Mendime
Adil Fetahu: Promemorje e Ismail Qemalit drejtuar sulltanit Abdyl Hamidi
E diele, 24.07.2022, 07:54 PM
Dokumente
PROMEMORJE
E ISMAIL QEMALIT DREJTUAR SULLTANIT ABDYL HAMIDI, ME TË CILËN KËRKONTE ZBATIMN E KUSHTETUTËS
DHE REFORMAVE
Nga
Adil FETAHU
(Qeveritarët
ndahen në tri kategori: Të parët janë ata që kanë mend vetë e dijnë ta
drejtojnë shtetin me zotësinë e tyre,dhe këta janë më të mirët. Të dytët janë
ata që nuk kanë mend vetë, por përfitojnë na zotësia e këshilltarëve të tyre,
dhe këta janë mesatarët. Të tretët janë qeveritarët që nuk janë të zotët as
vetë dhe as dijnë të përfitojnë nga këshillat e miqve të tyre, dhe këta janë më
të humburit”. – Niccolo Machiavelli).
Ismail
Qemali (1844 – 1919) ishte një nga personalitetet më të ditura të Rilindjes
Kombëtare Shqiptare. Dyzet vjet shërbeu në administratën e Perandorisë Osmane
dhe ishte njeriu më i arsimuar dhe më i ditur i asaj administrate. Pas mbarimit
të Gjimnazit të njohur “Zosimea” në Janinë,k ishte kryer studimet për drejtësi dhe ekonomi në Paris.
Përveç gjuhës amtare shqipe, njihte
osmanishten, turqishten, greqishten e vjetër, latinishtn,I talishten dhe
frengjishten. Në Perandorinë Osmane kreu me sukses detyra në pozita të larta në
cilat i ishin besua: guvernator i përgjithshëm i Talinës (Bullgari); Danubit të
Poshtëm; Bolluit e Galipolit (Turqi); Bejrutit; Libanit:, Sirisë. Ishe
këshilltar personal i sulltanit Abdyl Hamidi II, në perudhën 1892-1900. Ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë
Shtetëror. Kur u emërua Vali i Tripolit (Libi) në vitin 1900, nuk shkoi atje,
por la karieren, familjen dhe pasurinë e tij në Turqi, e shkoi nëpër
kryeqytetet e Europës për të përfituar përkrahje për pavarësinë e Shqipërisë.
Dhe ja fjalia lapidare që kishte thënë për punën e tij të mëtejme në shërbimtë
të atdheut: ”Veziri i Madh (kryeministri,v.j.), Qemal Pasha, nguli këmbë të
qendroja përkrah tij dhe më ofroi një portofol në qeveri. Në rrethna të tjera
do ta kisha praniuar këtë detyrë të nderuar me kënaqësi, por tani një detyrë më
e lartë me shtrëngonte ta hidhja poshtë oferten. Nuk e kisha më vendin aty, e
kisha tek atdheu im, të cilit ia kisha borxh t’i shërbeja deri në fund”, kishte
thënë Ismail Qemal Beu. Dhe punoi pareshtur plot dymbëdhjetë vjet, derisa
arriti ta shpallë pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912, dhe u zgjodh
kryeministër e ministër i jashtëm i shtetit të tij, detyra këto që i kreu me
përkshtim deri më 22 janar 1914, në kohën kur territori i Shqipërisë ishte i
pushtuar nga ushtri të hueja dhe rrezikohej copëtimi i saj midis monarkive
fqinje.
Meritën e
Ismail Qemalit për pavarësinë e Shqipërisë e ka panuar edhe tirani shqiptar,
Enver Hoxha. Në librin e tij, “Vepra…” vëllimi 24, fq.14, shkruan: “I
mbështetur fuqimisht në kryengritjen e përgjithshme të armatosur e me vullnetin
e delegatëve të ardhur nga të gjitha anët e Shqipëisë, Plaku Ismail Qemali kreu
aktin e shkëlqyer historic, duke ngritur më 28 Nëntor 1912 Flamurin Kombëtar në
Vlorën heroike, dhe duke shpallur Pavarësnë e plotë të Shqipërsë”.
