Mendime
Idriz Zeqiraj: Asociacioni - vepër kriminale e Qeverive Thaçi e Mustafa
E marte, 15.03.2022, 07:35 PM
Nënshkrimi ceremonial i Marrëveshjes të Asociacinoit në Bruksel
ASOCIACIONI - VEPËR
KRIMINALE E QEVERIVE THAÇI E MUSTAFA
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Kosova, me suprimimin e autonomisë, llogaritet si vend i
ripushtuar. Pluralizmi politik ia dha mundësinë popullit të Kosovës, për
kundërshti legale. Por, protestat dhe demonstrimet, kundër ripushtimit të
Kosovës, luftoheshin me masa represive të pushtetit serbo-sllavë. Raporti i
forcave, epërsia e dukshme pushtuese, kushtëzonte rezistencën paqësore.
Megjithatë, u shfrytëzuan të gjitha mundësitë për vetëqevrisje.
Krijimi i institucioneve paralele, ishte ide e artë e Dr. Ibrahim Rugovës me
shokë. Opsioni rezervë i rezistencës të armatosur, u lëndëzua me krijimin e
Forcave të Armatosura dhe Shërbimin e Informativ. Zbulimi dhe goditja nga
pushtuesi ishte e egër. Përndjekja dhe burgosja filloi. Tërheqja e përkohshme,
e vetmja alternativë. Përndryshe, lufta do të nismonte, pikërisht, në Kosovë.
Pas luftërave të përgjakshme në Kroaci e Bosnje, radha i erdhi
Kosovës. Faktori ushtarak shqiptar nuk u bashkua. LPK-ja, përkatësisht,
puçistët e Kryesisë së re, të cilët ishin peng të Shërbimeve Informative të disa
shteteve armike të Kosovës, u përcaktuan për sabotimin e luftës. Kosova nuk
arriti ta përballojë luftën, kundër soldateskës pushtuese serbo-sllave.
Ndërhyrja e NATO-paktit, e motivuar për arsye humanitare, e çliroi Kosovën,
por, jo edhe pa kushtëzime. Rrjedhojë është edhe Asosacioni, përkatësisht,
Bashkësia e Komunave me shumicë serbe.
Ishte fatkeqësi e madhe për Kosovën, që një person i bërrylave,
fort i shantazhuar nga Serbia dhe më gjerë, i dyshuar faktik për një të kaluar
kriminale, u katapultua në krye të Qeverisë dhe në intrigim me kreun e LDK-së,
Isa Mustafa, edhe në krye të shtetit. Zoti Thaçi, në konspiracion të plotë me
palën serbe, pa e pyetur e përfillur as partinë e tij dhe as strukturat tjera
shtetërore, firmosi Marrëveshjen fatale, si nismë të krijimit të Asosacionit,
për të vazhduar më tej, deri në lobimin për ndarjen e Kosovës.
Më 19 prill 2013, në Bruksel Kosova dhe Serbia, përkatësisht,
kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, kanë nënshkruar marrëveshjen e parë,
për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk arriti zbatimin e saj. Ajo çalonte në
shumë pika, në veçanti funksionimi i gjykatave në Veriun e Kosovës dhe formimi
i Asosacionit, Bashkësisë të Komunave me shumicë serbe, ku parashikohej që kjo
Bashkësi të gëzojë një shkallë të gjerë autonomie.
Në të njëtën ditë dhe datë, ish-kryeministri Hashim Thaçi, i
dërgon letër ish-sekretarit të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ku zotohej se
Forcat e Sigurisë së Kosovës, nuk do të ndërmarrin misione në Veri të vendit,
pa pëlqimin paraprak të KFOR-it!
Korniza ligjore, e shprehur në pika, është tmerrësisht e frikshme,
për të ardhmen e Kosovës. Statuti i Bashkësisë, me një serë kompetencash, është
i studjuar dhe i porositur nga Beogradi. Bashkësia, Asosacioni ka organet
ushtruese të kompetencave, siç janë Asambleja, Presidenti, Këshilli prej 30
anëtarësh, Bordi prej 7 anëtarësh, i cili votohet nga Asambleja. Parashikohet
një Administratë, të cilën e cakton Bordi në koordinim me Presidentin. Do të
këtë të punësuar enkas, për ta mbështetur Bashkësinë, në zbatimin e objektivave
të saj. Madje, edhe një Zyrë të Ankesave!
