Mendime
Adil Fetahu: Dashuria triumfoi, por dasma mungoi për shkak të biografisë!
E enjte, 14.07.2022, 07:17 PM
DASHURIA TRIUMFOI, POR DASMA MUNGOI PËR SHKAK TË BIOGRAFISË!
(Arben
Kondi: “Dashuria e Vikit”,roman, ShB
“Lab”, Tiranë 2022)
Nga
Adil FETAHU
Fabula e romanit është
dashuria midis dy të rinjëve: Pirros e
Viktorias dhe pengesat e karakterit politik që i shkaktonin telashe Pirros në
punën e tij në Radio—Tirana dhe në dashurinë me Vikin.
Pirro Sulioti, një djalosh
26 vjeçar, ishte një gazetar i
suksesshëm i cili udhëheqte “Radio revistën letraro-artistike” në Radio Tirana.
Ishte shqua me intervista të suksesshme të realizuara me shkrimtarë dhe artistë
të njohur të Shqipërisë. Ishte afirmuar me punën e tij profesionale, sa që e
lakmonte edhe Televizioni shqiptar ta kishte në mesin e vet, por nuk do ta
lëshonte shefi i Redaksisë së Radios, sepse i pëlqente puna që bënte
Pirroja. Megjithatë, kishte kaluar gadi
një vit pune të suksesshme, por nuk e emronin si punonjës të përhershëm, veçse
e mbanin dhe paguanin si bashkëpunëtor të jashtëm, me honorar. Shkaku i
mosemrimit ishte “biografia e keqe”, pasi njerëzit e familjes së nënës (Fato)
kishin ikur nga Shqipëria dhe jetonin në Amerikë, qysh para se Pirro kishe ardhur në këtë botë!
Rasti është mbreti i botës,
thotë një urti. Një ditë të zakonshme,
duke shkuar në punë, te lulishtja e qytetit (Tiranë), Pirro pa një vajzë
e cila po mbante në dorë librezën e
notave (indeksin). Ishte e veshur me një trikuarte që ishin në modë asokohe,
dhe flokët i mbante si të këngëtares franceze
Mirel Matje. Kur i afrohet, e pyet nëse është studente, nëse kishte
provim dhe nëse ishte përgatitur? Pas një heshtje, vajza foli; tregoi se ishte
studente e Filologjikut.
-Jo, nuk jam përgatitur sa
duhet. Gramatika për mua është e vështirë dhe tok me pedagogun e saj (Latifin) është
tmerr i vërtetë.
Për ta vazhduar bisedën,
Pirro e pyet vajzën:
-Studjoni frengjishten?
Vajza e befasuar me këtë
pyetje, kthen kokën kah Pirro: - Nga e
dini ju këtë?
-Jo, jo, nuk e di veç
hamendësova, pasi i mbani flokët si Mirel Matje. Kjo elozhe i pëlqeu vajzës,
por heshti. Pas pak kohe, Pirro i tregon për vete se cili ishte: - quhem Pirro
Sulioti, jam gazetar në Radio Tirana. Po juve si ju quajnë?
-Më quajnë Viktoria Gjergji
(shkurt: Viki). Në ecjen në vazhdim
Pirro e inkurajon vajzën, se do ta jepte provimin. Para se të ndaheshin për të
shkua secili në punën e vet, Pirro i propozon Vikit që në mbrëmje ta dëgjojë
radio-revistën letrare, në të cilën jepej biseda (intervista) të cilën Pirro e
kishte bërë me shkrimtarin Ismail Kadare, në 50-vjetorin e lindjes së
shkrimtarit. Pas këtij propozimi, Viki u çel në bisedë, duke shtuar se e
adhuron shkrimtarin Kadare, se ka në shtëpi shumë libra të tij, se disa poezi
të tij i di përmendësh, se i ka pëlqyer
shumë romani “Kronikë në gur”, dhe se edhe pedagogu francez (Zhan Pol) thotë se
Kadareja është shumë i njohur dhe i respektuar në Francë.
Ndarja ishte e vështirë, me
pikëpyetje nëse do të takoheshin përsëri, ndonëse të dy u përshëndetën me
“mirupafshim”!
Në punën që bënte Pirro në Radio-Tirana gëzonte respektin e
shokëve dhe vlerësimin e shefit të redaksisë, por drejtori i Radios dhe shefja
e kuadrit kishin një qëndrim të rezervuar dhe injorues ndaj tij, prandaj nuk e
emëronin si punëtor të përhershëm në Radio.
Nëse në punën që bënte në
Radio-Tirana ia nxinin jetën drejtori dhe shefja e kuadrit, në lidhjet me
Vikin, për të njëjtat “arsye”, për shkak të biografisë familjare, i krijonte
telashe Dulla, një kushëri i babait të Vikit. Pasi kishte vdekur babi i Vikit
(Skënderi), Dulla, gazetar i gazetës “Puna”, një “beqar i lashtë” me moshë
rreth 55 vjeçe, e me pamje si të Enver Hoxhps,
ishte i vetmi mashkull i cili gjoja kujdesej për familjen. Por, Dulla
ishte një spiun dhe bashkëpunëtor i Sigurimit, që kishte nuhatur në biografinë
e familjes së Pirros dhe ia kishte
mbushur mendjen nënës së Vikit, se vajza e saj nuk bënë kurrësesi të martohej
me “një djalë me biografi të keqe”.
Mirëpo, pëlqimi i
karaktereve dhe dashuria e sinçertë që ishte krijuar midis Pirros e Vikit ishte
i pathyeshëm dhe i pakthyeshëm.Takoheshin rendom, bisedonin për letërsinë dhe
artin, shkonin në teatër e kinema, thurnin plane për të ardhmën e tyre. Vikin e
kishin pëlqyer shumë edhe prindët dhe gjyshja e Pirros dhe mezi prisnin ta bënin një dasmë të
gëzuar. Vajza ishte prej një familje të mirë: e ëma kishte prejardhje korçare,
punëtore e vyer, ndërsa i ati (Skenderi), një aviator i njohur, kishte vdekur
një vit më parë, duke nxjerrur studentët e rënë në greminën në Grykat e
Llogorasë, dhe ishte shpallur hero i popullit.
Gjyshja e luste Zotin t’i jepte jetë sa ta gëzojë dasmën nipit, që e
donte, uronte dhe e bekonte aq shumë, që me Vikin të bënin “një stan fëmijë”!
Pirro dhe Viki, kishin parapëlqyer që
dasmën ta mbanin në restorantin e ish-kishës “Shën Prokopi”, te Liqeni.
Por “nuk kishte qenë e
shkruar” që dasma të bëhej, pasi e ëma e Vikit, e nxitur nga Dulla, nuk e jepte
pëlqimin që vajza e saj të martohej me një “djalë me biografi të keqe”.
Prandaj, një ditë maji Viki iku nga shtëpia e nënës dhe shkoi në shtëpinë e
prindërve të Pirros, ku u prit me shumë dashuri e respekt. Kështu, nëse dasma
mungoi për shkak të biografisë, martesa
u realizua nga triumfi i dashurisë, që
vazhdon edhe sot me një jetë të lumtur e
harmoni të plotë.
* * *
Romani “Dashuria e Vikit”
është një tregim real, është
autobiografi e dashurisë dhe martesës së autorit (Arben Kondi, me znj.Mirela).
Ai edhe vet e pohon në faqen që i parapinë Prologut: “Pa mohuar trillin
letrar, ky roman mbetet real…”.
Unë them se romani ka më
tepër karakter social, sesa letrar. Ngjarja është zhvilluar në vitin 1986, në
kohën e diktaturës komuniste që mbretëronte në Shqipëri, kur pengoheshin dhe
nuk lejoheshin martesat me personat me “biografi të keqe” nga pikëpamja e
parties dhe e pushtetit.
Praktikat e represionit të
daktaturës komuniste ishin nga më të ndryshmet. Arratija jashtë vendit
konsiderohej tradhti ndaj atdheut, krim i rëndë, për të cilin denohej jo më pak
se 10 vjet burg, ose edhe me vdekje, ndësa pjesëtarët e familjes internoheshin.
Personat “me biografi të keqe” ishin gjithnjë nën survejimin dhe vigjilencën e
organeve të partisë e të pushetit. Regjimi kishte krijuar një sistem
persekutimesh për të dyshuarit si
kundërshtarë politik. Një ndër to ishte
moslejimi i martesave me njerëz të dyshimtë për “biografi të keqe”. Jo
vetëm se pengoheshin dhe nuk lejoheshin martesa të tilla, por kërkohej të
ndaheshin të martuarit edhe pas shumë vjet martese e shumë fëmijëve të lindur.
Kështu, edhe iati i Pirros (Tanush Sulioti) ishte përjashtuar prej partie dhe përpak që nuk e kishte humbur punën si
mësues, për shkak se vet kishte prejardhje të një familjeje “kullake” dhe nuk
kishte pranuar të ndahej nga bashëshortja e tij, e cila “fajsohej” se disa
familjarë të saj kishin ikur nga Shqipëria e jetonin në Amerikë. Këtë e shpëtoi
vetëm fakti se ka qenë luftëtar i Luftës
nacionalçlirimtare prej ditëve të para e deri në funt dhe pas luftës nuk
kishte bërë asnjë veprim të dyshimtë.
Megjithatë, edhe shoku i tij e
luftës (Zylyftar Ziu), që tash ishte shef sigurimi, nuk donte ta shihte me sy
as i ndihmoi gjë që Pirro të merrte emërimin në punë që kryente në Rdio-Tirana.
*
Tërë ngjarja e romanit
zhvillohet në harkun kohor janar- maj 1986. Shumica e personazheve
pozitive të romanit janë emra të
përveçëm nga jeta reale, sidomos ata të letërsisë, artit e kulturës, të
familjes, po edhe personazhet negative, si Dulla, Zylyftar Ziu, drejtori dhe
shefja e kuadrit të Radio-Tiranës.
Duke lexuar romanin
“Dashuria e Vikit”, lexuesit i duket si një ditar me rrëfime të rrjedhshme dhe
interesante, dhe sikur po i përcjell nga
mbrapa ecejaket e protagonistëve kryesorë: Pirros dhe Vikit rrugëve të
Tiranës.
Arben Kondi, autor i shumë
romaneve dhe veprave tjera letrare, është shkrimtar i talentuar dhe i
pjekur, shkruan shkurt dhe saktë, me një
gjuhë aspak artificiale. Nuk stërhollohet me figurat letrare, as nuk i gjykon
ashpër personazhet negative.
Po të lexohet romani
“Dashuria e Vikit”, do të mbetet gajtë në kujtesën e lexuesit.