Mendime
Idriz Zeqiraj: Katapultimi brrylor i Hashim Thaçit në politikë!
E diele, 13.03.2022, 03:04 PM
KATAPULTIMI BRRYLOR I HASHIM THAÇIT NË POLITIKË!
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Hyrja dhe ngritja e Hashimit në politikë, është përfolur si e
dyshimtë, madje, me intrigimet të disa Shërbimeve Informative të disa shteteve
hiç miqësore për Kosovën. Këtë dyshim e ngrejnë, pikërisht, shokët tij të
LPK-së në Mërgatë. Miqësinë e agjentit të Shërbimit Sekret francez, DGSE,
Danjear Arnaud, dhënderr i Serbisë, me Hashimin, i pari e zbuloi Bardhyl
Mahmuti, i cili, në atë kohë ishte i ngarkuar me punë të Jashtme të LPK-së.
Hashimi ishte i etur për pushtet dhe para, aq sa edhe tutorët e
tij në kupolën zyrtare, social-komuniste në Tiranë. Titullarët: Rexhep Mejdani
- president, Skënder Gjinushi - kryeparlamentar, Paskal Milo - ministër i
Jashtëm, Fatos Klosi - shef i SHISH-it, me mbeturinat enveriste, donin
stausquonë me Jugosllavinë, njësoj si Enveri i tyre dhe assesi luftën me
Serbinë. Ndërsa Fatos Nano i braktisi, u tërhoq, me bidjen se "këta, të
LPK-së, janë sharlatanë, të pashkolluar, pa edukatë, banditër dhe fort të dyshimtë"?!
Krerët shtetërorë të Tiranës, dërguan stafin profesional të
agjit-propit enverist në Evropë, me qendër në Zvicër. Fletushkën "Zëri i
Kosovës", numri i parë i së cilës, u botua në një podrum të Prishtinës,
nga grupi ynë ilegal, në vitet `70-a, në gjysmën e dytë të viteve `90-a,
agjentët brenda LPK-së, e kthyen në një paçavure përçarëse të mërgatës së
përbotshme gjithëshqiptare!
Gjahu i parë i bandës të Hashim Thaçit, ishte puçi në Kryesinë e
vjetër të LPK-së, e cila u shkarkua dhe u akuzua për tradhti, pa dhënë shpjegime.
Zgjodhën kryesi të re, të dominuar nga klani i Drenicës. Morën drejtimin e
fletushkës, tani, gazetë "Zëri i Kosovës", ku shfrynin kundër LDK-së
e Rugovës, duke e harruar Serbinë, e gjithë llumhania e kuqe staliniste e etnikumit
shqiptar dhe përtej në botë! Kryesia e vjetër e LPK-së, pavarësisht
destruktivitetit, në vijimësi, megjithatë, ishte për bashkimin e faktorit
ushtarak. Ndrkohë që Kryesia Puçiste e përjashtonte këtë unifikim, pavarësisht
pse Kosova ishte në luftë me Serbinë pushtuese. Dhe, duke i parë flirtimet e
Kryesisë së re të LPK-së, me miqtë e Serbisë, dyshimi për nismen e sabotimit të
luftës ishte i bazuar.
(Për çudë, për të tretën herë me radhë, në tri debate televizive,
kur analisti, profesor Sadri Ramabaja, nis rrëfimin për puçin në LPK-e,
moderatori Leonard Kërçuku, ke T7 - PRESSING", e ndërpret, duke e stopuar
atë temë!? Atëherë, pse hidheni, "si zorra në prush", kur akuzohen
disa media të kapura nga PRONTO-mafia?!)
Gjahu i dytë, ishte Fondi "Vendlindja thërret", t`i
dorëzohet Kryesisë puçiste të LPK-së, përkatësisht, bandës të Thaçit.
Përgjegjësi i Fondit, Jashar Salihu, kundërshtoi me arsyetimin se "unë i
kam garantuar donatorët mërgimtarë, për administrim korrekt dhe nuk heq dorë
nga kjo përgjegjësi. Jam i hapur për transparencë, qoftë edhe me kompromisin
për bashkë-menaxhim". Por, Hashimi, si trim në poshtërsi, kërcënoi jo
vetëm atë personalisht, por edhe familjen e tij. Jashari u dorëzua, SHTAB-istët
në konsolidim e sipër, nuk pranonin asnjë kopromis, asnjë kontroll nga dikush
tjetër të Fondit! Pra, donin të tërin dhe pa asnjë kushtëzim!
