose paguan vendosjen e skulpturave të mendimtarëve të kohës e të
lashtësisë? A urdhëruan zbatimin e arkitekturave arbërore-ilire-europiane nëse
paguan të ngriheshin ura dhe ndërtesa në vendbanimet shqiptare? A ndërtuan
hekurudha dhe a i lidhën tokat shqiptare mes vedi dhe me Europën?
A
vunë tek ndonjë anije ose port flamurin e Gjergj Kastriotit? Vetëm mozaikët dhe
gdhendjet tregojnë për prodhime profesionale dhe shije me kulturë të hershme
dhe aspak primitive apo të rastësishme. Objekte të tilla pohojnë se kishte
prodhues e blerës të shkolluar, kishte jetë qyteti. Cekje të trashëgimisë së
lashtë të qytetit të Tiranës e rrethinë janë edhe muret kështjellorë tek godina
e sotme e Akademisë së Shkencave, në rrëzë të malit të Dajtit, ato të Dorëzit,
Persqopit, etj..
Në
Ilirinë e lashtë, në brigjet e Shqipërisë së sotme, kishte shkolla të asaj
cilësie ku janë shkolluar romakë të shquar në histori. Ato shkolla përbëjnë
krenari, pikë krahasimi e ringjalljeje. Kureshtja kërkon të sqarohet se nga
kush e kur u themeluan ato shkolla në Iliri, deri kur vazhduan e nga cilët
barbarë u shkatërruan, ku ishin saktësisht ato shkolla, çfarë idesh e lëndësh
mësimore edukonin ato shkolla. Ndërsa më 1614 Sulejman Pashë Bargjini pagoi
ndërtimin e një xhamie osmane (jo për qëllime dhe ide shqiptare), më 1632
peshkopi i Arbërisë imzot Gjon Kolesi hapi në kishën e Shna Prendes (Shëna
Premtes) në Skuraj të Kurbinit shkollën shqipe më të vjetër të njohur deri më
tani; shkollë e kishë që u dogjën disa herë prej pushtuesve osmanë.
Në
Europë nuk mund të hyhet në një garë të pakuptimtë për zanafillën e qyteteve
apo vendbanimeve, aq më shumë me disa qindra vjet më parë. Ndërsa në Amerikën e
Veriut qytetet e fshatrat kanë disa qindra vjet të krijuar, në Europë qyteteve
e fshatrave nuk i dihet zanafilla natyrore.
Ajo
që është e dëshmuar dhe e arsyeshme është festimi i përvjetorëve të Tiranës si kryeqytet, por jo
si qytet apo vendbanim. Tirana ose Tirona ka qenë aty ku është, me të njëjtin
emër arbëror, ashtu si Tirano në të tashmen Itali e Veriut, ashtu si për
shembull Gramshi afër Elbasanit dhe Gramshi në Sardenjë apo qyteza Albana afër
Udinezes në Veri të Italisë.
Sa
për kureshtje për dy fjalë, malësorët në fshatin Ospitale di Cadore të
provincës së Bellunos në Veri të Italisë, në anën e detit Adriatik, dhe banorët
e Gjenovës Karriges (sedia, në italisht) i thonë Karrige dhe Gotës (bichiere,
në italisht) i thonë Gotë. Kujt do t’i jepte kënaqësi festimi i “400 vjetorit
të Tiranës” dhe pse? A duhet festuar
errësimi apo ndriçimi?
Sipas shkrimit nga
Saimir Lolja