Në kohën kur
Perandoria Osmane kishte “marrur teposhtëzen”, për shkak të tiranisë së Sulltanit Abdyl Hamidi II,
korrupsionit dhe “brejtjes” nga barenda dhe synimieve të Fuqive të Mëdha të
Europës nga jashtë, Sulltani i kishte
kërkuar këshilltarit të tij, Ismail Qemal Beut, të përgatiste një relacion si udhërrfyes se si të dilej nga
situata e krijuar. Ismail Beu e kishte bërë një analizë të hollësishme të
gjendjes, të shkaqeve dhe pasojave që mund të ndodhnin, dhe kishte propozuar
reforma të menjëhershme radikale për ta tejkaluar gjendjen e krijuar, duke
insistuar në rikthimin e zbatimit të Kushtetutës, të cilën vet Sulltani e kishte miratuar sapo kishte hypur
në pushtet në vitin 1876, por që më vonë, me zhvillimin e tiranisë së pushtetit
të tij e kishte lënë jashtë fuqie dhe i ndiqte e persekutonte këdo që kërkonte
zbatimin e saj. Ismail Beu, me një gjuhë
diplomatike, me elozhe për personalietin e Sulltanit, me guximin e pashoq, me
akuza mjaft të rënda mu në adresë të Sulltanit dhe të njerëzve të pazotët e të korruptuar
përreth tij, me sinçeritetin e dashamirësit të Perandorisë, i propozon
Sulltanit zgjidhje, të cilat do ta çlironin Perandorinë nga trazirat e
brendshme dhe nga aspiratat e pesionet e
jashtme. Sipas tij, zgjidhja e krizës mund të bëhej me rikthimin dhe zbatimm e
kushtetutës, të përmirësuar duke ia përshtatur kohës dhe kushteve të reja, me
zgjërimin e të drejtave qytetare dhe të nacionaliteteve, me zhvillim ekonomik
dhe me zgjedhjen e njerëzve të aftë e të ndershëm në postet e rëndësishme të
administratës së Perandorisë. Vetëm një kokë e mençur dhe një trim i
sinçertë,siç ishte Ismail Qemali ka ditur dhe guxuar t’ia bëjë sulltanit më
tiran, në kohën kur për kërkesa ose kritika shumë më të vogla, shumë
funksionarëve të lartë të Perandorisë “i ka mbetur koka pa kapuç, ose kapuçi pa
kokë”. Po, duket se Sulltani e kishte kuptuar sinçeritetin dhe përkushtimin e
Ismail Beut për të ruajtur pavarësinë dhe prestigjin e Perndorisë prandaj ka mundur t’i kapërdijë kritikat,
fajet dhe akuzat që ia kishte shqiptuar në Promemorje.
Teksti i
Promemorjes së Ismail Qemalit , të cilën ia kishte dërguar Sulltanit tiran
Abdyl Hamidi, është një urrëfyes i mirë edhe për “sulltanët”, tiranët e kohës
sonë. Është tekst i gjatë, por ia vlenë të lexohet nga të gjithë ata që janë në
pushtet, ata që pretendojnë të marrin poste në pushtet, ose ata duan të dijnë
se si duhet të udhëhiqet shteti. Tekstin
e Promemorjes e mora nga libri: ISMAIL QEMALI – përmbledhje dokumentesh 1888 –
1919; përgatitur nga Teuta Hoxha.
* * *
TEKSTI I
PROMEMORJES:
“Madhëria juaj e mban mend se kur unë u ktheva nga Bejruti,
ju parashtrova një relacion të gjatë. Në atë relacion provoja me fake se
politika që po ndiqnim në fushën e
marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në atë të qeverisjes së vendit do të vinte në
rrezik të madh Perandorinë. Sjelljet e çuditshme të Fuqive të Mëdha, të cilave
u ka ardhur më për mbarë që të heshtin, shumë njerëz duan t’i paraqesin si një
sukses e si një fitore të shërbëtorëve të sinqertë të Madhërisë suaj.
Megjithatë, unë, që në atë kohë vija në dukje se kjo ishte një fatkeqësi e
madhe, sepse fliste për një izolim të plotë, gjë që ishte si një
vetëvrasje. Parashtroja hapur se me
metodat e këqija të qeverisjes, që sundonin në vilajetet perandorake, po u
thithej gjaku shtetasve. Pjesa më e madhe e atij relacioni i kushtohej çështjes
së Egjiptit. Kjo duhej ta preokuponte mendimin e Madhërisë suaj më shumë se çdo
çështje tjetër, sepse tamam këtu ishte zanafilla e ruajtjes së të drejtave të
shenjta të Khalifatit islam, i cili do të
bënte Perandorinë Osmane që nëpërmjet këtij të siguronte një autoritet të
shenjtë në botën islame dhe një forcë të madhe morale ndaj shteteve që janë të
interesuara për çështjet që kanë të bëjnë me Lindjen.
Me qenë se Madhëria juaj
urdhëroi që unë të parashtroja mënyrat
se si mund të zgjidhej e të rregullohej kjo çështje, si edhe pikëpamjet
e mia vetjake lidhur me këtë, nëpërmjet
një vargu projektesh e relacionesh unë nxora në pah shkaqet e thella e të
feshehta nga të cilat kishte lindur kjo çështje dhe parashtrova mënyrat dhe
masat politike që do të siguronin zgjidhjen e saj në përputhje me të drejtat e
shenjta (të Egjiptit) dhe me interest e Perandorisë Osmane.
