Mendime
Florim Zeqa: Demokracia e kthyer në anarki!
E marte, 22.02.2022, 08:33 PM
Demokracia e kthyer në anarki!
Shkruan:
Florim Zeqa
Përvoja
e tri dekadave të pluralizmit politik na ka mësuar se dryshimin politik në një
vend nuk e sjellin partitë e skenës politike parlamentare dhe as elitat
politike, përkatësisht kryetarët e partive politike, por e sjellë populli, e
sjellin forcat progresive intelektuale dhe atdhetare të shoqërisë sonë.
Politikanët,
gënjeshtarët kronik dhe patologjik
Gënjeshtarët
janë të llojeve dhe niveleve të ndryshme, por më të sofistikuarit dhe më të
paskrupullt janë gënjeshtarët e fushës së politikës, të cilët në kohë të
fushatave zgjedhore i përdorin të gjitha mjetet propagandistike për mashtrimin
dhe grabitjen e votës së qytetarëve.
Pra,
gënjeshtarët më të shpeshtë kronik apo patologjik i kemi në fushën e politikës,
dhe atë në të gjithë krahët e politikës, të cilët, të njëjtat gënjeshtra i
përseritin nga njëra palë zgjedhje në tjetrën dhe pa u skuqur fare para
qytetarëve të vendit.
Pra,
politikanët e papërgjegjshëm gënjeshtrën e kanë kthyer në filozofi të
mashtrimit të qytetarëve, ndërsa pushtetin mjet të pasurimit të tyre.
Politikanët paranojak ua
kanë frikën qytetarëve dhe mediave të lira
Sikurse
të mos kishte ndodhur ndryshimi i pushtetarëve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit
2021, qytetarët e vendit ende do të besonin në premtimet e ish opozitarëve
(pushtetarëve aktualë). Sikurse pushtetarët paraprak, edhe pasuesit e tyre u
ngritën në majat e pushtetit përmes të njëjtës rrugë të gënjeshtrave dhe
mashtrimeve, përmes premtimeve të megalomane për përmirësimin e jetës së
qytetarëve, por në fakt ndodhi e kundërta, në vend të ngritjes së mirëqenjes po
ndodhë varfërimi i qytetarëve dhe pasurimi i elitave politike në pushtet.
Politikanët
paranojak derisa janë në opozitë e “duan” dhe i përulën popullit, kurse pas
ardhjes në pushtet frikohen prej tij! Si pasojë e frikës nga qytetarët,
pushtetarët e rinjë kanë filluar t’i trajtojnë qytetarët në mënyrë selektive,
në qytetarë të rendit të parë dhe qytetarë të rendit, ku këta të fundit i
trajtojnë si skllevër, kurse mediat dhe oponentët politik si armiq të brendshëm
të shtetit të Kosovës!
Pushtetarët
dhe politikanët në përgjithësi, të cilët pasurinë e konsiderojnë vlerë dhe
varfërinë e përdorin për nënshtrimin e qytetarëve janë soji më i keq i racës
njerëzore.
Alternativë e Re e për
shkëputjen nga klasa aktuale politike
Ashtu
siq kishte ndodhur në fund të shekullit të kaluar, përkatësisht në fundin e
dhjetorit të vitit 1989, kur elitat intelektuale të kohës e themeluan subjektin
e parë politik në hapësirat ballkanike, LDK-në, e cila e bëri kthesën e madhe
historike të shkëputjes nga sistemi monist
dhe
ndarjen nga i ish pushteti serbosllav, edhe pas 32-33 vjetësh nga ajo kohë dhe
23 vjet pas çlirimit të vendit ka ardhur koha për një Alternativë të Re
politike e cila e bën shkëputjen nga kjo klasë politike e tejkonsumuar dhe
dalur afati për rrethanat e kohës në të cilën po jetojmë.
Kontaminimi
i skenës politike përgjatë viteve të fundit me ekstremizma të llojeve të
ndryshme e kërkon një rifresh të përgjithshëm të të gjitha subjekteve politike.
Meqë kjo nuk po ndodhë, Kosovës më shumë se asnjëherë më parë i duhet oksigjen
i pastër, i duhet klasë e re politike e padjallëzuar e cila e donë më shpirtë
dhe zemër shtetin dhe qytetarët, ku këta të fundit i trajton në mënyrë të
barabartë dhe pa diskriminim në qytetarë të rendit të parë dhe të dytë.
Shtetit
të Kosovës i duhen udhëheqës të cilët nuk i familjarizojnë institucionet e
shtetit, i duhen udhëheqës që dalin pa frikë në rrugë, në shesh dhe kudo në
vende publike pa pasur nevojë për një armatë trupërojesh dhe forca tjera të
sigurisë.
Defamiljarizimi
i institucioneve shtetërore dhe publike nga krerët e lartë shtetëror duhet të
jetë hapi i parë në luftën kundër ç’kapjes së shtetit, kundër nepotizmit
(punësimeve familjare), ndryshe vetëm gënjejnë (mashtrojnë) popullin me kinse
luftën kundër nepotizmit, korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Demokracia
pa meritokraci, pa barazi ligjore dhe sociale është kthyer në anarki!