E premte, 19.04.2024, 12:59 AM (GMT+1)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Një shkrim korrekt (nga një autor serb) për Masakrën e Tivarit

E marte, 31.08.2021, 08:33 PM


NJË  SHKRIM KORREKT (NGA  NJË AUTOR SERB), PËR MASAKRËN E TIVARIT

Në “Pirotski zbornik” nr.44/2019, të Bibliotekës Popullore të Pirotit (Serbi), botuar më 10 maj 2020, është botuar një punim i autorit Goran Nikolliq, nga Piroti, me titull: “O maskru u Baru 1945” (Mbi maskarën e Tivarit 1945,p.j.), fq.87-146.

Nga Adil FETAHU

Autori Nikolliq me një akribi të lakmueshme shkencore e profesionale i është qasur temës, duke bërë hulumtime, por mjerisht  jo aq të suksesshme për shkak se nuk ka gjetur burime plotësisht të besueshme për numrin e saktë të të vrarëve e të plagosurve në atë masakër. Megjithatë, falë angazhimit dhe hulumtimeve të bëra në dokuemntet relevante të Arkivit Ushtarak në Beograd, autori ka bërë një punë të vyeshme në pasqyrimin e shumë fakteve me rëndësi për temën e shtjelluar.Së pari, ka dhënë shifra të sakta të shqipëtarëve të mobilizuar, të tubuar në qendrën e mobilizimit në Prizren, e pastaj të dërguar në gjashtë eshalone deri në Tivar. Nga ky aspekt, numri që i cekë autori në punimin e tij, e që e ka nxjerrë nga dokumentet arkivore, është me rëndësi, sepse në kohën prejse ka nisur të shkruhet e të flitet për atë masakër (kryesisht pas vitit 1990), autorë të ndryshëm kanë dhënë shifra të ndryshme jo vetëm për numrin e të vrarëve e të plagosurve, veçse edhe për numrin e shqiptarëve të përcjellur në eshalone tëndryshme prej Prizreni, rrugës nëpër Shqipëri e deri në Tivar.

Gjatë marsit dhe prillit të vitit 1945,kur në Kosovë mbretëronte regjimi ushtarak i Jugosllavisë, u kapën për t’i rekrutuar në ushtrinë jugosllave e dërguar në frontet e luftës përfundimtare kundër gjermanëve që zhvilloheshin për çlirimin e Istrës dhe Trieshtes.Sipas të dhënave që i paraqet në shkrimin e tij autori Nikolliq, numri i shqiptarëve të nisur prej Prizreni, në gjashtë eshalone, gjatë muajit mars dhe prill 1945, ka qenë:

Eshaloni i parë,nisur më 24 mars 1945, ka pasur 2394 rekrutë

Eshaloni i dytë, nisur më 26 mars 1945, ka pasur 2382 rekrutë

Eshaloni i tretë, nisur më 27 mars 1945, ka pasur 2700 rekrutë

Eshaloni i katërt, nisur më 19 prill 1945, ka pasur 1506 rekrutë,

Eshaloni i pest ,nisur më 20 prill 1945, ka pasur 2601 rekrutë,dhe

Eshaloni i gjashtë, nisur më 24 prill 1945, ka pasur 1216 rekrutë.

Të tri shalonet e marsit, prej Prizreni i kanë përcjellur ushtarët e brigadës 27 serbe, të divizionit 46 të Armatës jugosllave, ndërsa eshalonet e prillit i kanë përcjellur ushtarët e brigadës 25 dhe 26 serbe, të përbëra kryesisht nga ushtarë nga rrethi i Pirotit dhe Vranjës,  të cilat gjithashtu kanë qenë në përbërje të Divizionit 46  të AJ.

Eshalonet kanë ecur këmbë prej Prizreni deri në Tivar, ndërsa në Tivar janë ngarkuar në anije dhe dërguar në Dallmaci për në frontin e veriut. Shqiptarët,ashtu sikur janë mobilizuar me dhunë, me dhunë, represalje, maltretime, vrasje e plagosje janë përcjellur dhe shumë sish kanë mbetur rrugës. Përcjellja ka qenë e rreptë, sa që nuk u është lejuar të dalin nga rreshti as për të pi ujë, as për nevoja fiziologjike.

