Mendime
Ibrahim Kabili: Ukraina, Evropa dhe Ballkani
E premte, 25.02.2022, 10:16 PM
Ukraina, Evropa dhe
Ballkani
Nga
Ibrahim Kabili
Bota
demokratike pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrahinës duket se po vepron. SHBA,
presidenti amerikan Biden, shtetet e BE-së dhe jo vetëm reaguan ashpër dhe
dënuan sulmin e Rusisë. Presidenti Putin dhe parlamenti rus, në kundërshtim me
të gjitha traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dërguan ushtrinë dhe
pushtuan Ukrainën. Ky invazion i ushtrisë ruse u paralajmërua nga shërbimet e
fshehta, por përsëri mendonim se Putini nuk do të arrinte në këtë çmenduri. Ai
e ndërmori këtë akt dhe pushtoj Ukrahinën. Kjo përbën një rrezik të madh për
gjithë vendet e Europës, sigurinë dhe rendit botëror. Paqja është vënë në
rrezik. Rusinë dhe ekspansionin e saj mund ta ndali vetëm SHBA, NATO dhe Evropa
e Bashkuar. Reagimet në unison të krerëve të fuqive të mëdha të japin shpresë,
të bëjnë të besosh se Rusia do e humbë këtë luftë. Dhe nuk ka si të ndodhë
ndryshe. Luftë e Rusisë është e padrejtë, grabitqare dhe agresive ndaj shtetit sovran të Ukrainës, ndaj do dështojë
me turp. Shpresojmë sa më shpejt. Brenda 24 orësh ka mbi 57 viktima dhe shumë
të plagosur. Nëse ajo zgjat numri i tyre do të jetë i madh. Evropa dhe
politikanët e saj duhet ti thërrasin ndërgjegjes dhe kujtesës historike...
Duhet ndalur me çdo kusht lufta. Nuk është vonë për të ndalur Putinin... Ai
ëndërron të krijojë ish "Perandorinë Ruse" apo ish
"BRSS-në" e pasluftës së Dytë Botërore. Unë kam besim të plotë se
SHBA dhe Evropa do ta gjunjëzojnë Putinin. Nuk ka si të ndodhë ndryshe,
autokracia nuk mund të fitoj mbi demokracinë.
Natyrisht
ky agresion ndaj Evropës rrezikon shumë paqen në Ballkan. Nuk është rastësi që
Putini përmend Ballkanin dhe më shpesh Kosovën. Faktet dhe ngjarjet historike
tregojnë dhe vërtetojnë se Rusia ka synime agresive ndaj vendeve të Ballkanit.
Për ti arritur këto synime, ajo përdor "satelitin" e saj Serbinë.
Serbia dhe Vuçiçi përbëjnë një rrezik të madh për prishjen e paqes në Ballkanin
"fuçi baruti". Më i rrezikuar është veçanërisht Ballkani Perëndimor.
Evropa tanimë duhet të tregohet objektive me Serbinë. Eshtë momenti që ajo të
ndryshojë qëndrim dhe t'ja heqi maskën Serbisë. Evropa duhet ta vejë në provë
Serbinë, e cila nuk është gjë tjetër, veçse "Rusia" e vogël e
Ballkanit. Si e tillë ajo paraqet probleme për Ballkanin, Kosovën dhe më gjerë.
Evropa duhet ta zgjidhë këtë nyje gardiane! Koha është tani. Eshtë tani sa nuk
është vonë. Serbia ka mbi dy dekada që
përkëdhelet nga Evropa, në ato "bisedimet" e saj me Kosovën. Ajo po
favorizohet në këtë dialog. Kjo nuk është e drejtë. Si shtet agresor ajo duhet
të vihet në provë nga BE-ja. Si satelit i Rusisë në ballkan, Serbia, duhet të
mbajë një qëndrim të qartë në lidhje me agresionin e Rusisë mbi Ukrainën me
datën 24 shkurt 2022. BE-ja tani duhet ta kalojë në një filtër
"lakmusi" Serbinë. Serbia duhet të shprehet nëse e dënon agresionin
rus ndaj Ukrahinës, apo jo? Meqenëse ajo "dëshiron" antarësimin në
BE, duhet të shprehet nëse është me BE-në për vendosjen e sanksioneve ndaj
Rusisë, apo jo? Duhet të vendosë tani sanksionet ndaj Rusinë, apo është kundër
tyre? Duhet të shprehet nëse e njeh tërësinë territoriale të Ukrainës, apo jo?
Natyrisht Serbia nuk ka ndonjë peshë në konfliktin në fjalë por kjo përbën
rrezik për paqen në ballkan. Ajo dëshiron të ringjall "mbretërinë" e
dikurshme, apo "Serbinë e Madhe". Kjo përbën një rrezik për Ballkanin
dhe aq më shumë për Kosovën.
Për
politikën mbarëkombëtare shqiptare duhet:
?? Të unifikohet faktori politik shqiptar në
lidhje me Serbinë.
?? Të forcohet mbrojtja e vendit nga dy shtetet
shqiptare.
?? Të rishikohen qëndrimet ndaj Serbisë dhe të
pengohet çdo nismë e saj për të dalë në Adriatik.
?? Të ndalohet me ligj shitblerja e pronave
shtetasve rusë dhe serbë në territoret me rëndësi strategjike shqiptare.
Eshtë
shumë pozitiv fakti që politikanët e ri në Kosovë e refuzuan "Open
Ballkanin". Po kështu politikanët e Shqipërisë, dhe ato të Kosovës, dënuan
njëzëri agresionin rus në Ukrainë. Ata u pozicionuan qartë pro SHBA-së, BE-së
dhe Natos, në mbrojtje të sovranitetit të Ukrainës. Unë shpresoj se politika
shqiptare do ta gjejë gjuhën e përbashkët për tu dhënë zgjidhjen e duhur
problemeve shqiptare me interes kombëtar. Unë kam shumë besim për këtë!
Historia jonë e përbashkët, është e hershme në kohë dhe hapsirë, ajo nuk nis
dhe përfundon me politikanët e sotëm!