Mendime
Eshref Ymeri: Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët?
E premte, 25.02.2022, 10:39 PM
Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët?
Nga
Prof. dr. Eshref Ymeri
Ngjarjet tragjike të ditëve të
fundit, kur shovinizmi rusomadh, pasardhës i denj i shovinizmit tradicional
rusocarist, ka ndërmarrë një agresion të tipit fashist kundër Ukrainës, kushdo
rri e shtron pyetjen se cila është
arsyeja e një urrejtjeje kaq të madhe që Moska ushqen ndaj Kievit?
Në bazë të gërmimeve arkeologjike,
dihet që vendbanimet e hershme në territorin e qarkut të Kievit kanë pasë
ekzistuar që në epokën e paleolitit të epërm 20-25 mijë vjet më parë. Kievi
është themeluar në shek VI. Me këtë rast, në vitin 1982 qe hedhur në qarkullim
një pullë postare me rastin e 1500 vjetorit të themelimit të tij. Themelues i
tij ka qenë prinvi Kij. Pikërisht në nderim të tij, qyteti u quajt Kiev.
Kievi shpesh herë quhet si “nëna e qyteteve ruse” dhe
vlerësohet si djepi i qytetërimit ortodoks sllavianolindor. Rusia Kieviane (ky
shtet kështu është quajtur në Evropën Lindore në shekujt e mesjetës)
konsiderohet prej të dy vendeve si pararendësja e tyre historike.
Moska është themeluar në vitin 1147. Themelues i saj ka
qenë princi ukrainas i Kievit Juri Dollgoruki
(1090-1157).
Tradicionalisht, rusëve nuk u ka
pëlqyer që Kievi, si kryeqytet i Ukrainës, të konsiderohej si vatra e
qytetërimit sllavianolindor. Prandaj shovinizmi rusomadh, gjatë
shekujve, Ukrainën e ka parë me syrin e njerkës dhe ka bërë ç’është e mundur
për t’ia grabitur historinë, për ta praqitur Moskën si qendrën e një qytetërimi
të tillë. Pikërisht këtu e ka themelin hasmëria shumëshekullore që ka pasë
ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë mes këtyrte dy kombeve.
Pas dyndjes tataromongole drejt Rusisë Kieviane në vitet
1237-1242, fatet e popullit rus dhe të popullit ukrainas u ndanë përfundimisht
nga njëri-tjetri.
Pra, marrëdhëniet mes Kievit dhe Moskës kanë një
parahistori të gjatë, e cila është shoqëruar me mjaft ngjarje të rënda që kanë
lënë gjurmë të thella në vetëdijen kombëtare të popullit ukrainas. Unë kam një
informacion të pasur për natyrën e këtyre marrëdhënieve, të cilat kanë kaluar
nëpër një spirale tragjike. Por në këto shënime nuk dëshiroj të shfletoj
informacionet personale nga burime të mirfillta ukrainase, në mënyrë që të mos
i lë shteg vetes të bëj vlerësime që ndokujt mund t’i tingëllojnë si
subjektive, aq më tepë që unë ushqej shumë urrejtje ndaj politikës ruse, e cila
tradicionalisht, duke filluar që nga Kongresi i Berlinit, ka mbajtur dhe
vazhdon të mbajë një qëndrim tejet armiqësor ndaj kombit shqiptar në tërësi dhe
ndaj Republikës së Kosovës në veçanti, deri edhe në ditët tona.
Prandaj e quajta me vend t’u drejtohem ca shënimeve mjaft
interesante të një analisti ukrainas, i cili, duke u mbështetur mbi fakte
historike, hedh mjaft dritë mbi arsyet e vërteta se pse ukrainasit kanë
urrejtje për rusët:
Në vijim, lexuesve të nderuar po u përcjell shënimet e
analistit ukrainas:
“Kohët e fundit, rusët gjithmonë e më shpesh po ankohen
për faktin se nëpër faqet e internetit po përplasen me shfaqjet e një
urrejtjeje “të pakuptueshme” nga ana e “vëllezërve” ukrainas. Se, demek, ngado
që hedhin sytë në faqet e internetit, ata gjithandej lexojnë pikërisht sharjet
dhe ofendimet e këtyre “vëllezërve”. Se, që ta merrni vesh, më herët, rusët
ushqenin një simpati të madhe ndaj ukrainasve (se gati secili në fisin e vet e
ka një të afërm ukrainas), kurse tani pyesin veten në hutim e sipër:
“Cila është arsyeja që ukrainasit na urrejnë kaq shumë?”
