E premte, 02.12.2022, 04:02 PM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Libër i ngjarjeve historike në Kosovë

E merkure, 15.06.2022, 07:39 PM


LIBËR I NGJARJEVE HISTORIKE NË KOSOVË

(Jusuf Zejnullahu: REZISTENCA E THYER, botoi SAS, Prishtinë, 2019)

Nga Adil FETAHU

Disa fjalë për autorin

Jusuf Zejnullahun, ish-kryeministër i Kosovës në vitin 1990, në kohën kur Serbia me akte formale-juridike dhe me veprime reale të dhunshme e suprimoi autonominë e Kosovës,- e njohin vetëm brezi i rritur i asaj kohe. Para se të vinte kryetar i Qeverisë së Kosovës, Jusufi ka krye funksione të ndryshme politike dhe ekonomike: këshilltar për ekonomi në Kuvendin e Kosovës; drejtor i Entit për Zhvillim Ekonomik të Komunës së Prishtinës; nënryetar i Odës Ekonomike të Kosovës; drejtor i përgjithshëm i Kombinatit Metalurgjik “Feronikeli”; nënkryetar i Odës Ekonomike të Jugosllavisë; kryetar i Lidhjes së Stuentëeve të Kosovës, sekretar i LK të Prishtinës; anëtar i Komitetit Qendror të LKJ.

Si magjistër i shkencave ekonomike, me punën në funksionet e përmendura të fushës ekonomike dhe politike, Jusufi kishte fituar dije e përvojë dhe guxim intelektual, prandaj nuk është e rastësishme që në një periudhë të krizave dhe  vlimeve të ngjarjeve në Kosovë dhe në Jugosllavi, të përpjekjeve për reforma kushtetuese, politike dhe ekonomike, Kuvendi i Kosovës më 4 dhjetor 1989 e zgjodhi kryetar të Qeverisë, në të cilën, sipas propozimit të mandatarit, në pëbërjen e qeverisë ishin zgjedhur edhe:  Mr Mazllum Beqa dhe Gjorgje Aksiq, nënkryetarë, Rexhep Haxhimusa, Tomisllav Sekulliq, Rashida Muhoviq, Jusuf Karakushi, Sllobodan Bojiq, Mr Rifat Zylfiu, Radman Millosavljeviq, Shefqet Cana, Lekë Berisha, Selajdin Skeja, Dr Muhamet Bicaj, Lekë Vuksani, Radovan Vujoviq dhe Mr Isa Mustafa, anëtarë të Qeverisë, në pozita të caktuara.

Sapo erdhi në krye të Qeverisë, me angazhimin e tij personal dhe institucional për ta ruajtur autonominë dhe statusin e Kosovës si njësi e Federatës së Jugosllavisë, sa nisi të hapë procese për reforma ekonomike edhe në Kosovë, të cilat i kishte nisur kryetari i Qeverisë Federative, kroati Ante Markoviq, Jusufi hasi në pengesa e kundërveprime të strukturave politike të Kosovës e të Serbisë.  Ishte ajo kohë kur ishin bërë ndryshimet (amandamentet) kushtetuese në Kushtetutën e Jugosllavisë dhe në atë të Serbisë, me të cilat ishte reduktuar statusi i autonomisë së Kosovës dhe të Vojvodinës, duke i shndërruar ato në autonomi teritoriale-kulturore, e duke i çveshur nga çdo autorizim,  kompetencë dhe element të shtetësisë. Intenca kryesore ishte heqja e statusit të njësisë federale dhe futja e krahinave nën “sqetullat” e Serbisë.

Duke mos u pajtuar me politikën e Sërbisë ndaj Kosovës dhe me qëndrimet e strukturave politike të Kosovës, kur ato udhëhiqeshin nga Rrahman Morina që ishte kryetar i Komitetit Krahinor të LK,- Jusufi (më 9 prill 1990) i ofron Kuvendit të Kosovës dorëheqjen  nga pozita e kryetarit të Qeverisë. Bashkë me Jusufin dorëheqjen e ofrojnë edhe 6 anëtarë të Qeverisë nga radhët e shqiptarëve: Jusuf Karakushi, Mazlllum Beqa, Selajdin Skeja, Muhahmet Bicaj, Lekë  Vuksani dhe Shefqet Cana.

