Mendime
Florim Zeqa: Përvetësim i papranueshëm i Fondit të Sigurisë!
E diele, 06.03.2022, 05:23 PM
Përvetësim i papranueshëm i Fondit të Sigurisë!
Shkruan:
Florim Zeqa
Edhe
në të kaluarën kemi pasur mospajtime dhe kundërshtime në shprehjen e mendimeve
të lira, por asnjëherë nuk kemi arritur në nivelin e tanishëm, ku secili që
mendon ndryshe nga kryeministri i vendit, nga militantët e partisë në pushtet
shpallet antishtetërorë dhe bashkëpunëtorë i Serbisë! Deri në këtë nivel ka
arritur degradimi ynë njerëzorë dhe kombëtar!
Secili prej nesh kemi
hise në shtetin e larë më gjak
Në
këtë shkrim nuk dëshirojë të tërheq paralele, se cili është më pak apo më shumë
shtetërorë, se cili politikan ishte më antishtetërorë apo më antikombëtarë,
pasi janë qytetarët e vendit ata të cilët i vlerësojnë veprimet e secilit prej
nesh në këto tri dekadat e fundit të rezistencës aktive paqësore, luftës
çlirimtare, shtetformimit dhe shtetndërtimit të Kosovës!
Askush
nuk mund t’ia merrë meritat e sakujt dhe as t’ia hudhë fajin tjetërkujt për
dështimet e veta në periudhat e caktuara historike!
Sikurse
që historia e shtetit të Kosovës që nuk ka filluar me 14 shkurt 2021, e cila
është pak më e gjatë dhe më e përvujtshme, më e lavdishme dhe më krenare sesa
kjo e dy viteve të fundit, edhe historia e humanitetit dhe solidaritetit
ndërshqiptar nuk fillon me Qeverinë e Albin Kurtit!
Duhet
kujtuar të gjithëve se shkalla e vetëdijes kombëtare, gjegjësisht e dhënjes
gjithçka për shtetin në vitet e ’90-ta dhe gjatë luftës çlirimtare ishte e
përmasave biblike, e papërseritshme edhe për 100 vjetët e ardhshme.
Shqiptarët
në trojet e veta dhe në Diasporë dhanë gjithçka patën nga vetja e tyre pa asnjë
lloj imponimi apo presioni psikologjik siq po ndodhë në ditët e sotme!
Shfletim i memories
historike për reflektim në ditët e sotme
Këtë
që ceka më sipër dëshiroj ta ilustroj me një rast konkret gjatë grumbullimit të
ndihmave për mirëmbajtjen e objektit shkollor. Ishte periudha e fundit të
shtatorit 1993, kur punoja si arsimtar në shkollën fillore "Azem
Bejta" në Grabanicë të Klinës.
Ndodhëshim
në lagjen e Krasniqëve (Lladroviqëve) në Grabanicë, gjatë kalimit nga dera në
derë, nga njëra familje tek tjetra, me të arritur tek dera e familjes së Isuf
Kransiqit, derisa unë i thoja kolegut tim Hazir Tigani; "po e kalojmë
Isufin se i ka punët ngusht, është i pa punë dhe ka shumë fëmijë", në atë
moment hapet dera dhe na shfaqet përpara Isuf Krasniqi me këto fjalë, po citoj;
"A vetëm se jam i varfër po ma kaloni derën a, edhe fëmijët e mi që vinë
në shkollë dua që të jenë të barabartë me fëmijët e atyre që kanë, edhe pse
s'kam, kam dëshirë që së paku të flisni dy fjalë edhe me mua, dhe në atë moment
e nxori nga xhepi i palltos portofolin, e hapi para syve tanë, i kishte vetëm 5
DM të paluara mirë, i nxori e na i dha duke na thënë, se edhe pse i kam të
fundit, këto janë për shkollën tonë".
Ishte
ky një moment i veçantë, prekës dhe emocionues, i cili preku thellë ndërgjegjën
tonë, i cili mbase nuk ishte i vetmi në Republikën e Kosovës.
Në
atë kohë, qytetarët e Kosovës udhëhiqeshin nga parimet e shëndosha, nga ndjenja
e dashurisë ndaj atdheut dhe solidaritetit njerëzor përgjithësisht.
Ishte
kjo Kosova me njerëz të mirë dhe shumë solidarë, çfarë duhet të ishte edhe në
ditët e sotme, por për fatin e keq, si e tillë solidare nuk na është më!
Ne
që jetuam në atë kohë, që e përjetuan epokën e viteve të krenarisë kombëtare,
na ka mbetur i vetmi ngushëllim për ditët e sotme, ku vlerat janë zëvendësuar
me antivlera.
Të
tillë ishin njerëzit e mëdhenjë të asaj kohe që e lam pas, që dhanë gjithçka që
patën nga vetja e tyre për Kosovën, por që s'muarën gjë prej saj, duke na lënë
si pasuri kujtimet më të bukura si dëshmi të kohës.
Ngutja e Albin Kurtit me
Fondin, e dëmton të ardhmen e FSK-së
Unë
edhe pse nuk isha anëtarë i Këshillit Inicues për themelimin e “Fondit të
Sigurisë”, kam qenë në komunikim të rregullt me disa nga anëtarët e këshillit
inicues, të cilët i kam mbështetur në idenë e tyre qëllimirë, fisnike dhe
atdhetare, sikurse që i kam mbështetur në veprimin e fundit për dërgimin e
letres kryeministrit Kurti bashkë me Statutin e Fondit me qëllim të
harmonizimit të qëndrimeve dhe veprimeve pozitë-opozitë-mërgatë, për të vepruar
si një trupë e përbashkët organizative.
Mirëpo
çfarë ndodhi, kryeministri Kurti në vend të përgjigjes e zgjodhi heshtjen, në
vend të bashkëpunimit e zgjodhi injorimin e Këshillit Inicues duke e bërë me
nxitim veprimin më të gabuar politik, të përvetësimit të këtij fondi të
përmasave kombëtare.
Kjo
sjellje e mospërfillëse, apo më mirë të themi shpërfillëse e kryeministrit
Albin Kurti përveqse i ka irrituar inicuesit e Fondit, e ka komplikuar situatën
dhe i ka ngatërruar mes vete anëtarët e këshillit inicues.
Dalja
e ngutshme e Albin Kurtit me Fondin e Sigurisë pa projekt dhe pa përmbajtje, jo
vetëm që nuk garanton stabilitet financiar për FSK-në, ky fond nuk do të jetë
stabil dhe i përhershëm siq ishte qëllimi i tij fillestar.
Fillimisht
do ta ndihmojnë një pjesë e mërgatës sonë, bisnesmen dhe oligarkë ekonomik, por
financimi afatëgjatë, qoftë edhe më shuma simbolike siq e kam cekur më lartë në
shfletimin e memories historike do të garantonte sukses dhe vazhdimësi të gjatë
të këtij fondi për arritjen e objektivave madhore shtetërore dhe kombëtare.
Askush
nuk është kundër Fondit për Siguri, madje do të ishte çmenduri dalja kundër një
fondi kaq madhor dhe jetik për forcimin e sigurisë kombëtare, por vendimi i
ngutshëm i ‘Qeverisë Kurti’ pa koordinim me spektrin politik vendor dhe pa
paralajmëruar nismëtaret e mërgatës jo vetëm që ka ngjallur indinjatë të thellë
dhe të gjërë të mërgatës sonë, ky fillim i mbrapsht që në start e rrezikon
suksesin e dëshiruar.