Mendime
Adil Fetahu: 'Regnum'' - broshurë e propagandës ruso-serbe kundër Kosovës
E hene, 04.10.2021, 08:01 PM
“REGNUM” - BROSHURË E PROPAGANDËS RUSO-SERBE KUNDËR KOSOVËS
Nga Adil Fetahu
Më 25 shtator 2021, në kulmin e “Krizës së targave” në kufirin verior të Kosovës, të cilën e shkaktoi pushteti
kriminal i Serbisë, përmes ekspoziturës
së vet në Kosovë, e quajtur “Lista srpska”dhe ekstremistëve tjerë serbë,- një
agjension informativ i gënjeshrave dhe propagandës ruso-serbe e botoi dhe
lëshoi në qarkullim një brochurë të titulluar:
“Kosova, Serbia dhe Rusia”.
Broshura është një Përmbledhje e 11 shkrimeve të autorëve rusë dhe
serbë, të botuara në kohë (data) të ndryshme në faqet e atij agjensioni, i
quajtur REGNUM (regnum është fjalë latine për mbretëri). Shkrimet e botuara në
atë borshurë kanë të bëjnë kryesisht me statusin e Kosovës, ndërsa përmbajnë
edhe kritika të ashpra kundër regjimit aktual të Serbisë dhe konkretisht kundër
Aleksandër Vuçiqit, për gjoja se në dialogun që po zhvillon me përfaqësuesit e
Kosovës, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, por pa pjesëmarrje të
përfaqësuesit të Rusisë, ka bërë e po
bënë lëshime, të cilat mund të quhen tradhti e interesave të popullit dhe të
shtetit të Serbisë, por edhe të Rusisë.
Në faqet e portalit të Agjensisë REGNUM, më së shumti ka
shkrime të njëfar Mllagjan Gjorgjeviq, që është lider i Lëvizjes
“Oslobodjenje”(Çlirimi) dhe rusofil i thekur. Por, në borshurën e përmendur në
mesin e 11 shkrimeve të botuara, në gjuhën serbe dhe ruse, është vetëm një
shkrim i Gjorgjeviqit. Ja pasqyra e
Përmbajtjes së Broshurës së REGNUMIT, me emrat e autorëve dhe titujt e
shkrimeve të botuara:
1. Mdest Kollarov:
“Marri apo tradhti? A do ta njohë Rusia Kosovën”
2. Jellena Guskova: “Beogradi ka bërë gjithëçka që
Shqiptarët e Kosovës ta ndjejnë se janë të pavarur”
3. Dragan Trifunoviq: “Vrasje, pogrome, pavarësi: Një kurs i
shkurtër për historinë më të re të Kosovës”
4. Mllagjan Gjorgjeviq: “Pas çështjes së statusit të Kosovës
fshehen krimet dhe tradhtia”
5. Ana Fillimonova: “Shqiptarët e Kosovës nuk kanë asnjë të
drejtë për të pasur shtetin e tyre”
6. Stevan Gajiq: “Dështimi i politikës së Aleksandër
Vuçiqit”
7. Dejan Miroviq: “Ndarja e Kosovës – projekt i përbashkët i
pushtetit të Serbisë dhe i shërbimeve speciale të ShBA-ve”
8. Marko Jakshiq: “Kosova serbe e vitit 2020: Njerëzit e kanë humbur krejtësisht besimin
ndaj Vuçiqit”
9. Zoran Çvoroviq: “Nëse Rusia e njeh Kosovën, Serbët do të
shndërrohën në “ polakë të Ballkanit”
10. Tatjana Stojanoviq (që është edhe përkthyese e të gjitha
teksteve): “Pas Vuçiqit Serbia nuk ka më se çfarë të dorëzojë në Kosovë”
11. Vlladimir Zotov: “Kosova është Rusi; Çfarë të bëjë Moska
që të mos ia mihë varrin vetes në Ballkan”.
***
Shkrimet në këtë edicion janë botuar paralelisht në serbisht
dhe rusisht. Broshura ka gjithsejt 40 faqe, dhe një tirazh prej 1000 copë; me
gjasë për t’iu shpërndarë ekstremistëve serbë në barrikadat në Jarinje e
Bërnjakë.
Agjensioni REGNUM ka filluar punën në vitin 1999, ndërsa
është regjistruar dhe ka marrë licencën në vitin 2002. Thonë se kanë më se 400
korespodentë nga agjensi të ndryshme të lajmeve në tërë botën, me të cilat janë
të lidhur dhe kanë partneritet.
Zyrtarët e pushtetit aktual të Serbisë REGNUMIN e
konsiderojnë se është kundër politikës zyrtare të Serbisë, dhe se është e
lidhur me opozitën aktuale të Dragan Gjilasit dhe Mllagjan Gjorgjeviqit, prej të cilëve merr
edhe mjete financiare.
Çfarëdo që të jetë, “Regnumi” është një vegël e sistemit
propagandistik të Rusisë dhe Serbisë për agjendën gjeo-politike të këtyre
shteteve antishqiptare, antikosovare, antiamerikane, anti BE-së dhe anti
NATO-s.
Përveç shkrimeve të botuara në edicionin e kësaj broshure,
në faqet e “Regnumit” ka edhe shumë shkrime tjera propagandistike kundër Kosovës dhe kundër
regjimit aktual të Serbisë. Me këto shkrime, edhe kundër Kosovës e Shqiptarëve,
edhe kundër regjimit të Serbisë, “Regnumi” e ka bërë tërkuzë, sa që e ka prishë
konceptin filoofik se “armiku i armikut tim – është miku im”!