Mendime
Florim Zeqa: Dasma e minjëve, darka e maçokëve!
E diele, 20.02.2022, 07:57 PM
Dasma e minjëve, darka e maçokëve!
Shkruan
Florim Zeqa
E
ndërtuan shtëpinë mbi sipërfaqën e tokës, tek pasi i vunë çatinë ju ra ndërmend
se i mungojnë themelet! Se a do t’i rezistojë kohës shtëpia e ndërtuar mbrapsht
mbetët të shihet, por fakti se pjestarët e kësaj familje (deputetët) e bëjnë
gjumin nën një tjetër çati (LVV) e dëshmon realitetin e hidhur të partisë së re
GUXO!
Regjistrimi i vonuar,
pasojë e mungesës së guximit
Sikurse
që dorëheqja e Isa Mustafës që ishte e vonuar, e panderë dhe e pavlerë, edhe
regjistrimi në KQZ i listës qytetare “Guxo” si parti politike është e vonuar pa
përmbajtje, pa efekt, pa vizion dhe pa koncept të qartë politik!
Regjistrim
i vonuar dhe i pa vlerë i GUXO në KQZ, më shumë i ngjet shiut pas të vjelave
sesa efektit të dëshiruar politik.
Sikur
lista “Guxo” të ishte formuar në kohën e duhur (koha optimale ishte para
zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021), me votat e fituara nga qytetarët,
sot partia e re GUXO nuk do t’i kishte 5, por së paku 15 deputet në Kuvendin e
Kosovës dhe sot do të ishte partia e tretë parlamentare!
Arsyeja
pse sot GUXO ka mbetur me vetëm 5 deputet me mbi 100 mijë vota të elektoratit
të LDK-së dërguar në një subjekt tjetër (LVV) qëndron nga frika e moskalimit të
pragut zgjedhor nga ana e zonjes Vjosa Osmani, e cila të gjitha energjitë
(pozitive dhe negative) i kishte fokusuar tek posti i presidentit e jo tek
interesi i përgjithshëm dhe tek interesi i grupimit politik në veçanti.
Kur
jemi tek numri i mbi 100 mijë votave të elektoratit të LDK-së në Kosovë dhe nga
Diaspora që i shkuan LVV-së, nuk e kam llogaritur totalin e votave të Vjosa
Osmanit, pasi shumica (mbi 200 mijë) prej tyre ishin të LVV-së!
Sikurse
zonja Vjosa Osmani të ishte treguar më e zgjuar dhe më e kujdesshme për të
mbrojtur interesin e shoqëruesve të saj në veçanti dhe interesin e vendit dhe
qytetarëve në përgjithësi, me fuqinë elektorale, Ajo do duhej t’i kërkonte
Albin Kurtit hiq më pak se 5 ministri, plus 12-15 deputet.
Për
fatin e keq të subjektit të ri politik GUXO, fajtore është vetë zonja Vjosa
Osmani, e dalldisura pas pushtetit, e cila për të kënaqur egon personale për
postin e presidentit, e harrojë më esencialen (numrat e nevojshëm në Kuvend),
për çka e dëmtoj të ardhmen e subjektit të saj politik, shkaku i së cilës sot
GUXO ka mbetur me vetëm 5 deputet pa të drejtë formimi të Grupit Parlamentar në
Kuvend! Kur jemi në këtë segment duhet rikujtuar lexuesve se për të krijuar një
grupim të ri politik në Parlament duhen më shumë se 5 deputet (6 plus).
Lista “Guxo” ia çoi
“peshkun në pjatë” Albin Kurtit
Siq
dihet, zonja Vjosa Osmani me marrjen e postit të Presidentes, nuk e ka më
mundësinë e marrjes me partinë e saj, për çka zgjedhjet eventuale të
parakohshme parlamentare mund të jenë një sfidë e mundimshme për drejtuesen e
subjektit GUXO, zonjen Donika Gërvalla, për shkak se është e pamundur të ndodhë
përseritja e situatës emocionale të para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, në
veçanti siq ishte ajo e ndarjes në LDK, ku vota e elektoratit, më shumë se votë
pro Vjosa Osmanit, ishte votë hakmarrëse kundër Isa Mustafës dhe sejmenëve të tij,
votë e cila shkoi në taborrin kundërshtar, duke e ngritur LVV-në nivelet e
paparashikuara.
Kësisoji,
mobilizimi i elektoratit të LDK-së për ta votuar Vjosa Osmanin me grupin e saj
në listën e LVV-së, i ngjetë atij proverbit “Dasma e minjëve, darka e maçokëve”,
të cilët nuk bënë gjë tjetër, veçse ia çuan Albin Kurtit “peshkun në pjatë”,
për votat e të cilëve nuk u ishte mirënjohës dje, nuk është sot dhe nuk do t’u
jetë asnjëherë.
Çuarja
e votave të elektoratit të LDK-së në Vetëvendosje ishte e njëjtë sikurse me i
marrë tjegullat nga çatia e shtëpisë sate për ta mbuluar shtëpinë e fqinjit
përtej rruge!
Votat
e elektoratit të LDK-së për kandidatët e krahut rugovian në listën e LVV-së
ishte votë në adresën e gabuar, ajo ishte votë për ngritjen e LVV-së dhe
fuqizimin e Albin Kurtit si lider majtist ne Kosovë.
Kthimi në LDK, e shpëton
GUXO me faqe të bardhë
Edhe
pse me hapa të vegjël, LDK është duke e marrë vetën dhe është duke u
konsoliduar si parti e traditës demokratike, me struktura të organizuara në tërë
territorin e vendit dhe në Diasporë.
Kjo
e bën të pamundur ngritjen e partisë së re GUXO, e cila, për të mos thënë se e
ka krejtësisht të pamundur, do ta ketë të vështirë ta kalojë pragun zgjedhor.
Këtë që e themë e bazojë në ndarjen e parë të LDK-së, pas së cilës partia e
Akademik Nexhat Dacit (LDD) nga 10, 4 % të votave në zgjedhjet e vitit 2007, në
zgjedhjet e vitit 2010 nuk arriti ta kaloj as pragun zgjedhor, duke mbetur me
vetëm 2,5 % të votave të qytetarëve.
Kur
jemi tek kuotat, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK ishte renditur partia e
dytë (me një diferencë të ngushtë nga partia e parë) me 24,54% apo 206 mijë e
516 vota, kurse pas ndarjes së vitit 2020, në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit
2021 LDK u përgjysmua në 12, 73 % apo 110 mijë e 958 vota të qytetarëve.
Përafrimin
me LDK-në dhe gjetjën e rrugës më të shkurtër për t’u kthyer në LDK, do ta
konsideroja veprim të mençur dhe pragmatik të zonjes Donika Gërvalla. Në të
kundërtën, GUXO mund ta ketë fatin e LDD-së, për të mos thënë të nismave të tjera
politike, siq ishte ajo e Bujar Bukoshit dhe e Edita Tahirit, të cilat dështuan
në momentin që lindën!
Kthimi
në shtëpinë e vjetër e shpëton GUXO me faqe të bardhë. “Guri rëndë peshon në
vend të vet” e thotë maksima e vjetër popullore. Sa më parë, aq më mirë për të
gjithë, e më së shumti për nismëtarët e slloganit “Guxo”, i kthyer në parti
politike, logoja e së cilës më shumë ngjet ngjet në një frofilizim majtist sesa
në vazhdimësi rugoviane në të cilen thirren drejtuesit e subjektit të ri
politik.
Logoja
e një subjekti politik nuk është gjë krejt e parendësishme, simbolika e logos
së subjektit politik e shpërfaqë përmbajtjen dhe orientimin politik.
Meqë
zonja Vjosa Osmani e ka arritur kulminacionin politik (presidente e vendit),
edhe po të kishte mundësi, nuk do të merrej më me partinë e saj, ngase asaj
asnjëherë nuk i ka interesuar partia (LDK), por vetëm interesi personal.
Kështu, posti i Presidentit paraqet fundin e karrierës politike të Vjosa
Osmanit, pasi me lartë se kaq nuk ka ku shkon dhe fundja ky është rregull i
pashkruar i karrierës politike në të gjitha shtetet demokratike të botës.