Mendimet që pata parashtruar
unë në atë kohë patën tërhequr si duhet vëmendjen e Madhërisë suaj. Dhe kjo
pati ndodhur në një kohë, kur ata që ishin të interesuar në çështjet egjiptiane
qenë treguar plotësisht të gatshëm që të adaptonin një politikë pajtimi.
Mirëpo, më pas, për ndonjë arsye që s’dihet, mënyra që pata propozuar unë për
zgjidhjen e çështjes egjiptiane dhe për çështjet e tjera të parashtruara nga unë, qenë larguar nga qendra e vëmendjes
së Madhërisë suaj. Në këtë mënyrë pra, humbëm një kohë të çmuar prej tre-katër
vjetësh.
Pata theksaur se trazirat e
brendshme, të shkaktuara nga metodat e këqija të qeverisjes së vendit dhe nga
aktet arbitrare dhe korrupsioni, ku ishin zhytur nëpunësit qeveritarë të çdo
shkalle, do të arrinte një pikë kritike të atillë që të shkaktonin zemërimin e
botës së qytetëruar dhe ndërhyrjën e Fuqive të Mëdha. Kur rreziqet, për të
cilat kisha frikë se mund të ndodhin, filluan të nxjerrin krye, me ndjenjen e
thellë të besnikërisë sugjerova se
detyra më e shenjtë për një Padishah largpamës, që e do të mirën e shtetesave,
dhe rruga më e drejtë që duhej të ndiqte ky, ishin që të drejtat dhe interesat
e shetit t’i pajtonte e t’i harmonizonte me të drejtat dhe interesat e
shtetasve dhe që thirrjeve të tyre për ndihmë e mëshirë dhe ankimeve kundër
padrejtësive, t’iu përgjigjet duke zgjëruar rrethin e lirisë së mendimit e të
veprimit të tyre dhe duke u dhënë atyre të drejta më të mëdha për të marrë
pjesë në qeverisjën e vendit, në
përputhje me kërkesat e kohës dhe me aftësitë e tyre të fituara gjatë
jetës.
Unë parashtrova më
këmbëngulje edhe mendimin lidhur me vendimet e fshehta që kisin marrë
ambassadorët e të tre Fuqive të Mëdha
mbi reformat në gjashtë vilajetet e banuara me shumicë nga armenët. Unë
theksoja se ishte e domosdoshme të njihej nga Porta e Lartë përmbajta e atyre
vendimeve përpara se t’i paraqitej kësaj projekti që po përgatitnin
ambasadorët, se në vend të reformave të veçanta të imponuara nga të huajt, të
zbatoheshin sa më parë reforma të përgithshme e të reja, nga të cilat do të
përfitonin të gjithë shtetasit e Perandorisë dhe se po të bëhej një gjë e këtillë
përpara se ambasadorët të paraqitnin projektin e tyre, edhe ndërhyrjes së huaj
nuk do t’ hapej porta, edhe shtetasve Osmanë do t’u bëhej qejfi dhe zemrat e
tyre do të fitoheshin më shpejt.
Pikëpamjet dhe mendimi im
modest lidhur këtë çështjet mund të mos jenë përputhur me informatat dhe të
dhënat (e njërëzve që e rrethonin Sulltanin, v.j.) ose më drejt, me
makinacionet tradhtare të shërbëtorëve që gëzojnë besimin e Madhërisë suaj.
Prandaj edhe nuk u morën parasysh. Madje u fol edhe se pikëpamjet e mia mund të
ishin një dredhi e kurdisur me shtytjen e ndonjë shteti tjetër për t’i hapur
rrugë realizimit të aspiratave e qëllimeve të caktuara politike. Ndjenja e
besnikërisë sime ishte aq e fuqishme dhe vendosmëria në mendimet e mia ishte aq
e patundshme, sa që këto nuk do të
dobësoheshin nga yshtjet e poshtra të disa maskarenjëve që ia turbulluan
mendjen Madhërisë suaj. Për këtë arsye, dhe meqë e dija se ngjarjet e mëvonshme
do të vërtetonin se kisha pasur të drejtë, as shpirti nuk m’u ligështua, as
korrektësia në dhënien e mendimeve nuk m’u cenua sadopak. Vetëm më erdh keq se nuk arritëm të
përfitonim nga një rast që nuk do të na
vinte më në dorë.
Madhëria juaj, domosdo, do
ta pranonte sot se këmbëngulja ime për t’ju parashtruar të vërteten,
këmbëngulje kjo që i pat kaluar caqet e edukatës sime, e kishte burimin në
dëshirën fisnike e prej njeriu besnik që të siguroheshin mënyrat për shpëtimin
e popullit e të Perandorisë suaj.
Madhëria juaj, domosdo do të
pranonte se, sikur reformat të cilat ishin bërë një domosdoshmëri, të kishin
filluar që në atë kohë me tërë seriozitetin dhe çiltërinë e duhur, as pavarësia
e Perandorisë nuk do të kishte pësuar goditje të rënda, as territori i saj nuk
do të kishte marrë pamjen e një skeme tragjike dhe të një kasaphane të madhe.
Të mos i shkojë mendja Madhërisë suaj se duke ju bërë një expose të
ngjarjeve të këtyre kohëve të fundit dhe duke ju parashtruar mendimet e mia
modeste kam për qëllim t’i kundërvihen Personit tuj perandorak. Jam i sigurt se
Personi juaj i lartë, meqë jeni Padishah i këtij vendi dhe i kësaj Perandorie,
nuk doni gjë tjetër veçse lulëzimin dhe lumturinë e Perandorisë dhe begatinë e
mirëqenien e shtetasve. Por nuk mohohet as kjo, që sa të larta janë qëllimet
dhe mendimet e Madhërisë suaj, aq të
tilla e të papranueshme janë mënyrat se si vihen në jetë ato, gjë që po ngjallë
zemërimin e shtetasve dhe po shkakton
dëshprimin e shërbëtorëve tuaj besnikë.
Sikur të mblidheshin iradet
e larta, ligjet dhe rregulloret që kanë dalë e që janë botuar gjatë
periudhës prej njëzet vjetësh të mbretërimit tuaj, do të formohej një vëllim i
trashë dhe i plotë që do të përfshinte çështjet e thella e të gjithanshme
teorike të shkencës administrative dhe të gjitha parimet e së drejtës
administrative. Por, ç’e do se këto irade janë ndryshuar brenda caqeve
të ngushta të rezervimit dhe zbatimi i tyre u është besuar njerëzve të paaftë.
Kështuqë qëllimet fisnike të Madhërisë suaj kanë mbetur vetëm në potencë, kurse
vendi ka mbetur në një gjendje që po keqësohet çdo ditë e më shumë.
Emri i mirë dhe fama e
Madhërisë suaj qenë përhapur te shtetasit që përpara hipjes suaj në fron.
Përmbajtja e nderuar e hatt-i humajunit (Kushtetutës, v.j.) që u
botua fill mbas kurorëzimit, u kundrua
nga të gjithë si një dokument i posaçëm shpëtimi për popullsinë dhe hipja në
fron e Madhërisë suaj u quajt si pikënisja e një periudhe ngritjeje e përparimi
për Perndorinë Osmane dhe për popujt osmanë. Kushetuta dhe dekreti Perandorak
mbi miratimin dhe botimin e shpalljen e saj tregojnë se Madhëria juaj i çmon si
duhet të këqijat dhe rreziqet e sistemit despotik të qeverisjes dhe të mirat e
anët pozitive të konstitucionalizmit. Gjëra të këtilla, siç janë të drejtat e
njeriut, liria dhe kushtetuta, madje edhe në vendet e qytetëruara janë fituar
nëpërmjet kryengritjeve të përgjakshme të popullit.
Në fillim të periudhës së
mbretërimit tuaj lindën shpresa shumë të mëdha për lulëzimin dhe të ardhmën e
Perndorisë. Mirëpo, gjendja në të cilën ndodhet sot Perandoria tregon se fundi
ka për të qenë shumë tragjik.
Pasardhësit tanë do të
gjykojnë e do të japin mendim mbi veprimet e tanishme që janë në kundërshtim me
frymën e shëndoshë e të lartë të periudhës fillestare të mbretërimit tuaj dhe
do të zbulojnë e do të kritikojnë shkaqet e thella të të gjitha këtyre fatkeqësive
të mëdha që kanë pllakosur Perandorinë dhe popullin që prej njëzet vjetësh e
tëhu. Ata nuk do të gjejnë dot fjalë për të mallkuar udhëqësit e kohës së mbretërimit tuaj, të cilë, për të
shtuar pasurinë e tyre dhe për të ruajtur pozitat e larta, kanë sakrifikuar
edhe të drejtat dhe interesat e shenjta të Perandorisë, duke u bërë kështu
shkaktarë për krijimin e gjendjes së tanishme. Tanimë është bërë si diçka e
lejueshme (dhe kjo vetëm e vetëm për të tërhequr vëmendjen e Madhërisë suaj)
praktika e shëmtuar që vëllai të spiunojë kundër vëllait e djali kundër babait
dhe që gara se kush do t’ia kalojë tjetrit në shpifje nga më të ndryshme të
kundrohet si tregues i aftësive dhe i meritave të njerëzve.