I dëgjova sa i dëgjova një copë herë të mirë të gjitha
ankesat e tyre, të shoqëruara me lot, dhe pastaj i dhashë karar që t’ua
shkoqitja mirë e mirë “vëllezërve” tanë se cila është arsyeja që ukrainasit
ushqejnë kaq shumë urrejtje ndaj tyre dhe se çfarë duhet bërë që gjithçka të
nisë që nga fillimi.
Për fjalë të nderit, mua më habit paksa zemërata e rusëve
lidhur me agresionin leksikor dhe me urrejtjen që ukrainasit ushqejnë ndaj
tyre. Prandaj po ju drejtohem sikur të isha në një bashkëbisedim me ta:
Tani, që t’i themi gjërat açik, çfarë dëshironi ju? Ju na
shisni atë gazin tuaj të qelbur me çmimin më të lartë në Evropë dhe pastaj i
hapni sytë kokërdhok se pse ukrainasit ju shajnë nga nëna e nga baba poshtë e
përpjetë. Sigurisht që do të shfajësoheni se në këtë mes e ka fajin Putini, se
rusët e thjeshtë s’kanë gisht në këtë mesele. Jo more! Po këtë gjel të fryrë
kush e zgjodhi president për të tretën herë? Kush e ngre deri në qiell këtë
farë burri? Tani atë, sigurisht, nuk e kanë fort qejf, por prapëseprapë në Rusi
nuk janë të paktë ata që mendojnë me prapanicë, të cilët i kanë dalë krah carit
të mbarë Rusisë në të gjitha nismat e tij, përfshirë këtu edhe politikën që
drejtohet kundër Ukrainës.
Por nejse, sikur halli të ishte vetëm te gazi. Por gjelat
tuaj të Kremlinit ia kanë bërë trutë dhallë Ukrainës jo aq për atë punën e
gazit, sesa për të gjitha gjërat e tjera që kanë të bëjnë me punët tona të
brendshme.
Le të marrim qoftë edhe punën e gjuhës. Ç’ju hyn në hesap
juve se ç’gjuhë flasin njerëzit në Ukrainë? Si-si? Ju dashkeni që rusët etnikë
që jetojnë në Ukrainë të flasin në gjuhën amtare? Jo more! Po ju a ua keni
krijuar këtë mundësi ukrainasve etnikë që jetojnë në Rusi? Atëherë çfarë
pretendimesh paskeni ndaj nesh? Se që të kërkosh diçka, në fillim duhet të
japësh shembullin personal dhe mandej t’u rrokanisësh kokën të tjerëve për të
drejtat e veta.
Po ç’thotë historia? Ç’ju hyn në qese juve se cilët janë
heronjtë tanë kombëtarë? Ju shikoni historinë tuaj. Heronjtë tanë, së paku,
kanë luftuar kryesisht kundër okupatorëve dhe jo kundër popullit të vet. Dhe
ç’keni që na qortoni orë e çast për faktin që ne zhvillojmë një politikë
antiruse, duke lëvduar ata që kanë luftuar kundër Moskës. Mos ne ju kemi
akuzuar gjë vallë për faktin që Rusia zhvillon politikë antiukrainase, duke
ngritur në qiell Pjetrin e Parë (1672-1725) që e shkoi në thikë Baturinin
(kryeqytet i kozakëve të Ukrainës në shek. XVII-XVIII - E.Y.) dhe
shkatërroi qendrat administrative usharake, ose duke i thurur lavde careshës
Ekaterina (1729-1796) që likuidoi udhëheqësit ushtarakë ukrainas dhe shkatërroi
për herë të dytë qendrat administrative ushtarake dhe vendosi në Ukrainë të
drejtën e bujkrobërisë?
Po ç’i keni gjithë këto thirrje për bashkim? Ju menduakeni
se ky na qenka qëndrim vëllazëror, të bësh thirrje për bashkim, duke mbjellë
frikën me këtë rast me gjithfarëlloj komplikacionesh që mund të lindin për
udhëheqësit ukrainas në rast se Ukraina nuk jep pëlqimin për aleancë doganore
me Rusinë? Jo, këtij nuk i thonë qëndrim vëllazëror, këtij i thonë qëndrim
shtazëror! Po ç’janë ato kërcënime për të dhënë një goditje bërthamore kundër
Krimesë në rast se Ukraina bëhet anëtare e NATO-s? Ju e quakeni normal një
qëndrim të tillë?