Hashimi, si mjeshtër "i dajakut dhe i kulaçit", e
shpërbleu për nënshtrimin, duke e shpallur Jashar Salihun Hero të Kosovës, edhe
pse ai vdiq nga sëmundja. Nëse do të vlerësohej kontributi i Hafiz Gagicës, për
Kosovën, do t`i eklipsonte heronjtë e Hashimit. Megjithatë, për turpin e
qeverive të Kosovës, për atë nuk u sigurua, qoftë edhe një vend pune në Kosovën
e lirë, edhe pse kishte punuar shumë për atë.
Hashim Thaçi është trim në poshtërsi!
Hashimi, po ta përdorte trimërinë për mirësi, do të mbetej vlerë e
historisë tonë. Mjerisht, ai, trimërinë e përdori për poshtërsi dhe u fundos
përjetësisht. Dhe, nga ky fund i turpshëm, nuk e shpëton asgjë, qoftë edhe një
liri e blerë, siç ka ndodhur me "sivëllezërit siamezë" të tij. Këtë e
ka dëshmuar me veprimet aventureske dhe banditeske, në likuidimin e rivalëve
politikë.
Shembullojmë vetëm me dy raste, që, sot, janë edhe akuzat bazë e
faktike ndaj Thaçit:
a) Vrasja e gazetarit dhe e zëdhënësit të parë të UÇK-së, Ali
Ukaj. Hashimi ishte i akuzuari i parë, ishte prangosur në Burgun e Tiranës.
Xhavit Haliti i telefonon një gjenerali të Sigurimit Shqiptar dhe Hashimi
lirohet! Vrasja i faturohet një kushëriri, i cili mohon çfarëdo lidhje me
rastin. Enigmatisht, dosja Ukaj mbyllet, madje, pa asnjë hetim! Dhe, kjo ndodhë
vetëm në sistemin e rrënuar të drejtësisë në Shqipëri dhe Kosovë, dy shtete rrumpallë,
qytetarët e të cilëve po i hanë qentë endacakë, bulevardëve dhe rrugëve të
Prishtinës, Tiranës dhe qyteteve tjera!
b) Fjalosja e Hashimit, më 1993, me profesor Behajdin Hallaçin,
sekretar organizativ i LPK-së, në Kosovë, inferioriteti i tij, në raport me
Hallaçin, e çoi në plumb atë, për të shmangur një rivalitet të mundshëm
politik, në të ardhmen e afërt. Me plumbosje u shuan kësaj jete edhe
bashkëluftëtarët e profesor Hallaçit: komandant Ismet Jashari-Kumanova dhe
Shaban Shala. Murat Jashari, tashmë, viktimë speciale e
"komandantëve", bënë pyetjen bombë, drejtuar komandantëve: "Kush
e vrau vëllain tim, Ismet Jasharin, alias Komandant Kumanovën?!" Një
pyetje domëthënëse, që ka mbetur pezull, në pritje për ta mbuluar harresa, pa
përgjigje!
Shkrimtari Maksin Gorki këshillon, "të mos i mohohet gjithçka
tjetrit, sepse rrezikohesh të të mos të besojë njeri". A bëri diç të mirë,
si kryeministër e president, Hashim Thaçi, "për të mbetur në memorien e
historisë për vlera"? Gjithësesi, po. Kryevepra e Hashimit është Krijimi i
Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë. Edhe motivimi i tij është
bindës: "Vazhdon vrasja e dëshmitarëve, me parësi në numër në Dukagjin.
Bota demokratike nuk i toleron këto krime makabre, në zemër të Evropës".
Edhe vrasja dhe kallja e dëshmitarit potencial të Hagës, në
shkurtin e vitit 2020, i cili udhëtonte me ekzekutorët në makinë, e vërteton
deklarimin e Hashimit. Përndryshe, Gjykata e krijuar nga OKB-ja, do të ishte
fatale, duke u dhënë rast rusëve e kinezëve, të talleshin me nulitetin ushtarak
dhe "atdhetar", të komandantëve fiktiv të UÇK-së së LPK-së, të cilët
vranë Ministrin e Luftës, Kolonel Krasniqin, në vlugun e luftës. Një Gjeneral i
shquar kroat, bëri pyetjen, sa të dhimbshme, aq edhe tmerruese, duke vlerësuar
lart personalitetin, integritetin dhe profesionalizmin ushtarak të Kolonelit
tonë: "A e dinë shqiptarët se kënd kanë vrarë?!"
Lavdërimi foshnjor i LVV, për refuzimin e Specialës!
Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pse lavdërohet me refuzimin e
bërë Specialës. Të paktën, pas bllokimit të Vetting-ut, nga të inkriminuarit e
drejtësisë, duhet të reflektonin dhe të mos i akuzojnë votuesit e Gjykatës
Speciale të Kosovës, me seli në Den Hag. Derisa nuk ke forcën t`i prangosish
dhe ndëshkosh kriminelët, Specialja e Hagës është zgjidhje pa alternativë.
