Mendime
Enver Bytyçi: Loja e pistë e identifikimit të së keqes!
E marte, 08.03.2022, 08:46 PM
Loja e pistë e identifikimit të së keqes!
Nga
Enver Bytyçi
Flutura
Açka është shkrimtare brilante. Si politikane nuk njihet dhe aq, pavarësisht se
Basha i dha numrin një të listës së Elbasanit në zgjedhjet e para një viti.
Pata besuar se Basha bëri një gjest pozitiv bazuar në vlera kur e vendosi
zonjën Açka në krye të listës së këtij qarku. Por një deklaratë e saj, sipas së
cilës "Nëse nuk ikën Berisha, Basha nuk ka pse ikën" më bën të besoj
në një lidhje konjkturore midis kryetarit të vulës dhe deputetes së kryelistës!
Ndoshta kjo lidhje vjen nga Hollanda!
Pse
besoj në këtë marrëdhënie? Sepse sjellja e askujt nuk kushtëzohet nga raporti
me dikë tjetër. Këtë rregull jetik të marrëdhënieve njerëzore, përfshirë ato
politike, shkrimtarja Flutura Açka e ka trajtuar në krijimtarinë e saj.
Ndërkohë politikisht predikon të kundërtën. Çdo të thotë "Nëse nuk ikën
Berisha, Basha nuk duhet të ikë"?! Pse kjo ekuivalencë midis dështakut dhe
një njeriu që më shumë ka njohur suksese se dështime në karrierën e vet
politike?
Filozofia
e jetës na mëson se njerëzit nuk janë njësoj. Janë diversë. Edhe Basha e
Berisha nuk ngjajnë në asgjë me njëri-tjetrin. Këtë ligj të natyrës njerëzore e
njeh zonja Açka. Atëherë pse duhet vënë kushtëzimi në sjelljen e njëjtë të të
dyve?! Apo se Berisha "është nongrata" në SHBA?! Për ta shpjeguar
edhe këtë "keqkuptim" të Fluturës dhe disa deputetëve të PD-së do t'i
drejtohemi filozofisë. I famshmi Immanuel Kant shkruan se në thelb të
marrëdhënieve njerëzore e shoqërore, për pasojë edhe të politikave dhe
marrëdhënieve ndërkombëtare, është logjika. Logjizmi përbën atë që quhet e
drejtë zakonore dhe e drejtë e shtetit. Dhe letërsia e shkrimtarëve ka si
objekt filozofinë e shprehur me metafora dhe karaktere, bazuar në ballafaqimin
e së mirës me të ligën, të së drejtës me padrejtësinë.
Atëherë
në logjikën e zhvillimeve, kush do të duhej të ishte shpallur non grata nga
sekretari Blinken? Rama, për të cilin çdo vit departamenti Shtetit jep raporte
korrupsioni të shkallës më të lartë në rajon e në Europë, madje dhe në
Afrikë?! Apo Berisha, i cili prej nëntë
vitesh është larguar nga pushteti?! Flutura duhet t'i thërrasë logjikës dhe
logjizmit si shkencë filozofike e të arsyetojë "non gratën" e
Berishës në këtë frymë. Madje ajo ka mundësi të shkruajë një tregim, apo
novelë, pse jo një roman, me këtë sjellje disharmonike e jo logjike të zotit
Blinken. Sepse vetë Blinken vitin e kaluar, e këtë vit firmosi një raport të zi
për korrupsionin në Shqipëri, në të cilin thuhet se ky korrupsion shfaqet në
nivele të larta të qeverisë. Por jo! Ai shpall non grata kundërshtarët politikë
të të korruptuarit të shekullit në Shqipëri! Absurde është kjo!
Ndërkohë
absurde është gjithashtu, kur një shkrimtare politikane e përfshirë në absurdin
e jetës shoqërore e politike në Shqipëri bën shartime të tilla me besime të
pakuptimta "Berisha si Basha"! Pse? Se Berisha përmes Shtëpisë së
Lirisë kandidoi demokratë në zgjedhjet e 6 Marsit. Kjo quhet përçarje! Kjo
trajtohet si ndëshkim për Lul Bashën! Ndërkaq nuk ju shkon mendja se Shkodra
mbeti kështjellë e demokracisë dhe e demokratëve falë Berishës! Një gjë e tillë
nuk do të kishte ndodhur me kandidatin e kecit të Ramës, Lul Vulës!
Prandaj
Berisha dhe Basha nuk janë e nuk mund të jenë njësoj. Prandaj Flutura nuk mund
ta kushtëzojë dorëheqjen e Bashës me Berishën e dorëhequr. Por unë jam dakord
që edhe Basha, edhe Berisha të provohen në një duel politik te demokratët. Kush
të humbë të respektojë fituesin dhe fituesi më pas të shpreh konsideratë për
humbësin! Kjo mund të jetë thjesht një zgjidhje e krizës! Apo jo Flutura?!