Kuvendi i Kosovës, duke mos dashur ta pranojë dorëheqjen, e zvarriti shqyrtimin e dorëheqjes, derisa më 4 maj 1990,  kur pas shqyrtimit të raportit të Qeverisë, Kuvendi miratoi votëbesimin ashtu që Qeveria vazhdoi punën e saj, në kushte gjithnjë e më të vështirësuara, deri sa më 5 korrik 1990, Kuvendi i Serbisë miratoi Ligjin mbi ndërprerjen e punës së Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, ndërsa forca të mëdha të policisë së Serbisë bënë desant grushtshteti, duke i uzurpuar objektet e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, të RTK dhe të NGBG “Rilindja”.

Për të gjitha këto dhe shumë ngjarje tjera, Jusuf Zejnullahu ka botuar dy libra voluminoze:

“Stuhi lufte mbi Kosovës” (botim 2007), dhe

“Rezistenca e thyer” (botim 2019), për të cilin këtu do bëjmë një vështrim më të zgjëruar.

Libri “Rezistenca e thyer”

Në tekstin  voluminoz prej 392 faqe, të ndarë në 7 kapituj, me 41 tituj, të librit “Rezistenca e thyer”, autori Jusuf Zejnullahu ka pasqyruar në mënyrë të hollësishme dhe të argumentuar, gjendjen politike, sociale, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë prej fillimit të vitit 1990 e deri pas çlirimit (1999), por edhe  më vonë, deri në vitin 2015.

Tekstit të kapitujve u prinë një Parathënie e autorit (fq.6-13), në të cilën shkurtimisht paraqet lëndën dhe dokumentet e shumta që i shtjellon brenda librit. Parathënia i ndihmon lexuesit ta përqëndrojë vëmendjen në çështjet kryesore që shtjellohen në libër, duke i përmendur dhe interpretuar ato shkurtimisht.

Në kapitullin e parë: “Kosova dhe identiteti” (13-25), autori pasi përshkruan pozitën gjeografike, thekson veçanërisht pozitën strategjike që ka Kosova, si kulm i Ballkanit, e që kjo në vend se të jetë përparësi e favorshme për zhvillim, i ka shkaktuar fatkeqësi, duke u bërë cak i sulmeve dhe   arenë e luftërave dhe pushtimeve prej fuqive, perandorive e forcave të ndryshme barbare. Kështu autori jep një historik të shkurtër të pozitës dhe statusit të Kosovës dhe vuajtjet e popullit shqiptar, por edhe përpjekjet për zhvillim nën ato pushtime, për të ardhur deri në periudhën e dekadës së fundit të shekullit të kaluar.

Në periudhën prej vitit 1968 e deri më 1988, Kosova me një status të avancuar të autonomisë, si pjesë konstituive e RSF të Jugosllavisë, pati një zhvillim të hovshëm në të të gjitha fushat, politike, ekonomike, sociale, arsimore, shëndetësore, kulturore dhe të sigurisë. Atë shkallë të zvhillimit autori e ilustron me te dhëna statistikore të fushave të ndryshme: ekonomi, punësim, arsim, shëndetësi, kulturë, shkencë, art, tregti të jashtme me bilanc pozitiv, e kështu me radhë.

Por, krahas atij zhvillimi të hovshëm, mbretëronte një absurd:  me atë pozitë ishin të pakënaqur edhe Shqiptarët edhe Serbët në Kosovë e në Serbi, veçse nga interesa diametralisht të kundërta; Shqiptarët ishin të pakënaqur me statusin e autonomisë dhe kërkonin statusin e republikës, sikur e kishin gjashtë republikat e tjera të Jugosllavisë, disa me popullsi të barabartë ose shumë më të vogël se Kosova. Ndërkaq, Serbët ishin të pakënaqur me shkallën e autonomisë që kishte Kosova si njësi konstituive e Federatës dhe pamundësinë e ndikimit të pushtetit të Serbisë për të administruar e sunduar në Kosovë. Ata kërkonin në forume partiake e shtetërore, në rrugë dhe në sheshe të Serbisë, të Kosovës, të Malit të Zi dhe të Vojvodinës, që kjo autonomi e Kosovës të reduktohet ose të suprimohet krejtësisht. Për këtë qëllim, në vitin 1989 nisën të bëjnë ndryshime në Kushtetutën e Serbisë (të vitit 1974).

Duke parë qëllimet, se me ndryshimet kushtetuese të Serbisë e të Jugosllavisë do të reduktohet autonomia dhe statusi i Kosovës, populli shqiptar në Kosovë reagoi në forma të ndryshme, në debatet publike për amandamentet, në greva e demonstrata. Duke i cilësuar ato reagime si kundërrevolucion, Kryesia e Jugosllavisë, me insistimin e Serbisë, apliko gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, e cila zgjati prej fillimit të janarit deri më 17 prill 1989. Në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme, nën presion të madh politik dhe të sigurisë, Kuvendi i Kosovës, në seancën e mbajtur më 23 mars 1989, me shumicë votash, dha pëlqimin për ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë, me të cilat u degradua statusi juridik i Kosovës. Kuvendi i Serbisë i miratoi amandamentet më 28 mars, ndërsa kushtetutën me amandamentet e përfshira në te e miratoi më 28 shtator 1989.

Ende pa u miratua kushtetuta me amandamet e inkorporuara në te, organet e pushtetit të Serbisë: Kuvendi dhe Qeveria, filluan  zbatimin e atyre amandamenteve, vetëm në Kosovë e jo edhe në Vojvodinë, duke uzurpuar kompetencat e organeve dhe institucioneve të Kosovës.

Mbledhja e përbashët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë

Të gjitha shtresat dhe hallkat e organizuara shqiptare të Kosovës i kundërshtonin me vendosmëri e me sakrifica  të mëdha aktet dhe veprimet e Serbisë në Kosovë. Për herë të parë u krijua një unitet i frontit të përbashkët kundër politikës dhe dominimit të Serbisë. Në atë front ishin radhitur punëtorët, studentët, nxënësit, gjithë populli, përveç segmentit politik – të ashquajtur Lidhja e Komunistëve, ndonëse atë lidhje e braktisën shqiptarët masovikisht. U formun parti të reja politike dhe shoqata të qytetarëve, si alternativë politike, të cilën Qeveria e Kosovës e konsideronte si faktor politik dhe shoqëror. Të gjithë ishin kundër ndryshimit të pozitës kushtetuese të Kosovës, të cilën e kishin caktuar amandamentet kushtetuese, dhe këtë qëndrim e shprehnin në debate, në institucione dhe në protesta të punëtorëve, të studentëve e të qytetarëve, duke përfshirë edhe grevën e minatoryëve të “Trepçës” dhe greva e përgjihshme   punëtorëve në të gjitha ndërmarrjet tjera (3 shtator 1990).