Dakord, nuk ka pasur transplacion organesh. Por, në librat e Karla
del Pontes dhe të Dick Marty-së, janë pasqyruar edhe gjetjet e prokurorit
amerikan Jack Smith, torturat dhe vrasjet e kundërshtarëve politikë shqiptarë,
në, të paktën, 40 burgjet rurale, të improvizuara, kryesisht, ahure e shtalla
bagëtish, të menaxhuara nga komandantët e zonave, me urdhër të SHTAB-it,
Qendror të UÇK-së të LPK-së, pavarësisht nëse ai ndodhej në "Rogner"
apo brenda Kosovës.
Skajmërisht kriminale, askush nga ata që kërkojnë zhbërjen e
Gjykatës Speciale, nuk merakoset për "vrasjen e mbi 1.000 kundërshtarëve
politikë", siç konstatonte kryeministri i Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi, dy
dekada më parë. Ndërsa statistikat e specialistëve të Drejtave të Njeriut dhe
të Shoqërisë Civile, shifrimi i viktimave, shkon në 1.825 dhe në evidencat e
fundit, deri në 1.920. E tmerrshme, të gjithë shqiptarë krejtësisht të
pafajshëm, kryesisht, luftëtarë të uniformuar dhe të devotshëm për çlirim dhe
demokraci!
PAN-i, në përgjithësi, PDK-ja, në veçanti, në mënyrë të
organizuar, po bënë çmos, për ta inkriminuar UÇK-në, duke mbrojtur individ e
grupe, se, gjoja, me veprimet e tyre, qofshin edhe vrastare, përfaqësojnë UÇK-në!
Kjo tendencë e poshtër e kriminale, duhet të stopohet dhe të demaskohet, si
armiqësi e hapur ndaj Kosovës.
Së fundi, është skandaloze deklarimi paushall dhe hiç i saktë, i
kryeminstrit Albin Kurti: "Bashkëluftëtarët e Adem Jasharit po mbahen në
Hagë, për luftën e pashembullt për liri"!? Ndërkohë që nuk kanë qenë shokë
lufte të Ademit. Përkundrazi, përgojues, pengues dhe sabotues të luftës së
Hamëz dhe Adem Jasharit, të cilët, edhe fizikisht i ndanin 2.000 kilometra! Madje,
nga katërshja e Hagës, tre syrësh nuk kanë fare pjesë e luftës. Në vend të
luftës për çlirim e liri, ata kishin zgjedhur të merreshin me lista morbide,
vratare dhe komunikata SHTAB-iste, gjithnjë, në emër të UÇK-së, denigruese të
luftëtarëve të mirëfilltë dhe sabotuese të luftës çlirimtare.
Gjithësesi, kjo deklaratë, sa e papritur, aq edhe foshnjore, do
t`i kushtojë Kurtit, kur dihet se tej 85 % e shqiptarëve, në të gjitha
sondazhet, matjet publike, duan rend e ligj, luftë kundër krimit të organizuar vrastar
dhe hajnisë zyrtare. Me këtë premtim LVV korri fitoren, pothuajse,
plebishitare, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Veç kësaj, Kurti shpërfaqë dozën
e anarkiste të kundë-shtetit, kundër ligjit, drejtësisë. Ai, nën trysninë
kriminale të PAN-it, dorëzohet, amniston krimin dhe kriminelët! Shqiptarët nuk
e prisnin këtë dobësi dhe kthesë diabolike, të Albin Kurtit, të admiruar,
sidomos, nga rinia shqiptare, si parimor dhe qendresëtar, pikërisht, për të
vendosur drejtësinë e munguar në Shqiptari, që nga 9 prilli 1939!?
Veç kësaj, kjo nuk i ndihmon të izoluarit në
Hagë. Fundja, burgu në Shvemingen të Holandës, nuk është Burgu i Burrelit,
"Burgu i Vdekjes", siç njihet në historikun e burgjeve botërore, ku
ajri dhe uji ishin me racion, kurse uria e dajaku ishin normë"! Prandaj,
duhet pritur, se çfarë do të rezultojë nga rrjedha e procesit hetimor dhe atij
gjyqësor. Megjithatë, "vrasjet e ushtarakëve të FARK-ut dhe të
veprimtarëve të LDK-së, nuk i kanë bërë jashtëtokësorët", - thoshte, në
cilësinë e shtetarit të parë, presidenti i Republikës të? Kosovës, Fatmir Sejdiu.