Mendime
Adil Fetahu: Diskutimi i Aleksandar Rankoviqit për ngjarjet në Tivar, 1945
E merkure, 01.09.2021, 09:27 PM
Diskutimi i Aleksandar Rankoviqit për ngjarjet në Tivar, në Kongresin Themelues të Partisë Komuniste të Serbisë 8 – 12 maj 1945
Nga
Adil FETAHU
“Ne do të gabonim poqese
në këtë mbledhje të Partisë nuk do të përmendim disa gabime strategjike që janë
bërë kundër Shqiptarëve, për të cilët
këtu folëm aqë shumë. Ju e dini se në Kosovë-Metohi është caktuar detyra e
mobilizimit. Ai mobilizim është zbatuar, por organizata e Partisë, udhëheqësit
partiakë në Kosovë-Metohi nuk kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të
siguruar mobilizim të rregullt, veçse kanë lënë që të lajmërohën vullnetarisht
për ushtrinë tone; ta kuptojnë se është edhe detyra e tyre t’i përgjigjen
thirrjes së armatës sonë e të marrin pjesë në luftën kundër okupatorit dhe
trathtarëve të vendit. Kanë ndodhur gjëra të tmerrshme, të cilat më së miri
flasin për shovinizmin dhe patriotizmin lokal dhe përgjithësisht për raportin e
padrejtë të komunistëve ndaj masave.
Me rastin
e përcjelljes së një numri të Shqiptarëve, për t’i plotësuar njësitë e Armatës
IV, ka shpërthyer një incident që nuk ka qenë i atillë sa të mos mund të
lokalizohej e të ketë pasoja më të vogla. Unë nuk dua të hy tash në detaje. Një
shqiptar i hidhëruar në njërin prej përcjellësve, e ka hequr pushkën dhe e ka
vrarë atë. Do të thotë e ka vrarë shokun tonë luftëtar. Por, shokët tanë
udhëheqës, në vend se tërë çështjen ta zgjidhin në mënyrën që të mos zhvillojnë
konflikt, ata kanë dashur t’i ndëshkojnë, kanë dashur të zbatojnë represione,
kanë dashur që të pushkatojnë 40 Shqiptarë për luftëtarin e vrarë. Ka
shpërthyer kryengritja. Disa Shqiptarë
kanë filluar të gjuajnë bomba. Mund të kenë qenë disa bomba. Ndërsa udhëheqësit tanë kanë hapur zjarrë dhe
kanë vrarë 300 Shqiptarë. Ky është shembëll, nga i cili duhet të mësojmë edhe
na që punojmë në ushtri edhe na që punojmë në terren. Unë mendoj se kjo është
një çështje që mund të dëmtojë autoritetin jo vetëm të ushtrisë sonë, veçse
edhe të Partisë sonë, të udhëheqësve tanë.
Rasti i
dytë, që përsëri është pasojë e sigurimit birokratik dhe kriminal, është ai që
disa Shqiptarë nga ai transportim (marshim,v.j.) janë vendosur në hapësira në
të cilat më parë ka qenë depo e barotit. Edhe aty janë ngulfatur 130 njerëz.
Ja, këta janë shembuj prej të cilave duhet nxjerrë mësime. Këta janë shembuj
prej të cilave duhet të edukohet udhëheqësia jonë dhe t’i edukojmë udhëheqësit tanë. Shqiptarët e kanë humbur
besimn - kjo është e qartë, dhe nuk e kanë humbur vetëm sepse e kanë vuajtur në
lëkurën e tyre Jugosllavinë e vjetër, por e kanë humbur edhe për shkak të
gabimeve të cilat po i bëjnë udhëheqësit tanë ndaj tyre. E gjithë kjo ka mundur
të shmangej, vetëm sikur udhëheqësia jonë në Kosmet ta kishte kryer mobilizimin
në mënyrë të rregullt dhe ta kishte bërë transportimin e rregullt të atyre
ushtarëve. Por, ata ua kanë lënë disa ushtarëve, komandave vendore, disa
byrokratëve, disa njerëzve të pandërgjegjëshëm, prandaj për këtë shkak ka
ndodhur e gjithë kjo”.
(Kongresi Themelues i PK të Serbisë, 1972,
fq.157-158)
** *
Çka mund të kuptohet nga
këto thënie të Rankoviqit?
E para, nënkuptohet se në
atë Kongres të Partisë Komuniste të
Serbisë, të mbajtur më 8 – 12 maj 1945, është folur shumë për Shqiptarët. Për
të kuptuar se çka është folur aq shumë, duhet të lexohet stenogrami i
Kongresit.
E dyta, vet antishqiptari më
i madh i kohës, Rankoviqi, pranon se janë bërë “gabime strategjike” ndaj
Shqiptarëve. Ai me këtë “gabime strategjike” aludon në gabimet për t’i joshur
Shqiptarët të jenë lojalë e besnikë ndaj Serbisë.
E treta, pranon se ndaj
Shqiptarëve kanë ndodhur gjëra të tmerrshme, se ka pasur raporte të
padrejta dhe shovinizëm lokal (!) ndaj
tyre.
E katërta, rekrutët i
trajton si ushtarë, dhe duket se mendon që shqiptarët kanë qenë me armë në
krah, kur thotë: “E hoqi pushkën (nga krahu, v.j.) dhe e vrau luftëtarin
tonë! Se a e ka ditur vërtetë se
shqiptarët nuk kanë qenë të armatosur, respektivisht se janë çarmatosur që në
momentin e kapjes për mobilizim dhe me rastin e tubimit në Prizren, kjo mbetet
dilemë nga fjalia e tij “skinuo pusku i ubio ga” (e hoqi pushkën dhe e vrau;
nuk thotë se ia rrëmbeu pushkën). Por, është e pabesueshme që nga ajo pozitë në
të cillën ishte, shef i OZN-es, të mos e ketë ditur këtë dhe hollësi tjera
lidhur me masakrën e Tivarit.
E pesta, pranon se ka
ekzistuar parimi nacist që të vriten 40
shqiptarë për një serb, apo malazez.
E gjashta, me ose pa
vetëdije e pranon gënjeshtrën, kinse disa shqiptarë kanë gjuajtë me bomba
kundër ushtarëve-përcjellës. Si shef i OZN-es që ishte, është e pamundur të mos
i ketë parë dhe lexuar raportet zyrtare të shtabeve të ushtrisë për atë
ngjarje, në të cilat përmendet vetëm një bombë e aktivizuar, e jo shumë bomba (ndonëse edhe kjo - një mund
të jetë gënjeshtër, për t’ia lënë fajin Shqiptarëve).
E shtata, pranon se
udhëheqësit e ushtrisë jugosllave i kanë vrarë për një ditë 300 ushtarë
Shqiptarë dhe i kanë ngulfatur 130 të tjerë, duke mos përmendur fare të
plagosurit (në njenin raport të shtabit ushtarak shkruan 452 të vrarë e 104 të
plagosur, ndërsa në tjetrin: rreth 450 të vrarë e rreth 120 të plagosur).
E teta, për shqiptarët e
vrarë e të ngulfatur nuk ndjenë as shprehë asnjë grimë keqardhje as brejtje të
ndërgjegjës, veçse ka frikën se është dëmtuar autoriteti i ushtrisë, i partisë
dhe i udhëheqjes së tyre!
E nënta, disa herë e
përmendë “transportimin”, thuase Shqiptarët janë transportuar me automjete, me
tren apo me anije deri në Tivar, derisa
ata tërë kohën kanë udhëtuar këmbë, të etur, të uritur, te rraskapitur dhe të
torturuar.
E dhjeta, është i bindur se
“për shkak të gabimeve të tilla”, Shqiptarët e kanë humbur besimin edhe në
regjimin e ri, pas të gjitha vuajtjeve të përjetuara nga regjimi i Jugosllavisë
së paraluftës.
E njëmbëdhjeta, përcjellësit
dhe vrasësit e Shqiptarëve i quan njerëz të pandërgjegjshëm, e jo me emrin e
vërtetë - kriminelë.
E dymbëdhjeta, ai as nuk e merr mundimin të kërkojë që
organet kompetente të zhvillojnë hetime për Masakrën e Tivarit dhe krimet e
tjera të kryera kundër Shqiptarëve, gjë që kurrë edhe nuk është zhvilluar as
është dënuar njeri për to!
Megjithatë, diskutimi dhe
pranimi i njeriut më kompetent për krimet dhe Masakrën e ndodhur, ka një
rëndësi për historinë e asaj ngjarje të dhembshme e plage të pa shëruar,
pasi askush nuk është dënuar për gjithë
atë masakër. Dhe jo vetëm kaq, por ajo masakër është heshtur 45 vjet; nuk është folur as shkruar në gazeta
as libra, as ato të historisë, për te nuk kanë folur në orët e mësimit as profesorët
e histories, nuk është folur në asnjë tribune as të organizatave të luftëtarëve
të asnjë niveli, edhepse ata shqiptarë janë mobilizuar dhe konsideruar rekrut
(ushtar) të Ushtrisë Çlirimtare të Jugosllavisë, për të cilën janë thurë aq
shumë ode e lavdata!
(Teksti integral i diskutimit të Rankoviqit është marrë nga “Pirotski
zbornik” nr.44, 2019).