  mbledhjën e  përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të mbajtur në Klubin e Deputetëve në Gërmi (afër Prishtinës) më 9 qershor 1990, u bë ndarja definitive institucionale e Kosovës nga politika dhe nga institucionet e Serbisë. Ajo ishte mbledhje historike, në të cilën për 17 orë rresht Qeveria e Kosovës, me vendosmëri i bëri rezistencë dhe kundërshtoi ultimatumin e Qeverisë së Serbisë me të cilin kërkonte zbatimin e politikës së Serbisë në Kosovë për nënshtrim të plotë. Në atë mbledhje ishin komplet, në pëbërje të plotë të dy qeveritë (në pëbërje të Qeverisë së Serbisë, bashkë me këshilltarë e zyrtarë tjerë, kishin ardhur 40 veta?). Kush ka pasur rastin ta lexojë stenogramin e asaj mbledhje (65 faqe të dendura  shtypur në makinë shkrimi), ka mund ta paramendojë atmosferën e krijuar në atë mbledhje dhe të vërejë qëndrimin e vendosur kundërshtues të Qeverisë së Kosovës, veçmas të kryetarit të saj Mr Jusuf Zejnullahut, ndaj ultimatumit dhe insistimit të Qeverisë së Serbisë për Kosovën. Debati, diskutimet, polemikat ishin zhvilluar aq ashpër e kundërshtuese, deri në fyerje dhe kërcënim të hapur nga Qeveria e Serbisë kundër kryetarit, kundër Qeverisë dhe kundër Kosovës. Kryetari i Qeverisë së Serbisë, Stanko Radmilloviq kishte ardhur me referat të përgatitur me shkrim dhe me formulim të konkkluzioneve, të cilat duhej t’i miratonin të dy qeveritë. Kyretari i Qeverisë së Kosovës, Mr Jusuf Zejnullahu, pa referat të shkruar, por në bazë të një koncepti të përgatitur n; formë tezash, për më se një orë kishte folur për gjendjen dhe situatën e përgjithshme tejet të rëndë që mbretëronte në Kosovë, e cila kërkon zgjidhje në parime të drejtave të barabarta në shtetin e përbashkët të Jugosllavisë, në të cilin Kosova ishte subjekt kushtetues, por që me amandamentet kushtetuese ky subjektivitet i ishte hequr.  Fajin për situatën e krijuar ua kishte hedhur masave represive dhe politikës së Serbisë që po zbatonte në Kosovë.

Fjalimi i Jusuf Zejnullahut i kishte befasuar kryetarin dhe anëtarët e Qeverisë së Serbisë, sa që reagimi kishte qenë ulurues, që shfaqte mllef. Njëni nga anëtarët e Qeverisësë Serbisë kishte thënë: “Nëse do t’isha i penguar të marr pjesë në këtë mbledhje, ose të kisha vdekur para saj, do ta kisha humbur rastin jetësor për të kuptuar se çfarë është mendimi i shqiptarëve sot. Atë që e tha  sot këtu  kryetari i Qeverisë së Kosovës është mendim i tij, por nuk ka asnjë dyshim se ai sot ësht mendim edhe i të gjithë shqiptarëve në Kosovë”.

Edhepse kryetari i Qeverisë së Serbisë kishte planifikuar që fjalimin e tij ta mbante i fundit, me konkluzione përfundimtare, ai menjëherë e kishte marrë fjalën pas fjalimit të Zejnullahut dhe e kishte lexuar referatin e përgatitur paraprakisht. Pas shumë orë diskutime, replika, divergjenca e polemika të ashpra midis anëtarëve të Qeverisë së Serbisë kundër diskutimit dhe qëndrimit të kryetarit dhe disa anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, kryetari i Qeverisë së Serbisë ia kishte ofruar kryetarit Zejnullahu tekstin e konkluzioneve të propozuara për t’i miratuar të dy qeveritë dhe për t’i shpallur në funt të mbledhjes si komunikatë të përbashkët. Teksti i konkluzioneve ishte formuluar në 5 pika, me këtë përmbajtje:

1.Këshilli Ekzekutiv i Serbisë dhe Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, janë pajtuar që bashkarisht dhe veç e veç në mënyrë strikte dhe angazhuese të realizojnë politikën e Serbisë për Kosovën, në të clën element kryesor është autonomia e Kosovës e çveshur nga elementet e shtetësisë…

2.Këshilli Ekzekutiv i Serbisë dhe Këshilli Ekzekutiv i  Kosovës bashkarisht dhe veç e veç do të angazhohen në sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, si dhe të sigurisë së jetës dhe pasurisë dhe barazisë së qytetarëve të Kosovës.

3.Këshilli Ekzekutiv i Serbisë dhe Këshilli Ekzekutiv i Kosovës në mënyrë efikase do të veprojnë kundër separatizmit dhe nacionalizmit shqiptar dhe kundër çdo nacionalizmi tjetër, pa marrë parasysh se në çfarë preteksti paraqiten.

4. Këshilli Ekzekutiv i Serbisë dhe Këshilli Ekzekutiv i Kosovës plotësisht do të bashkëpunojnë në përgatitjen e ligjeve të Serbisë për Kosovën.

