Mendime
Albert Zholi: Prof. Dr. Vangjel Kici - Në Shqipëri po ndodh grabitja e vendburimeve të naftës
E marte, 15.02.2022, 07:55 PM
Flet Prof. Dr. Vangjel Kici: Në Shqipëri po ndodh grabitja e vendburimeve të naftës, gazit dhe minierave
-Krimi i dytë është se kërkimet e naftës dhe
të gazit në Shqipëri janë bllokuar qëllimisht këto 30-vjet
Nga Albert
Z. ZHOLI
Rritja e çmimit të karburanteve dhe shitja e
Uzinës së Ballshit për skrap e kanë dëmtuar shumë ekonominë shqiptare.
Njëherazi dhënia me koncesizon e shumë puseve të naftës dhe heqja dorë e
shtetit nga drejtimi i kësaj pasurie kombëtare ka bërë që sektori i naftës në
Shqipëri të jetë në një krizë të thellë. Një përdorues makine duhet ta blejë naftën sot me rreth 200 lekë
për litër dhe benzinën me rreth 204 lekë, në nivele që kanë arritur në rekord
historik. Nga ana tjetër nga specalsitët e kësaj fushe që kanë punuar me dekada
në këtë sektor pretendohet se kërkimet e naftës dhe të
gazit në Shqipëri janë bllokuar qëllimisht. Ka shumë zona që pretendohet nga
specialistët, që janë naftë mbajtëse, por shteti nuk e merr në konsideratë
zërin e tyre. Këto janë problemet që do diskutojmë me Prof. Vangjel
Kici, në këtë bisedë…
-Profesor, ju shkruani vazhdimisht për problemet në sektorin e naftës
shqiptare. Madje keni dhënë disa studime për zonat naftëmbajtëse, por në
tërësinë e tyre cilat janë problemet kryesore, që shqetësojnë naftën shqiptare
parë në këndvështrimin tuaj?
-Dy janë problemet kryesore, grabitja e
vendburimeve të naftës dhe blokimi i punimeve për kërkimin e naftës
dhe gazit. Pra, përveç grabitjes së vendburimeve të naftës, gazit dhe
minierave, edhe kërkimet e naftës dhe të gazit në Shqipëri janë bllokuar qëllimisht,
gjatë 30 vjetëve të fundit. Më poshtë jepen faktet. Nëse vërtet ekziston
SPAK-u, ja ku i ka faktet, dhe le të veprojë sa më parë. SPAK-u nuk ka nevojë
të lodhet shumë duke kërkuar fakte, sepse këto fakte të shëmtuara nuk janë
mikroskopike, por shihen lehtë me sy, siç shihet një elefant!!
Kompanive të huaja të kërkimit të naftës, për
moskryerje punimesh dhe shkelje të rënda të marrëveshjeve hidrokarbure, dhe të
Ligjit të Naftës në Shqipëri, duhet t’u anulohen (shfuqizohen) marrëveshjet
hidrokarbure. Ky anulim mund të bëhet pa probleme, sepse ato janë shumë fajtore
ndaj Shqipërisë. Po të paditen në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ato
duhet t’i paguajnë Shqipërisë gjoba shumë të mëdha!!! Kjo duhet bërë, që në të
ardhëshmen të mos përsëriten veprime të tilla, por qeveria këtë nuk e bën,
sepse ajo është bashkëpunëtore me këto kompani.
Këto kompani janë:
Kompania Shell Upstream Albania ka marrë me
koncesion (dorëzim) Bllokun 4. Kontrata u firmos më 07 gusht 2015.
Kompania Pennine Petroleum Corporation ka
marrë me koncesion Bllokun Velça. Kontrata u firmos më 07 dhjetor 2015.
Kompania Albanides Energy ka marrë me
koncesion Bllokun 8. Kontrata u firmos më 15 korrik 2015. Doli në Fletoren
Zyrtare më 16 prill 2016.
Kompania Navitas Petroleum Ltd. Ka marrë me
koncesion Bllokun Dumrea. Kontrata u firmos më 07 gusht 2015.
