Mendime
Florim Zeqa: Penat e thara pas gjahut të dështuar!
E shtune, 02.04.2022, 07:07 PM
Penat e thara pas gjahut të dështuar!
Shkruan:
Florim Zeqa
Sa
neveritëse, po aq e pasinqertë është deklarata e një të ricikluari nga njëra
parti në tjetrën, kur e thotë për partinë e “re”, “ajo është alternativa e
ndryshimit politik për vendin”, duke harruar se e njëjta parti është thyersja
më e madhe e shpresave të qytetarëve për jetë në vendin tonë!
Besuan verbërisht në
arritjen e ambicieve personale
Karrieristët
dhe yryshnikët e pushtetit, pa marrë parasysh bindjet ideologjike, vrapuan dhe
anuan andej ku e shihnin mundësinë më të madhe për realizimin e aspiratave
personale dhe familjare.
Kështu
kishte ndodhur para zgjedhjeve të fundit nacionale, kur të ricikluarit politik,
në mesin e tyre veprimtarë dhe intelektualë të mërgatës tonë, analist dhe
gazetarë të cilët ju bashkangjiten dhe e mbështetën koalicionin e “shpresës”
për kënaqjen e egos së tyre për pushtet, duke ëndërruar për t’u bërë ministra
apo ambasador, zv.ministra apo konsuj në përfaqësitë tona diplomatike,
këshilltarë apo vozitës të pushtetarëve të rinjë, emrat e të cilëve ishin
lakuar një kohë të gjatë në mediat elektronike!
Përpos
dështimit të gjahut, të njëjtit janë harruar nga pushtetarët e rinjë të
katapultuar në majat e pushtetit, me të cilët i kanë ndërprerë të gjitha
komunikimet në baza ditore dhe lidhjet “miqësore” të deridjeshme!
Po
ndodhë pikërisht kështu, për faktin se pushtetarët e rinj nuk po kanë kohë për
mbajtjen e lidhjeve shkaku i mosmbajtjes së premtimeve duke u arsyetuar me
angazhime të shumta në “shërbim” të shtetit dhe qytetarëve!
Çfarë po ndodhë pas
dështimit të gjahut?!
Kalemgjinjëve
të deridjeshëm pas dështimit të gjahut u është “tharë” pena, nuk po shkruajnë
më si më parë për ndryshimin apo “qeverinë e shpresës”, pasi tashmë e kanë
kuptuar se në vend të ndryshimit ndodhi mashtrimi më i madh dhe epokal. Nga
turpi i dështimit të ambicieve të tyre personale për t’u “kapur” diku, disa
kalemgjinjëve u mbeti “rrënja n’dorë” siq e thotë populli, për shkak se vendet
e premtuara të tyre i zunë injorantët dhe anonimët politikë, praktikantët dhe
të panjohurit, të cilët deri dje nuk i kishte njohur fshati dhe as mëhalla e
tyre!
Mbase
anonimëve do t’iu kalojë mandati politik pa i mësuar emrat e tyre opinioni
publik, e të mos flasim për diplomacinë perëndimore e cila as që i merrë në
konsideratë anonimusët e një shteti të vogël në formim e sipër!
Arsyeja
e ardhjes në shprehje të anonimëve politik është produkt i kësaj klase
injorantësh politikë, të cilët nuk mund të pajtohen që të shohin njerëz më të
ngritur sesa vetën e tyre në institucionet e shtetit.
Njerëzit
e vet i mbajnë si këshilltarë vetëm në aspektin figurativ sa për ta krijuar
opinionin se janë duke bërë punë të mira për vendin, ndërsa në realitet, ata
nuk janë këshilltarë por vetëm numra në rritje e sipër që paguhen me paratë e
taksapaguesve të varfër kosovarë, pasi pushtetarët e rinjë janë të
pakëshillueshëm dhe të papërmirësueshëm në gafet e tyre politike, për shkak se
nuk e ka askush guximin t’i këshillojë, e aq më pak të t’i çortojë për gabimet
e përditshme në fushën e diplomacisë dhe politikbërjes e cila në të shumtën e
rasteve është duke bërë hapa prapa në politikën e jashtme!
Sikur
ne shqiptarët të kishim prirje për të bërë punë të mira në vend të ndërskamcave
dhe prapaskenave që i bëjm njëri-tjetrit, me siguri nuk do të kishim mbetur në
këtë nivel kaq të ulët zhvillimor dhe emancipues, ku gjithnjë njerëzit e mençur
dhe intelektualët e vërtetë anatemohen dhe largohen nga injoranca e
pseudointelektualeve dhe marrëzia e pseudopatriotëve!
Penat
e thara të analistëve dhe gazetarëve të mashtruar u ngjajnë pushkëve pas
dështimit të gjahut, të cilat për një kohë të gjatë mbesin të varura në murë,
pa e pasur kurajon kalemgjinjët që t’i marrin përseri në dorë penat e tyre të
“arta”, siq vlerësoheshin nga pushtetarët!
Meqë
shkrimin e fillova me të ricikluarit politikë, ashtu edhe po e përfundoj. Një
veprimtar i ricikluar nga mërgata e jonë, pasi kalërojë nëpër katër parti
politike, përkatësisht katër pushtete, për të pestën herë i zgjodhi pushtetarët
e rinjë, por edhe nga këta doli i djegur dhe i përvëlluar. Nuk e di, se a do ta
ta ketë kurajon ta provojë të gjashtën!