E marte, 27.09.2022, 09:11 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Revolucionet filozofike që ndodhën në transhetë e luftës

E hene, 27.12.2021, 05:45 PM


Blerim Latifi:

“Për Serbinë, nisma “Ballkani i Hapur” është zgjidhje më e mirë sesa integrimi evropian, sepse nuk do të duhej të hiqte dorë nga lidhjet me Rusinë dhe Kinën… Ballkani i Hapur, si një zgjidhje e detyruar për shkak të ngërçit në integrimin europian, i jep vendit tonë mundësinë të lidhet me rajonin, të bashkëpunojë maksimalisht me Bashkimin Europian, por edhe t’i mbajë partnerët e tij strategjikë ekonomikë dhe gjeopolitikë nga lindja”, paska thënë analisti politik serb, Dragomir Andjelkoviq. Po pra, ky është thelbi i krejt kësaj pune. Ky është neotitoizmi i Vuçiqit. Pse po e quaj neotitoizëm? Sepse kështu taktizonte dikur Tito : kur nuk i ecnin punën mirë me Perëndimin, shkonte e derdhte lot në Moskë dhe Pekin, dhe anasjelltas, kur Moska ia prishte llogaritë, shkonte i bënte lajka Perëndimit.

Por ky nuk është problemi, sepse, në fund të fundit, është e drejtë e Vuçiqit të zgjedh lojën gjeopolitike që dëshiron të luaj për shtetin e tij. Problemi është tek ne që nuk jemi në gjendje të bashkërendojmë një strategji kombëtare në epokën e re, në të cilën jemi të detyruar ta mendojmë botën pa ëndrrën e integrimit europian.

________

Revolucionet filozofike që ndodhën në transhetë e luftës

E lexova një shkrim në The Economist. I kushtohej 100 vjetorit të botimit të veprës "Traktati Logjiko-Filozofik" të filozofit austriak Ludwig Wittgenstein.

Autori i shkrimit e cilësonte këtë vepër si "libri që ndryshoi përgjithmonë filozofinë perëndimore". Në fakt, përgjithësisht pranohet se Traktati i Wittgenstein, së bashku me "Qenia dhe Koha" të Heidegger dhe "Historia dhe vetëdija klasore" e Llukaç, janë tri veprat që kanë determinuar debatet kryesore filozofike gjatë shekullit XX.

Një fakt interesant për Traktatin e Wittgenstein është se ai atë e shkroi në transhe, derisa ishte ushtar në frontet e Luftës së Parë Botërore. Pas luftës, kur e mori për ta botuar, teksti ishte i gjithi i njollosur nga balta e transheve. Vetë struktura e librit, që përbëhet nga paragrafë të renditur me numra, na e tregon atmosferën e luftës. Ato u ngjajnë ushtarëve të renditur në skuadra, të gatshme për sulm. Veçse paragrafët e Traktatit të Wittgenstein, për dallim nga pushka e tij, nuk synonin  të vrisnin ushtarët armiq, por të hedhin në erë ngrehinën e metafizikës së vjetër dhe ta rikthenin filozofinë në shtëpinë e logjikës, për t’u marrë me punët e sqarimit logjik të mendimeve dhe të gjuhës.

Filozofia e Wittgenstein, e lindur në transhetë e luftës, e përmbyste një filozofi tjetër të madhe, atë të Dekartit, e cila po ashtu kishte lindur gjatë ditëve kur Dekarti ndodhej në Gjermani si ushtar në betejat e Luftës Tridhjetë Vjeçare e cila sapo kishte nisur në Europë.

Kështu që mos mendoni se filozofët vetëm “filozofojnë”, ata dinë edhe të jenë luftëtarë të zotë.