Këto kompani fantazma (shumica jo
ekzistuese), dhe të tjerat para tyre, siç ishin kompanitë Sky Petroleum,
Petromanas etj., gjatë shumë viteve nuk kanë kryer asnjë punim kërkimi në
terrenin e blloqeve përkatëse, ose kanë kryer shumë pak. Ato vetëm i kanë
akaparuar (monopolizuar) blloqet, që të mos kryejë askush tjetër kërkime në
‘to. Atyre u janë dhënë liçensat (autorizimet) qëllimisht për të bllokuar
kërkimet dhe zbulimet e naftës dhe të gazit në blloqet më me perspektivë të
Shqipërisë.
E garantoj qeverinë, se në njërin nga këta
blloqe, mund të zbulojmë një vendburim të ri nafte, brenda një muaji!! Për këtë
e kemi njoftuar qeverinë "Berisha" (2011), dhe më vonë qeverinë
'Rama" (2014), por ata nuk duan as të na dëgjojnë ne specialistat e vjetër
të naftës. Ata duan vetëm bllokimin e kërkimeve të naftës dhe të gazit.
Pse të bllokohen?
1- Të bllokohen, që të mos zbulohet nafta dhe
gazi në Shqipëri.
2- Të bllokohen, që të mos zhvillohet
ekonomia e Shqipërisë.
3- Shteti shqiptar të jetë sa më i varfër dhe
i dobët.
4- Të mos hapen fronte të reja masive dhe të
përhershme pune.
5- Të mos rritet mirëqënia e popullit
shqiptar.
6- Shqiptarët të jenë pa punë dhe të varfër.
7- Shqiptarët të largohen nga Shqipëria….
8- Me sa duket, këto marrëveshje hidrokarbure
shfrytëzohen edhe për pastrimin dhe fshehjen e parave të pista, në parajsat
fiskale në det (offshore), ku e kanë bazën këto kompani fantazma.
-Pra nafta ka marrë goditje të madhe. Po në
sistemin monist kur e ka marrë goditjen më të madhe nafta?
Nafta shqiptare
është goditur dy herë. Goditja e parë është bërë më 1975, kundër gjoja “grupit
armiqësor të naftës”. Goditja përfundimtare është bërë pas vitit 1990, me
ardhjen e gjoja “demokracisë”.
Pse është
goditur nafta?
Sepse ajo e
mbante në këmbë shtetin shqiptar. Qëllimi ishte ky: Shkatërro naftën, që të
rrëzohet shteti.
Gjatë regjimit
monist nafta e mbante në këmbë shtetin shqiptar. Shkatërrimi i naftës rrëzonte
shtetin. Prova e parë e shkatërrimit të naftës shqiptare (d.m.th.
e rrëzimit të shtetit) u bë më 1975, me goditjen e gjoja “grupit armiqësor të
naftës”. Nga kjo goditje nafta shqiptare u dobësua shumë, por nuk u shkatërrua
plotësisht, prandaj edhe shteti shqiptar u dobësua shumë, por nuk u rrëzua.
Shtrohet pyetja: Kush e bëri këtë goditje? Sepse Enveri në ato vite ishte i
sëmurë… Në fakt, kishte gabime në sektorin e naftës, por jo punë armiqësore, jo
sabotime…Në të vërtetë, punë armiqësore ishte goditja, që iu bë sektorit të
naftës. Disa nga gjeologët më të shquar të naftës shqiptare u pushkatuan
padrejtësisht, kurse shumë të tjerë u burgosën. Në atë kohë isha bashkëpunëtor
shkencor në Institutin e Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit, dhe më dënuan padrejtësisht
si të dyshuar për sabotime, duke më çuar punëtor për riedukim tek klasa
punëtore në prodhim (5 vjet!!).
Goditjen
përfundimtare nafta shqiptare e pësoi pas vitit 1990, me ardhjen e gjoja
“demokracisë”. Prandaj, edhe ekonomia shtetërore shqiptare ndodhet në buzë të
greminës.
