Mendime
Adil Fetahu: Kur kërkohej plebishiti për bashkimin e trojeve shqiptare
E merkure, 09.03.2022, 08:55 PM
KUR KËRKOHEJ PLEBISHITI PËR BASHKIMIN E TROJEVE SHQIPTARE
Nga
Adil FETAHU
Pas përfundimit të Luftës së
Parë Botërore filloi Konferenca e Paqës në Paris, e cila zhvilloi punimet prej
18 janarit 1919 deri më 21 janar 1920.
Shqipëria që kishte shpallur
pavarësinë në vitin 1912 dhe kishte
marrë njohjen ndërkombëtare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin
1913, shpresonte se Konferenca e Paqës do të ndreqte padrejtësitë që ishin bërë
me pushtimin e trojeve shqiptare në Luftën Ballkanike dhe se ato troje do t’i
ktheheshin pas Luftës së Madhe. Shpresën më të madhe shqiptarët e mbështetnin
te Presidenti i ShBA-ve, Vudrov Vilson, i cili në 14 pikat e tij të njohura,
kishte deklaruar se do të respektohet e drejta e kombeve për vetëvendosje.
Shqipëria nuk ishte radhitur
me asnjenën palë të Luftës, nuk ishte as në krahun e fituesve as të humbësve,
por ishte e pushtuar nga ushtri të hueja: serbe, greke, italiane, franceze. Shtetet fqinje:
Serbia, Italia dhe Greqia kërkonin që
statusi politik i Shqipërisë të
rishikohet dhe rikonstruohet, sipas kërkesave dhe marrëveshjeve të tyre. Ato kishin bërë marrëveshje për copëtimin e
Shqipërisë dhe aneksimin e pjesëve të saj shteteve të tyre. Ekzistonte edhe një
marrëveshje e fshehtë e lidhur më 26 prill 1915, midis fuqive të mëdha:
Italisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë, për ndarjen e Shqipërisë midis
shteteve fqinje. Ajo marrëveshje ishte
bërë për ta joshur Italinë që t’i bashkohej koalicionit të forcave të shteteve
të përmendura në luftën kundër Perandorive Osmane dhe Austrohungareze. Sipas
asaj marrëveshje, Italia do ta merrte Vloren me një territor mbrojtës
(hindërlandin), Greqia pjesën jugore me
Korçën e Gjirokatrën, ndërsa Serbia pjesën veriore. Ishte paraparë të krijohej
një Shqipëri e vogël, që përfshinte mesin e Shqipërisë, midis Drinit dhe
Vjosës, edhe ajo do të ishte nën protektoratin e Italisë. Pazaret me tokën e
Shqipërisë zhvilloheshin në kontekst me “Çështjen e Adriatikut”, ku kishin
pretendimet e tyre edhe Italia edhe e ashtuquajtura Mbretëri
Serbo-Kroato-Sllovene që ishte formuar më 1 dhjetor 1918.
Gjatë mbajtjes së
Konferencës së Paqes, Delegacioni i Qeverisë së Durrësit dhe delegacione e
përfaqësues tjerë të shqiptarëve nga diaspora, i kanë dërguar Konferencës informata, reagime, qëndrime, protesta,
relacione, kërkesa, memorandume, nota e propozime të shumta, në mbrojtje të
shtetit dhe me kërkesë për këthimin në
kuadër të shtetit të ardhshëm shqiptar të trojeve shqiptare, të cilat Konferenca e Londrës
(1913) padrejtësisht ia kishte marrë Shqipërisë e dhënë shteteve fqinje.
Një nga ato akte të
Delegacionit të Qeverisë Shqiptare, të cilin e kryesonte Turhan – pashë Permeti, ishte kërkesa
e dërguar kryetarit të Konferencës, Zh.Klemanso, për të lejuar dhe
organizuar plebishitin për deklarimin e popullit shqiptar në trevat në
kontest me shtetet fqinje: Greqi, Serbi,
Mali Zi, që populli i atyre trojeve të
deklarohej për të ardhmën e vet politike. Poqese lejohet plebishiti për trevat
shqiptare në zaptuara nga shtetet fqinje, Shqipëria do të lejonte plebishit
edhe për deklarimin e popullsisë në Jug të Shqipërisë, siç kishte kërkuar
kryeministri grek E.Venizellos, i cili pretendonte se ajo popullsi është greke,
pasi janë të besimit ortodoks. Në këtë pretendim të Venizellosit, i ishte
përgjegjur dr Mihal Turtuli: “Unë jam ortodoks, por nuk jam grek. Bullgarët,
Serbët dhe Rusët janë ortodoksë, por nuk janë grekë”!
Delegacioni shqiptar kishte
kërkuar që në territoret ku do të zhvillohej plebishiti, të vendoseshin trupa
amerikane për një ose dy vjet, deri sa të merrte fund plebishiti. Kërkesa e
Delegacionit shqiptar për plebishit, e dërguar kryetarit të Konferencës, kishte këtë përmbajtje :
Paris, më
7 mars 1919
Kryetarit
të Konferencës së Paqes në Paris, z.Zh.Klemanso
Kërkesë
për Plebishit
Shkëlqesë,
Në të
pritun që patëm, më 27 të shkurtit qi shkoi, prej komisiës së ngarkueme me
punët greke, na ishte dukun se Zotniët Delegatë fort po nguteshin me një
çashtje së cilës na i apim ma te naltën randsië tyke qenë se te ajo varet liria
ase robnia e sa qind mijë vëllazënve tanë.