Rrjedhimisht, Asosacioni do të promovojë interesat e komunitetit
serb të Kosovës. Parashikohet qasje në procedurat e gjykatave, madje, edhe në
Gjykatën Kushtetuese. Katër komunat e Veriut, do të kenë të drejtën e bërjes të
listës të kuadrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, deri edhe nominimin e
Komandantit rajonal të Policisë!
Statuti i Asosacionit, Bashkësisë, hartohet nga Ekipi Menaxhues.
Pra, kemi të bëjmë me një administratë të dubluar, të fryrë, burokratike, krejt
të tepërt dhe të kushtueshme, ashtu siç janë edhe komunat serbe në Kosovë,
fshat e komunë!
Argumetet që shpërfaqen në Kornizën ligjore për Asosacionin,
Bashkësinë e Komunave Serbe, janë dëshmi bindëse se Marrëveshjet, qoftë e 19
prillit 2013, e nënshkruar nga Hashim Thaçi; qoftë ajo e 25 gushtit 2015, e
nënshkruar nga Isa Mustafa, janë kundër Kushtetutës dhe kuadrit ligjor.
Ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që ngulmoi, për ta dërguar,
Marrëveshjen e nënshkruar, madje edhe të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, në
Gjykatën Kushtetuese, e cila, në 23 nenet e saj, gjeti mospajtueshmëri
flagrante me ligjet e Kosovës. Këto gjetje profesionale të Kushtetutës, e
ngrinë Marrëveshjen për Asociacionin, Bashkësinë e Komunave Serbe.
Edhe pse Isa Mustafa pranoi disa nga shkeljet e Kushtetutës, ai i
relativizoi ato, duke i quajtur "retushime!" Pra, OK-ej dhe agjituan
sforcueshëm, me Hashimin, për ta aprovuar në Kuvend Asosiacionin,
"Zajednicën", siç e quante LVV!
Për më pak se dy muaj, bëhen 9 vite nga nënshkrimi i parë i
Marrëveshjes, për Bashkësinë e Komunave Serbe në Kosovë. Është thënë e shkruar
shumë. Është refuzuar Asociacioni me kompetenca ekzekutive, jo vetëm nga
qeveritë e ndrruara të Republikës së Kosovës, por edhe nga populli i Kosovës,
me përjashtim të komunitetit serb, i cili, me përjashtime të pakta, nuk e njeh
Kosovën si shtet. Disa qeveri kanë shprehur gadishmërinë, për ta nënshkruar
Asosiacionin, Bashkësinë e Komunave Serbe, duke njohur përgjegjësinë
komunitetit serb në fushën e shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik e
planifikimit urban e rural, me të drejtën shtesë të marrjes të fondeve nga
Beogradi.
Analogjia e "Republika Srpska" në Bosnje, me
Asociacionin në Kosovë
Qeveria aktuale, e LVV dhe Listës "GUXO", e kryesuar nga
Albin Kurti, refuzon ta pranojë qoftë edhe Asosiacionin pa kompetenca
ekzekutive. Dhe, këtë e argumenton, madje bindshëm, me "Analogjinë në
Bosnje e Hercegovinë", duke i kujtuar datimet vendimmarrëse nga 26 prilli
1991 - kur serbët atje shpallin "Bashkësinë e komunave të krahinës së
Bosnjes"; më 24 tetor 1991 - themelohet "Asambleja e Popullit Serb të
BH", me seli në Banja Llukë; më 9-10 nëntor 1991 - "Asambleja..."
mbanë referendum, ku 92 % votuan për pavarësinë"; më 9 janar 1992 -
përfaqësuesit serbë braktisin Parlamentin e BH dhe shpallin pavarësinë nga BH;
më 28 shkurt 1992 - "Asambleja.." miraton kushtetutën e Republikës
Serbe të BH, - e njohur sot si "Republika Srpska"; më 14 dhjetor 1995
- përmes Marrëveshjes në Dejton, "Republika Srpska" njihet edhe
ndërkombëtarisht!!
Dhe, sot, pas 25 viteve, "Republika Srpska" është
forcuar si entitet shtetëror më shumë se Bosnja e Hercegovina, e cila është
kthyer në një shtet jofunksional. Kjo është një dëshmi shumë domëthënëse, për
Qeverinë, opozitën destruktive PAN-iste dhe shqiptarët, për kujdesin që duhet
bërë në dialogun aktual, Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.
Zërat ngulmues, për ta pranuar Asosacionin e komunave serbe, edhe pas
rrjedhojave që solli shpallja e "Bashkësisë të komunave të krahinës së
Bosnjes", më 26 prill 1991, duhet refuzuar me shumësinë e argumenteve, që
na jep "Republika Srpska", përgjatë 25 vjetëve të fundit.
Realisht, çfarëdo Asociacioni, madje me çfarëdo kompetencash,
shqiptarët nuk duhet ta pranojnë. Kosova është konsideruar dhe shpallur si
shtet multi etnik. Si e tillë ajo nuk duhet të pranojë asociacion një etnik.
Sepse, nëse krijohet precedent, rast paraprijës, për serbët, atëherë do të
kërkonin edhe boshnjakët, edhe romët të krijonin asociacionet e tyre etnike.
Për çudë, askush nuk është kujtuar, për ta përdorur këtë argument logjik, për
ta kundërshtuar asociacionin një etnik serb!
Propozimi i kryeministrit Kurti, për formimin e një Këshilli të
komunave me shumicë serbe, do të ishte i mjaftueshëm, për qeverisjen lokale, me
theks të veçantë shëndetësinë, arsimin, zhvillimin ekonomik, planifikimin urban
e rural. Ndërsa marrja e fondeve nga Beogradi, duhet të bëhet në koordinim dhe
transparencë të plotë me qeverinë e Kosovës.
Idea e hedhur, nga disa sharlatanë politikë, se nëse lejohet
Asociacioni me kompetenca ekzekutive për veriun e Mitrovicës, njëjtë të bëhet
edhe për "Luginën e Preshevës"! Së pari, reduktimi i Kosovës Lindore,
në "Luginë" të Preshevës, është emërtesë e qëllimshme serbe, të
cilën, me lehtësi e paturpësi, e përdorin shqiptarët e përbotshëm. Së dyti,
këtë lloj Asociacioni mund ta pranojë lehtësisht Serbia, sepse qëllimet e saja
janë të paracaktuara, me analogjinë e "Republika Srpska": Bashkimin e
Veriut të Mitrovicës Serbisë.
Asnjë kombi, nuk i kanë munguar tadhtarët
"19 prill 2013 – Hashim
Thaçi nënshkruan në Bruksel marrëveshjen e Parë të Parimeve Qeverisëse të
Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me kryeministrin Ivica
Daçiç, ish-zëdhënësin e qeverisë së Slobodan Milosheviçit, dhe Ministrin e
Jashtëm aktual të Serbisë. Kjo marrëveshje i hap rrugën negociatave për
themelimin e “Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
25 gusht 2015 – Isa Mustafa
nënshkruan në Bruksel marrëveshjen për Parimet e përgjithshme/elementet
kryesore të “Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë” me
ish-ministrin për Informim në qeverinë e Slobodan Millosheviçit dhe
kryeministrin aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç".
Clausula "Rebus Sic
Stantibus", është doktrinë e njohur ligjore ndërkombëtare, e cila mundëson
që një kontratë, vendim apo marrëveshje ndërshtetërore të shfuqizohet. Dhe, për
shfuqizimin e marrëveshjeve të dëmshme, madje fatale për Kosovën, duhet
argumentuar pavleftëshmërinë e nënshkrimit. Marrëveshjet, qoftë ajo e
Demarkacionit, e Asociacionit dhe të tjera, të nënshkruara nga zyrarët e lartë
shtetërorë, janë bërë në konspiracion të plotë dhe pa fije transparence, për
strukturat shtetërore dhe popullin e Kosovës. Elementi i tradhtisë, tashmë,
është konsumuar.
Ngritja e një akuze, kundër protagonistëve të
pazareve të pista, me Malin e Zi dhe Serbinë, qoftë ajo edhe formale, për
tradhti, do ta lehtësonte shumë shfuqizimin e marrëveshjeve dhe procesin e
dialogut. Sepse, tashmë, dihet se shantazhi ka qenë zinxhirorë. Hashimi i
shantazhuar i dyfishtë: nga Serbia dhe Haga, meqë ato i kanë dosjet për krimet
faktike të Hashimit me shokë. Dhe, Isa ka qenë i shantazhuar nga Hashimi dhe
SHIK-un i tij kriminal.