Përhapja kaq e gjërë e
korrupsionit, sidomos në shtresat e larta, të cilat janë prekur plotësisht nga
ky veprim, ka bërë që të mos kemi sot një administratë qendrore që të mund
mbronte të drejtat e shtetit perandorak dhe një qeveri që të përpiqej me të
vërtetë për të zgjidhur hallet e popullit.
Në ushtri, e cila është
forca që do t’u bënte ballë sulmeve të armiqve, mungojnë rregulli dhe
organizimi, është shthurur disiplina. Flota s’ekziston fare. Admiraliati është
bërë mjet ushtrimi i një njeriu të vetëm. Për sa i përket Ministrisë së
financave, kjo ndodhet jo në pozitë të vështirë, por në një krizë të tmerrshme
që nuk mund të parafytyrohet dot. Populli i thjeshtë, i cili po vuan për shkak
të turbullirave të tanishme, nuk është në gjendje të paguajë taksat. Por edhe
ajo shtresë e popullit që nuk është e prekur nga kriza politke që ka pllkosur
vendin, është e shrënguar të presë se si do të përfundojë çështja dhe të
pezullojë e të shtyjë për më vonë pagimin e taksave.
Të gjitha këto që u
parashtruan këtu janë asi faktorësh shkatërrues që do të mjaftonin për të
shembur edhe shtetin më të fuqishëm në botë. Për këtë arsye shërbëtorët tuaj
largpamës po i shqetëson mendimi se në territorin e Peradnorisë mund të
shperthejnë dy lloj kryengritjesh që do të silllnin fundin e Perandorisë.
Madhëria juaj e di se në botë ka dy lloj kryengritjesh. Njëra është ajo e
elementëve mendjelehtë, të cilët ngrihen me armë në dorë kundër administratës
shtetërore, pa menduar pasojat e rënda të veprimeve të tyre dhe pa llogaritur
efektin shkatërrimtar të mjeteve të përdorura prej tyre. Tjetra është ajo që
shpërthen nga pakënaqësia e përgjithshme, e shkaktuar nga dhuna dhe nga
veprimet arbitrare të njerëzve ambiciozë të cilët, të shtytur nga zelli e nga
dëshira që të mbajnë gjallë ide e pikëpamje të kota, të cilëve u ka kaluar koha
e që nuk u ka mbetur më forcë ndikuese, dhe që të ruajnë e të mbajnë në këmbë
një sistem qeverisjeje që u shërben interesave të tyre të paligjshme duan të
pengojnë ecjen përpara të shoqërisë. Kushtet dhe rrethanat e favorshme për
kryengritjen e llojit të parë ekzistojnë sot në Rumeli dhe në Anadoll. Kurse
shkaktarë për kryengritjen e llojit të dytë do të ishin ata persona, mendimi i
të cilëve është sot ligj për administratën shtetërore.
Në cilëndo krahinë të
Perandorisë që të shpërthen kryengritja, motivet dhe shkaqet që do të
provokonin atë dihen dhe mund të caktohen që tani. Në vend se të mendohet
seriozisht mbi nevojat e popullit dhe mbi kërkesat që paraqet koha e sotme, në
vend se të kryhet me kohë çdo gjë që e
kërkojnë parimet e drejtësisë dhe logjika, dhe në vend se të drejtat e
Perandorisë të konsolidohen nëpërmjet sigurimit të jetës dhe të të drejtave të
shtetasve, nuk po merren parasysh as kërkesat e tyre më elementare e më se të
arsyeshme, nuk po merren parasysh as
lutjet e tyre më të thjeshta për t’i dhënë fund dhunës e zullumeve. Ata që
paraqesin të këtilla kërkesa e lutje bëhen subjekt i gjithfarë ndjekjesh e
persekutimesh. Kur bëhen kërkesa të këtilla, sipas njerëzve në qeveri lind një
problem. Të shqyrtohen mënyrat për zgjidhjen e këtij problemi do të thotë, sipas
tyre të tregohesh tolerant e zemërgjërë në plotësimin e kërkesave të
paraqitura, gjë që jo vetëm inkurajoka kryengritësit, por nxitka edhe të tjerët për kryengritje. Aq shumë po shtohen
dhe aq dendur po përsëriten gabime të këtilla, sa nuk mund të thuhet se vijnë
nga injoranca dhe mosdija. Duhet thënë se ato e kanë burimin në mësheftësinë e
shtirur ose në tradhti. Në një kohë kur preokupacioni për të ardhmën, i cili
është shtojcë e mjerimit të shkaktuar nga varfëria dhe nga gjendja e rëndë
ekonomike në të cilën ndodhet sot populli, ua ka bërë dhallë mendjen të gjithë
shtetasve të Perandorisë aq sa e ka bërë të pamndshme edhe vjeljen e taksave
shtetërore; është marrë nisma për mbledhjen e një ndihme në të holla të quajtur
“Ndihma për organizimin e ushtrisë” dhe në pjesën më të madhe të vendit për
këtë qëllim po përdoren mjete shtrënguese. S’ka asnjë njeri besnik që do
sovranin e tij dhe që i vlerëson drejt efektet e tanishme dhe pasojat e rënda
në të ardhmën të krizës që ka pllakosur vendin, i cili në një situatë të
këtillë të dilte me propozimin që Perandoria të ndërmerrte veprime të cilat,
nga shtetasit do të kundrohen si veprime
që mund të çonin Perandornë gjer atje sa ajo të ishte e shtrënguar të luftonte
kundër gjashtë shteteve e që do të trondiste popullin, që në fakt është
tmerruar nga lufta dhe të cilat nga opinioni publik i jashtëm do të
interpretoheshin si veprime që presupozojnë armatosjen e myslimanëve kundër të
krishterëve.
Për këta njerëz (e ka fjalën
për klikën e Sulltanit, v.j.), të cilët kanë dijeni gjer për mosmarrëveshjet
midis burrit e gruas në familjen më të thjeshtë të vendit, Ju thoni se nuk kanë
dijeni për rrezikun që kërcënon sot të ardhmën e Madhërisë suaj dhe ekzistencën
e Perandorisë! {…}.* Ajo (është fjala për Anglinë, v.j.), po e intensifikon
veprimtarinë e saj politike. Meqenëse Perandoria Osmane po bënë gabimin e madh,
dhe vazhdon me këmbëngulje ta thellojë këtë gabim e që po shmanget nga poli
magnetik i interesave kombëtare dhe nga vija e drejtë që ishte caktuar që prej
një shekulli nga sulltanët e mëdhenj parardhër dhe nga burrat e shquar të
politikës, ajo (Anglia,v.j.) po pret kohën e voltishme që të realizojë qëllimet
e veta. Ajo nuk mund të mendojë për një fitore të shpejtë, që do të vente në
rrezik pozitat e larta e të privilegjuara që ajo ka fituar në mbarë botën e
sidomos në Lindje, duke përfituar qoftë nga gabimet tona të njëpasnjëshme,
qoftë nga ndryshimet që kanë ndodhur në botë këto kohët e fundit dhe që do ta bënte atë të harronte mësimin që mori
nga marrëveshja e Skeles së Hungarit.
Në qoftë se, ta zëmë, për
një çast ndonjë nga ne do të shfaqte dëshirën që Perandoria të anulonte
marrëveshjet e përfunduara me Fuqitë e Mëdha, me qëllim që t’i kundërvihej
kësaj aleance serioze, e cila do të ishte në gjendje të mbronte interesat e
tanishme të këtyre sheteve, atëherë duhet që këtë dëshirë të mos e kundrojnë si
një të këtillë që frymëzohet nga qëllimi i mirë, por si një dredhi të mallkuar.
Sepse Perandoria Osmane, që të shlyejë detyrimet morale që ka ndaj Fuqive të Mëdha
e ndaj gjithë botës së qytetëruar, që të sigurojë jetën e shtetasve të saj dhe
të ulë zemërimin e opinionit publik të jashtëm, është e detyruar të zbatojë
reforma radikale, të cilat do të tregonin se ajo po e braktisë rrugën e gabuar
që ka ndjekur gjer më tani, rrugë që është provua me fakte - se është e
rrezikshme.Për sa u përket reformave që është menduar të zbatohen, ne nuk e
dijmë se ç’përmban projekti të cilin e kanë përgatitur ambasadorët dhe që ua
kanë parashtruar qeverive të tyre për miratim. Megjithatë, pikat themelore të
tija mund të merren me mend fare lehtë.
Parardhësit e mëdhenj të
Madhërisë suaj gjithmonë venin në poste drejtuese burrat më të zotët të kohës,
që ishin të pajisur me culture të gjërë
e me aftësi të mëdha natyrore. Për të
zbuluar një të vërtetë të çfardoshme,
për të përcaktuar vlerat dhe aftësitë e
secilit dhe madje për të zbuluar
tendencat individualiste që
*) Ka ndërprerje të tekstit
të Promemorjes, dhe nuk dihet se është I gjatë teksti që mungon.
lindnin nga pozita e lartë
drejtuese, ata (sulltanët, v.j.) përdornin metodën e ballafaqimit të mendimeve
e të opinioneve të ndryshme. Çdo veprim dhe çdo masë me karakter shtetëror që
ndërmerrnin e përputhnin me kërkeat e kohës. Sa herë që ndodhte ndonjë incident
në territorin e Perandorisë dhe sa herë që bëhej ndonjë propozim apo ushtrohej
ndonjë presion nga jashtë, ata
mbështeteshin në zellin, në patriotizmin dhe në aftësitë e ministrave, të cilët ata i quanin
një garancë të fortë për mbrojtjen e Perandorisë dhe të interesesave të saj.
