Mendime
Florim Zeqa: Kosova në prag të legjitimimit të ndarjes politike!
E hene, 14.03.2022, 08:12 PM
Kosova në prag të legjitimimit të ndarjes politike!
Shkruan:
Florim Zeqa
Lansimi
i tezave për ndarje dhe shkëmbim territoresh në dialogun e Brukselit, më tepër
se realitet, ishin testim për lidershipin tonë se deri në ç’masë mund të
shkojnë me kompromiset e tyre. Nënshkrimi pa asnjë hezitim i ish dy
kryeministrave kosovarë i marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe dhe
miratimi nga deputetët shqiptar në Kuvendin e Kosovës, e ka trimëruar Serbinë
për të vazhduar tutje me agresionin politik ndaj Kosovës.
Ndarjet politike
prodhuan sovranitet të dyfisht
Edhe
pse tashmë Serbia e ka në xhep kartën e themelimit të Asociacionit një etnik
serb në veri, siq duket ajo nuk po kënaqet më kaq, ajo po synon shtrirjen e
sovranitetit të saj edhe në brendi të Kosovës, e cila tashmë përveqse në pesë
komuna në brendi, e ushtron sovranitetin
edhe në Manastirin e Deçanit dhe Patriarkanën e Pejës me zgjerim enorm
territorial, në kisha dhe lokalitete (fshatra) serbe gjithandej Kosovës të
përvetësuara përmes të ashtuquajturit Decentralizim administrativo-politik,
produkt i së cilës ndodhi edhe ndarja e qytetit të Mitrovicës në dy pjesë; në
Mitrovicën Jugore (shqiptare) dhe në Mitrovicën Veriore (serbe)!
Ndarje
kjo e legjitimuar në Kuvendin e Kosovës dhe nga instancat ndërkombëtare!
Ideja
e ndërkombëtarëve për një ndarje politike të Kosovës për qëllim e ka ruajtjen e
tërësisë gjeografike (mosndryshimin e kufijve të jashtëm), e cila parasheh
parcializimin politik dhe juridik brenda tërësisë territoriale dhe kushtetuese
(Plani i Ahtisarit).
Sipas
projeksioneve të shteteve mosnjohëse dhe disa prej sheteve që e kanë njohur
Kosovën, janë të gatshme t’i shpërblejnë serbët e Kosovës jo vetëm në veri, por
edhe në brendi me një lloj autonomie e cila vetëm formalisht do të mbetej
brenda tërësisë kushtetuese dhe territoriale të Kosovës, në të cilën autonomi do
të vetëqeverisen serbët lokal me ligje të Serbisë dhe të dirigjuar
drejtëpërdrejt nga Beogradi!
Kësisoji,
serbët e Kosovës do ta kenë Serbinë në Kosovë, kurse shqiptarët shumicë në këtë
vend do ta gëzojnë “Statusin Special” në shtetin e tyre multietnik të njohur
dhe mbikëqyrur nga SHBA-të, OKB-ja dhe BE-ja.
Pa
njohje multilaterale të Kosovës nga OKB-ja dhe BE-ja, “autonomistët” serb do të
jenë shtetas të Kosovës pa sovranitet (të mbikëqyrur nga OKB dhe BE) dhe
shtetas të “autonomisë” shtetërore të Serbisë.
Edhe
pse kjo nuk do të konsiderohet ndarje klasike, Kosova si një shtet i papranuar
nga instancat më të larta ndërkombëtare (OKB dhe BE) do të trajtohet si
territor “Sui generis”, si territor integral dhe treg i Serbisë.
E
njohur vetëm unilateralisht (nga shtetet veç e veç), Kosova nuk mund të zbatojë
juridikisht standardet e një shteti sovran, derisa mbikëqyret nga organizatat
multilaterale OKB-BE!
Serbia humbëse e luftës,
sillet si fitimtare e paqes
Si
produkt i avancimit të Serbisë në dialogun e Brukselit, ajo në tavolinën e
Këshillit të Sigurimit të OKB-së po sillet si humbëse e luftës dhe fitimtare e
paqes! Kurse Kosova me fusnotë* sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, po
trajtohet si e pabarabartë dhe si palë e “voluntarizmit” politik.
Serbët
në institucionet e Kosovës marrin pjesë si shtetformues të privilegjuar me
vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, kurse nuk e njohin shtetin e Kosovës
por atë të Serbisë!
Nuk
do të jetë e largët dita kur do të legalizohet ndarja faktike me njohje “De
Jure” të ndarjes politike (jo territoriale)!
Legalizimi
i ndarjes politike të Kosovës do të ndodhë përmes të ashtuquajturit “Status
Special” jo vetëm në veri, por edhe nëpër enklavat serbe në tërë territorin e
vendit.
Por
në realitet, statusi special i dizajnuar shumë vite më parë do të aplikohet
vetëm ndaj shqiptarëve, sepse serbët janë shtetas zyrtarë të Serbisë!
BE-ja shpërblen krimet
serbe, ndëshkon shqiptarët në trojet e veta etnike
Arsyeja
pse zyrtarët e BE-së nuk merren asnjëherë me politikën e jashtme të Kosovës
është se ajo nuk ekziston. Për këtë arsye ata merren me politikën e brendshme
duke e kritikuar në vazhdimësi kualitetin e dobët të qeverisjeve në Kosovë si
një paaftësi e shqiptarëve për t’u shtetformuar dhe shtetndërtuar!
Si
pasojë e mungesës së efikasitetit të sistemit të drejtësisë, qeverisjeve jo
efikase dhe mungesës së unitetit të spektrit politik në Kosovën e pas 17
shkurtit 2008, për çdo gjë ka vendosur BE-ja, duke e fajësuar për çdo gjë
Kosovën, përkatësisht shqiptarët e Kosovës me konstatimet e tyre zyrtare se
Kosova nuk është shtet ligjor por i kontrabandës, korrupsionit dhe krimit të
organizuar. Për fat të keq, këtë konstatim të zyrtarëve të BE-së e ka vërtetuar
edhe kryediplomatja e Kosovës në adresimin e parë të saj në Këshill të Sigurimit
të OKB-së!
Mirëpo,
në këtë rast shtrohet pyetja logjike, kush e ka qeverisur këtë kriminlaitet?
Misionet e BE-së apo qeveritë jo faktore dhe jo funksionale të “mbikëqyrura”
nga misionet e BE-së?
Përgjigja
është e thjeshtë dhe e qartë. Janë të huajt (ndërkombëtarët) ata që e mbajnë në
duart e tyre ligjin, po na mbajnë të izoluar tani e 23 vjet dhe po e ndalojnë
përcaktimin dhe vetëqeverisjen e shumicës shqiptare në Kosovë!
BE-ja
po e ledhaton dhe shpërblen Serbinë. Bashkësia ndërkombëtare, gjegjësisht BE-ja,
në vend që ta ndëshkojë Serbinë për krimet gjenocidiale të kryera ndaj
shqiptarëve të Kosovës, ajo po e bën të kundërtën. E ka sjellë Serbinë e
Vuçiqit një hap para integrimit në BE anipse ajo nuk ka ndryshuar agjë nga
platforma e Millosheviqit ndaj shqiptarëve!
Konfirmimi
nga Senati për zgjedhjen e Christopher Hill ambasador i ri i SHBA-së në Serbi
nuk është i rastësishëm! Prolongimi i arritjes së marrëveshjes përfundimtare e
ka detyruar presidentin Biden të bëjë zgjedhjen e duhur me emërimin e diplomatit
të karrierës ambasador në Serbi, i cili e ka përvojën e zhvillimit të
negociatave dhe zgjidhjes së shumë problemeve ndërshtetërore dhe ndëretnike në
botë.
Ashtu
sikurse Serbia që duhet të përgatitet mirë për efektet diplomatike të
ambasadorit Hill, edhe Qeveria e Kosovës duhet ta merrë seriozisht diplomatin
amerikan, ngase për dallim nga diplomatët e tjerë perëndimor, ambasadori
Christofer Hill palëve në dialog nuk iu lë shumë hapësirë manovrimi, por shumë
shpejtë i sjellë para dy zgjidhjeve përfundimtare.
Sikurse që asnjë luftë nuk përfundon pa
dialog, edhe dialogu nuk përfundon pa kompromise të dyanshme! Duam apo nuk duam
ne, duan apo nuk duan serbët, bashkësia ndërkombëtare nuk do t’na pres
pafundësisht derisa ne të dakordohemi për çështjet e hapura mes nesh! Sa më
parë që të mbyllet kapitulli i luftërave në Ballkan, e në veçanti i armiqësive
shekullore serbo-shqiptare aq më mirë do të jetë për të dy palët.