-Pse goditja
përfundimtare?
Pse? Sepse u
mbyll Instituti i Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit në Fier, bashkë me Sektorin
e Gjeofizikës. U mbyll Instituti Teknologjik i Naftës. U mbyllën Ndërmarrjet e
Shpim-Kërkimit, Ndërmarrjet e Shpim-Shfrytëzimit, uzinat mekanike të naftës,
uzinat e përpunimit të naftës etj. U zhdukën sondat e shumta të shpimit. Shumë
shkencëtarë dhe specialistë të naftës u hodhën në rrugë. Shumë shkencëtarëve të
naftës “u doli lotaria”, dhe shkuan në SHBA, në Kanada etj. Një pjesë mbeti në
Shqipëri. Të gjitha këto veprime u bënë, që me naftën shqiptare të merreshin
vetëm të huajt, dhe jo shqiptarët.
Vendburimet
ekzistuese të naftës dhe të gazit u dhanë me koncesione korruptive. Ato po
grabiten plotësisht nga të huajt, në bashkëpunim me qeveritarët tanë të
korruptuar, të djathtë dhe të majtë. E gjithë Shqipëria u nxor në ankand tek
kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Këto kompani,
gjatë 30 vjetëve, kanë bërë shumë pak kërkime për naftë dhe gaz, dhe nuk kanë
zbuluar asnjë vendburim të ri. Një pjesë e tyre janë kompani mafioze, kompani
fantazma. Ato sillen në Shqipëri gjoja për kërkime nafte dhe gazi, por në fakt
nuk bëjnë asnjë kërkim. Ato vetëm i bllokojnë kërkimet e naftës dhe të gazit.
Ky bllokim i qëllimshëm i kërkimeve të naftës dhe të gazit ka vazhduar gjatë 30
vjetëve të fundit.
Kështu u
shkatërruan edhe minierat, industria (uzinat, fabrikat…), bujqësia etj. Të
gjitha këto shkatërrime u bënë dhe vazhdojnë të bëhen vetëm për një qëllim: Që
Shqipëria të falimentojë, d.m.th. të rrëzohet!!!
Si pasojë e
këtyre shkatërrimeve, shqiptarët mbetën pa punë. Ata u detyruan të dyndeshin
masivisht për punë, në mënyrë të paligjëshme dhe të përbuzur, drejt Greqisë,
Italisë etj. Sot, nëqoftëse qeveria shqiptare kundërshton ndonjë kërkesë të
padrejtë të qeverive të këtyre shteteve, ato kërcënojnë me kthimin në Shqipëri
të emigrantëve, që janë mbi një million! Prandaj, qeveria shqiptare detyrohet
të plotësojë çdo kërkesë të tyre, qoftë edhe e dëmshme për Shqipërinë!!!
-Cila është
zgjidhja?
Duhet zhvillim
ekonomik, që të forcohemi politikisht, ushtarakisht etj. Vetëm kështu mund të
jetojmë me dinjitet dhe të lumtur në vendin tonë. Vetëm nafta dhe gazi mund ta
zhvillojnë të gjithë ekonominë e Shqipërisë.
-Po shokët e t’u
çfarë bëjnë në këtë situatë?
Një pjesë ka
ikur në botën tjetër…Pjesa e mbetur janë pensionistë, jashtë shtetit dhe në
Shqipëri. Ata jetojnë me një pension të varfër shqiptar.
Një pakicë, që
janë më të rinj, punojnë në vendburimet ekzistuese të naftës dhe të gazit, që
janë dhënë me koncesione tek kompanitë e huaja….
Çfarë bëjnë
shokët e mi pensionistë jashtë shtetit? Disa kanë shkruar dhe botuar libra, mbi
perspektivën e madhe naftë-gazmbajtëse të Shqipërisë. Disa kanë shkruar dhe
botuar artikuj të ndryshëm në gazeta, ku shprehen mendime, se çfarë duhet bërë
në sektorin e naftës shqiptare….
Po shokët e mi
pensionistë në Shqipëri, çfarë bëjnë? Disa shkruajnë kujtime nga puna e
dikurshme në sektorin e naftës. Dhe mirë bëjnë. Disa, për të kaluar kohën,
merren me komente në facebook. Një pjesë tjetër, gjatë disa viteve rresht,
merren me statusin e naftëtarit, sepse qeveria qëllimisht i sorrollat.
-Cili është përfitimi nga statusi?
Në mënyrë
figurative, naftëtarëve përfitues të statusit u rritën të ardhurat mujore me
vlerën e 5 kg domate!!! Pra, statusi është në qendër të vemendjes së tyre, dhe
jo se çfarë duhet bërë në sektorin e naftës. Ata kërkojnë "më mirë një
vezë sot, se një pulë mot”. Ata nuk bëjnë asnjë protestë kundër katastrofës dhe
grabitjes së madhe në sektorin e naftës. Ata nuk bëjnë asnjë protestë kundër
bllokimit të qëllimshëm të kërkimeve të naftës dhe të gazit. Ata nuk kërkojnë
shtetëzimin e naftës, dhe nuk tregojnë asnjë rrugëzgjidhje. Përkundrazi, disa
prej tyre i thurin lavde kryeministrit Rama! Prandaj, qeveria vazhdon me
prapësitë e saja në sektorin e naftës…
Autori i kësaj
bisede, qysh nga viti 1980 dhe deri më 1998, ka punuar në Institutin e
Kërkimeve Gjeologjike në Tiranë. Si punonjës i këtij Instituti, kam studjuar
stratigrafinë e Shqipërisë Lindore dhe Veriore, ku nuk kanë punuar gjeologët e
Institutit të Naftës. Këto studime, në terren dhe në laborator, më dhanë
mundësinë autorit të shkruaja dhe botoja disa libra, mbi perspektivën e madhe naftë-gazmbajtëse,
sidomos të Shqipërisë Lindore (Brezi Ofiolitik i Mirditës, që vazhdon në
Kosovë). Në këto libra ka shumë ide të reja gjeologjike, të bazuara me fakte.
Disa nga këto
ide, siç është ajo mbi perspektivën e jashtzakonshme naftë-gazmbajtëse të
Brezit Ofiolitik të Mirditës,, po të vërtetohen në jetë (gjë që është shumë e
mundur), mund ta shpëtojnë Shqipërinë nga katastrofa, dhe ta lulëzojnë atë.
Ndaj në këtë bisedë dua të them se me anë të gjeologjisë, duke hapur
perspektiva të reja, të ndihmojë populli, që të shpëtojë një herë e
përgjithmonë nga varfëria ekonomike shumëshekullore. Nga ana tjetër disa shokë
të mi gjeologë, shumë dashamirës ndaj meje, pa i lexuar fare këto libra,
mendimet e mija i konsiderojnë hipoteza, d.m.th. supozime!!! Kur e
pyeta njërin prej tyre, nëse i kishte lexuar librat, përgjigja e tij ishte:
“Vetëm një fragment”. Pse kështu? Sepse mendimet e mija janë kundër pikëpamjeve
të deritanishme të gjithë gjeologëve!! Prandaj ato konsiderohen hipoteza
(supozime). Harrojnë këta shokë, se zbulimet i bëjnë personat, që punojnë me
pasion, dhe jo kolektivat. Ata mbështesin “vijën e masave” të nënës Parti!
Në situatën e
sotshme, çfarë duhet bërë?
Duhet ndryshim
rrënjësor politik. Kjo klasë politike antishqiptare, e pas viteve 1990 (të
djathtë dhe të majtë, që janë të njëllojtë), duhen larguar. Të shtetëzohen
(nacionalizohen, kombëtarizohen) nafta dhe minierat. Të zhvillohet bujqësia,
energjetika, turizmi etj. Mendoj se Thembra e Akilit është kërkimi i naftës dhe
i gazit në gëlqerorët poshtë Brezit Ofiolitik të Mirditës, pa harruar zonat
rreth vendburimeve ekzistuese.