Mendime
Florim Zeqa: Huqjet diplomatike, pasojë e papjekurisë politike!
E diele, 13.03.2022, 03:00 PM
Huqjet diplomatike, pasojë e papjekurisë politike!
Shkruan:
Florim Zeqa
Qëllimi
i këtij shkrimi nuk është kritika dhe as mbështetja ndaj ‘Qeverisë Kurti’, por
është analizimi i situatës paradoksale pas mashtrimit të qytetarëve nga ana e
zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi për kinse fillimin e
negociatve për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili u demantua
keq nga zëvendëssekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.
Paradite lypësarë,
pasdite të pasur dhe krenarë
Vetëm
pak ditë pasi liderët shtetërorë e hapën “Fondin e Sigurisë”, duke e
justifikuar atë me rrezikun nga agresioni serb, Ministria e Punëve të Jashtme,
përkatësisht zv.kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
zonja Donika Gërvall doli me një deklaratë sa befasuese, po aq anakronike për
rrethanat e kohës, për blerjen e objekteve për ambasadat e Kosovës në shtetet
evroperëndimore!
Pa
dyshim se në rrethana normale, një ide e tillë do të konsiderohej pragmatike,
por në rrethanat në të cilat ndodhet vendi ynë, të krizës së thellë
socio-ekonomike si pasojë e ngritjes enorme të çmimeve të artikujve ushqimor të
shkaktuara pas agresionit rus në Ukrainë, jo vetëm që nuk përkon me realitetin
e krijuar, tingëllon tepër keq pas themelimit të “Fondit të Sigurisë” për
ngritjen e kapaciteteve të FSK-së!
Qeveria
Kurti nuk është fajtore për ngritjen e çmimeve, por është duke u treguar e
papjekur politikisht dhe e papërgjegjshme, e cila ndaj qytetarëve sillet
dorështrënguar dhe e pakujdeshme për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës!
Albin
Kurti në të kaluarën me plotë të drejtë kishte hedhur kritika ndaj qeverive
paraprake për keq-menxhimin e parasë publike, për mungesën e vizionit politik
në ndërtimin e shtetit, për skandalet dhe dështimet e diplomacisë kosovare në
arenën ndërkombëtare, madje kishte thënë dhe kishte premtuar se do të jetë
ndryshe nga qeveritë e kaluara!
Mirëpo çfarë pamë deri
më tani?!
Deri
më tani nuk e pamë asnjë ndryshim substancial pozitiv në politikën e brendshme
dhe të jashtme të Kosovës. Thënë ndryshe, nuk pamë asgjë përveq fjalëve boshe!
Pas
një viti qeverisje duhej të ishin më të prekshme rezultatet e ‘Qeverisë Kurti2’
si në planin e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm të politik-bërjes kosovare.
Në
politikën e brendshme asnjë rezultat në përmirësimin e mirëqenjes së
qytetarëve, përkundrazi kemi përkeqësim dhe varfërim të skajshëm të popullatës.
Si pasojë e rritjes së inflacionit dhe mungesës së përspektivës për jetë në
Kosovë, muajve të fundit kemi largim enorm të të rinjëve të punësuar në
sektorin publik dhe privat. Për të papunët as që flitet, pasi ata nuk
“ekzistojnë” në regjistrin e qeveritarëve!
Lënja
e vendeve të punës nga mjekët dhe infermierët, nga mësuesit dhe profesorët, nga
kuadrot e specializuara të fushave të ndryshme dhe shkuarja e tyre në vendet
perëndimore, përveqse e ka krijuar një vakum të madh profesional, ka shkaktuar
pasiguri për të ardhmen e vendit!
Lojë me ndjenjat e
qytetarëve
Nëse
një qeveri, deri dje fliste për rritjen ekonomike më të madhe në rajon, duhet
të jetë e aftë në menaxhimin e krizës së shkaktuar e jo të luajë me ndjenjat e
qytetarëve, të cilëve një ditë ua shkakton frikën në palcë nga rreziku i
invazionit serb, kurse të nesërmën u thotë që të mos kenë frikë, se Kosova nuk
është e rrezikuar!!!
Çfarë
mund të ndryshoj brenda 24 orëve në politikën e jashtme, përgjigja është asgjë!
Pasi
politikat e jashtme të një shteti nuk ndërtohen brenda natës as brenda një jave
apo muaji, por duhen vite të tëra për konsolidimin e politikës së jashtme, siq
duhet kohë për konsolidimin ekonomik të një vendi.
Krizat
politike sikur kjo e tanishmja pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën i ka
mobilizuar të gjitha shtetet në menaxhimin e sektorëve të sigurisë dhe
menaxhiminm e ngritjes së pakontrolluar të çmimeve të artikujve ushqimorë!
Nuk
mund të themi se nuk ka ngritje të çmimeve të derivateve dhe artikujve ushqimor
në shtetet e Bashkimit Europian dhe rajon, por nuk ka ngritje të pakontrolluar
dhe jashtë parametrave ekonomik siq ndodhë në Kosovën e vogël, por të paradokseve
të mëdha!
Shpërputhja
e krizës ekonomike me kapacitetet buxhetore për blerje të objekteve për
ambasada i ka vënë në lajthitje qytetarët e Kosovës!
Si
është e mundur që Qeveria të ketë para të mjaftueshme për investime të shtetet
perëndimore dhe në të njëjtën kohë të mos ketë para për rritje të pagave të
punonjësve në sektorin publik dhe privat, për rritje të pensioneve dhe ndihmave
sociale për kategoritë më të rrezikuara në vend!
Nëse
‘Qeveria Kurti’ ka kapacitete buxhetore për blerje të objekteve milionëshe në
perëndim duhet të ketë kapacitete për ngritje të nivelit të pagës mesatare të
kërkuar nga qytetarët dhe sindikalistët e sektorëve përkatës në nivel vendi!
Atyre
që janë mësuar të mashtrojnë qytetarët çdo ditë, u hasi “sharra n’gozhdë” me
ndërkombëtarët. Diplomati norvegjez na e turpëroi zv.kryeministrin Bislimi duke
e demantuar publikisht gënjeshtrën e trilluar “me fillimin e procedurave për
aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”. Tri mashtrime dhe
tri huqje të mëdha brenda pak ditësh të diplomacisë kosovare janë pasojë e
papjekurisë politike. Madhështia apo vogëlsia e një lideri shtetërorë tregohet
në menaxhimin e situatave të vështira për vendin e jo në festa e manifestime
popullore!
11.03.2022