Ata i nxitnin ministrat që të përpiqeshin me gjithë shpirtë për zhvillimn e
brendshëm të Perandorisë dhe të ndërmerrnin veprime që i garantonin Perandorisë
besimin e Evropës dhe i shërbenin forcimit të mëtejshëm të pushtetit shtetëror,
gjë që, nga ana e saj, i shërbente sigurimit të vendit dhe të jetës e të
drejtave të popullit. Kurse tani Madhëria juaj po mbështetet në njerëzit më të
paaftë e më pa karakter, duke u besuar këtyre drejtimin e vendit e duke u
këshilluar me këta për çështje të rëndësishme shtetërore. Sot si tregues i
meritave të njerëzve është o injoranca, o poshtërsia. Prandaj zotësia mendore
dhe aftësitë natyrore as që merren parasysh. Për shkak të këtyre njerëzve që
gëzojnë besimn tuaj e që janë njerëzit tuaj më të afërm, Perandorisë i ranë në
kokë shumë fatkeqësi dhe si pasojë pushteti shtetëror u dobësua dhe vet Personi
juaj perandorak u bë objekt kritikash nga ana e opinionit të botës. Përpjekjet
e këtyre njerëzve për të ruajtur pozitat ngjallën zemërimin e shumë të rinjve
të zgjuar dhe të shumë veteranëve të cilët patën dhënë prova se ishin të zotët,
u bënë shkak që disa të tërhiqeshin në vetmi të plotë dhe disa të tjerë të
merrnin arratinë. Meskiniteti i atyre që gëzojnë favore frenon dhe tregon se qeverisja e vendit është lënë në
dorën e njerëzve të paaftë. Kurse qëndrimi
dinjitoz e prej njerëzish të ndershëm i atyre që janë persekutuar,
vërteton se populli Osman është i denjë për një aparat qeverisjeje të shëndoshë,
që përputhet me evolucionin e epokës së sotme dhe se ai ka në vetvete forca
të gjalla që janë të mjaftueshme për
krijimin e një partie të këtillë.
Reformat radikale që Fuqitë
e Mëdha do të miratojnë e do të rekomandojnë si përgjigje ndaj këtij realiteti,
natyrisht do të kërkonin të jepeshin
garanci të forta se qeveria e vendit do t’u besohej njerëzve të aftë dhe se
popullit do t’i sigurohej e drejta të merrte pjesë në këtë qeverisje. Mirëpo,
sado e arsyeshme dhe e pranueshme të jetë baza e këtyre reformave, këto
patjetër se do të sjellin si pasojë kufizimin e pavarsisë dhe sovranitetit
të Perandorisë. Prandaj, shërbëtorët tuaj që janë të pajisur me ndjenjen e
patriotizmit të vërtetë, që të mund të përcaktojnë masat efikase për t’i dhënë
fund kësaj gjendjeje, janë të shtrënguar t’i drejtohen për ndihmë gjykimit të
Madhërisë suaj. Kemi përpara një rast me afat shumë të shkurtër. Duhet
përfituar nga ky rast pa humbur asnjë minutë. Të humbasësh kohën duke kërkuar
mënyra zgjidhjeje të përkohëshme dhe duke përdorur ilaçe të vendit, do të thotë
të japësh shkas që helmi të përhapet në gjithë trupin. Ja, ngjarjet e fundit të Kretës qëndrojnë
përpara syve tanë si një mësim i gëdhendur në lapidar. Në qoftë se nuk bëhet
përpjekje me seriozitetin më të madh për të gjetur një mënyrë zgjidhjeje shumë
efikase e shumë të shpejtë, është më se e sigurtë se do të shpërthejë një
revolucion në shkallë kombëtare, flakën e të cilit nuk do të mund ta shuante
dot asnjë dorë e fortë. Prandaj, e vetmja mënyrë për shpëtimin e Personit të
Madhërisë suaj në situatën e tanishme dhe për sigurimin e së ardhmës së
pushtetit tuaj perndorak është që të sigurohet mbështetja e mbarë popullit, e
cila është më e fortë së çdo kala.
Madhëria juaj duhet të urdhërojë që administrimi i vendit dhe
marrëdhëniet me shtetet e tjera të vendosen mbi një bazë të atillë që t’i jepte
mundësi popullit ta provonte me fakte se e çmonte nderin e madh që të futej në
orbiten e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të bënte pjesë në bashkësinë e
shteteve të qytetëruara të Perëndimit{…}.
