Mendime
Florim Zeqa: Fondet e reja me strategji të vjetër!
E marte, 01.03.2022, 08:47 PM
Fondet e reja me strategji të vjetër!
Shkruan:
Florim Zeqa
Ideja
e themelimit të një fondi nga diaspora për forcimin e kapaciteteve ushtarake të
FSK-së, jo vetëm që nuk është e mjaftueshme për sigurinë e vendit tonë, është
iluzive të mendohet se përmes këtij fondi mund të arrijmë nivelizimin e
kapaciteteve ushtarake me Serbinë!
Mrekullia një herë ka
zbritur nga qielli në Kosovë
Muajëve
dhe javëve të fundit janë duke qarkulluar ide për formimin e një fondi nga
diaspora për ta ndihmuar FSK-në në ngritjen e kapaciteteve dhe furnizimin me
teknologji të avancuar ushtarake.
Idenë
për formimin e Fondit nga Diaspora duhet kuptuar si ide qëllim-mirë dhe
atdhetare, por një ide e tillë duhet diskutuar me të gjitha forcat politike në
pushtet dhe opozitë, duhet analizuar mirë në detaje të gjitha aspektet e
funksionimit të këtij fondi, në mënyrë që asgjë të mos bie ndesh me përcaktimet
tona për anëtarësim në NATO.
Mendoj
se, më shumë sesa çdo fond dhe financim nga jashtë për forcimin dhe zhvillimin
e FSK-së, do të ndikonte anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe mekanizmat tjerë
ndërkombëtar siq janë BE dhe OKB.
Prandaj,
duhet të tregohemi të kujdesshëm në marrjen e vendimeve të njëanshme për ta
ndihmuar FSK-në jashtë projeksioneve të NATO-s derisa të ndodhë transformimi i
plotë i FSK-së në FARK (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës!
Nuk
guxojmë të bazohemi në të kaluarën e ndërhyrjes së NATO-së të vitit 1999, kur
mrekullia na zbriti nga qielli. Asokohe Kosova nuk kishte shtet dhe as ushtri
dhe ndërhyrja e NATO-s ishte arsyetuar me aspektin humanitar për shpëtimin e
një popullate krejtësisht të pambrojtur nga shfarosja dhe dëbimi masiv nga
trojet e veta.
Anëtarësimi
në NATO për aq sa është prioritet, është çështje ekzistenciale për shtetin e
Kosovës. Vetëm anëtarësimi i Kosovës në NATO do t’i shuante përfundimisht
ëndërrat e Serbisë për ri-pushtimin e Kosovës, në të kundërtën, formimi i një
Fondi nga Diaspora pa anëtarësim paraprak të Kosovës në NATO, jo vetëm se nuk
do ta frikësonte dhe as ndalonte Serbinë nga qëllimet grabitçare, Serbia do ta
përdorte si alibi për të kërkuar ndihmën e aleatëve të saj për ta sulmuar
Kosovën e pakonsoliduar në aspektin ushtarak dhe ekonomik.
Për
këtë arsye, liderët shtetërorë të Kosovës, paralelisht dialogut me Serbinë dhe
para së gjithash duhet të aplikojnë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE,
dy shtylla këto të fuqishme për mbrojtjen e pavarësisë dhe sovranitetit të
shtetit tonë.
Krijimi i fondeve pa
llogaridhënje mbush xhepat e politikanëve
Ne
shqiptarët kemi përvojë të hidhur nga hapja e fondeve në kohë krizash politike
dhe pandemike. Në të kaluarën jo shumë të largët, gjatë luftës së fundit, në
Diasporë kanë vepruar paralelisht dy fonde në grumbullimin e mjeteve nga
mërgimta jonë me qëllim të përbashkët-ndihmën e luftës çlirimtare.
Sikurse
njëri fond (3 %-shi apo fondi i qeverisë në ekzil), ashtu edhe ai “Vendlindja
Thërret” nuk i kanë dërguar të gjitha mjetet e grumbulluara nga mërgimtarët në
destinacionin e duhur!
Edhe
pse të gjithë i dimë rezultatet e shpërdorimeve të dy fondeve të
sipërpermendura, deri më sot nuk e kemi asnjë aktakuzë të ngritur ndaj bartësve
të fondeve të sipërpermendura!
Siq
dihet, dy vite më parë, saktësisht më 12 prill 2020 Albin Kurti në cilësinë e
kryeministrit në detyrë (i shkarkuar) e kishte hapur një “Fond” përmes një
xhirollogarie të posaçme duke kërkuar nga diaspora shqiptare ta ndihmojë
qeverinë me mjete financiare për “menaxhimin e pandemisë”!
Edhe
pse asokohe në mediumet televizive dhe ato elektronike flitej dhe shkruhej për
derdhje enorme të qindramijëra eurove të mërgimtarëve vetëm brenda një dite në
fondin e “posaqëm” emergjent të ‘Qeverisë Kurti 1”, asnjëherë deri më sot nuk u
bë transparente shuma e parave të grumbulluara dhe as lëvizjet financiare të
atij fondi!
Iniciativa
e fundit e Albin Kurtit për themelimin e të ashtuquajturit “Fond Sovran”, për
qëllim ka futjen nën kontroll të plotë të të gjitha aseteve shtetërore,
ndërmarrjeve publike dhe private, përkatësisht të futjes nën kontroll e gjitha
investimeve që vijnë nga jashtë, në veçanti të investimeve të mërgatës tonë.
Iniciativa
për hapjen e një “Fondi për FSK-në” e ka ndarë mërgatën tonë! Përderisa një
pjesë e vogël, do ta thoja simbolike e mërgimtarëve janë dal në përkrahje të
këtij fondi duke deklaruar shuma të konsiderueshme parash dhe përqindje të
caktuara që do t’i ndajnë nga pagat e tyre mujore për “forcimin” e FSK-së,
pjesa tjetër e kushtëzojnë aderimin në këtë fond me arrestimin shpërdoruesve të
dy fondeve të luftës (“3 %” dhe “Vendlindja Thërret”) dhe konfiskimin e
pasurive të paligjshme të pushtetarëve të pasluftës!
Për
dallim nga dy grupet e para, pjesës dërmuese të mërgatës tonë as që i bëjnë
përshtypje themelimet e fondeve të reja, si pasojë e abuzimit në të kaluarën me
fondet e luftës.
“Fondi
Sovran” i Albin Kurtit dhe “Fondi për FSK-në”, edhe pse në distancë kohore,
janë fonde të reja me analogji të njëjtë dhe strategji të vjetër, të cilat u
ngjajnë fondeve të “3 %-it” dhe “Vendlindja Thërret” të cilat zbrazen xhepat e
mërgimtarëve dhe mbushën xhepat e ish pushtetarëve dhe ish komandantëve të papërgjegjshëm
të kohës së luftës.