Mendime
Xhemal Ahmeti: Religjiopatët, inkompetentët dhe hipokratët
E enjte, 17.03.2022, 08:44 PM
RELIGJIOPATËT, INKOMPETENTËT DHE HIPOKRITËT
Nga
Xhemal Ahmeti
Njeriu
bëri ligjin për ndalimin e dhunës në familje, sepse ishte i nevojshëm.
Ilegalizimi dhe kriminalizimi i sjelljeve të veçanta ndodh për të mbrojtur
viktimat eventuale nga padrejtësia, stigmatizimi, përdhunimi, diskriminimi. Nga
ky motivim parimor nisen edhe ligjet e BE-së për mbrojtjen e grupeve që jetojnë
jashtë formës tradicionale fillimisht fetarisht të kondicionuar e të njohur si
familje.
Rëndom
nevoja për një sanksion të tillë - për të mbrojtur një kategori me ligj - ndodh
atëherë kur dukuria është evidente dhe bie ndesh me kartat ndërkombëtare për të
drejtat dhe liritë e njeriut, ligjet e shtetit në fuqi e të sojit. Është
instrument që penalizon ata që me dhunë psiqike a fizike ia përdhunojnë lirinë
tjetrit, që duket të jetojë ndryshe nga shumica e kamufluar numerike ose
kryesisht imagjinare. Nga kjo filozofi në perëndim përfitojnë sidomos
religjionet minore, sektet e të llojit: askush nuk ka të drejtë ta
stigamtizojë, sulmojë fizikisht apo diksreditojë ndonjë grua që vërdallet
udhëve të Bernës me shami në kokë apo e mbuluar si në Somali. Gjersa ajo
gjendet në lirinë dhe zonat e saja private askush nuk guxon ta prek (ka plotë
që e kishin zhvesh po të mundeshin) ngase atakuesi mbaron në burg.
Kundër
ligjeve të llojit janë si zakonisht organizatat dhe ideologjitë që mëtojnë t‘i
imponojnë ligjet dhe perspektivat e tyre mbi lirinë apo mbrojtjen e njerëzve
edhe në shoqëritë e sotme. Ato të llojit që ëndrrojnë monopolin moral, që
besojnë në hegjemoninë totale, e cila do të përcaktohej nga ideologjia e tyre.
Deputetët e Kosovës dhe shumica absolute e kundërshtarëve të kodit civil ishin
të motivuar fetarisht. Kurani dhe Bibla në kohën kur u sajuan ishin kundër
lirive siç i perceptojmë sot. Itharët e tyre janë edhe sot kundër një filozofie
të llojit të të drejtave njerëzore. Jo nga frika se shoqëritë e tyre do të
shndrrohen në „sodome e gomorra“ (nga ky biznes luftarak edhe justifikojnë
veprimtarinë politike brenda poliseve) porse ata me miratimin e ligjeve të
tilla nuk kanë kë ta stigmatizojnë, diskriminojnë pa u penalizuar. Ata janë
kundër dekriminalizimit dhe legalizimit të formave të ndryshme të partneritetit
social jo se nuk mund ta parafytyrojnë se si dy femra apo dy meshkuj paguajnë
tatimin si bashkësi dhe jetojnë si ua don zemra, porse u penalizohet
ideologjia, morali dhe saherë t’i sulmojnë ata që nuk jetojnë sipas mantrave të
tyre i thirr gjykatësi.
Prandaj
debati i pjesës dërmuese tregut retorik shqiptar mu duk inkompetent dhe
hipokrit. Ti nuk mundesh të debatosh me dikë që flet në emër të fesë së tij
duke pasur frikë t‘ia zësh në gojë motivin kryesor të „argumentimit të tij“ -
fenë! Një debat i llojit edhe përfundon me këtë fiasko: triumfon sheriati dhe
përmbys kushtetutën në fuqi të shtetit, siç ndodhi kësajhere me pjesën e saj
mbi të drejtat e njeriut, po mbi ato të drejta që i sigurojnë Labinote Demit të
hyjë në parlament me uniformë wahabiste e i pamundëson një homoseksuali të
bëhet transparent se më kë dhe si jeton se e difamon e njejta si të sëmurë.
Kodi
ishte i nevojshëm për të mbrojtur format ndryshe sociale nga diskriminimi e jo
për t‘u garantuar atyre një shtëpi nga „jetimët e ballkanit“ apo për t’i bërë
ambasadorë në Iran a Turqi.
PS: Diskurs dhe mentalitet
shefqenësh.