Mendime
Florim Zeqa: Figurat e uniformuara me diploma të fabrikuara!
E diele, 13.02.2022, 05:49 PM
Figurat e uniformuara me diploma të fabrikuara!
Shkruan
Florim Zeqa
Kosova
dhe Shqipëria janë dy vendet në rajonin e Ballkanit ku më së shumti fabrikohen
tituj shkencor dhe akademik me diploma fallco, respektivisht, prodhohen kuadro
pa mbulesë profesionale dhe intelektuale! Përderisa një pjesë e madhe e
komandantëve të luftës u ngritën në gradën e gjeneralit pa akademi ushtarake,
pjesa tjetër e politikanëve të pasluftës u ngriten në tituj profesional dhe
shkencor pa hyrë asnjëherë në amfiteatrin e universiteteve private, pasi për
universitetin publik të Prishtinës u kishte “ikur” mosha adekuate për studim!
Figurat e uniformuara
politike dhe ushtarake, produkt i fabrikimit klandestin
Në
Kosovë dhe Shqipëri dhe trojet shqiptare në përgjithësi, gjëja më e lehtë në
rrethanat e pluralizmit politik, e në veçanti në periudhën e pasluftës, më së
lehti ishte për t’u bërë gjeneral dhe intelektual. Përderisa për t’u graduar në
gjeneral mjaftonin uniforma dhe disa foto të shkrepura gjatë kohës së luftës në
Kosovë, për t’u bërë intelektual mjaftonte një kostum i bukur, një kravatë (kollare)
dhe një palë syze me dioptri “00”!
Mirëpo
puna më e vështirë kanë qenë titujt e ulët, siq është statusi i veteranit! Për
të ardhur deri tek statusi i veteranit ishin një mori kushtesh që duheshin
plotësuar, filluar nga afërsia familjare apo serviliteti ndaj liderëve partiakë
të krahut të luftës dhe jo vetëm, ngase edhe disa nga krahu paqësorë u bënë veterana pa qenë
fare në luftë!
Në
mungesë të këtyre dy të parave, është dashur ta kesh “xhepin e nxehtë” për të
përfituar statusin e veteranit, pa të pyetur askush se pjesë e cilës brigadë
apo zonë ishe gjatë luftës, madje pa të pyetur askush në cilin shtet evropian
ndodheshe si azilant gjatë periudhës së luftës!
Ngritjes
artificiale të veteranëve i parapriu ngritja artificiale e figurave të
uniformuara, gjegjësisht gjeneralëve dhe intelektualëve, doktorëve të shkencave
dhe akademikëve pa asnjë vepër shkencore!
Për
këto anomali të dëmshme për të ardhmen e shtetit jemi fajtorë të gjithë ngapak,
por më së shumti janë ata që prodhuan diploma fallco dhe jo vetëm, fajtorë janë
edhe veteranët e vërtetë që e njohin mirë njëri-tjetrin nga koha e luftës, e
dinë mirë kë e kanë pasur pranë në zonën, brigadën apo pikën e pozicionuar
gjatë luftës çlirimtare!
Andaj,
është krejtësisht e pajustifikueshme heshtja e luftëtarëve, veteranëve të
vërtetë të luftës çlirimtare që nuk i denoncojnë veteranët e rrejshëm, filluar
nga familja, lagja, fshati apo qyteti që i përkasin.
Ngase
nuk e përballon asnjë lloj logjike e shëndoshë që statusin e veteranit që e
gëzon ushtari i vërtetë dhe invalidi i luftës çlirimtare, ta kenë dezertorët,
tradhtarët dhe matrapazët e luftës të cilët janë pasuruar mbi kurrizin dhe
fatkeqësinë e një popullate të tërë!
Figurat e uniformuara,
me aftësi të kufizuara intelektuale
Në
dukje të parë, të gjitha figurat e uniformuara janë të njëjta, por kur i
studion veprimet e tyre dhe kur i dëgjon fjalimet e tyre në parlament dhe nëpër
studiot televizive, atëherë e vëren çartë dallimin në mes intelektualëve të
vërtetë dhe pseudointelektualëve.
Shprehjet
e ulëta dhe gjuha vullgare e shpërfaqin nivelin (e ulët) të intelektualëve me
diploma universitare të fabrikuara apo të blera në shkollat e natës, të
barasvlefshme me ciklin e ulët dhe atë parauniversitar.
Akoma
më keq shpërfaqen figurat e uniformuara ushtarake apo gjeneralët e fabrikuar në
takim me homologët e tyre perëndimor, kur përveq mungesës së njohurive të
përgjithshme ushtarake, u mungojnë eksperiencat profesionale dhe strategjike në
fushën e artit ushtarak.
Kësisoji,
figurat e uniformuara politike dhe ushtarake me diploma të fabrikuara janë
kthyer në pseudovlera, pasojat e të cilëve po i vuan një popullatë e tërë!
Arsyeja
pse populli nuk reagon ndaj këtyre dukurive, sa të dëmshme po aq negative të
shoqërisë sonë, është çështje për t’u diskutuar më thellë dhe më gjërë, por nuk
mund të themi që nuk i njehë si të tilla. Ashtu siq di populli t’i dallon mirë
pulat e “kamionit” nga ato të fshatit, i dallon edhe intelektualët e vërtëtë
nga ata të fabrikuarit, i dallon veteranët e vërtetë nga ata mashtrues!