Prap kemi
pamun se komisia e sipërthanë është marrë vetëm me pandehmat greke në Shqipnië
e as pak me kërkesat e drejta shqiptare mi Çamërinë e pushtueme prej Grekvet.
Kërkesat
t’ona janë fare të këthiellta.
Nuk po
kërkojmë tjetër përveç pjesvet të tokës s’onë kombtare ku populli i ynë ka një
shumicë të madhe.
N’ato
krahina qi jemi tue kërkuem ,arsyet historike, ethnike e gjuhsore mblidhen të
gjita për neë. Për me mbështetun thesën t’onë, na vijmë e nëvkasim sidomos ndiesiën kombtare të popullsivet t’atyne
viseve qi u janë sakrifikuem Grekëvet e Sllavvet e vullëndetin e zjarrtë të tyne për me u bashkuem me mamën –
atdheë. Në qoftë se argumentat e shtruem
para Konferencës s’janë dukun të bindshëm për të drejtën t’onë të bukur, po
vijmë , për me shpëtue sa qin mijë vëllazën t’anë nga robnia e fqinjvet të
tyne, e i lutemi Konferenës qi të ketë mirsinë me i dhanë një nëkambsië
qeveriës së Shtetevet të Bashkueme të Amerikës për me shkelun e me adminstruem
motmot ase dy vjet, me qëllim të nji plebishiti qi kemi kërkuem, do me thanë,
Çamërinë, të pushtueme prej Grekvet e viset qi gjinden ne Verit e në Lindjet të
Shetit Shqiptar, të pushtueme prej Malazezvet e Serbvet, dhena të cilat i kemi
dëftyem në Memorandumin t’onë më 12 të Shkurtit të kaluem.
Vrasat e
të djegunat qi kanë shpopulluem krahinat e Shqipniës së Poshtme i din gjithë
bota; qëllimi i këtyne ishte me shtrënguem një numër të madh të bashkatdhetarve
t’anë qi të delshin prej vendit për me mbetun mandej Grekët në shumicë. Me
gjithë këtë, po të jetë se Konferenca do t’pranojë lutjen t’onë për një
plebishit në të gjitha dhenat qi po kërkojmë, kishim me ndëgjuem qi edhe për
viset e Shqipniës së Poshtme, të cilat Greqia po i kërkon pa fare të drejte,
t’i jipet nëkambsia po asaj qeverie që thamë, me i shkelun e administruem
motmot ose dy vjet.
Popullsiët
e të tana këtyne dhenave do të munden këso dore me dëftyem lirisht e pa as nje shtrëngim vullëndetin e vërtetë të tyne e
venduem fatin e vet vetë.
Jemi të
bindun se Mbledhja e Naltë nuk do të dojë memos na e pëlqyem nje lutje kaqë të
drejtë e të ligjëshme.
Paris, 7
Mars 1919 Kryesuesi
i Dërgatës Shqiptare
(nënshkrimi)
TURHAN
Shkëlqesës
së Tij, Z.G.Clemenceau,
Kryesues i
Konferencës së Paqes
* **
Në konstalecionin e forcave
dhe interesave që dominonin punën e Konferencës së Paqes, as që kishte gjasa të pranohej kërkesa për
plebishit të shqiptarëve të cilët kishin mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë
londineze. Shqipëria nuk e kishte përkrahjen e askujt, madje as për ta ruajtur
atë gjyshëmshteti që kishte, lere më për t’i ndrequr padrejtësitë duke
përfshirë territoret dhe popullin e saj të mbetur jashtë kufijve. Konferenca
fund e krye zhvilloi punimet mes
ngatërresave dhe intrigave të interesave të ndryshme, të projektuara me
marrëveshje të fshehta e të hapta të pretendimeve të shteteve fqinje, të përkrahura
nga fuqitë e mëdha. Dhe, gjykuar sipas kësaj situate, duket se kërkesa e
Delegacionit shqiptar për plebishitin e popullit shqiptar që ishin jashtë
kufijve të Shqipërisë, më tepër kishte për qëllim ruajtjen e kufijve të vitit
1913, sesa përfshirjen e të gjitha territoreve të banuara me shqiptarë, me të
cilët do të arrinte rreth 93.000 km katrore dhe mbi 2,5 milionë banorë e do të
bëhej faktor vendimtar në Ballkan.
----------
Sqarim: Teksti i këresës për plebishit është marrë nga libri i Muin Çamit e
Marenglen Verlit: “Shqipëria në Konferencën e Paqes (1919-1920) dhe transponuar këtu me të folmën e kohës, që nuk
përputhet me drejtëshkrimin aktual, dhe kur mbi disa shkronja-zanore ka pasur
aksente, e që në këtë shkrim nuk kemi mundur t’i përdorim.