Mendime
Fahri Dahri: Paramëthi – Prizren (Kosovë - Çamëri)
E marte, 22.02.2022, 08:32 PM
PARAMËTHI - PRIZREN
(Kosovë - Çamëri)
23 SHKURT VITI 1913
Nga
Fahri Dahri
Paramëthi - Prizren, 109 Vite më parë. Vite që
mbushën shekullin. Ishte 23 Shkurt i vitit 1913, kur “shteti dhe kisha
ortodokse greke shqyen nofullat, nxorrën dhëmbët e hekurta; u zvarritën
nëpër krahinën e Çamërisë dhe nisën mashtrimet në qytetet e fshatra e
saj, për të kryer misionin vrasës, duke përdorur në befasi pushkët,
kondakët e pushkëve, sopatat, kosoret etj. ndaj parisë së 13 katundeve të
Thesprotisë. Po, kjo është e vërtetë!.
Sipas dëshmive të mbrritura gojë më gojë dhe dosjes
Nr. 23, dok.17, nr.61, Janinë 11.8.1913, të A.V. të Vjenës (Austri)) për
Shqipërinë, në fillim të vitit 1913, nisi të vihej në fuqi një plan djallëzor i
forcave shoviniste greke (kisho-shtet) për shfarosjen e popullsisë etnike
shqiptare të besimit mysliman të rajonit të Çamërisë. Faktorë kryesorë dhe të
paramenduar për të ndihmuan në ndërrimin demografik, ishin prurjet e popullsive
të etnive jo shqiptare në rajonin e Çamërisë, ku ndodhën masakrat dhe gjenocidi
ortodoks grek, e dobësuan elitën myslimane dhe çuan në helenizimin gradual të
qyteteve me shumicë shqiptare në zonë. Pas përfundimit të Luftërave Ballkanike
(1912-1913), si gjithë rajoni i Çamërisë edhe qyteti i Paramëthisë u bë pjesë e
shtetit grek. Në atë situatë gjeo-politike shteti grek filloi zbatimin e
strategjitsë famëkeqe të “Megalloidesë”. Sikundër edhe Serbia vuri në jetë
strategjinë "Naçertania", kundër shqiptarëve në Kosovë.
Më 23 shkurt 1913 banda e kretase e Deli Janaqit e
përbërë prej 200 andartëve, të ndihmuar edhe nga autoritetet lokale që ishin të
kombësisë greke, u shpërndanë në 13 katunde dhe filluan të grumbullojnë një nga
një të gjithë personat që i kishin të shënuar në listat paraprake. Ata shkonin
derë më derë, merrnin personin që kishte emrin në listë duke i porositur “të
visheshin bukur se i kërkonte qeveria për ti caktuar “muhtarë (kryepleq) të
katundeve e qyteteve të Çamërisë”.
Aksioni ishte një mashtrim. 72 burrat çamë u
dërguan në ngushticën e një përroi, nga ku nuk dëgjoheshin krismat e dyfeqeve,
të thirurat që dilnin nga dhimbjet e goditjeve me hanxharë, sopata dhe mjete te
tjera goditëse.Tek Përroi i Selanit, në afërsi të qytetit të Paramëthisë, u
vranë 72 burra çamë. Masakra e Selanit paralajmëronte gjenocidin në vazhdim.
Egërsia, mjetet që u përdorën kundër asaj parësie,
të copëtuarit me thika, sopata e hanxharë, lënia pa i varrosur me ditë të tëra,
synonte të trembte dhe të ngjallte panik në popullsinë çame të besimit
mysliman, për të braktisur gjithçka dhe të merrte rrugën e mërgimit. Veprime
këto që nuk rreshtën nga ajo datë e deri në 5 mars të vitit 1945.
Në strategjinë greke të helenizimit të Epirit,
ishte parashikuar fillimisht shfarosja e krerëve më të shquar (notevole) të
katundeve të krahinës etnike shqiptare të Çamërisë. Në grupin e parë të
grumbullimit ishin burrat e katundeve Nihor, Skupicë, Rrëzanj, Bedelen dhe
Dramës. Mbas këtyre, vazhdoi grumbullimi i burrave të 8 katundeve të tjera të
nahisë së Paramëthisë.
Katundet dhe numuri i parisë së përzgjedhur për tu
vrarë, therur dhe coptuar ishin: Në qytetin e Paramëthisë 5 veta; në katundet:
Petrovicë 1; Vrisi 4; Nikolicë 9 veta; Nikohor 20 veta; Mininë (Neraida) 29
veta; në Shën Mëriz 4; në Rrëzanj (Risian) 14 veta; në Bedelen 7; në Skupicë 10
veta; në Vratilë 4; në katundin Grikë 3 veta dhe në katundin Dramës 16 veta.
Gjithësej ishin thirur dhe grumbulluar 126 burra nga Nahija e Paramëthisë. Nga
126 burrat, 72 u vranë me batare pushkësh, mbas bataresë u përdorën thikat dhe
coptimet me hanxharë e sopata, të tjerët arritën të shpëtonin.
Mbasi i vranë dhe i coptuar edhe pse disa trupa nuk
kishin vdekur, “trimat” e Deli Janaqit i rropën duke xhvatur gjithçka që kishin
marrë me vehte, para, sende me vlerë, stoli dhe veshje të shtrenjta, si të
përzgjedhur që ishin. Pabesia dhe mashtrimi grek, nuk u arrit të pikasej, ata
nuk e menduan se ishin para kurtheve vrasëse të shtetit ortodoks grek, që i
kishte përzgjedhur për tu ekzekutuar pa vendim gjyqi, pa asnjë faji, por për
faktin se ishin pari e fshatrave të tyre, të pasur dhe me etni shqiptare.
Vrasja ishte vendim qeveritar mbasi vërtetohet edhe
nga raport i bërë për atë tragjedi prej Konsullit Austro- Hungarez në Janinë, i
cili i shkruante MPJ të Vjenës: “Një oficer që u dërgua nga gjykata
ushtarake e Janinës për hetime rreth këtij krimi të shëmtuar, konstatoi faktin
e kryer sipas thënies së dëshmitarëve, por refuzoi të shkonte në vendin e
ngjarjes, edhe pse bejlerët e vrarë qëndronin akoma të pavarrosur. Ai u kthye
pa kryer asnjë arrestim, aq më pak dënimin e fajtorëve”.
Tragjedia e 72 petritave thesprotë, ishte sinjal
ndjellkeqës për një të ardhme të pamundur të banorëve të fisit çam të etnisë
shqiptare në vendin e tyre dhe një shfaqje e sjelljes greke si “shpërblim” të
vendimeve famëkeqe që po përgaditeshin në tavolinat e Fuqive të Mëdha, siç kanë
deklaruar dhe vetë, do të dëmtonin popujt edhe për 100 vjet.
Gjëma e atyre “firmave” ranë mbi popujt, dëmtuan
rëndë interesat e kombin shqiptar, por favorizuar shtetet që edhe sot me foma
të ndryshme, të kamufluara vringëllojnë çdo lloj armësh për vrasjen e fëmijëve,
femrave, të sëmurëve dhe pleqëve.
Ky shkrim i dedikohet 72 burrave çamë që u vranë
dhe u coptuan nga dora gjakatare ortodokse greke 109 vite më parë. Ata burra
ranë për të mos u harruar kurrë, mbasi flijimi i jetës së tyre mbetet në
memorjen e shoqërisë për të treguar egërsinë çnjerëzore të shtetit dhe
institucioneve fetare greke dhe pasojat e rënda që sjellin mos mbajtja e drejtë
e ekuilibrave në trajtimin e interesave të popujve nga Fuqitë e Mëdha..
Një lapidar duhet ngritur për 72 burra fisnikë, të
drejtë dhe të pafajshëm, veç ruajtjes së memories, rrit vlerat shtetërore dhe
mban lart ndërgjegjen kombëtare. Ata u vranë dhe u torturuan për të qenë
gjithmonë pranë nesh, duke na rritur në vazhdimësi “Vigjilencën” dhe “Unitetin”
mes nesh, pa harruar fytyrat e vërteta të shteteve fqinjë, të cilët si
egërsirat presin errësirat gjeo-politike për të kapërcyer gjerdhet.
Sot, në "Fjala e Lirë" u njoha me nismën
e "Shoqatës së Trojeve Arbërore", e cila nesër, datë 23 shkurt 2022,
do të kryhet inaugurimi i Memorialit, pas plot 109 vitesh në Grazhdanik
të Prizrenit, për 19 shqiptarë të Kosovës të vrarë nga forcat serbe në 23
shkurt të vitit 1913.
Nuk është koinçidencë kjo datë; por thirrje për
mbarë kombasin tanë për të rritur vigjilencën, urtësinë, respektin dhe unitetin
mes nesh.
Nga veriu në jug të trojeve iliro-epirote, veprimet
e armiqëve tanë janë të njëllojshme. Historia na tregon se po me 23 shkurt të
vitit 1913, ashtu si serbi vrau 109 shqiptarë të Kosovës edhe greku vrau 72
shqiptarë të Çamërisë. Pse? Sepse ishin më me emër në rajon, mbronin interesat
e vendit dhe ato kombëtare.
Memoriali që do lindi nesër në Prizren, nderimet
dhe respektet e mia më të sinqerta, shpresoj dhe në plotësimin e amanetit të të
parëve tanë, të lutemi që ky gjest patriotik të ndodh sa më shpejt edhe në
fshatin Selan të Paramëthisë me ngritjen e një "memoriali" për 72
martirët çamë; krahas gjallimit në shekuj, është një thirrje fuqishme efhe për
unitet kombëtar. Thirrje-amanet i të parëve që ti lëmë "kacafytjet"
gjoja partiake,që po vrasin padyshim vendin dhe kombin tonë. Asnjë mëdyshje nuk
kanë sjelljet plot kundërshti mes nesh, ato, e sigurtë janë në dëmin tonë dhe
në favor të synimeve mbi dy shekullore të armiqve të vërtetuar të popullit
shqiptar.
Urime nismëtarëve të "Memorialit" në
Prizren. Thirrje liderve të dy shteteve tona të mos harrojnë historinë; të vet
deklarohen për ndryshim qendrimesh ndaj Atdheut të kombit shqiptar.
Studiues Fahri Dahri. 22/02/2022.-