Mendime
Albert Zholi: Zgjedhjet historike të 22 Marsit 1992
E merkure, 23.03.2022, 09:34 PM
Zgjedhjet historike të 22 Marsit 1992
-
Pas 48 vjetësh dominim të Partisë së Punës, PD-ja arriti të kryesonte në
zgjedhjet e parakohshme
Nga
Albert Z. ZHOLI
-Në
këto zgjedhje një parti politike fitoi një mandat qeverisës me më shumë se 1
milionë vota ku bashkë me aleatët që iu bashkuan qeverisjes, mbështetja
elektorale i kalonte 1.2 milionë vota.
Në
mars të 1991-it u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste. Partia Demokratike e
Shqipërisë (PDSH) nuk arriti të fitonte shumicën në parlament. Këto zgjedhje
parlamentare u dekretuan nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Pas zgjedhjeve, u
krijua qeveria afatshkurtër Nano. Vrasja e katër demonstruesve në Shkodër dhe
plagosja e dhjetëra të tjerëve, pasoi në greva të përgjithshme të Sindikatave
të Pavarura (BSPSH), që filluan më 15 maj 1991 dhe shkuan deri në grevë urie.
Mbledhja e 3 qershorit të 1991-it do të shënjonte ardhjen në pushtet të një
qeverie koalicioni. Pas ditësh bisedime, partitë politike vendosën që qeveria
të jepte dorëheqjen, duke i kërkuar Presidentit të Republikës emërimin e një
kryeministri të ri nga Partia e Punës. Ndërsa zgjedhjet e reja do të kryheshin
në periudhën maj–qershor 1992, anëtarët e qeverisë duhej të shkëputeshin nga
partitë e tyre dhe të mos formonin parti të reja politike.
Çfarë rezervuan
zgjedhjet e parakohshme?
22
marsi i 1992-it do të mbahet mend gjatë në radhët e Partisë Demokratike (PD).
Pas 48 vjetësh dominim të Partisë së Punës, PD-ja arriti të kryesonte në
zgjedhjet e parakohshme. Ajo fitoi shumicën absolute të vendeve në parlament.
Në këto zgjedhje, Partia Demokratike nuk garoi e vetme, por duke krijuar një
koalicion me Partinë Republikane dhe Partinë Social Demokrate. Zgjedhjet u
fituan bindshëm nga Partia Demokratike me 62.08% të votave (92 vende). Partia
Socialiste arriti vetëm 25.70% (38 vende), Partia Social Demokrate 4.30% (7
vende). Ky moment ishte historik për Shqipërinë. Partia e Punës nuk do të ishte
më në krye të qeverisjes së vendit. Partia Demokratike, si forcë e parë,
ndryshoi kursin e politikës. Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së në atë kohë,
Partia Demokratike mori 1,046,193 vota, ose 57%, e përkthyer kjo në 92 mandate
deputetësh. Nga ana tjetër Partia Socialiste edhe pse ishte organizatorja dhe
kishte në dorë të gjithë instrumentet e pushtetit, veçanërisht policinë dhe
strukturat aktive të ish-Sigurimit të Shtetit që kanë bërë presion të
jashtëzakonshëm mbi votuesit, mori më pak se gjysmën e votave të PD-së;
433,602, ose 23.7% të votave në total të përkthyera këto, në 38 deputetë.
Vetëm
për dy vota PD-ja nuk arriti të kontrollojë dy të tretat e parlamentit, prag ky
që i duhej domosdoshmërisht për të ndërmarrë reformat jetike kushtetuese dhe
institucionale, që do ta fusnin vendin në rrugën e demokracive europiane.
Pikërisht për këtë Partia Demokratike u detyrua të lidhë marrëveshje koalicioni
me Partinë Socialdemokrate të Skënder Gjinushit, të cilit i dha Ministrinë e
Kulturës dhe disa poste të niveleve të dyta në administratë. Por vetëm pas dy
vitesh, në 1994, PSD që kishte 7 deputetë do të kthehej në shtratin e saj të
ish-partisë së Punës, duke braktisur koalicionin me rastin e miratimit të
kushtetutës së re. Pas votimeve të 22 marsit 1992, themeluesi dhe kryetari i
Partisë Demokratike Sali Berisha u zgjodh President i Republikës, kurse
kryeministër Aleksandër Meksi. Po ky parlament zgjodhi në krye të tij një ikonë
të përndjekjes komuniste, Pjetër Arbnorin. Ajo që ndodhi në zgjedhjet e 22
qershorit të vitit 1992, nuk kishte të bënte vetëm me fitoren e një partie, që
kishte dalë nga protestat e studentëve. Protagonistë të kësaj fitoreje
historike që ngriti siparin për historinë e re demokratike të vendit ishin të
gjithë qytetarët, të etur për rrugëtimin drejt Europës, madje edhe ish-anëtarët
e Partisë së Punës.
Parlamenti
i dalë nga këto zgjedhje historike, ashtu si edhe sot kishte 140 deputetë, 100
u zgjodhën direkt nga populli, ndërsa 40 të tjerët nga lista e proporcionalit
kombëtar të korrektuar.
Entuziazëm në “shtëpinë
e PD-së”
Në
mëngjesin e 23 marsit 1992, situata në selinë e PD-së ishte tejet entuziaste.
Mbështetësit e kësaj partie u drejtuan në sheshin “Skënderbej” në një miting
spontan. Në mbrëmje, Ambasada Amerikane organizoi një koktej, ku për herë të
parë kryetari i PD-së, Sali Berisha, në një konferencë shtypi prezantoi
programin e tij. Ajo që ndodhi në zgjedhjet e 22 qershorit të vitit 1992, nuk
kishte të bënte vetëm me fitoren e një partie që kishte dalë nga protestat e
studentëve. Protagonistë të kësaj fitoreje historike që ngriti siparin për historinë
e re demokratike të vendit ishin të gjithë qytetarët, të etur për rrugëtimin
drejt Europës, madje edhe ish-anëtarët e Partisë së Punës. Parlamenti i dalë
nga këto zgjedhje historike, ashtu si edhe sot kishte 140 deputetë, 100 u
zgjodhën direkt nga populli, ndërsa 40 të tjerët nga lista e proporcionalit
kombëtar të korrektuar.
Por..
E
habitur nga dalja në opozitë pas 47 vitesh, PS si trashëgimtarja e PPSH, e
pranoi disfatën dhe përmes organit të saj zyrtar “Zëri i Popullit” e uroi PD
për fitoren:“Populli verdiktin e dha, PD përballë provës historike për të
përmbushur ato shpresa dhe ato premtime, që i dhanë fitoren e bujshme. Do të
qëndrojmë në opozitë dhe do të luftojmë për një përfaqësim dinjitoz në Kuvendin
Popullor”,– deklaronte kryesia e PS nëpërmjet faqeve të gazetës. Rotacioni
paqësor nuk u respektua, pavarësisht disa ankesave nga PS, për presione dhe
manipulime nga ana e PD në disa zona zgjedhore. Por shqiptarët ishin të
traumatizuar nga kriza e rëndë ekonomiko-sociale nga ku kishin dalë, dhe kishim
pak durim për reformat e dhimbshme që kërkonte tranzicioni drejt ekonomisë së
tregut. Liberalizimi i çmimit të disa produkteve ushqimore, ngriti në
stratosferë çmimet brenda disa javësh, përfshirë dhe atë të bukës, dhe kjo u
reflektua vetëm 4 muaj më vonë, kur PD humbi thellë në zgjedhjet lokale të 26
korrikut. Pikërisht këtu nis edhe degradimi i PD si forcë politike.