Mendime
Enver Bytyçi: Konflikti rus në Ukrainë, Konferenca e Mynihut dhe ne shqiptarët!
E marte, 22.02.2022, 08:33 PM
Konflikti rus në Ukrainë, Konferenca e Mynihut dhe ne shqiptarët!
Nga
Enver Bytyçi
Prej
vitit 1963 e deri më sot Konferenca e Sigurisë së Mynihut në Bavari të
Gjermanisë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm për të formuluar
politikat e jashtme dhe të sigurisë në Europë dhe në botë, por edhe për të
afruar qëndrimet dhe zbutur klimën e konfliktit. Në këtë kuptim mund të themi
se kjo konferencë i ka paraprirë diplomacisë preventive të konflikteve në
shumë, duke bërë të mundur ruajtjen e ekuilibrave në kontinent dhe në të gjithë
globin.
Qeveria
gjermane, SHBA-të dhe Aleanca Atlantike kanë dhënë përmes kësaj konference një
shembull dhe një kontribut të jashtëzakonshëm për ruajtjen e rendit, të paqes,
sigurisë dhe stabilitetit në botë. Konferenca, si kjo e Mynihut, me jetëgjatësi
prej gati 60 vite dhe me ndikim kaq të madh, u bë modeli, të cilin bota nuk
kishte parë në historinë e saj.
Këto
ditë Konferenca e Mynihut po zhvillon punimet e saj të radhës, pas një pauze dy
vjeçare për shkak të pandemisë. Tema kryesore e saj është konflikti në Ukrainë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka grumbulluar në kufirin me Ukrainën mbi 150
mijë trupa ushtarake dhe ka mobilizuar në këtë rajon shumicën e arsenalit
ushtarak të Rusisë, përfshirë dhe raketat bërthamore. Ai vetë së bashku me
presidentin e Bjellorusisë, Lukashenko, ndjekin nga afër stërvitjen e madhe në
territorin e të dy shteteve (Rusi dhe Bjellorusi) , pas së cilës udhëheqësit
perendimorë shohin dhe ndjejnë një invazion ushtarak kundër shtetit të
Ukrainës.
Liderët
perendimorë, përfshirë presidentin amerikan, Biden, kryeministrin britanik, Johnson,
e të tjerë thonë se sulmi i Kremlinit kundër pavarësisë dhe integritetit
territorial të Ukrainës është çeshtje ditësh. Ministrat e Jashtëm të BE-së
konsultohen sot për masat që do të merren në rast të një sulmi rus. Presidenti
ukrainas, Selenskyj, foli në Konferencën e Mynihut dhe tha se "ne do ta
mbrojmë Ukrainën në rast agresioni, pavarësisht nga rrethanat apo nga ajo nëse
ne do të duhet të luftojmë të vetëm apo jo"! Ndërsa Olaf Scholz, Emmanuel Macron dhe të
tjerë liderë europianë besojnë ende në një zgjidhje diplomatike të konfliktit.
Çfarë
po ndodh realisht në konfliktin ruso-ukrainas. Për më saktë në tentativën e
radhës të Moskës për të zgjeruar territorin e shtetit rus?! Pavarësisht
marërveshjes ndërkombëtare të nënshkruar nga Rusia dhe të depozituar në OKB për
garantimin e sovranitetit të Ukrainës, Vladimir Putin ka vendosur që përmes një
agresioni kudër Ukrainës të rikthejë gjeopolitikën e periudhës së ish-Bashkimit
Sovjetik. Presidenti rus e ka bërë me kohë të qartë faktin se ai nuk pajtohet
me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe me faktin siç thotë ai se "40
përqind e territoreve ruse pas kësaj ndodhen jashtë territorit të Rusisë së
sotme"! Në këtë kuadër është përgatit edhe agresioni I radhës kundër
Ukrainës. Prandaj dhe në harkun kohor të 6-7 viteve ndërmerr akte të tilla
agresioni kundër vendeve fqinjë. (Më 2008 kundër Gjeorgjisë, 2014 kundër
Ukrainës në Krime dhe tani kundër vetë shtetit ukrainas).
Çfarë
do të ndodhë dhe si do të reagojë bota perendimore ndaj një agresioni të Rusisë
kundër Ukrainës, këtë duhet ta shohim në ditët e javët në vijim. Por është fakt
se për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore në Europë ndodh një agresion
ushtarak kundër një vendi sovran për pushtimin e tij. Nëse bota do ta lejojë
këtë, atëherë do të ketë një tronditje të madhe në botë dhe flakët e luftës e
të konfliktit do të përhapen kudo. Do të vihet në pikëpyetje sovraniteti i
shteteve të shumta në Europë e në të gjithë botën. Një agresion rus për
aneksimin qoftë dhe të territoreve lindore e jugore të Ukrainës është preludi i
një konflikti të madh botëror.
Ministrja
e Jashtme e Britanisë së Madhe tha se mbas Ukrainës në radhë të ekspozuar nga
agresioni rus janë vendet balltike si dhe ato të Ballkanit Perendimor. Vladimir
Putin kërkon të rikthejë fuqinë ruse të Carëve dhe të bolshevizmit stalinist,
me objektiv daljen e tij në Detin Adriatik dhe forcimin e pozicionit të tij në
Detin e Veriut, me qëllim që ta kërcënojë Europën me lehtësi dhe ta ketë atë
nën diktatin e Rusisë. Kjo është arsyeja pse ai nuk do të ndalet me Ukrainën.
Por edhe nëse ndalet në Ukrainë, ai ka hap shtegun e konflikteve të tjera të
shumta për pushtime dhe rivendikime nga shtete të tjera.
Nëse
pranojmë atë që thotë shefja e diplomacisë angleze, atëherë duhet që politika
dhe diplomacia shqiptare të shqetësohet seriozisht. Nga ky këndvështrim duhet
rishikuar politika e këtyre tetë-nëntë viteve të Shqipërisë e afrimit,
bashkëpunimit dhe aleancës së ngushtë me Serbinë. Pa definuar pozicionin serb
në këtë konflikt, nuk mund të vazhdohet me diplomacinë foshnjore të Edi Ramës,
me të cilën ai pretendon se Serbia tashmë është "një engjëll paqeje"
në rajonin tonë. Ne nuk e dimë se cili do të jetë pozicioni i Serbisë në
konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës. Ne kemi mësuar edhe pozicionin e Kinës përmes
ministrit të jashtëm të saj, i cili thoshte se "Mbështet sovranitetin e
Ukrainës"! Por ende nuk e këmi mësuar poziicionin e Beogradit dhe nëse
liderët serbë do të bëjnë një lojë të dyfishtë apo do të mbajnë një qëndrim të
vendosur kundër luftës me të cilën Moska e kërcënon kontinentin europian!
Në
këto kushte qeveria shqiptare duhet të anullojë me akte jurudike të gjitha
nismat pro e me Serbinë, përfshirë dhe iniciativën e Open Balkan! Ndryshe do të
kompromentohet pozicioni i shqiptarëve dhe do t'i vihet në ndihmë Beogradit në
synimet e tij të ngjajshme me Moskën për gjeopolitikën ballkanike. Ndërkaq
qeveria e Kosovës do të duhet që në kushtet e reja të ridimensionojë politikën
dhe qëndrimet e saj diplomatike rreth dialogut, me synim krijimin e atmosferës
për një trysni më të madhe ndaj Serbisë dhe angazhimit të saj për paqe e siguri
në rajon.
Çdo
zhvillim i rëndësishëm ndëerkombëtar duhet të shërbejë si indikacion për të
përmirësuar projektet politike e qëndrimet tona diplomatike!