________

Në historinë e tij të gjatë Prizreni ka parë e përjetuar ngjarje nga më të rëndat e më të shëmtuarat. Një të tillë po e përjetonte edhe në mëngjesin e hershëm të 13 dhjetorit të vitit 1924. Qyteti vlonte nga njerëz të armatosur. Ata bartnin shenja dhe uniforma të ndryshme. Serbë, rus dhe shqiptarë ishin bërë bashkë për të sulmuar Shqipërinë dhe rrëzuar qeverinë e Nolit. Shtabi i gjithë asaj ushtrie përbëhej nga dy shqiptarë, Ceno Bej Kryeziu dhe Muharrem Bajraktari, si dhe nga një gjeneral serb dhe një gjeneral rus, i ushtrisë së shkatërruar të Carit. Në Kukës kishte vënë pritë Bajram Curri me malsorët e tij, por fati i betejës dihej qysh në fillim. Askush nuk mund ta ndalte artilerinë e Pashiqit, e cila ishte vënë në dispozicion që shqiptarët të masakronin njëri tjetrin për të marrë pushtetin në një shtet që ende funksiononte vetëm në letër.

Në të njëjtin mëngjes vetë Zogu me trupa të tjera serbe, ruse e shqiptare do të niste sulmin nga drejtimi i Dibrës. Kështu, një nga kronikat më të shëmtuara në historinë e shqiptarëve, atë ditë do të zinte vend në faqet e saj.

Në atë pasdite Noli u nis drejt Durrësit për t'u larguar përgjithmonë nga Shqipëria. Në gjysmë të rrugës i thotë shoferit të tij: Duhet të kthemi edhe njëherë në Tiranë, kam harruar në zyrë dorëshkrimin e përkthimit në Shqip të Rubairave të Omar Khajamit.

Çfarë situate ironike, mbase edhe tragjike! Intelektuali më i madh shqiptar i kohës e kishte humbur betejën politike me banditët dhe krejt çfarë mund të bënte ishte të shpëtonte nga duart e tyre përkthimin në shqip të njërës prej kryeveprave të letërsisë botërore. Ëndrra e tij demokratike kishte marrë fund nën rrebeshin e intrigave shekspiriane, të cilat në Ballkanin e asaj kohe ishin mënyrë e jetesës. Ai i njihte me themel intrigrat e kriminelëve në tragjeditë e Shekspirit, por nuk ishte në gjëndje të luante rolet e tyre, ndërsa armiqtë e tij, që nuk kishin dëgjuar kurrë për Shekspirin, i jetonin ato role në teatrin e politikës shqiptare. Noli ishte shqiptari i parë që kishte shkruar për Makiavelin, por nuk bëhej dot makiavelist. Armiqtë e tij, që se kishin dëgjuar kurrë emrin e Makiavelit, jetonin e vepronin si makiavelistë të pamëshirshëm. Kështu fati politik ishte në anën e tyre.

________

Kisha midis dy kullave të lavdishme

Pamja që shikoni në fotografi, një kalimtari të rastit që nuk e njeh vendin, nuk i thotë ndonjë gjë të veçantë. Një arë, një grumbull therrash në krye të saj dhe kaq. Dikund rreth 300 metra larg prej tyre ndodhet kulla e Tahir Mehës, njeriut që luftoi me policinë speciale jugosllave në vitin 1981, në një betejë titanike prej tetë orësh. Dikund rreth 1 kilometër prej tyre ndodhen kullat e Jasharajve. Emri i vendit është: Arat e Kishës. Pjesa e mbuluar me therra është vendi i saktë i kishës, themelet e të cilës ekzistonin deri në vitet '50 të shekullit të kaluar. Këtu asnjëherë nuk është dukur ndonjë arkeolog për t'i nxjerrë në dritë ato gjurmë që kanë mbetur prej tyre. Toponimi nuk ekziston në asnjë data bazë institucionale. Ekziston vetëm në kujtesën popullore të banorëve të Prekazit, pasardhësve të Prenkës nga Kuçi.

________

Kur e lexova lajmin për mbylljen e librarisë “Nobel” në Shkup, gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte thënia e Brodsky-t se ka krime më të këqija se djegia e librave, e njëri prej tyre është kur nuk lexohen ato.

Ishte një befasi e këndshme për mua kur e vizitova këtë librari, disa disa javë më parë, pas ftesës së pronarit të saj, Latif Mustafa. Latifi ka studiuar filozofi tek ne në Departamentin e Filozofisë dhe më erdhi shumë mirë kur, pas shumë vitesh, e pashë se pasioni i tij për botën e librit ishte po aq i madh, sa në kohën kur ishte student. Dhe kjo më se miri shihej në librarinë e tij. Mënyra se si libraria ishte organizuar, sistematizimi plot shije i librave, vetë përzgjedhja e titujve, flisninin qartë për dashurinë dhe vizionin e Latifit për botën e librit. Brenda librarisë së tij të krijohej ndjenja se kishe hyrë në një librari të Parisit apo të Londrës. Por, gjithë kohën sa po e shijoja atë kënaqësi intelektuale brenda saj, nuk më hiqej nga mendja një parandjenjë e keqe se kjo librari do ta kishte të vështirë të mbijetonte gjatë.

Prej nga më vinte ajo parandjenjë?

Pikë së pari nga rrethina brenda të cilës ndodhej libraria. Një rrethinë e dominuar nga një mentalitet esencialisht oriental. Libraria “Nobel” i ngjante një luleje të bukur që është e dënuar të thahet shpejt, ngase është mbjellur në një tokë të papërshtatshme për të. Ajo u mbyll, sepse lexuesi i saj në Maqedoninë Veriore nuk ekziston. Fjala është për lexuesin shqiptar të literaturës shqipe dhe asaj perëndimore.

Po pse nuk ekziston ky lexues?

Sepse është duke ndodhur një gjamë e madhe kulturore tek shqiptarët e Maqedonisë: ata janë duke u zhvendosur në një univers tjetër kulturor, në të cilin nuk ekziston as interesimi më minimal as për kanonin e vlerave kulturore të Civilizimit perëndimor dhe as për kanonin e kulturës kombëtare shqiptare. Ata janë duke u zhvendosur në universin kulturor të botës arabe. Dhe gjatë kësaj zhvendosje ata janë duke u shndërruar nga një komunitet etnik në një komunitet religjioz. Diçka që u kishte ndodhur shumë dekada më herët bashkëatdhetarëve të tyre të besimit ortodoks. Latifi me librarinë e tij donte të ecte në drejtimin e kundërt të kësaj rryme të shkombëtarizimit të shqiptarëve të Maqedonisë, por duke qenë i vetëm në këtë ecje, nuk kishte si të ndodhte ndryshe me përpjekjen e tij.

________

Në kodin ligjor të vitit 391 të Perandorit Teodos ekziston një ligj, në të cilin thuhet se askush nuk mund të shes një tokë pa marrë fillimisht miratimin e kusherinjve e pastaj edhe të pjesëtarëve të tjerë të fisit.

Është e çuditshme se deri vonë ky ligj, tanimë i pashkruar, është zbatuar në mënyrë rigoroze nëpër katundet tona. Si shpjegohet kjo gjë? Një teori thotë se e drejta zakonore shqiptare ka përvetësuar shumë norma nga e drejta romake. Një tjetër, më sociologjike, e shpjegon me strukturën e organizimit fisnor. Vetë struktura sociale e fisit e imponon një normë të tillë. Sidoqoftë një gjë është e qartë: ligjet e Romës së lashtë nuk kanë vdekur. Ato vetëm kanë marrë trajta të tjera. Si energjia e universit.

________

Në librin e tij "Golgota Shqiptare: Akuzë kundër shfarosësve të Popullit Shqiptar (1913)", publicisti austriak Leo Freundlich, derisa përshkruan masakrat e kryera mbi shqiptarët nga ushtria serbe gjatë pushtimit të Kosovës në vjeshtën e vitit 1912, mes tjerash shkruan: "Bandat e para të ushtarëve, të cilat lëvizin gjithandej, duke shpërthyer dyer shtëpish e duke hyrë brenda me forcë, janë ndër gjërat më të tmerrshme".

Me 25 dhjetor të atij viti, në një betejë të pabarabartë me një bandë të tillë, ra Ahmet Delia, duke lanë prapa një nga shembujt e rrallë të rezistencës me çdo mjet, deri në frymën e fundit, kundër shtypjes e poshtërimit.

________

Ma mori gjithë vikendin, por ia vlejti plotësisht! Kënaqësi intelektuale të lexosh një përmbledhje dhe analizë të mirëfilltë shkencore të dëshmive për Arbninë Mesjetare. Kënaqësia është e dyfishtë për faktin se autor i këtij studimi me kredenciale të plota shkencore, është një akademik shqiptar.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora