E marte, 06.12.2022, 01:25 PM (GMT)

Kulturë

Karl Gurakuqi: Alfabeti i “Monastirit”

E diele, 14.11.2021, 08:00 PM


Alfabeti i “Monastirit”

Sipas kujtimeve te Karl Gurakuqit

Shoqnija “Bashkimi”, e themelueme në Shkodër në vjetin 1899 me nisjativën e Abatit të Mirditës, Êmzot Prêng Doçit,âsht ajo qi mâ shum se çdo tjetër u dha hov letravet shqipe me krijimin e njij alfabeti, qi në përgjithësi âsht ai i sotmi; me botim tekstesh për shkollat fillore, tue nisë nga libri i pare i leximit, tue vijue me gramatikën e shqipes e tue mbarue në të çmueshmin “Fjaluer” prej 538 faqesh me mâ tepër se 14000 fjalë.

Njimend auktori kryesuer i Fjalorit âsht Dom Dodë Koleci, por edhe At Pashk Bardhi kâ gisht në të me nji ndihmesë të shënueshme fjalësh dhe këshillimesh.

Ky si sekretar i Shoqnis, kishte barren e organizimit të punës, të rrgullimit të skedavet, të qortimit të shtypâjvet. Mund të quhet prá si bashkë-redaktuer, bashkë-përpilues, si krahu i djathtë i Dodë Kolecit. U rrînte mbi krye radhuesvet të Shtypshkrojës së jezuitvet, ku u shtyp Fjalori.

Shifet kudo, në çdo faqe, dora e kujdesësshme e At Bardhit, pse asht nji ndër librat mâ të rallë shqip pâ gabime shtypi....

....

Në fillimin e tetorit (1908) At Pashk Bardhi, mesuesi yne, na kënaqi tue na tregue veprimtarín e Shoqnís letrare “Bashkimi” në fushën e letësís shqiptare.

Ato ditë kishte dalë nga shtypshkroja e Jezuitvet, “Fjalori i Ri i Shqypes”, qi bánte datën- Shkodër, 9 kallënduer 1908- E kishte lidhë në kartuç, me germa ari. I qeshej buza.

“Kjo âsht nji vepër e pa-vdekshme”- na tha-; kanë bashkëpunue pendat mâ të mira; të gjith misat e Shoqnís kanë marrë pjesë me ndihmesën e vet, por përpiluesi kryesuer âsht Dom Dodë Koleci”.

Alfabeti “Agimi”

Përveç Shoqnís “Bashkimi”, themelue me nisjativën e Abatit të Mirditës, Emzot Preng Doçit në vjetin 1899, gjindej edhe nji Shoqni tjetër letrare me êmnin “Agimi”.

Kjo ishte themelue nga Dom Ndrѐ Mjedja në vjetin 1901. Nji ndër qellimet qi synoi mâ së forti qe krijimi i njij alfabeti, themelisht latin, shkencuer.

Në jug shkrimtarët toskë përdorshin alfabetin e “Stambollit”.

Disá shkrimtarë tjerë përdorshin alfabetin thjesht grek; prap ishin disá qi përdorshin alfabetin turk, kështu qi mungonte nji bashkim e nji unjisim në pikëpamje të shkrimit.

Kjo gjendje kaotike i dha shkak At Fishtës të shkruente atë poezín e bukur satirike “Koha e arit në Shqypní” (1907) (mbas Eklogës IV të Virgilit)-......

Nuk mund të vijohej mâ në ketë rrugë mos-bashkimi. Ishte turp e mëkat qi nji grusht Shqiptarë të mos bâheshin bashkë, sidomos n’atë kohë kúr atdhetarët çojshin zânin për lirí e vetësundim.

Qeverija e Stambollit në korrikun e vjetit 1908, me shpalljen e Kushtetutës së rѐ, kishte dhânë lirín për mësimin e gjuhës shqipe. Turqit e Rij, qi kishin rrëxue Sulltan Hamidin e kishin hypë në fron vëllán e këtij, Mehmetin V, e kishin prêmtue nji farë lirije për popujt e perandorís.

Shqiptarët me mzi q’pritën me përfitue prej kësaj rase. Mid-hat Frashëri, i biri i Abdylit, qi njifej me pseudonomin “Lumo Skendo”, prej Stambolli, ku vepronte si nëpunës në Ministrin e Arsimit të Turkís, mori nisjativën për thirrjen e nji Kongresi Shqiptarësh për të zgjidhë çâshtjen e përshtjellueme t’alfabetevet.

Si qëndër për këtë mbledhje të rândësishme u zgjodh qyteti i Monastirit,prandej alfabeti qi doli nga gjini i saj u quejtë “Alfabeti i Monastirit”.

Mid-hati bâni ftesat përkatse, tue lânë lirí, qi çdo qytet apo shoqní letrare të zgjidhte përfaqsuesit e vet në nji numër të pacaktuem.

Shkodra dërgoi At Gjergj Fishtën dhe Luigj Gurakuqin  nga ana e shoqnis “Bashkimi” dhe Dom Ndrѐ Mjedjen bashkë me Mati Logorecin nga ana e shoqnís “Agimi”.

Si shihet, zgjedhja u bâ mâ së miri: të katêrt shkrimtarë në zâ, kompetentë dhe atdhetarë në shêj.

Kongresi u zhvillue në nândorin e vjetit 1908. Si kryetár u zgjodh Mid-hat Frashëri, por, për me e shpejtue punën, e, tue qênë se shumica e përfaqsuesvet nuk e kishin kompetencën e duhun, si b.f. vëllazënt Luz e Rrok Berisha, argjendarë nga Kosova, Hafiz Ibrahim Dalliu, hoxhë nga Tirana, u formue “Komisjoni i Alfabetit, nën kryesin e At Fishtës, ku u êmnuen si misa, në mes tjervet, të katër Shkodranët.

Mbas shumë bisedimesh gjatë të cilavet ngjanë mjaft  kundërshtíme, kaq sá qe tue u shpërndá Kongresi pa asnji përfundim, u vendos të pranoheshin dỳ alfabete: ai i “Stambollit” dhe ai i “Bashkimit” me disá ndryshime.

U la i lirë përdorimi i të dyjavet për të pá se cili do të gjênte pëlqim në popull.

Nuk ngjati shum e mbrenda njij vjeti u la krejt mbas dore ai i “Stambollit” e zûni ai qi âsht sot në përdorim.

Bisedimet në kongres qenë shum të nxehta, kaq sá qe friga e njij deshtimi të plotë. Kundërshtimet u shkaktuen nga vetë Mid-hati, i cili kishte ngulë kâmbë të pranohej germa “Q” si âsht sot, ndonse nuk mund të paraqitte asnji arsyetim shkencuer.

U bânë proponime të ndryshme, ndër të cilat qe proponimi i Luigj Gurakuqit, i cili ishte i mendimit, qi për ket tingull të pranohej grupi “kj”, si e kishin Shqiptarët e Italis; dhe mbassi kishin qênë pranue grupet “gj” dhe “nj” për analogji kërkonte edhe grupin “kj”.

Nuk qe e mundun me i u mbushë mendja Mid-hatit. E donte me doemos gërmën “q”, pse kështu e kishte edhe alfabeti i Stambollit, me të cilin ishin botue veprat e Naimit.

Për mos prishë punë, u pranue proponimi i Mid-hatit, e kështu sot kemi n’alfabetin t’onë nji germë, e cila na jep nji tingull të ndryshëm nga ai qi i kanë caktue gjuhët e tjera, qi përdorin lafabetin latin.

Mirë ká thânë i moçmi: “Shqiptari për nji plesht e djeg jorganin”

.....

Marre nga: Karl Gurakuqi,  "Qi te mos harrohen", doreshkrim.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora