Mendime
Albert Zholi: Franko Kroqi, inxhinieri që mposhti Ramiz Alinë në zgjedhjet e vitit 1991
E enjte, 24.03.2022, 08:00 PM
Franko Kroqi, inxhinieri që mposhti Ramiz Alinë në zgjedhjet e vitit 1991
Nga
Albert Z. ZHOLI
Ai
është lënë fare në harresë duke lënë në hije dhe një fakt shumë të rëndësishëm
që në 31 mars 1991, në zgjedhjet parlamentare, ka fituar përballë Presidentit
të Republikës së asaj kohe Ramiz Alisë me rezultatin e bindshëm 62% kundrejt
34%. Kjo fitore e bujshme sot as që diskutohet nga shumë drejtues të PD-së, dhe
pse ishte ajo fitore që përmbysi tabutë e kohës dhe hapi rrugën e demokracisë
së vërtetë në Shqipëri, ku vota popullore, u mendua në mënyrën më perfekte.
Ishte një votim që tregoi pjekurinë e popullit shqiptar, që tashmë kishte ikur
koha e votimit si turmë, por si qytetar të lirë në një vend demokratik. N.q.s.
ato ditë PD, këtë fitore e përdori si armë të fortë ndaj ish krerëve komunist,
ndërsa sot, këtë intelektual, e ka lënë në skutat e harresës, pa ja përmendur
emrin në asnjë rast takimesh, festash, zgjedhjesh, apo vlerësimesh.
Ka
lerë më 31.10.1940, në Shkodër. U diplomua inxh. miniere më 28.12.1960, filloi
punë dt. 31.01.1961 në minierën e bakrit Kurbnesh, sektor i ndërmarrjes Rubik.
Dy vitet e para punoi inxh. sektori, dy vitet e dyta punoi në Kurbnesh, duke
qenë zv/kryeinxhinier i ndërmarrjes, ku mbulonte dhe minierat Rubik e Kabash,
si dhe më vonë, filloi punimet ne minierën e bakrit, Spaç. Më 1 tetor 1964
miniera Kurbnesh u bë ndërmarrje në vete, ku ai u emërua kryeinxhinier. Gjatë
vitit 1964, eksperimentoi për kushtet e Kurbneshit një metodë të re
shfrytëzimi, atë me shembje nënkati, që rriste rendimentin, ulte koston etj.
Këtë metode e zbatoi me sukses në vitin 1965. Pas Kurbneshit kjo metodë
shfrytëzimi u aplikua në shumë miniera të tjera bakri, në përputhje me kushtet
teknike të secilës minierë. Në prill të 1967 u xhirua dokumentari “Reportazh
nga Kurbneshi”, ku ishte prezent. Në shtator 1967, u xhirua filmi artistik
“Plagë të vjetra”, me shumë sekuenca nga miniera e Kurbneshit të cilën ai
drejtonte.
Në
shtator 1967, është transferuar në detyrën e kryeinxhinierit të ndërmarrjes në
minierën e bakrit në Gjegjan të Kukësit, që ishte miniera më e madhe e bakrit
në Shqipëri.
Në
shkurt të vitit 1970 është transferuar në Ministri, ku punoi deri në vitin
1988, në detyrat e specialistit, kryespecialistit e të drejtorit të Drejtorisë
së Përgjithshme të Minierave.
Në
vitin 1988 është transferuar në Institutin e Minierave për të bërë projektin e
modernizimit të minierës së Bulqizës, të cilin e përfundoi në mars të vitit
1989. E ka ripunuar këtë projekt bashkë me specialistët gjermanë të firmës
“Shahtleben” në kuadër të bashkëpunimit tekniko shkencor me Gjermaninë, dhe e
ka përditësuar edhe në vitin 2006 në kushtet e mos zbatimit të këtij projekti
dhe të ndërprerjes së punimeve abuzivisht nga firma koncesionare “Darfo”.
Në
maj 1992 është emëruar zv/ministër në ministrinë ku kishte punuar rreth 18
vjet. Nuk pranoi që të huajt të vlerësonin asetet tona minerare (tërë
industrinë minerare të kromit e vlerësonin 14 milion USD) si dhe që ata të
vendosnin se cilës firmë të huaj i duheshin dhënë minierat tona. Nuk pranoi as
kur e thirrën në Këshill të Ministrave dhe si rezultat e emëruan Ambasador në
Zagreb (Kroaci) ku punoi 3 vjet (janar 1994 deri 29 dhjetor 1996). Me 1 janar
1997 filloi punë në institutin e minierave dhe pas 9 muajsh u emërua krye/inxh,
në Korporatën Albbaker, ku punoi deri në vitin 2001. Më pas, punoi me firma
private.
Për
punën teknike e shkencore të bërë në miniera në nëntor 1978, i është dhënë për
herë të parë çmim Republike i shkallës së II-të për metodën e shfrytëzimit në
minierën Kurbnesh e atë të Gjegjanit të Kukësit. Në vitin 1985 i është dhënë
urdhër pune nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Në nëntor 1998, i është dhënë
përsëri çmim Republike i shkallës së II-të për studimin dhe projektin e
minierës Bulqizë, zbatimi i të cilit u ndërpre abuzivisht nga firma
koncesionare “Darfo”. Më 31 Mars 1991, në zgjedhjet parlamentare, ka fituar
përballë Presidentit të Republikës së asaj kohe Ramiz Alisë me rezultatin e
bindshëm 62% kundrejt 32%. Kjo fitore u diskutua edhe në mediat botërore si një
rezultat surprizë i një intelektuali të thjeshtë ndaj ish udhëheqësit komunist.
Askush nuk e besonte që në zonën ku ishte themeluar PKSH, pikërisht në kohën
kur Alia ishte në postet më të larta drejtuese të shtetit shqiptar, një
inxhinier i thjeshtë, i panjohur në Tiranë, të fitonte bindshëm. Më shumë se
kushdo u habitën drejtuesit e PD dhe vetë Sali Berisha, i cili i ishte shmangur
përballjes me Ramiz Alinë. Të gjithë politikanët e asaj kohe fitoren e Ramiz
Alisë në atë zonë dhe me atë intelektual të thjeshtë e quanin të
padiskutueshme. Në këtë zonë historikisht votonte vetëm Enver Hoxha dhe më pas
Ramiz Alia. Franko ndërroi jetë më 12 nëntor 2013 dhe deri më tani asnjë nga
liderët apo drejtuesit e PD në bazë nuk është kujtuar për këtë “Hero të
heshtur” që tronditi politikën botërore duke fituar bindshëm ndaj ish
udhëheqësit komunist që zëvendësoi Enver Hoxhën. .
Mirënjohje nga gazeta
“Telegraf”
Inxhinier
Franko Kroqi ishte një mik i gazetës “Telegraf”. Shpesh herë ai vinte në
redaksinë e gazetës me shqetësimin e dukshëm për minierat shqiptare. I dhimbsej
çdo minierë, çdo shkatërrim, çdo avari. Shkrimet dhe opinionet e tij ishin ndër
më të lexuarat në shtypin shqiptar. I thjeshtë, i dashur, korrekt ai jepte
mendime prej një specialisti pa kompromis për problemet dhe të ardhmen e
gjeologjisë shqiptare. Asnjëherë nuk vinte në dukje meritat e tij, por
shqetësimet e nëntokës shqiptare. Edhe kur ishte sëmurë në spital, në Turqi, ai
mundohej të lidhej dhe të jepte mendimet e tij për zhvillimet më të fundit të
gjeologjisë shqiptare. I lodhur nën peshën e halleve dhe problemeve të
shoqërisë shqiptare, ai asnjëherë nuk bëri kompromis në dëm të interesave të
ekonomisë shqiptare. Ky ishte tipari dallues i tij, atdhedashuria, që mungon
shumë sot tek të ashtuquajturit intelektual. Gazeta “Telegraf” i mbetet
gjithmonë mirënjohës, këtij intelektuali të thjeshtë, të dashur, vizionar, por
me zemër të madhe atdhetare.