Është e natyrshme që dikush do të thotë se politika nuk
duhet të ndikojë mbi marrëdhëniet e popujve. Demek, na qenkan politikanët këta
me trurin kryq që provokuakan konflikte, kurse populli i thjeshtë laka duart në
këtë mes. Me gjithë mend e keni! Juve ju paska mbetur hatëri për faktin që
ukrainasit nuk u shprehkan siç duhet për ju nëpër faqet e internetit. Po ju
lexoni në fillim se çfarë shkruajnë për ukrainasit në internet bashkatdhetarët
tuaj që vuajnë nga mania e madhështisë dhe nga hemoroidet e shovinizmit
rusomadh.
Mos ju menduakeni se neve, ukrainasve, na vjen mirë të
lexojmë se, demek, qenkemi popull i paqenë, se paskemi tradhtuar “gjirin”,
pardon, emrin e vet “rrënjës”, domethënë “rus” dhe lloj-lloj përçartjesh të
tjera? Dhe mandej lini mendjen kur ndonjë ukrainas, “pa ndonjë arsye”, ju shan
në themel e në çati?
Ju pyesni se çfarë duhet bërë “për ta kthyer gjithçka
ashtu siç ka qenë”? E po, sa për sefte, duhet ta pranoni se “siç ka qenë”
asnjëherë nuk ka qenë.
Marrëdhëniet e tendosura mes ukrainasve dhe rusëve kanë
qenë të përhershme. Ato nuk janë krijuar sot, ato shkojnë larg, e kanë
zanafillën që nga kohët e Rusisë Kieviane, kur princët rusë që gjoja i
përkisnin së njëjtës etni, thereshin me njëri-tjetrin që si e si të hidhnin në
dorë fronin e Kievit.
Megjithatë, nuk kemi ndër mend të futemi thellë në
histori. Do ta fillojmë nga viti 1618, kur hetmani (komandant i trupave kozake, - E.Y.)
ynë lavdimadh Sahajdaçni (1582-1622), së bashku me zaporozhasit e vet të
lavdishëm, i kalli datën Rusisë dhe për pak sa nuk pushtoi Moskën. Unë mendoj
se pikërisht që asokohe rusët i kanë marr zët ukrainasit. Dhe kjo është e
kuptueshme: moskovitët asokohe i mbushën pantallonat.
Mandej pasoi beteja në afërsi të Konotopit (qytet i
krahinës Sumskaja në verilindje të Ukrainës - E.Y.), kur një tjetër hetman
i shquar, Vigovski (1608-1659) u dha dërrmën trupave cariste. Kanë pas
qarkulluar llafe asokohe se cari rus kaq keq i paskej mbushur pantallonat, saqë
ia kishte mbathur nga Moska, nga frika se mos kozakët do të shkonin për të
hedhur në dorë shpirtin e tij mëkatar.
Paskëtaj kanë qenë jo të pakta betejat e ukrainasve në
aleancë herë me polakët, herë me turqit, herë me suedezët, herë me gjermanët
kundër rusëve. Prandaj nuk pinë ujë hipokrizitë dhe rrëfenjat me përralla për
“miqësinë shekullore mes popujve vëllezër”, sepse, në të vërtetë, nuk ka pas
ekzistuar kurrfarë miqësie. Sepse ata, me të cilët ju gjoja keni pasur miqësi,
nuk kanë qenë ukrainas dhe djalli e merr vesh se kush kanë qenë ata, sepse
ukrainasit e vërtetë asnjëherë nuk hynin në marrëdhënie miqësore me ata që iu
kanë bërë të liga.
Po, po! Dhe nuk është nevoja të shtrembëroni turinjtë dhe
t’i hapni sytë kokërdhok nga qielli. Ju menduakeni se treqind vjet bashkëjetesë
në një shtet të vetëm kanë qenë periudhë idilike fund e krye, se, demek, ukrainasit
dhe rusët kanë jetuar në paqe dhe në lumturi? Por ne, ukrainasit, nuk jemi të
këtij mendimi. Ne e mbajmë mend shumë mirë sesi carët tuaj, bashkë me careshat
tuaja, ndalonin përdorimin e gjuhës sonë, se si ata po e shfarosnin vetvetësinë
(identitetin) tonë, duke mos lejuar përdorimin e emërtimit “Ukraina” (që do të
thotë krahinë kufitare dhe që në fundin e shek XVIII rusët filluan ta quanin
“Rusia e Vogël” - E.Y.) dhe “ukrainas”, duke i zëvendësuar ato me
emërtimet idiote “Rusia e Vogël” dhe “rus i vogël”; se si sundimtarët tuaj i
torturonin me armën e urisë stërgjyshërit tanë dhe i vrisnin për të vetmen
arsye se ata donin të jetonin të lirë në shtetin e tyre të pavarur.
Çdo ukrainas normal e di dhe e mban mend një gjë të
tillë. Kurse ata që i mohojnë të gjitha këto fakte, ata vetëm ukrainas nuk
janë.
Prandaj, në qoftë se dëshironi që ukrainasit të mos ju
urrejnë më, në qoftë se keni qejf ta ktheni atë që nuk ka pas ekzistuar kurrë,
ja se çfarë duhet të bëni: cari juaj i gjithë Rusisë Vovoçka Putin le të vijë
në Kiev, të kalojë në Sheshin Meidan (ukrainasit e quajnë Majdan, fjalë kjo me
prejardhje nga persishtja që emërton çdolloj mjedisi të hapur, parku apo sheshi
në tërësi - E.Y.), të bjerë në gjunjë dhe, në emër të të gjithë popullit
rus, t’i kërkojë ndjesë popullit ukrainas… Pastaj le të shporret nga toka jonë
e shenjtë. Dhe, në ikje e sipër, le të ndalet në çdo qytet, në çdo fshat dhe të
kërkojë ndjesë për të gjitha ato të liga që carët, perandorët dhe sekretarët e
përgjithshëm kanë bërë në tokën e Ukrainës!
Dhe po të ndodhë me të vërtetë një gjë e tillë (për çka
unë dyshoj shumë), ne, ashtu qoftë, do të fillojmë të miqësohemi me ju dhe do
t’i harrojmë fyerjet e vjetra. Atëherë mund të flitet për ndofarë lidhjesh
ekonomike (dhe për asgjë më tepër). Por kjo nuk përbën fakt se ne do të japim
pëlqimin për gjësend tjetër. Sepse ne kështu jemi si popull: të keqen nuk e
kujtojmë, por na duhet ta regjistrojmë. Prandaj mos u sillni shumë ashpër me
ne: vlerat evropiane ne i kemi shumë më për zemër sesa ato euroaziatke…” (Citohet
sipas: Vadim Gontarenko. “Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët”. Marrë
nga faqja e internetit “UAINFO”. 22 shkurt 2014).
Kur mbarova së lexuari këtë analizë interesante të zotit
Vadim Gontarenko, menjëherë më erdhi ndër mend një strofë mjaft kuptimplote nga
një poezi e poetit të shquar kombëtar ukrainas Taras Shevçenko (1814-1861), të
cilin perandori Nikollai I (1796-1855), për përmbajtjen e poemës “Ëndrra”,
e pati ndëshkuar rëndë, duke e degdisur në stepat e humbura të Kazakistanit dhe
të Kirkizisë për kryerjen e shërbimit ushtarak:
Brune, bëni qejfin tuaj,
Por jo me moskalë*,
Se moskalët janë të huaj,
Kanë për t’ju tallë.
Pra, zanafilla e
tërmeteve politike mes këtyre dy shteteve është shumë e hershme. Heroi kombëtar
i popullit ukrainas, Bogdan Hmelnjicki (1595-1657), në Kuvendin e
Perejasllavit, të mbledhur më 018 janar 1654, shpalli bashkimin me Rusinë, mbi
bazën e të drejtave të barabarta në kuadrin e dy shteteve të përbashkëta. Por
pas vdekjes së Hmelnjickit, shovinizmi rusomadh e zhduku dokumentin e firmosur
prej tij që vërtetonte barazinë e plotë mes të dy shteteve, me qëllim që ta
shndërronte Ukrainën në koloni të vetën. Ishte pikërisht pabesia e shovinizmit
rusomadh ajo që e detyroi të birin e Bogdan Hmelnjickit, Juri Hmelnjickin
(1641-1685), t’i shkëpuste lidhjet me Rusinë. Më vonë Ukraina përsëri ra nën
zgjedhën e carizmit rus, zgjedhë kjo që vazhdoi deri në Revolucionin e Tetorit,
por që u bë edhe më e egër nën sundimin e komunistëve sovjetikë. Aq e vërtetë
është kjo, saqë “në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar, në Ukrainë
shpërtheu një lëvizje e fuqishme me prirje nacionaliste që kishte si qëllim
kryesor arritjen e pavarësisë me çdo mjet…Në periudhën fillestare të okupimit,
komanda gjermane u mundua ta kthente potencialin nacionalistofetar të
Organizatës së Nacionalistëve Ukrainas (ONU) kundër pushtetit sovjetik dhe
Ushtrisë së Kuqe… Organizata shpërtheu luftën kundër dy armiqve - kundër
Bashkimit Sovjetik dhe kundër Gjermanisë” (Citohet sipas: Valer Jaremenko.
“Shpërthimet e separatizmit ukrainas”.
Politiçeskij zhurnall, nr. 12 (63), 4 prill 2005, f. 80).
Kaliforni, 25 shkurt
2022