Mendime
Eshref Ymeri: Rama me dyfytyrësi apo me shumëfytyrësi
E premte, 18.03.2022, 09:00 PM
Rama me dyfytyrësi apo me shumëfytyrësi
Nga
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Në fillim të viteve ’90, Rama mendonte dhe ëndërronte të
futej në politikë, sepse ajo i dukej zeja e tij më e parapëlqyer. Thuhet sa
asokohe ai pati synuar të krijonte edhe një parti politike, por nuk e kam
informacionin e duhur se si është e vërteta. Ishte koha kur pati nisur lëvizja
dhjetoriste për vendosjen e demokracisë dhe kur më 12 dhjetor 1990 u krijua
partia demokratike. Siç kanë qarkulluar fjalët, Rama kishte pasë synuar të
hynte në këtë parti, të dalë nga lëvizja dhjetoriste, me qëllim që të zinte
diku majat në drejtimin e saj, një lëvizje kjo, e cila, me kalimin e viteve,
degjeneroi në një demoshëmti dhjetoriste. Thuhet se nuk e pranuan në këtë parti,
megjithëse e vërteta nuk është ndriçuar përfundimisht. Rama i përkiste sërës së
intelektualëve, të cilët, për të çarë drejt politikës dhe për t’u bërë të
besueshëm në radhët e popullit të varfëruar në maksimum nga diktatura kriminale
komuniste enverhoxhiste, duhej ta shanin
dhe ta telendisnin komunizmin enverian me rrënjë e me degë. Me sa duket, Rama
kishte parasysh Fjalën e Ramiz Alisë të nëntorit të vitit 1989 në Byronë
Politike, ku ai pati deklaruar:
“Partia që do të
marrë pushtetin, do ta shajë komunizmin me themel e me çati” (Citohet sipas: “Pas në kohë, fjalimi i pazakontë i Ramiz Alisë në vitin
1989”. Faqja e internetit e gazetës “Mapo”.
22 korrik 2018).
Këtë orientim të Ramiz Alisë, Rama e pati si yll karvani
në përpjekjet e tij të ethshme për të çarë në politikë. Prandaj tre vjet pas
këtij orientimi, Rama do të shpërthente mllefin e vet kundër komunizmit:
“Duhet pranuar më në
fund hapur që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme
civile… shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste Shqiptare, e drejtuar nga
emisarët jugosllavë” (Citohet sipas: Edi Rama dhe Ardian
Klosi, “Refleksione“, Shtëpia botuese “Albania”, Tiranë 1992, f. 7).
Pra, komunizmin në Shqipëri Rama e demaskon hapur për
degjenerimin që i bëri luftës kundër pushtuesve të huaj në luftë vëllavrasëse.
Në të njëjtën kohë, Rama e quan kriminale veprën e
partisë së punës pas luftës. Ai deklaron :
“Denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të
PPSH-së deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit është i vetmi shteg nga duhet të
kalojë PSSH-ja për të fituar të drejtën e qytetarisë në shoqërinë e ardhshme
shqiptare dhe e vetmja mundësi për opozitën që atdheun e mbetur në duart e
rrugaçëve të qosheve të errëta të nomenklaturës apo të kriminelëve ordinerë,
t’ua kthejë miliona njerëzve të ndershëm që kanë humbur besimin” (po aty).
Në të njëjtën kohë, Rama zhvesh shpatën dhe i turret me
rreptësi partisë socialiste, për të cilën thotë:
“Për sa kohë PS nuk ka bërë denoncimin e plotë të
origjinës dhe historisë së saj, ajo s’mund ta ketë të drejtën për të qenë një
parti e ligjshme” (po aty).
Këto fjalë të rrepta të Ramës kundër komunizmit rezultuan
një gënjeshtër e kulluar, sepse në qenien e tij fshihej një mashtrues me damkë
Ata që e patën lexuar me vëmendje librin e sipërcituar të Ramës dhe të Klosit,
pavarësisht bindjeve të tyre politike, në nëntor të vitit 2005, kur Rama erdhi
në krye të partisë socialiste, patën menduar dhe patën shpresuar se ai do bëhej
kryemotori i denoncimit të origjinës dhe të historisë së saj, do të bëhej figura
kryesore politike për dekomunistizimin me ligj të shoqërisë shqiptare. Por Rama
jo vetëm që s’e bëri një gjë të tillë, por, përkundrazi, atë parti, si
trashëgimtare besnike të partisë së punës, e armatosi edhe më shumë me ide
neokomuniste, thelbin e të cilave e përbën degjenerimi i pluralizmit politik,
krijimi i një sistemi njëpartiak dhe përjetësimi i pushtetit, sipas shembullit
të kryeshovinistit Putin në Rusinë neocariste.
Por, për habinë e të gjithëve, Rama, gati tridhjetë vjet
më vonë, në Kuvendin e Shqipërisë, lëshon një deklaratë befasuese për
komunizmin. Ai shprehet :
“Im at, po, ka qenë komunist, si
shumë të tjerë dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë”. Kështu u
shpreh Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, gjatë një debati në parlament me
disa deputetë të “opozitës” …Kryeministri aktual i Shqipërisë deklaron -
30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit nga foltorja e Kuvendit të
Shqipërisë - se komunistët shqiptarë, në
krye me Enver Hoxhën, njërin prej diktatorëve më gjakatarë që ka njohur
historia, na paskan qenë, “në anën e duhur të historisë”. Kush është ky
njeri, a është Edi Rama “antikomunisti” i vitit 1990, apo simpatizant i
komunizmit sot? (Citohet sipas: Frank Shkreli. “Komunizmi dhe komunistët në
anën e duhur të historisë!???”. Faqja e internetit e gazetës “Dielli”. 03
gusht 2020).
Pas kësaj deklarate prej neokomunisti
të thekur, vetvetiu arrihet në përfundimin se Rama, duke e vlerësuar komunizmin
si ideologji “në anën e duhur të historisë”,
mbështet plotësisht shtyllat që përbëjnë themelet e kësaj ideologjie të
mallkuar. Këto shtylla janë:
Së pari, marrja dhe mbajtja e pushtetit me dhunë, jo përmes garës
me vote të lirë të formacioneve politike, çka është e pamundur, sepse komunizmi
nuk e lejon pluralizmin politik.
Së dyti, diktatura e proletariatit, e cila, faktikisht s’është gjë
tjetër, veçse diktaturë e egër e partisë komuniste. Shprehja diktaturë e
proletariatit kësaj partie i duhet si perde tymi për të mashtruar
popullin e thjeshtë, me qëllim që të fshehë diktaturën e saj.
Së treti, lufta e klasave, të cilën partia komuniste e shndërron
në një mjet sa të fuqishëm, aq edhe të përbindshëm për shfarosjen e
kundërshtarëve politikë dhe për përçarjen e popullit deri në përmasa tragjike.
Lufta e klasave çon pashmangshmërisht në depersonalizimin e plotë të indivitit,
i cili vjen e shndërrohet ca nga ca në një qenie të robotizuar.
Së katërti, zhdukja e fesë, si një institucion shpirtëror i njeriut
që lidhet kryekëput me jetën e tij personale. Me zhdukjen e fesë, partia
komuniste synon çrrënjosjen e kultit të Hyjnisë nga shpirti i njerëzve, me
qëllim zëvendësimin e tij me kultin e individit të kryediktatorit.
Në romanin e
rrallë në historinë e letërsisë shqipe, me titull “Diktatori në kryq”,
të prezantuar në panairin e librit të vitit 2019, shkrimtarja e shquar Mira
Meksi ka hyrë në botën e përsiatjeve të diktatorit, i cili kërkon që kulti i
tij të hyjnizohet në mendjet e njerëzve. Dhe këtu ajo zbulon me art se njëra
nga veçoritë e ushtrimit të pushtetit të diktatorit shfaqet në aftësinë e tij
për ta ushqyer mbarë shoqërinë me qenien e vetvetes, çka çon në radhët e
popullit në shpërthimin e shfrenuar të servilizmit të neveritshëm ndaj tij.
Prandaj ai mundohet të futet në indin e jetës së vendit nëpërmjet pushtimit të
çdo qoshke të tij. Kësisoj ai kërkon që në sytë e njerëzve të zërë vendin e
Hyjnisë, me qëllim që t’i bindë se prej tij varet mirëqenia e tyre. Kështu që
ata duhet të vendosin shenjën e barazisë mes diktatorit dhe shtetit, në
kuptimin që nëse nuk ekziston diktatori, nuk ka më shtet. Kur diktatori synon
që, përmes kultit të individit, të shndërrohet në Hyjni, ai arrin disa
pikësynime. Ai kërkon t’u futë frikën njerëzve, pra, t’i detyrojë kundërshtarët
politikë të mendojnë mirë para se të ndërmarrin ndonjë hap kundër tij, duke ua
bërë të qartë se ai është i pamposhtshëm. Veç kësaj, në psikologjinë e njerëzve
diktatori kërkon të krijojë bindjen se ai gëzon statusin e Hyjnisë, çka i
siguron një pushtet politik absolut. Dhe, të vësh në diskutim pushtetin e
diktatorit, është njëlloj sikur ke vënë në diskutim ligjet e natyrës. Nën
presionin e furishëm të pushtetit absolut të diktatorit, edhe masat e gjera të
popullit zënë e shushaten dhe, me kalimin e kohës, fillojnë të besojnë se ai ka
tiparet e Hyjnisë. Një rol të rëndësishëm në nxitjen e histerisë për
himnizimin e kultit të diktorit, luajnë
mjetet e informimit masiv, letërsia artistike dhe artet e bukura. Kudo ekspozohen portretet e diktatorit, piktorët, skulptorët,
kompozitorët, shkrimtarët dhe poetët krijonin vepra, në të cilat himnizohet
figura e tij me aftësi hyjnore. Mes poetëve shqiptarë pati rënë në sy Ismail
Kadarea, i cili “aftësitë hyjnore” të kryediktatorit Enver Hoxha i pati
përjetësuar në poezinë me titull “Kur flet Enveri”. Aty
lexojmë këto vargje qesharake me një kundërmim servilizmi të pështirë: “Bota
pavarësinë më të rrallë se uraniumi e ka. / Ndaj kur një fjalë e
gjallë për të / Çan mes sarkofagësh të vdekjes, /
Një fjalë e gjallë për lirinë, / Bota vë veshin në përgjim. /
Ndaj kur midis qiellit memorial të kësaj vjeshte / Fjalët e Enver
Hoxhës ndeshin, / Bubullimat mënjanohen me nderim” (Citohet
sipas: Milosao. Shtojcë e organit “Gazeta Shqiptare”. 27 qershor 2004,
f. 13).
Regjisori rus i
filmave dokumentarë Vitali Manski (1963), thotë:
“Putini po jeton
në një realitet krejt tjetër, në një realitet “hyjnor”. Dhe, për pasojë, -
vazhdon regjisori, - “pjesa dërrmuese e popullsisë ruse e përfshin atë në
radhën e shenjtorëve” (Citohet sipas: “Ç’ka në kokë një diktator?”. Faqja
e internetit “Novaja gazjeta”. 29 qershor 2016).
Së pesti, zhdukja e pronës private, e cila ka për qëllim që mbarë
popullin ta kthejë në argat të shtetit komunist. Praktika 45-vjeçare e
diktaturës komuniste në vendin tonë vërtetoi më së miri se zhdukja e pronës
private çon në rrënimin e ekonomisë së vendit dhe në varfërimin e pandalshën të
mbarë popullit, i cili në vitet ’80 arriti deri në atë shkallë mjerimi, saqë të
kërcënohej nga degjenerimi gjenetik për shkak të mungesës së ushqimit dhe
diktaturën komuniste ta shikonte në dritën e syrit për kafshatën e gojës. Një
popull i varfër i duhet së tepërmi kryediktatorit se e sundon shumë më lehtë.
Mirë që Rama u rokanis kokën lexuesve
me propagandën e tij për komunizmin “në anën e duhur të historisë”, po pse nuk
u thotë atyre as edhe një fjalë të vetme për pesë shtyllat e mësipërme? Se Rama
mund të binte edhe në përsiatje: po pa ato pesë shtyllat, komunizmi, si
ideologji, a është e mundur të mbijetojë?
Por më shumë se dy vjet pas kësaj
piruete politike, së cilës publicisti i njohur Frank Shkrel ia nxjerr bojën
paq, Rama e harron tërësisht deklaratën
e mësipërme për komunizmin “në anën e duhur të historisë” dhe, në një mjedis të
huaj diplomatik, komunizmin në Shqipëri e “zhvesh lakuriq”. Ja se si u shpreh
ai në atë mjedis:
“Asokohe,
Shqipëria ishte një bunker në terr. Për thuajse gjysmë shekulli, ajo u zvarrit
nën një nga regjimet komuniste më shtypëse në Europë, që e bëri vendin tonë, më
duhet ta them, Korenë e Veriut të Europës” (Citohet sipas: “Mandati
i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rama nga Nju Jorku: Ngjarje me
rëndësi historike. Më lini të dal jashtë skenarit dhe ta them troç…”. Faqja e internetit e gazetës
“Panorama”. 15 shkurt 2022).
Tani
lexuesit e nderuar, duke qenë në dijeni të këtyre lakadredhave politike të
Ramës, vetvetiu nxjerrin përfundimin se ai vuan
nga çekuilibri mendor.
Me sa duket, Rama vuan nga çrregullime në mekanizmin
mbrojtës të psikikës, që do të thotë se ai e ka humbur aftësinë për ta mbajtur
veten larg përjetimeve të pakëndshme. Një çekuilibrim i tillë i psikikës në
psikologji quhet çrregullim disociativ, çka do të thotë se individi nuk është i
aftë t’i përballojë përjetimet e pakëndshme. Në
latinisht fjala disociativ (dissociatio)
do të thotë, siç u përmend më lart, çrregullim në mekanizmin mbrojtës të
psikikës. Ky çrregullim mund të jetë
shkaktuar nga një traumë e rëndë emocionale, e pësuar sidomos në fëmjërinë
e hershme, çka sjell si pasojë një sëmundje të rrallë psikike, gjatë së cilës
individualiteti i njeriut sikur vjen e copëzohet dhe brenda qenies së tij
menjëherë fillojnë të jetojnë dy, tre, katër apo edhe më shumë individë. Me
këtë rast, në momente të caktuara, në qenien e individit bëhet një “ndërrim” -
njëra pjesë e tij, si në një proces zinxhir, zëvendëson pjesën tjetër. Prandaj
Rama, askushi i vitit 1992, mohon vetveten pas nëntorit të vitit 2005, pra, kur
bëhet dikushi, kur vjen në krye të partisë socialiste. Egërsia e tij kundër
komunizmit në vitin 1992, fashitet krejtësisht dhe, si kryetar i partisë
socialiste, ai shndërrohet në një neokomunist të tërbuar, të etur tmerrësisht
për pushtet personal. Kjo etje e papërmbajtur e shndërroi atë në një diktator
shembullor brenda partisë, të cilën, me kalimin e viteve, e katandisi në një
kope “bujkrobërish socialistë”, në një tufë kurrizshtuarish, pa kurrfarë
dinjiteti personal. Domosdo që me qëndrime të tilla, pa bosht karakteri, Rama
do të vinte te deklarata e vetvetishme në mbrojtje të komunizmit para
deledeputetëve figurantë. Por, për ta shitur veten si antikomunist “të regjur”
në sytë e botës perëndimore, në Nju Jork ai lëshoi deklaratën e mësipërme
kundër komunizmit, duke shkelur mbi vetveten e vitit 1992 dhe mbi vetveten në
Kuvend kur deklaroi se komunizmi na paska qenë “në anën e duhur të historisë”.
Pas
këtyre deklaratave njëra më skandaloze se tjetra, lexuesi gjakftohtë rri e
shtron pyetjen:
A ka
fytyrë të vërtetë Rama dhe nëse ka, cila është ajo? Se deklaratat e mësipërme
dëshmojnë shkoqur fare se Rama u dalluaka jo për dyfytyrësi, por për
shumëfytyrësi?
Pikërisht shumëfytyrësia e tij të kujton një
personazh të shkrimtarit amerikan Rei
Bredberi (Ray
Douglas Bradbury - 1920-2012). Ja
çfarë shkruan ai për atë personazh:
“Atij i dukej sikur vetja i qe copëzuar, sikur i qe ndarë
në disa pjesë dhe njëra pjesë qenkej e nxehtë prush, kurse tjetra e ftohtë
akull, njëra delikate, e ëmbël, tjetra e egër, njëra emocionuese, tjetra e
ftohtë gur. Dhe secila pjesë e “unit” të tij të copëzuar mundohej t’ia zhdukte
farën pjesës tjetër”.
Me lakadredhat e tij të pafundme, karakteristike këto për
një politikan, të zhveshur nga çdolloj morali, Rama, si një simbol i pastër i
së keqes në vendin tonë, të sjell në
kujtesë fjalët aq kuptimplote të matematikanit, fizikanit, letrarit,
filozofit dhe teologut francez Blez
Paskal ( Blaise
Pascal - 1623-1662), i cili shkruan:
“E keqja ka shumë
fytyra, ndërkohë që e mira, mund të themi, ka vetëm një fytyrë”.
Në vazhdim të fjalës së tij në Nju Jork, të cituar më
lart nga faqja e internetit e gazetës “Panorama”, Rama theksoi:
“Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit është një
ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë… Më lini ta nis, duke dalë
jashtë skenarit dhe duke e thënë troç, përkundër këshillës së ambasadorit dhe
të të tjerëve: … Vetëm një imagjinatë pa fre do kish guximin ta ëndërronte diçka
të tillë veç tri dekada më parë. Madje dyshoj se edhe imagjinata më e shfrenuar
nuk do kish qenë dot aq e shfrenuar sa ta ëndërronte këtë tri dekada më parë”.
Është
e qartë si drita e diellit se sikur Ramën të mos e gërryente përbrenda orë e
çast kompleksi i inferioritetit, ai nuk do të guxonte kurrë të lëshonte një
deklaratë të tillë që ia nxjerr bojën keq. Kjo për arsye se mandati i
përkohshëm i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit nuk do të thotë absolutisht se
vendi ynë paska “kapur qiellin me dorë”, sepse ky mandat është një ritual i
zakoshëm për çdo vend tjetër kur i vjen radha, si anëtar i Organizatës së
Kombeve të Bashkuara. Por këtë mandat për vendin tonë Rama e thekson dhe e
propagandon me të madhe në të gjitha udhëkryqet, sepe kërkon t’ia ngrejë sa më
lart autoritetin vetvetes, se “nuk i thonë shaka” që mandati në fjalë përkon
pikërisht me kohën kur ai, dhe jo dikush tjetër, është kryeqeveritari i
Tiranës, çka, sipas mendjes së tij të mykur nga ethet e pushtetit, do të thotë
se kjo “aritje e jashtëzakonshme” ëshë plotësisht “meritë” e tij personale!!!
Deklarata
e Ramës të kujton Frojdin (Sigmund
Freud - 1856-1939), i cili thotë:
“Sa më imponues të mundohet të duket njeriu me paraqitjen
e jashtme përmes fjalëve që thotë, aq më shumë demonë lëvrijnë brenda qenies së
tij”.
Rasti Rama në pushtet që prej vitit 1998, një rast
që ka lënë prapa edhe kryeshovinistin rus të ditëve tona Putin, i cili e gëzon
kolltukun e kryediktatorit që prej marsit të vitit 2000, më kujton esenë me
titull“E pse?!”
të intelektualit të njohur nacionalist shqiptaro-australian Federik
Radovani, të botuar në faqen e internetit “Fjala e Lirë” të datës 21
shkurt 2022. Në atë ese ai shkruan:
“Një
Burrë i dijtun nga Korça, që prej vitit 1955 jetonte në Shkodër, ishte shumë i
njoftun me emnin Prof. Petro Fundo. Ai ka pasë thanë në 1985: “Diktator si
Enver Hoxha, kushedi sa kohë sundojnë edhe pas vdekjes…”.
Pra, megjithëse
kryediktatori Enver Hoxha ka gati 37 vjet që ka ikur në amshim, prapëseprapë
enverizmi nuk ka vdekur në asnjë mënyrë,
nuk ka vdekur stili i qeverisjes
enveriste, mbartës i së cilës është Rama dhe turma e “bujkrobërve
socialistë” që e ndjekin nga pas pa përtim. Deri kur do të vazhdojmë me këtë
gjendje, o popull shqiptar? Mos vallë derisa Shqipëria të zbrazet tërësisht nga
brezi i ri dhe brezi i mesëm dhe aty të mbeten vetëm mbi 600 mijë pensionistë,
çka përbën vënien në jetë të strategjisë së kahershme të ortodoksisë
serbosllave për shpërbërjen tërësore të kombit shqiptar, strategji që Rama po e
zbaton si argat besnik i saj? Kjo strategji tmerrësisht armiqësore jo vetëm
ndaj Republikës së Shqipërisë, por edhe ndaj mbarë kombit shqiptar, i kishte
rënë në sy edhe eurodeputetes Doris Pak, e cila, në tetor të vitit 2015, pati
deklaruar publikisht:
“Pashë shifrat e azilkërkuesve shqiptarë në muajin
shtator në Gjermani dhe janë vërtet të pabesueshme. Ndoshta është një
koiçidencë, por shtrohet pyetja, pse shqiptarët nuk iknin para se Shqipëria të
ishte një vend kandidat dhe ikin tani që Shqipëria është një vend kandidat?
Besoj se ka një lidhje me situatën politike” (Citohet sipas: “Pack: Pse
shqiptarët po ikin tani që është Rama kryeministër?”. Marrë nga faqja e
internetit “Gazeta Shqiptare”. 30 tetor 2015).
Feniks, Arizona
17 mars 2022