Mendime
Florim Zeqa: Fundi i mbrapsht i fondeve qeveritare!
E merkure, 09.03.2022, 08:40 PM
Fundi i mbrapsht i fondeve qeveritare!
Shkruan:
Florim Zeqa
Përderisa
fondet ngarendin njëri pas tjetrit, pa transparencë dhe pa llogaridhënje humbet
interesimi dhe besueshmëria e qytetarëve (mërgimtarëve) edhe për rastet
emergjente! Pa ndëshkimin e abuzuesve të maksi fondeve “3 përqindëshit”,
“Vendlindja Thërret” dhe fondeve tjera nga koha e luftës çlirimtare, vështirë
se do të kthehet besimi ndër bashkatdhetarët edhe për një kohë të gjatë!
Pa zbardhjen e fondeve
paraprake, nuk do të kenë suksese fondet e reja
Mund
të konsiderohet e logjikshme heshtja e qeverive paraprake ndaj abuzuesve të
fondeve të luftës çlirimtare, pasi në të shumtën e rasteve drejtuesit e ish
partive në pushtet dhe njerëzit e tyre ishin edhe bartës të fondeve të luftës!
Por në asnjë rrethanë nuk mund të justifikohet heshtja e Albin Kurtit ndaj
abuzuesve të fondeve të sipërpermendura, pasi i njëjti dy vite më parë, më 12
prill 2020 në cilësinë e kryeministrit në detyrë (i shkarkuar) e kishte hapur
“Fondin Emergjent” përmes një xhirollogarie të posaçme duke kërkuar nga
diaspora shqiptare ta ndihmojë qeverinë me mjete financiare për menaxhimin e
pandemisë “COVID 19”, për të cilin fond asnjëherë deri më sot nuk u bë
transparente shuma e parave të grumbulluara dhe as lëvizjet financiare të atij
fondi!
Siq
dihet, Albin Kurti e ka paralajmëruar edhe themelimin e “Fondit Sovran”, fati i
të cilit varet nga menaxhimi i “Fondit të Sigurisë!
Pa
u zbardhur e vërteta e fondeve paraprake, përkatësisht fondit të “3
përqindëshit”, “Vendlindja Thërret”, “Fondit Emergjent” dhe fondeve të tjera,
mërgatës tonë as që do t’i bëjnë përshtypje themelimet e fondeve të reja!
Themelimet e fondeve nuk
ishin premtime të kryeministrit aktual
Të
gjithë i dimë premtimet e Albin Kurtit gjatë fushatave zgjedhore. Kishte
premtuar rritjen e buxhetit për ushtrinë, por asnjëherë nuk e kishte permendur
hapjen e fondeve humanitare, por premtim e kishte themelimin e ‘Bankës
Zhvillimore’!
Ikja
nga premtimet elektorale dhe parimet politike e ka kthyer Albin Kurtin në
personalitet të dyfishtë, të cilit më nuk i beson as elektorati i LVV-së e lërë
më qytetarët e vendit. Albin Kurti sikur (qëllimshëm) po harron se Kosova është
shtet sovran me infrastrukturë të organizuar në të gjitha nivelet dhe me një
buxhet shumë të pasur sesa qeveritë paraprak. Po ashtu Albin Kurti qëllimshëm
po i harron edhe të hyrat e mërgatës sonë apo “remitencat” siq po i quajnë në
zhargonin politik, të cilat janë mbi 1 miliardë euro në vit dhe prapë po
kërkojnë para “kesh” nga mërgimtarët!
Albin
Kurti duhet t’i shfrytëzojë të gjithë mekanizmat shtetërorë për financimin e
institucioneve shtetërore, përfshirë Ushtrinë e Kosovës (FSK-në).
Me
përvetësimin e nismës së mërgatës për “Fondin e Sigurisë”, Albin Kurti përveq
humbjes së besimit e ka shpërfaqur papjekurinë e tij politike dhe paaftësinë
qeverisëse me vendin!
“Fondi
i Sigurisë” do të jetë fundi i mbrapsht i fondeve humanitare nga ana e
qeveritarëve, ngase më askush nuk do t’i besoj askujt që vie në krye të
ekzekutivit!
Kemi
pasur qeveri të pakonsoliduara mirë, me mbështetje të vogël dhe të madhe
qytetare, me buxhet më të ulët sesa 1/3 e buxhetit aktual, por asnjëherë nuk
kemi pasur hapje të fondeve humanitare qeveritare, për arsyen e thjeshtë se
shteti nuk mbahet me ndihma humanitare por me investime kapitale, zhvillim
ekonomik dhe mirëqenje qytetare e cila bëhet bazament i fuqishëm i të gjitha
segmenteve shtetërore!
Politikanët e ditëve të
sotme shtetin nuk e duan më shpirtë por më bark
Patriotizmi
nuk matet me gjuhë populliste, as me ngjyra partiake por me punë dhe vepra
konkrete. Të jesh patriot do të thotë të jepësh çdo gjë për shtet dhe atdhe pa
marrë asgjë prej tij.
Të
thirresh dhe të çirresh se je në ballë të një fronti dhe të qëndrosh në fund të
kolonës nuk është patriotizëm. E njëjta gjë vlenë edhe për themeluesit e
fondeve, emrat e të cilëve, për të mos thënë asnjëherë, rrallë i gjen në listat
e donatorëve!
Kur
jemi tek fondet, e më konkretisht tek “Fondi i Sigurisë”, të parët që duhej t’i
prinin listës së donatorëve do duhej të ishin themeluesit e fondit,
përkatësisht qeveritarët me dhënjën për fillim të një page mujore, pastaj të
gjithë ata që i kanë pagat më të lartat në rajon dhe më të larta sesa
mërgimtarët në perëndim, filluar nga deputetet e Kuvendit, prokurorët dhe
gjykatësit, bankierët dhe oligarkët e fuqishëm ekonomik.
Politikanët
që e duan shtetin më bark e jo më shpirtë, mendjen e kanë tek xhepat e tyre të
thellë dhe jo tek forcimi i shtetit dhe mirëqenja e qytetarëve.
Karrieristët
e etur për pushtet nuk zgjedhin rrugë dhe mjete, por janë të gjendje të
sakrifikojnë edhe jetëra njerëzish për të mbajtur, gjegjësisht për të marrur
pushtetin.
Në
fund të këtij shkrimi dëshiroj t’ua kthejë një përgjigje të përbashkët të
gjithë atyre që janë kokëfortë dhe nuk ju besojnë fakteve.
Shkrimet
e mia nuk janë të mbushura me fantazi dhe të pavërteta, por janë të bazuara në
fakte dhe realitet. Sadoqë mundohemi t’i ikim realitetit të hidhur, të ndarjeve
të thella politike dhe shoqërore nuk mundemi.
Nuk
kam qenë, nuk jam dhe as që do të bëhem zë i pushtetarëve dhe as i opozitarëve,
por do të mbetem zë plural dhe kreativ në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.
Sikurse
deri më tani do të qëndroj besnik ndaj së vërtetës, për të zbuluar lajmin, edhe
atëherë kur nuk shihet apo tentohet të fshifet nga të tjerët, për ti bërë
gjithmonë të qartë lexuesit; kjo është e vërteta dhe ky është interpretimi im!
Zoti
i bekoftë qytetarët e vendit tim në trojet etnike dhe diasporë!