Gjersa ekzistojnë një tog
parimesh të drejta dhe të pëlqyeshme, që i kemi si trashëgim nga babai juaj dhe
që janë pjellë e frymëzimit tuaj, natyrisht nuk është nevoja që për qeverisjen
e vendit të mendohet për ndonjë status të ri dhe të ndërmjetësojnë Fuqitë e
Mëdha. Vetm një gjë është e nevojshme të bëhet: t’i jepet fund ngecjes që ka
pësuar, për shkak të telasheve dhe vështirësive që dihen që prej njëzet vjetësh
zbatimi i kushtetutës, e cila qe përshëndetur nga të gjithë me brohoritje në
fillim të hipjes në fron të Madhërisë suaj, dhe të fillohet menjëherë nga
zbatimi i masave përmirësuese (nënkuptohet nga zbatimi i reformave,v.j.), që
Madhëria juaj pati caktuar në atë kohë.
Ç’është e vërteta, gjatë
këtyre njëzet vjetëve, në krahinat dhe në popujt e Perandorisë Osmane janë bërë
ndryshime në fushën e zhvillimit shoqëror e kulturor. Prandaj nuk mund të
thuhet se kushtetuta nuk ka nevojë për ndryshime e përmirësime e mund të vihet
në jetë ashtu siç është. Kjo bazë e shëndoshë, që pat fituar admirimin dhe
miratimin e të gjithë botës dhe që i siguron Perandorisë autoritet e prestigj,
duhet të vihet në jetë e duhet të bëhen ndryshime, duke marrë parasysh kërkesat
e kohës dhe të vendit. Por në vend se të veprohej kështu, në qoftë se për këtë
çështje do të shihej e nevojshme të kërkohej mendimi i disa njerëve që kanë
prirje të kundërshtojnë e që vuajnë nga gjithëfarë fiksacionesh, dhe në qoftë
se këta njerëz do të fitonin në këtë rast besimin dhe mbështetjen e Madhërisë
suaj, ky do të ishte një veprim që nuk do të përputhej me ndërgjegjën e
Madhërisë suaj, e cila pasqyron ndjenjat dhe nevojat e këtij populli të
pafajshëm, që Zoti e ka lënë amanet në dorën e Madhërisë suaj.
Pra, ky është shkaku që,
duke bërë përbledhjen e vërejtjeve të mia modeste, them që si e vetmja mënyrë
për të kapërcyer të gjitha vështirësitë është shpallja e një hatt-i humajusi
(dekreti perandorak,v.j.), i cili të përmbajë iraden (urdhërin,v.j.)
e prerë perandorake, që të formohet sipas rregullave procedurale, një komision
ligjvënës, i përbërë nga njerëz të shquar, të zgjedhur nga populli i
kryeqytetit dhe i vilajeteve perandorake, që ky komision të marrë në shqyrtim
tekstin e kushtetutës e të përmirësojë nenet që kanë nevojë të ndryshohen dhe
që ligji themeltar (kushtetuta, v.j.), i përmirësuar dhe i pasuruar, që do të
hartohet në këtë rast, mbasi t’i jetë parashtruar Madhërisë suaj e mbasi ta
ketë marrë miratimin perandorak, të hyjë në fuqi menjëherë.
Aq i bindur jam se mendimet
që po marr guxim t’i shfaqi janë të drejta, sa që, po shtoj edhe këto: posa të
merrej vesh se mendimet e parashtruara më sipër janë pranuar nga Madhëria juaj,
në të gjithë botën do të dëgjoheshin sërish fjalë të bujshme falënderimi e
përgëzimi dhe drita që u ndez me hipjen në fron të Madhërisë suaj do të
shëndriste prapë përpara syve të mbarë njerëzimit. Veç kësaj, do të arrihej
edhe një rezultat tjetër pozitiv: në qoftë se Madhëria juaj do të kërkonte nga
Fuqitë e Mëdha që të shfaqnin zyrtarisht
ashtu si në kohën e shpalljes së reformave dobiprurëse, bindjen e tyre se këto
parime të drejta do të mbeteshin në fuqi derisa të ishte bota, atëherë të
drejtat sovrane të Personit tuaj
perandorak e të dinastisë mbretërore dhe pavarësia e integriteti tokësor i
Perandorisë Osmane do të riafirmoheshin e do të siguroheshin në shkallë
ndërkombëtare me një dokument zyrtar që nuk do të mund të hidhej poshtë”.
B B A I
Belediye
Kutuphanez
24 shkurt
1897
(Origjinali:
Osmanisht)