Masakra në Tivar është kryer kundër eshalonit të dytë, që prej Prizreni janë nisur 2382 rekrutë.Atë masakër e ka kryer Brigda X Malazeze dhe qytetarët e Tivarit dhe rrethinës. Se sa janë vrarë e masakruar, e sa prej atij eshaloni kanë shpëtuar, kurrë nuk është ditur dhe as që do të dihet. Sepse, nuk ka të dhëna sa prej tyre i janë dorëzuar Divizionit IX Dalmatin, për t’i dërguar në vijën e fronit. Autori NIkolliq, ka bërë hulumtime në arkivin e Brigadës X Malazeze, për tërë kohën e ekzistimit të asaj Brigade. Ka bërë hulumtime edhe në arkivin e Korpusit të Dytë Sulmues të Malit të Zi,në kuadër të të cilit ka qenë Brigada X, por as aty nuk ka gjetur asgjë lidhur me masakrën e Tivarit. Vetëm në arkivin e Divizionit 46 të Ushtrisë Çlirimtare të Jugosllavisë, për brigadat 25,26 dhe 27 ka gjetur shënime për numrin e shqiptarëve të vrarë në masakrën e Tivarit, dhe ato shënime janë në raportet që komandat vartëse ua kanë dërguar komandave më të larta.

Në raportin nr.99 të oficerit për informim të Divizionit 46 të Armatës Jugosllave, dt.6prill 1945, jepet shifra për 452  shqiptarë të vrarë dhe 104 të plagosur në Masakrën e Tivarit, duke shpjeguar shkaqet e atij “incidenti” siç e quajnë ata.

Dy ditë më vonë, më 8 prill 1945, në raportin e shtabit të Brigadës 27 Serbe, rig.sekret, nr.23 dt. 8 prill 1945,dërguar Shtabit të Divizionit 46 të AJ, duke përshkruar ecurinë e përcjelljes së eshalonit të tretë, ndër të tjera shkruan: “Me qenë se me eshalonin II, të cilin prej Shkodre deri në Tivar e ka përcjelë Brigada X Malazeze, ka ndodhur incident i pakëndshëm në Tivar, me ç’rast janë vrarë rreth 450 dhe plagosur rreth 120 Shqiptarë, për këtë shkak kjo Birgadë ka marrë detyrë që atë eshalon (është fjala për eshalonin III, v.j.) ta përcjell deri në Tivar.

Të njëjtën ditë (8 prill 1945,v.j.),Shtabi i Divizionit 46, i ka dërguar raport identik Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi, në të cilin, ndër të tjera thuhet: “Me qenë se me Eshalonin e Dytë, të cilin nga Shkodra deri në Tivar e ka përcjellr Brigada X Mlazeze, ka ngjarë incidenti i pakëndshëm në Tivar,me ç’rast kanë vdekur rreth 450 dhe janë plagosur rreth 120 Shqiptarë, për këtë shkak Brigadës i është dhënë urdhëri që Shqiptarët t’i përcjellë deri në Tivar”

Siç mund të vërehet nga raportet e dërguara komandave më të larta, ka një dallim të vogël në shifra: në raportin e parë (6 prill) flitet për 452 të vrarë e 104 të plagosur, ndërsa në dy raportet mëvonshme (8 prill) flitet për rreth 450 të vrarë e rreth 120 të plagosur. Për të tri raportet e cituara, autori Nikolliq në punimin e tij i ka dhënë faksimilet, sikurse edhe të disa dokumenteve tjera arkivore.

Për dilemën,se sa janë të sakta shifrat për njerëzit e vrarë e të plagosur, autori Nikolliq ka dhënë komentet e veta, duke thënë se janë disa arsye për të besuar se janë të sakta dhe një arsye për të të dyshuar në ato shifra. Arsyet për të besuar i mbështetë në faktin se raportet janë bërë pas pak ditëve pasi ka ndodhur masakra, kur informacionet akoma kanë qenë “të frekëta”. Arsye tjetër për t’iu besuar është se raportet u janë dërguar komandave më të larta, si raporte sekrete dhe rigoroz sekrete, do të thotë raportet nuk janë destinuar për opinion, prandaj nuk ka pasur nevojë të ndryshohen të dhënat. Arsye e tretë është se komandat e rangut më të ulët, nuk guxojnë të dërgojnë raporte të pasakta komandave më të larta, sepse për to pasojnë dënimet, të cilat në kohë lufte nuk janë për t’i nënçmuar.

Megjithatë, sipas autorit, një arsye për të dyshuar në saktësinë e të dhënave për të vrarët dhe të plagosurit konsiston në faktin se Eshalonin e Dytë prej Shkodre në Tivar nuk e ka përcjellur Brigada 27 Serbe, por Brigada X Malazeze, prandaj raportet janë dhënë në bazë të informacioneve që kanë marrë nga Brigda X Malazeze, e jo në baë të hetimeve të veta.

Ndërkaq, për shifrat që i japing disa historianë shqiptarë: Hakif Bajrami, Muhamet Pirraku, Uran Butka, apo dëshmitarët të cilët e kanë përjetuar rastin e Tivarit, autori Nikolliq thotë se ato nuk mbështetën në asnjë burim të besueshëm.

Autori Nikolliq ka bërë hulumtime edhe në publikime të ndryshme, por askund nuk ka mund tëgjejë numrin e saktë e të besueshëm për viktimat e Masakrës së Tivarit. Është e çuditshme se as në Monografinë e Brigadës X Sulmuese Malazeze, që ka 437 faqe, e botuar më 1984,asgjë nuk shkruan për Masakrën e Tivarit. As në Monografitë e brigdaave 25 dhe 27 serbe, të cilat i kanë përcjellur rekrutët prej Prizreni deri në Shkodër, autorët Zhivkoviq, Mandiq-Jonçiq nga Piroti (1991),  që ka 12 faqe për përcjelljën e rekrutëve, asnjë fjalë nuk jepet për Masakrën e Tivarit. As në librin voluminoz prej 696 faqe të botuar në vitin 1984, me titull :”Pokoljenjima zapamcenje – Opstina Bar u NOR i revoluciji 1941-1945” (Brezave për kujtesë – Komuna e Tivarit në LNÇ dhe revolucionin 1941-1945, përkth im),  për maskrën e Tivarit nuk jepet asnjë fjalë!

Dy personalitete më të informuara për Masakrën e Tivarit Boshko Gjuriçkoviq dhe Nikolla Masoniçiq (tashmë nuk janë të gjallë, v.j.), kanë folur për degradimet e u udhëheqësve të Bigadës X Malaze, për shkak së masakrës së Tivarit dhe kanë thënë se hetimet janë zhvilluar në Beograd, pas mbarimit të luftës, por nuk kanë dhënëreferenca se cili organ i ka zhvilluar hetimet dhe çfarë masa (dënime) ka shqiptuar.Ndërkaq, për degradimet që përmendën, Nikolliqi thotë se ato kanë zgjatur në kohë të shkurtër, pasi vet komandanti i Brigadës X Malazeze, e cila ka kryer masakrën, Gasho Markoviq, pas pak kohe pas degradimit është avancuar dhe emëruar kryesh i Rajonit ushtarak për Mal të Zi dhe Bokë.

Autori Nikolliq i demanton vlerësimet e dhëna në raportet e shtabeve, për gjoja sjelljen e mirë të ushtarëve serbë ndaj shqiptarëve gjatë përcjelljes prej Prizreni deri në Shkodër, dhe këtë e ilustron me me faktin se rekrutëve shqiptarë nuk u është lejuar as të pijnë ujë, as të kryejnë nevojat fiziologjike, sepse secili që ka lëshuar rreshtin për këto kërkesa, është vrarë.

Sipas autorit, rasti i Tivarit duhet të hulumtohet e ndriçohet në mënyrë preize numri i të vrarëve e të plagosurve, përmasat e keqtrajtimit gjatë marshimit. Ai nuk beson se ka pasur një plan për zhdukjen e shqiptarëve, por kjo duhet të vërtetohet në bazë të hlumtimeve dhe zbulimeve shkencore. Një burim që duhet të hulumtohet ësht raporti i OZN-ës së Malit të Zi dhe dorëshkrimi i librit tëNikolla Masoniçiqit, për të cilin thuhet se e ka përgatitur për rastin e Tivarit, por që nuk është botuar.

Kushdo që të lexojë punimin e autorit Dragan Nikolliqit, mund të bindet në trajtimin korrekt të Masakrës së Tivarit dhe do të gjejë pika referimi dhe pista për të hulumtime të mëtejshme, e kjo temë duhet të hulumtohet seriozisht dhe shkencërisht, jo të nxirrën shifra “prej mangëve”për nevoja propagandistike apo të politikës së ditës, e të fajsohen personat apo struktura të cilat nuk kanë pasur as nuk kanë mundur të ndikojnë në evitimin e masakrës.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora