Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhemal Ahmeti: Religjiopatët, inkompetentët dhe hipokratët

| E enjte, 17.03.2022, 08:44 PM |


RELIGJIOPATËT, INKOMPETENTËT DHE HIPOKRITËT

Nga Xhemal Ahmeti

Njeriu bëri ligjin për ndalimin e dhunës në familje, sepse ishte i nevojshëm. Ilegalizimi dhe kriminalizimi i sjelljeve të veçanta ndodh për të mbrojtur viktimat eventuale nga padrejtësia, stigmatizimi, përdhunimi, diskriminimi. Nga ky motivim parimor nisen edhe ligjet e BE-së për mbrojtjen e grupeve që jetojnë jashtë formës tradicionale fillimisht fetarisht të kondicionuar e të njohur si familje.

Rëndom nevoja për një sanksion të tillë - për të mbrojtur një kategori me ligj - ndodh atëherë kur dukuria është evidente dhe bie ndesh me kartat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, ligjet e shtetit në fuqi e të sojit. Është instrument që penalizon ata që me dhunë psiqike a fizike ia përdhunojnë lirinë tjetrit, që duket të jetojë ndryshe nga shumica e kamufluar numerike ose kryesisht imagjinare. Nga kjo filozofi në perëndim përfitojnë sidomos religjionet minore, sektet e të llojit: askush nuk ka të drejtë ta stigamtizojë, sulmojë fizikisht apo diksreditojë ndonjë grua që vërdallet udhëve të Bernës me shami në kokë apo e mbuluar si në Somali. Gjersa ajo gjendet në lirinë dhe zonat e saja private askush nuk guxon ta prek (ka plotë që e kishin zhvesh po të mundeshin) ngase atakuesi mbaron në burg.

Kundër ligjeve të llojit janë si zakonisht organizatat dhe ideologjitë që mëtojnë t‘i imponojnë ligjet dhe perspektivat e tyre mbi lirinë apo mbrojtjen e njerëzve edhe në shoqëritë e sotme. Ato të llojit që ëndrrojnë monopolin moral, që besojnë në hegjemoninë totale, e cila do të përcaktohej nga ideologjia e tyre. Deputetët e Kosovës dhe shumica absolute e kundërshtarëve të kodit civil ishin të motivuar fetarisht. Kurani dhe Bibla në kohën kur u sajuan ishin kundër lirive siç i perceptojmë sot. Itharët e tyre janë edhe sot kundër një filozofie të llojit të të drejtave njerëzore. Jo nga frika se shoqëritë e tyre do të shndrrohen në „sodome e gomorra“ (nga ky biznes luftarak edhe justifikojnë veprimtarinë politike brenda poliseve) porse ata me miratimin e ligjeve të tilla nuk kanë kë ta stigmatizojnë, diskriminojnë pa u penalizuar. Ata janë kundër dekriminalizimit dhe legalizimit të formave të ndryshme të partneritetit social jo se nuk mund ta parafytyrojnë se si dy femra apo dy meshkuj paguajnë tatimin si bashkësi dhe jetojnë si ua don zemra, porse u penalizohet ideologjia, morali dhe saherë t’i sulmojnë ata që nuk jetojnë sipas mantrave të tyre i thirr gjykatësi.

Prandaj debati i pjesës dërmuese tregut retorik shqiptar mu duk inkompetent dhe hipokrit. Ti nuk mundesh të debatosh me dikë që flet në emër të fesë së tij duke pasur frikë t‘ia zësh në gojë motivin kryesor të „argumentimit të tij“ - fenë! Një debat i llojit edhe përfundon me këtë fiasko: triumfon sheriati dhe përmbys kushtetutën në fuqi të shtetit, siç ndodhi kësajhere me pjesën e saj mbi të drejtat e njeriut, po mbi ato të drejta që i sigurojnë Labinote Demit të hyjë në parlament me uniformë wahabiste e i pamundëson një homoseksuali të bëhet transparent se më kë dhe si jeton se e difamon e njejta si të sëmurë.

Kodi ishte i nevojshëm për të mbrojtur format ndryshe sociale nga diskriminimi e jo për t‘u garantuar atyre një shtëpi nga „jetimët e ballkanit“ apo për t’i bërë ambasadorë në Iran a Turqi.

PS: Diskurs dhe mentalitet shefqenësh.