Mendime » Xharra
Fahri Xharra: Kush e vodhi arin në Shqipëri?
E marte, 31.08.2021, 07:02 PM
Kush dhe sa e kanë vjedhur arkën e shtetit në Shqiperi? Kush e vodhi arin në Shqipëri?
Nga
Fahri Xharra
Një ndër krimet më të
njohura të regjimit komunist në Shqipëri, me karakter sa ekonomik aq edhe
politik, është edhe grabitja e madhe e floririt që ndodhi kryesisht në vitet e
para të regjimit, nën justifikimin e “tatimit të jashtëzakomshëm të luftës”.
Kjo grabitje masive përveç shkatërrimit shoqëror solli edhe pasojën e
paevitueshme të shkatërrimit ekonomik, duke i hequr vendit një shans jo të
vogël në rimëkëmbjen ekonomike dhe kombëtare të tij. Duke qenë se organet e
Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë deklaruar si shumë të grabitjes së tyre
shifrën e 43.816.682 monedhave të sekestruara, dhe duke pasur parasysh se
hyrjet e arit në Thesarin e Shtetit kanë qenë të vogla apo të papërfillshme,
formulohet natyrshëm pyetja se ku shkoi gjithë ajo sasi ari që grabitën
komunistët pas lufte.
BASHKIMI DOGANOR ME JUGOSLLAVINE DHE ZHVLEFTESIMI I LEKUT Më 27 nëntor 1946 u nënshkrua në Beograd
traktati “Mbi koordinimin e planeve ekonomike, bashkimin doganor dhe barazimin
e monedhave në mes Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Federative
Popullore të Jugosllavisë”. Ky traktat u nënshkrua nga presidenti i Këshillit
Ekonomik, president i Këshillit të Planit dhe ministër i Ekonomisë Nako Spiru
dhe presidenti i Këshillit Ekonomik dhe ministër i Industrisë Boris Kidriç dhe
u ratifikua nga Kuvendi Popullor më 2 dhjetor 1946. Është për t’u kujtuar se
nënshkrimi i këtij traktati në një datë të tillë, ishte një sfidë ndaj
traktatit të 20 vjetëve më parë midis Shqipërisë dhe Italisë që njihet si Pakti
i Parë i Tiranës.
Në artikullin 2 të traktatit
të sipërpërmendur, vendosej që brenda tre muajsh nga dita e nënshkrimit të
traktatit, dinari të barazohej me lekun. Përveç shumë të këqijave që solli ky
traktat nëpërmjet dëmeve të drejpërdrejta që ju shkaktuan ekonomisë shqiptare,
u krijua edhe një rrugë tjetër për kalimin pa bujë të një rezerve të caktuar
ari në Jugosllavi, masë e cila është e vështirë të llogaritet. Për të kaluar
kufirin, sipas traktatit të sipërpërmendur nuk kishte asnjë pengesë ligjore,
pasi realisht nuk ekzistonin kufijtë midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Nga
ana tjetër barazimi i lekut me dinarin në fakt ishte zhvleftësim për lekun dhe
forcim për dinarin e dobët.
E VËRTETA NË LIDHJE ME THESARIN E “GRABITUR” NGA MBRETI ZOG Regjimi
komunist u shqua për shumë gjëra të mbrapshta në Shqipëri. Një ndër punët më të
mbrapshta të tij ishte edhe grabitja masive e arit qytetarëve shqiptarë,
burgosja apo pushkatimi i tyre. Nga ana tjetër për të dhënë një imazh krejt
tjetër të hajdutit, për 50 vjet me radhë u përhap gënjeshtra e madhe e
“vjedhjes së thesarit të shtetit” nga Mbreti Zog në kohën kur ky i fundit, i
diktuar nga rrethanat ndërkombëtare, dhe me vendim të parlamentit shqiptar,
kishte lënë Shqipërinë të nesërmen e 7 prillit 1939. Dhe një gënjeshtër të
tillë e fabrikonin dhe e mbronin pikërisht ata që kishin vjedhur një sasi ari
që llogaritet në 320 tonë. Në fakt askush nga propaganduesit e kësaj teze nuk e
ka ditur që thesari i shtetit shqiptar në kohën kur bëjmë fjalë ndodhej në Romë
dhe jo në Tiranë.
Por Mbreti Zog para ikjes : Në tërësi duhet thënë se Mbreti Zog tërhoqi nga
arka e shtetit shqiptar në prani dhe me miratim të Këshillit të Ministrave,
shumën e përafërt të 567 mijë frangave ar që përbënin 183 kilogram ar. Duhet
kujtuar se rroga vjetore e Mbretit Zog ishte 500 mijë franga ari. Po ashtu
duhet të kemi parasysh se në favor të tij shkonte edhe shuma e përfituar nga
shitja e një pylli në Mat. Siç edhe shikohet Mbreti Zog ka marrë me vete pak më
shumë se rrogën e një viti.
Marrëveshja
gjermano-shqiptaro e 6 prillit 1944 për arin shqiptar (Berlin 6 prill 1944 );
ar i cili iu këthye Shqiperisë
ENVER HOXHA DHE HISTORIA E TIJ PERSONALE ME FLORIRIN E SHTABIT Njeriu që
do të drejtonte Shqipërinë në mënyrën më shkatërrimtare për mëse 40 vjet Enver
Hoxha, qysh gjatë kohës së luftës dha shembullin vetjak kur vodhi floririn e
shtabit të përgjithshëm të “ushtrisë”. Enver Hoxha mori nga Fetah Ekmeçiu 4
qese lëkure me florinj dhe i groposi bashkë me Sami Bahollin. Në atë kohë Fetah
Ekmeçiu ishte ingarkuari i shtabit me çështjet e financës. Pak kohë mbas
ngjarjes së sipërpërmendur Fetah Ekmeçiu u zhduk në mënyrë të mistershme dhe
trupi nuk ju gjet kurrë. Në librat e ndryshëm të historiografisë komuniste apo
në kujtime të bashkohësve nuk thuhej kurrë e njejta gjë rreth fundit të jetës
së Fetah Ekmeçiut.
“LIGJI”
NR. 37 PER “TATIMIN E JASHTZAKONSHEM TE FITIMEVE TE LUFTES”. PER TE MBESHTETUR “TATIMIN E JASHTZAKONSHEM”
DOLI EDHE “LIGJI” “PER KONFISKIMIN E PASURIVE PRIVATE ”
Veprime edhe më të vështira iu deshën të bënin organeve të punëve të
brendshme, veçanërisht atyre të policisë për të zbuluar arin që kishin fshehur
kapitalistët e tregëtarët. Përvoja ishte e paktë, por ndihma e popullit qe e
madhe. Ndihmuan puntorët e specialistët që kishin marrë pjesë në ndërtimin e
depove të kasafortave dhe që kishin bërë fshehjen në vende të panjohura,
ndihmuan ata që kishin shërbyer si shegertë e argatë pranë kapitalistëve të
kaluar etj. Kështu u arrit të zbulohen depo të nëndheshme në parcelat e oborret
e kapitalistëve, bejlerëve e tregëtarëve. U gjetën qypa me flori jo vetëm në
betonime të thella të nëndheshme e në muret e shtëpive, por edhe nën rrënjët e
pemëve e nën sipërfaqet e puseve me ujë të pijshëm si në Durrës, Tiranë, etj.
Merret vesh se sasia e arit
të hyrë në Thesar nga sekuestrimet në periudhën 1 dhjetor 1944 – 31 dhjetor
1990 është vetëm 3.029 kg. Ndërsa në periudhën 1 dhjetor 1944 deri në 31
dhjetor 1990 në Thesarin e Shtetit kanë hyrë gjithsej 8.749 kg ar dhe kanë dalë
7.600 kg ar. Mirëpo shifra e 43.816.682 copë monedhave nuk është baraz me 3.029
kg ar, por me minimumi 320 ton ar. Atëherë vetiu lind një pyetje që do
përgjigje: ku shkoi gjithë kjo sasi ari? Kush e mori? Pse ka diferenca të mëdha
midis shumave.
PSE SHKOI ARI NE BASHKIMIN SOvJETIK ? Një tjetër problem që ka të bëjë
me arin shqiptar është edhe sasia e arit që ka shkuar në Bashkimn Sovjetik në
vitin 1954 në shkëmbim të një sasie gruri. Një praktikë e tillë, që mbase mund
të ketë ndodhur edhe herë të tjera me Bashkimn Sovjetik, thuajse nuk ka ndodhur
kurrë për blerje marrrash ushqimorë. Kështu sipas vendimit nr 144, datë 2
shkurt 1954 “Mbi imporitim mallrash për tregun special”, të Këshillit të
Ministrave, në Bashkimin Sovjetik ka shkuar një sasi prej 224,4 kg ar. Vlen të
theksohet se e gjithë procedura e kalimit të arit në Bashkimin Sovjetik ka qenë
tejet sekrete. Pse duhej të ishte sekrete, nga kush ruheshin udhëheqësit
komunistë?
Në vitin 1968 ka qenë i
vetmi moment kur regjimi komunist preu monedhat përkujtimore prej ari dhe
argjendi në kuadër (siç u tha) të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Në
lidhje me këtë Presidiumi i Kuvendit Popullor nxorri një dekret të posaçëm më
16 janar 1968. I gjithë procesi i prerjes së monedhave dhe më pas i shitjes së
tyre ka kaluar nëpërmjet një labirinthi aspak tranparent. Të bën përshtypje
fakti që për një ngjarje të tillë simbolike nuk shpenzohet një sasi simbolike
ari por një sasi e tillë që afërsisht është sa e gjithë sasia e arit që ka hyrë
në thesar nga viti 1944 e deri në fund të viti 1990. Kështu duhet të pohojmë që
shuma totale e arit të futur (zyrtarisht) në thesar është 8.839 kg, nga e cila
më 31 dhjetor 1990 kishin ngelur 1.239 kg. Në asnjë vend të botës nuk është
parë shpenzimi total i thesarit për të prerë monedha në një rast të caktuar
festiv. Aq më tepër që monedha në fjalë i është shmangur tërësisht qarkullimit
të brendshëm.
KU KA SHKUAR ARI I RUBIKUT ? Përveç grabitjes masive së arit tek
qytetarët shqiptarë një grabitje e përmasave të padukshme ëshë edhe ajo e
ndodhur në uzinën e Rubikut ku prodhohej një sasi jo e vogël ari. Ndërsa në
Tiranë funksiononte një sektor i posaçëm i pranimit të arit të Rubikut që në
një kohë të konsiderueshme dhe delikate drejtohej nga Reshat Alia, që ishte
xhaxhai i Ramiz Alisë dhe babai i Teuta Hoxhës, që ishte gruaja e djalit të
madh të Enver Hoxhës, Ilirit.Në mungesën e plotë të çdo lloj tranparence, vit
pas vit është arritur të përfitohet një sasi e madhe ari në Rubik, në një kohë
që Thesari i Shtetit ka përfituar një sasi krejt të papërfillshme të tij. Ish
ministri i Financave Andrea Nako, me anë të një njoftimi sekret të datës 9 tetor
1987, njoftonte kryeministrin se nga prodhimi i Rubikut sigurohen rreth 120 –
130 kg ar në vit. Për vitet 1968 – 1990 duke marrë si prodhim minimal shifrën e
120 kilogramëve në vit, janë siguruar rreth 2.640 kg ar. Ndërsa sipas
dokumentave shtetërore figuron që të jenë dorëzuar në thesar vetëm 1.777 kg ar.
Largësia midis dy sasise është 873 kg ar. Mirëpo këto duhet të kemi parasysh se
për të tillë sektorë komunistët kishin një mobilizim të paparë që nuk njihte as
turne, e as çdo gjë. Kjo të çon në përfundimin që sasia e arit të Rubikut mund
të jetë edhe më e madhe.
Tjetër :”Ministria e Punëve
të Brendshme ka sekuestruar forcërisht sipas ligjeve të luftës, arin e
popullit, por pa mbajtur dokumentacion të dyanshëm në momentin e sekuestrimit.
Këto sasira janë mbajtur një herë në degët e Punëve të Brendshme, pastaj në
Ministrinë e Punëve të Brendshme e më pas janë dorëzuar në thesar siç
argumentuam më lart dhe shtojmë se këto diferenca tregojnë vetëm majën e
ajsbergut sepse ngelen mbi 650 persona të paidentifikuar që kanë dorëzuar ar,
të cilit nuk i është bërë hyrje në thesar.
Në dokumentat e Ministrisë
së Punëve të Brendshme (“Historiku i Armës së Policisë”), pohohet me shkrim se
janë sekuestruar 43.816.682 monedha të arta pa futur shufrat dhe bizhutë e arta.
Vetëm ato bëjnë 283 ton flori. Në fakt në thesar janë futur nga sekuestrimet
vetëm 3.029 kg ar….Mungojnë 280 ton ar.
Ç’NXJERRIM SI PERFUNDIM Në fund të
këtij cikli arrijmë në përfundime përfundimet e mëposhtme:
1-Ari i shqiptarëve i
grabitur nga komunistë përgjithësisht nuk është përdorur për qëllime
shtetërore, por:
a-Është vjedhur nga ata që
kanë marrë drejtpërdrejt në grabitje.
b-Ka shkuar për llogari të
udhëheqjes së lartë komuniste si në Zvicër apo Amerikën e Jugut apo të Veriut.
Ndër njerëzit më të pasuruar me arin shqiptar janë klani Hoxha, klani Kapo dhe
klani Alia (si degë autonome e klanit Hoxha).
c-Është transportuar në
vende të tjera si në BS dhe gjetkë.
2-Për arin që është prodhuar
në Rubik rezulton të mos ketë hyrë në thesar një pjesë e mirë e tij.
3-Në vitet e fundit të
regjimit komunist ka kaluar kufirin një pjesë jo e vogël ari e cila është
depozituar në perëndim si pjesa tjetër.
(
Autor i shkrimit të plotë është Kastriot Dervishi që në tërësi mund ta
lexoni në https://opinion.al/historia-e-plote-si-dhe-kush-e-vodhi-florirrin-shqiptar/
)