5. Këshilli Ekzekutiv i Serbisë dhe Këshilli Ekzekutiv i Kosovës janë pajtuar dhe i kanë dhënë detyrë Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës që të organizojnë kryerjen unike të të gjitha punëve në Kosovë.

*

Për kryetarin e Qeverisë së Kosovës, teksti i propozuar për konkluzione të përbashkëta ishte i papranueshëm, prandaj i bënë disa korrigjime me shkrim, duke hequr ose ndryshuar fjalë e fjali. Veçmas ishte i papranueshëm konkluzioni i formuluar në pikën e parë: “…të realizojë politikën e Serbisë për Kosovën”. Atë pjesë të fjalisë, Jusufi e kishte fshirë dhe në vend të saj kishte shkruar: “…të angazhohet në realizimin e Kushtetutës së Kosovës dhe të Jugosllavisë”. Kryetari i Qeverisë së Kosovës kishte bërë korigjime edhe në pikat e tjera të konkluzioneve të propozuara, duke potencuar edhe “nacionalizmin serb dhe hegjemoninë serbomadhe” (pika 3).

Kur kryetari i Qeverisë së Serbisë, si kryesues i mbledhjjes së përbashkët, e kishte lexuar tekstin e konkluzioneve të propozuara prej tij, dhe ato të korrigjuara prej kryetarit të Qeverisë së Kosovës, ulurima në sallë kishte marrë hov. Kishin qenë aq të papërmbajtur disa anëtarë të   Qeverisë së Serbisë, sa që njeni prej tyre kishte deklruar: “Tash e tutje me shqiptarët mund të bisedohet vetëm përmes grykës së pushkës”. Me ofendime e kërcënime nga anëtarët e Qeverisë së Serbisë, mledhja kishte përfunduar me mospajtime e divergjenca të hapura, në të cilën Qeveria e Kosovës kishte shprehur atë që kërkonte populli – kundërshtimin e vendosur të politikës së Serbisë.  Ishte ajo mbledhje që bëri kthesën më të madhe institucionale në raportet midis Serbisë e Kosovës.  Pas asaj mbledhje, Qeveria e Kosovës më nuk pati kurrëfar marrëdhëniesh as kontaktesh me Qeverinë e Serbisë, por kontaktet i mbante drejtpërdrejt me Qeverinë federative, kryetar i së cilës asokohe ishte kroati Ante Markoviq, të cilin rregullisht e informonte me rrjedhat dhe pasojat e dhunës së pushtetit serb në Kosovë, dhe duke kërkuar intervenimin e Federatës.

Kërcënimet e Qeverisë së Serbisë, të shqiptuara në mbledhjen e përbashkët të mbajtur më 9 qershor 1990, nisën të realizohen në praktikë menjëherë. Dy javë pas asaj mbledhje, më 26 qershor, Kuvendi i Serbisë miratoi Ligjin mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të posaçme, me të cilin krijoi bazën formale-juridike për suprimimin e organeve legale dhe legjitime të Kosovës, marrjen e kompetencave dhe autorizimeve të organeve dhe institucioneve të Kosovës nga organet dhe institucionet e Serbis. Në të njëjtën mbledhje, të njëjtën ditë, Kuvendi i Serbisë, duke u bazuar në atë ligj, mori Vendim (RS, nr.326), në dispozitivin e të cilit thuhet:  “Vërtetohet se në territorin e   Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës janë krijuar rrethana të posaçme nga neni 2 i Ligjit mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të posaçme (“Gazeta zyrtare e RSS”, nr.30/90)”.

Pas atij Ligji dhe atij vendimi të Kuvendit të Serbisë,   deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, duke iu përgjigjur kërkesave gjithpopullore dhe situatës së krijuar, më 2 korrik 1990 miratuan Deklaratën Kushtetuese për Kosovën si njësi e pavarur dhe e barabartë në kuadër të Federatës (konfederatës) së Jugosllavisë, si subjekt i përbashkët me njësitë e tjera të Federatës (konfederatës).

Tri ditë pas Deklaratës Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, Kuvendi i Serbisë më 5 korrik 1990, miratoi Ligjin për ndërprerjen e punës së Kuvendit dhe të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës, me të cilin edhe formalisht i suprimoi organet legjitime të Kosovës, ndërsa realisht po atë ditë, me forca të mëdha policore dhe ushtarake, bëri desant grushtshteti, uzurpoi selinë e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, Radiotelevizionin dhe Ndërmarrjen “Rilindja”. Me atë rast, sulmuesit sekuestruan 350 milionë US$ të buxhetit.

Edhe Ligji mbi veprimin e organeve në rrethana të posaçme, dhe Vendimi mbi vërtetimin se në KSAK janë krijuar rretana të posaçme, edhe Ligji mbi ndërprerjen e punës së Kuvendit e të Qeverisë së Kosovës, ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Jugosllavisë, sepse asnjë njësi federale nuk kishte kompetencë as të drejtë të suprimojë organet legjitime të njësisë tjetër. Pas këtyre akteve, Kuvendi i Serbisë vazhdoi me nxjerrje të ligjeve dhe vendimeve e të ndërmerrë masa dhe integrime të dhunshme të organeve, institucioneve dhe ndërmarrjeve ekonomike të Kosovës me ato të Serbisë.  Të gjitha aktet dhe veprimet e regjimit të Serbisë në Kosovë ishin “ultra vires”, dmth. me tejkalim të autorizimeve dhe kompetencave të caktuara me kushtetutën dhe me ligjet federative. Sipas Ligjit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës në rrethana të posaçme, të cilin e miratoi Kuvendi i Serbisë më 26 korrik 1999, udhëheqësit dhe punëtorët shqiptarë të organeve, institucioneve dhe të ndërmarrjeve ekonomike u përjashtuan prej pune, e në vend të tyre u punësuan serbë e malazezë të Kosovës, të Serbisë, të Bosnje-Hercegovinës e të Kroacisë (refugjatë e kriminelë të ikur nga luftërat që zhvilloheshin atje).  Revista alternative “Republika”, që botohej në Slloveni, nën drejtimin e veprimtarit Salih Kabashi, në numrin e saj të parë, botuar më 25 korrik 1990, si kryeartikull kishte botuar shkrimin e Ukshin Hotit, me titull: “Qartësi qëllimesh – unitet subjektesh”, në të cilin autori analizon rëndësinë e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut dhe uzurpimin e forcave serbe të selisë së Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës.

Format e rezistencës

Pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese dhe suprimimit të institucioneve (Kuvendit dhe Qeverisë), duhej të punohej në jetësimin dhe konsolidimin rezistencës aktive. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me Qeverinë legjitime, më 7 shtator 1990, në  mbledhjen e mbajtur në Kaçanik,  në ilegalitet të plotë, miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Dy ditë pas miratimit të Kushtetutës, shumica e delegatëve të Kuvendit dhe anëtarëve të Qeverisë u shpërngulën jashtë Kosovës, sepse do të burgoseshin dhe gjykoheshin me dënime të rënda. Të tjerët që mbetën në Kosovë jetonin në ilegalitet të plotë. Në ato kushte të shpërndarjes, ishte e pamundur të vepronin si institucione, megjithëse disa vepruan si individë e grupe më të vogla. Një aktivitet të posaçëm zhvilloi kryetari i Qeverisë, Jusuf Zejnullahu gjatë qëndrimit të tij në Kroaci e Slloveni. Ai mbajti lidhjet me Qeverine federative, respektivisht me kryetarin e saj Ante Markoviq, por edhe me qeverinë e Republikës së Kroacisë dhe atë të Sllovenisë. Ato qeveri e njihnin Qeverinë e Kosovës për legjitime, e përkrahnin dhe kujdeseshin që të mos binin në dorë të sigurimit të Serbisë e Jugosllavisë që i kërkonin. Brënda Kosovës pushteti serb kishte shtuar zullumin, represionin, dhunën, ndër të tjerë kishte arrestuar e burgosur edhe anëtarët e Qeverisë: Selajdin Skeja e Lekë Vuksani. Por, populli kishte moral dhe vendosmëri për të bërë rezistencë e mos pranuar organet e dhunshme, aq sa mund të rezistohej në ato kushte.

Kapitulli i tretë i librit titullohet: “Përpjekjet për konsolidimin e rezistencës” (fq.121-239). Në kuadër të këtij kapitulli, autori ka përshkruar përpjekjet e tij, nga pozita e kryetarit të Qeverisë legjitime, që të koordinojë punën me faktorin e brendshëm në Kosovë. Duke pasur parasysh shfaqjen e pluralizmit politik, kur ishin formuar edhe disa parti të vogla politike dhe organizata tjera shoqërore, ky kishte propozuar formimin e një qeverie të koalicionit me përfaqësues edhe të atyre partive. Për hirë të krijimit të unitetit, Jusufi ishte i gatshëm që në krye të qeverisë së unitetit të vinte dikush tjetër.  Por, përpjekjet e kryetarit Zejnullahu, me liderin e LDK-së, Dr. Ibrahim Rugovën, për të koordinuar punën dhe aktivitetet, kishin dështuar, pasi Rugova nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes, thotë autori.

Në kapitullin IV, që mbanë titullin e librit: “Thyerja e rezistencës” (fq.241-282), autori sqaron se, përkundër besimit që kishte fituar populli në institucionet legjitime: në Kuvendin dhe në Qeverinë, pas arratisjes në egzil, filluan përçarjet dhe u thye uniteti i qëndrimit dhe veprimit. Ndërmerreshin aksione të pakoordinuara e pa kontrollë. Formimi i Qeverisë së Përkohëshme, në egzil, përkundër ekzistimit të qeverisë legjitime, veçsa e komplikoi koordinimin e institucioneve legjitime, e theu tehun e rezistencës institucionale dhe popullin e la në “rezistencë paqësore, krejtësisht pasive”, e cila i konvenonte pushtetit okupues që të veprojë e të mbahej në qetësi. Puna kryesore e asaj qeverie të përkohëshme, gjysmake dhe jolegjitime, konsistonte në mbledhjen dhe shpërndarjen e mjeteve të fondit të 3%. Në ato kushte, delegatët e Kuvendit dhe anëtarët e Qeverisë legjitime, të izoluar dhe të injoruar, pa përkrahje materiale, kishin mbetur të gjendën kush si të mundej. Vetëm falë solidaritetit të punëtorëve dhe të biznismenëve shqiptarë në Kroaci, Slloveni, Zvicër, Gjermani e në vendet e tjera të Europës, arritën të mbijetojnë. Kurse në Kosovë pushteti okupues kishte shkallëzuar dhunën e represionin kundër popullatës, me të gjitha pasojat e saj.

Pas zgjedhjeve paralamentare dhe “presidenciale” të mbajtura, në vitin 1992, në kushte të pushtimit të egër serb, skena politike e shqiptarëve u dominua krejtësisht nga LDK-ja dhe lideri i saj, dhe u instalua filozofia e rezistencës paqësore dhe durimit, me shpresë se çështja e Kosovës do të zgjidhet në mënyrë paqësore.  U ndërprenë të gjitha veprimet e rezistencës aktive.  Kjo gjendje i konvenonte pushtetit okupues të Serbisë që të mbahej i patrazuar dhe të ushtronte dhunë. Rezistenca paqësore, që preferohej nga faktorët ndërkombëtarë, nuk u shpërblye prej tyre, as me çlirimin e vendit as me pakësimin e dhunës nga Serbia. Diplomacia botërore preferonte dhe premtonte autonomi të Kosovës në kuadër të Serbisë, e jo pavarësi. Prandaj, populli u detyrua të ndërmerr veprime më aktive kundër dhunës dhe pushtuesit. Atmosferën e qetësisë e thyen gratë e Prishtinës, me protestën kundër vrasjes së Armend Dacit. Një kthesë e madhe e rezistencës aktive u bë me protestën e studentëeve të Universitetit të Prishtinës (tetor 1997), ndërsa në protestat e vitit 1998  të studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme, atyre iu bashkua populli. Paraqitja publike e UÇK-s, që u bë në Llaushë më 28 nëntor 1997, me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci, të vrarë nga policia serbe, dhe masovizimi i protestave shënoi braktisjen e rezitencës paqësore. Populli i Kosovës dhe bota e kuptoi se rezistenca paqësore ndaj një pushtuesi siç ishte Serbia, ishte eksperiment i dështuar. Ngjarjet që rrodhën më vonë, deri në luftën e lavdishme të UÇK-së, të ndihmuar nga NATO, e vërtetuan dështimin e filozofisë së rezistencës së paqësore dhe durimit.

Për hollësitë e ngjarjeve, të thyerjes së rezistencës dhe pasojave të saj, lexonie vet librin.          Aty do t’i gjeni argumentet te cilat i ka analizuar dhe interpretuar autori.

Kapitulli i shtatë, që mbanë titullin: “Dekada e sundimit nga të huajt dhe vazalët”, është analiza më e mirë që deri më tash i ka bërë dikush gjendjës të periudhës së pas çlirimit të Kosovës. Administrata e korruptuar e KB, që kishte uzurpuar të gjitha levat e pushtetit në Kosovë, me ndihmën e vazalëve vendorë, përmes procesit të privatizimit e shkatërrpi tërësisht ekonominë e Kosovës dhe e ndau Kosovën në vija etnike, duke e cënuar sovraniteti, integritetin,   konsolidimin  dhe funksionimin e shtetit të Kosovës.

* * *

Libri i mr. Jusuf Zejnullahut: Rezistenca e thyer, është një kronologji e ngjarjeve historike që kanë ndodhur në Kosovë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar dhe e situatës së krijuar nën administrimin kolonialist të Kombeve të Bashkuara (UNMIK-ut).  Autori, nga pozita e kryetarit të Qeverisë, e ka përcjellur gjendjen me vëmendje të përqëndruar, ka pasur njohuri, argumente e dokumente të bollshme për të shkruar librin dhe kemi bindjen se ngjarjet i ka shtjelluar realisht. Libri “Rezistenca e thyer” është edhe si një autobiografi e vet autorit Jusuf Zejnullahu, sepse një pjesë e madhe i referohet aktivaitetit të tij personal dhe kolektiv të Qeverisë në krye të së cilës ishte. Dikush mund të bëjë vërejtje, se autori e ka potencuar me tepri kontributin e tij, si në periudhën sa ishte në Kosovë, ashtu edhe atë në egzil. Por, nëse analizojmë me realizëm punën dhe aktivitetin e tij, sidomos nga mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Serbisë (më 9 qershor 1990), dhe përkrahjen e fituar nga qeveria e Kroacisë dhe e Sllovenisë dhe të disa shteteve të Evropës, është e pamohueshme se autori ka bërë punë të vyeshme dhe ka pasur vizion veprimi,  por i ka munguar përkrahja nga  “pushteti i rezistencës paqësore” që ishte instaluar në Kosovë, i mbikëqyrur dhe kontrolluar rreptësisht nga pushteti okupues i Serbisë. Prandaj, ky libër është i mirë për t’ua përkujtuar atë kohë dhe ato ngjarje atyre të cilët i kanë përjetuar, aq më tepër për t’i mësuar e ditur gjeneratat e mëvonshme, të cilët nuk i dijnë ato.

Nëse dikush mund të bëjë ndonjë vërejtje për vlerën artistike-letrare të librit, unë i them se ajo  kompensohet me vlerën dokumentare, të realizmit dhe të argumenteve që ka prezentuar e shtjelluar autori.  Tematika që trajtohet në këtë libër meriton debat të gjërë e të thellë profesional dhe shkencor.

Autorit i uroj për botimin e të dy librave të përmendura, i sugjeroj t’i vejë në faqet e internetit, që të lexohen nga sa më shumë lexues, dhe i uroj shëndet e vullnet edhe për vepra tjera, sepse ka dije, përvojë dhe vizion dhe çka të thotë edhe shumëçka për atë kohë, por edhe për kohën e tashme dhe të ardhshme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora