E premte, 02.05.2025, 12:42 AM (GMT+1)

Mendime

Thanas Gjika: Psikologjia jonë është sëmurë

E diele, 13.03.2022, 02:03 PM


PSIKOLOGJIA JONE ESHTE E SEMURE

Nga Thanas L. Gjika

Lexova sot te gazeta Tema një shkrim të Frok Cupit, ku, ky gazetar e analist i zoti, thoshte midis tjerash se protestat e këtyre ditëve për rritjen e cmimeve të benzinës e të naftës bien ndesh me psikologjinë europiane e cila nuk po proteston për rritjen e këtyre cmimeve, sepse e konsideron si sakrificë që duhet të bëjë për t'i dalë në mbrojtje popullit të Ukrainës që po luftin për liri.

Më pëlqeu ideja, mirëpo kur lexova disa komente, ku sulmohej autori i shkrimit me fyerje dhe sulmohej si mbështetës i Kryeministrit, u mërzita dhe shkrojta te komentet e gazetës opinionin tim:

Jeta nën diktaturë na shkatërroi dhe ato pak veti që kishim trashëguar. Jemi bërë shumë egocentristë dhe primitivë. Shikojmë vetëm interesin tonë, për të tjerët aq na bën. Nuk durojmë dot asnjë lloj kritike. Mjer ai që na vë në dukje një dobësi, i turremi me lloj lloj fyerjesh e sharjesh. Nuk dijmë të ulim kokën e të medojmë për të gjetur shkakun pse na kritikon dikush.

Krenarinë e kemi pasur dhe më parë si një tipar njerëzor, por gjatë diktaturës Partia i përkëdheli aq shumë komunistët e kuadrot, sa që krenaria u kthye në një ves, secili mburrej edhe për punë të pabuka. Kjo krenari boshe e vrau ndjenjën e përgjegjësisë, të mirënjohjes, të mëshirës, të të kërkuarit më fal.

A ju kujtohen ata pushtetarët e kuadrot që i duartrokitëm sa na dhembnin duart për 50 vjet, dhe kur erdhi koha dhe u detyruan të pranonin se sistemi diktatorial dështoi, nuk kërkuan të falur për gabimet e krimet që kishin kryer, po madje mburreshin se kishin bërë detyrën si duhej?

A ju kujtohen krijuesit e realizmit socialist, që i quajtëm e po i quajmë "Njeri i Madh", se asnjë prej tyre nuk kërkoi të falur për veprat me të cilat helmoi popullin, e ia shkatërroi moralin, por mburreshin se kishin bërë art?

A i njihni politikanët e sotëm, të cilët aleatët tanë strategjikë i këshillojnë e i fshikullojnë që të largohen nga rruga e gabuar, e këta në vend të kërkojnë të falur e të largohen nga politika, luftojnë të mbrojnë postet dhe bindjet e tyre të gabuara?

Të tillë njerëz i japin tonin psikologjisë sonë shoqërore, ata janë gati të mbysin, jo vetëm Frok Cupin, po dhe këdo që mund t'i kritikojë...

Mjer Shqipëria!

Derisa të kemi këtë psikologji shoqërore të ushqyer nga krenaria boshe që na mbolli sistemi diktatorial, nuk do ta gjejmë dot ekuilibrin tonë psikologjik...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx