Mendime
Bardhyl Mahmuti: Shpirti i shitur i Emir Kusturicës
E diele, 27.02.2022, 04:56 PM
Shpirti i shitur i Emir Kusturicës
Nga
Bardhyl Mahmuti
Pas
dështimit për të parandaluar agresionin rus kundër Ukrainës, shumica dërmuese e
shteteve të botës dënuan luftën pushtuese të Rusisë dhe dolën në mbështetje të
Ukrainës. Meqenëse kemi të bëjmë me një çështje që nuk është vetëm çështje
politike, intelektualë, artistë, shkencëtarë dhe sportistë me famë botërore ngritën zërin
kundër agresionit ndaj Ukrainës dhe rrezikut që paraqet për njerëzimin logjika
absolutiste e Vlladimir Putinit.
Dhe
pikërisht në kohën kur edhe politikanë, intelektualë, artistë, gazetarë,
sportistë rusë dolën hapur kundër luftës që synon pushtimin e Ukrainës dhe në
protestat e shumta që shpërthyen në disa qytete të Rusisë u arrestuan mbi 1700
persona, Serbia si shtet, politikanë të saj, intelektualë, gazetarë, artistë
dolën në mbrojtje të Vlladimir Putinit, duke dalë haptas kundër sanksioneve që
bota demokratike vendosi kundër Rusisë autoritare.
Dhe
pikërisht në kohën kur aktori dhe regjisori amerikan Sean Penn erdhi në Kiev
për të xhiruar dokumentarit që do t’i tregojë botës të vërtetën për agresionin
rus, regjisori serb Emir Kusturica, laurat i dyfishtë i Festivalit të Filmit në
Cannes, u vu në shërbim të Vlladimir Putinit.
Për
ta shpërblyer besnikërinë e regjisorit serb, Ministri rus i Mbrojtjes, Sergej
Shojgu ia besoi Emir Kusturicës të udhëheqë Kompaninë e Armatës së Kuqe në
Teatrin e Akademisë Ushtarake të Rusisë!
Ndodh
që dikush nga lexuesit e huaj, që nuk e njeh të kaluarën e Emir Kusturicës, të
shprehë habi me shërbimet që u bëjnë artistë të tillë regjimeve diktatoriale.
Mirëpo, të gjithë ata që kanë pasur mundësi të ndjekin zhvillimet politike dhe
ushtarake gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, e dinë fare mirë se regjisori me
origjinë serbo-myslimane, Emir Kusturica, shkoi deri në atë shkallë sa që mohoi
gjysmën e prejardhjes së vet etnike dhe u vu në shërbim të Sllobodan
Millosheviqit, Radovan Karaxhiqit, Ratko Mlladiçit, Aleksandar Vuçiqit...
Ai
nuk hezitoi të kritikonte aktorët e mëdhenj të
Holliwood-it: Richard Gere-in, Penelope Cruz-in dhe Angelina Jolie për
rolet që kishin luajtur në “filma shumë të këqij, sepse nuk bëhet vepër e madhe
mbi bazën e materialeve të rrejshme.”
Madje
ai premtoi se do të xhirojë “një film për tregtinë me organet e njerëzve në
Kosovë, si njërën nga temat më të mëdha të këtij shekulli”.
Emir
Kusturica kishte plotësisht të drejtë kur thoshte se Kosova është një temë e
denjë për letërsi e filma. Emir Kosturica dhe të gjithë ata që e njohin
realitetin tragjik të gjenocidit që ka përjetuar populli shqiptar në Kosovë, e
dinë fare mirë se me tema të trilluara dhe dosje të rrejshme për tregtinë me
organe njerëzish nuk bëhet vepër e madhe. Përkundrazi, me sajime të tilla
përpiqet të mbajnë gjallë MASHTRIMIN E MADH me opinionin publik.
P.S.
Uroj
që regjisori Sean Penn të realizojë projektin e tij për të vërtetën e asaj që
ndodh në Ukrainë. Mirëpo askush nuk duhet të habitet nëse dokumentari i Sean
Penn-it të cilësohet nga Emir Kusturica si “dokumentar shumë i keq...”