Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Prishësit e këngës
E shtune, 13.11.2021, 04:36 PM
PRISHËSIT E KËNGËS
Nga
Timo Mërkuri
Nje ditë shtatori
të vitit 2007, ndërsa shikoja TVSH tek po jipte një program të Asamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve s’di pse
vëmëndjen time e tërhoqi në veçanti kënga ‘’Shqipe katër vilajete’’. Kjo
ndoshta edhe nga fakti që për këtë këngë kisha shkruar diçka në librin tim
‘’Madhëria e saj-kënga iso-polifonike’’, madje
me një grup shokësh edhe patëm debatuar për këtë këngë, autorin e mundshëm dhe variantet e saj jo të
pakta.
1- Problemi i motërzimeve të këngëve popullore
është tëpër i njohur dhe i pranueshëm, por varianti që po këndonte grupi i
Asamblit Shtetëror, i kënduar vite më
parë edhe nga grupi i fshatit Dukat,
gjithsesi ishte i pa pranueshëm. Nuk e kam fjalën për faktin se qe një variant i përpunuar i kësaj
kënge aq të njohur. Edhe e përpunuar melodia qe magjike dhe të mbushte me
krenarinë e të qënit shqiptar, madje këtë krenari ta shtonte edhe interpretimi
mjeshtëror ii artistëve.
Problemi qëndronte
pikërisht te teksti i këngës, që s’di se kush e ka ndryshuar i pari, gjasme për
ta bërë me hierëndë a për ti dhënë më tepër kolor, për të
cilën ajo, kënga s’ka dhe aqë shumë nevojë. Le ta shohim konkretisht këtë
interpretim:
- Fillonte
kënga me vargjet; Shqipëri tre
vilajete.
Qysh këtu fillonte
edhe gabimi. Realisht në ndarjen administrative të perandorisë psmane Shqipëria përbëhej nga katër vilajete të
cilat qenë; 1-Vilajeti i Janinës, 2-Vilajeti i Manastirit, 3-Vilajeti i
Shkodrës dhe 4-Vilajeti i Kosovës. Atëherë kush e ka hequr një vilajet dhe
cilin vilajet ka hequr, dhe sidomos me
ç’të drejtë apo motivim e ka hequr. Aq më tepër
që populli vetë, në këtë
këngë përmënd katër vilajete kur
këndon ; -Shqipe katër vilajete. Ta marim këtë si një rastësi apo si një
mosnjohje të historisë
Vargjet e tjera; Në
mes të krajlëve mbete
Gjithkush të kërkon për vete
I thonë sulltanit jepe…. nuk kanë ndonjë ndryshim, por ja që ‘’novacionet’’ dhe
‘’novatorët’’ paskan ditën e tyre edhe tek kjo këngë, sepse menjëherë pas vargut
; ’’I thonë sulltanit jepe’’, vargu që vjen realisht është; “E jap,
por duan më vete”.
Edhe këtë varg
grupi i Asamblit Shtetëror e këndon ndryshe
duke e shndruar në: “Se jap. E dua për vete”, madje duke futur më
pas vargun kompromentues; “E dua për dit
të keqe’’.
Le të arsyetojmë
pak. Në vitin 1912 kur luftohej për mëvetësinë
e Shqipërisë në fushën
dipllomatike, pas qindra vitesh luftrash të përgjakëshme, askush nuk e pyeste
më Turqinë, të cilës i kishin rënë brekët në fund të këmbëve dhe nuk po gjënte
dot ushkur ti lidhte, së paku që mos ti binin fare e jo më të mbante lidhur pas vetes Shqipërine e
Shqipëtarët. Këtë e dinte dhe e ndjente edhe poeti popullor, ndaj në gojën e
sulltanit vë përgjigjen ; “E jap, por duan më vete”. Shiko si e trajton
poeti popullor problemin; Sulltanit i thonë ta japë Shqipërinë, pra të rijë
urtë e mos të bëjë zhurmë se do ‘’hajë dru’’ po bëri naze dhe sulltani
përgjigjet urtë e bute ; “E jap. S’ju pengoj unë ore, aman më lëni në punën e
pronën time”. Sa i urtë qënka bërë ky sulltan. Sikur s’është nga ata që
betoheshin të lidhnin kalin te porta e Shën Pjetrit në Vatikan, bile sikur s’ka
të bëjë fare me ata. Kjo përgjigje tingëllon edhe si një justifikim për mos
angazhimin e madh të Turqisë në zbatimin e marveshjeve të shteteve evropiane për njohjen e mëvetësisë
së shteteve që shkëputeshin prej saj, por edhe si një paralajmërim që u bën
Turqia shteteve të Evropës dhe sidomos fqinjëve
për karakterin e shqipëtarëve, të cilët duan
domosdo mëvetësinë dhe jo ndonjë
bashkim me ndonjë shtet fqinj, që ëndëronte fshirjen e Shqipërisë nga harta e
Ballkanit. Dhe këtë Turqia e dinte shumë mirë, se e kishte provuar në ‘’kurizin’’ e saj.
Duke njohur agoninë që po kalonte ‘’i sëmuri i
Bosforit’’, poeti popullor s’mund të vinte në gojën e sulltanit dhe as e ka
vënë vargun arogant; “Nuk e jap. E
kam për vete” dhe aq më tepër ta vazhdonte me vargun kompromentues; “Më
duhen për natë të keqe”. Se sa i ka
dashur sulltani Shqiptarët, dëshmojnë masakrat e betejave dhe pas betejave. Se
sa e kanë dashur Shqiptarët sulltanin dëshmojnë ’Treqint kryengritje/në
katërqint vjet”. Është tjetër punë
pse shumë Shqiptarë, falë zotësisë së
tyre, nga fëmijë të rëmbyer për jeniçerë u bënë pashallarë që drejtonin e
komandonin. Dihet se sa gjak u derdh në këtë rrugë dhe mbi këtë gjak nuk mund
të ngriheshin këngë lavdërimi për sulltanin , gjasme si një baba i mirë, që s’i
lë djemtë e tij të vegjël t’ja marin bota etj etj..
Këtë varg s’e ka ngritur poeti popullor dhe këto
vargje stonojnë në tërësinë krenare të këngës.
Sado bukur ta interpretojnë artistët e Asamblit Shtetëror ajo stonon në
veshin e popullit, sepse tingëllon si një thirje e haruar ‘’Dum babën’’. E po
vetëm për babën, sulltanin e sulltanatin s’na ka marë malli, ndaj mos na e kujtoni.
2- Ky tip novacioni vijon edhe më tejë nëpër
këngët tona. Të gjithë e kemi dëgjuar këngën e bukur ‘’Te rrapi në
Mashkullorë’’ që me aqë shpirt këndohet nga këngëtarja e mirënjohur Irini
Qirjako. Jo vetëm e kemi dëgjuar, por edhe e kemi kënduar nëpër dasma e festime
të ndryshme. Ndoshta e kemi ngritur pak më tepër zërin te vargjet’’Të vran’
o bimbash të vranë/Çeçua me Hito labnë’’ dhe s’na ka shkuar nëpër mënd se
sa pa vend janë këto vargje te kjo këngë. Jo se nuk u vra bimbashi në
Gjirokastër, por se bimbashin nuk e vrau Çerçizi vetë më dorën e tij. Atëherë
pse duhet të përmëndet Çerçiz Topulli si atentator i bimbashit, kur ai nuk
është i tillë. Vërtet që Çerçizi ishte komandant i çetës, ai e projektoi dhe e
zbatoi planin e atentatit ndaj bimbashit, ai i instruktoi dhe udhëzoi
atentatorët, ai mbështeti tërheqjen e tyre pas atentatit, ai drejtoi luftën e
mëpastajme me garnizonin turk që u vu në
ndjekje të tyre etj etj. Trimëritë e tij janë të shumta dhe e vlejnë t’u
këndohet këngë, por ama vetëm bimbashin nuk e vrau ai. Jo se nuk donte apo u
shmang, por se antarët e çetës e hodhën
në short se kujt do ti takonte lavdia e vrasjes së bimbashit. Që do vritej nuk
diskutohej më, por edhe të gjithë s’mund të venin ta vrisnin, ashtu turmë e zemëruar. Një ose dy do qëllonin mbi bimbashin, të tjerët do ti mbështesnin
atentatorët. Dhe kështu ndodhi vërtet.
Shorti për të kryer atentatin u ra Bajram Ligut ose siç njihej me emrin e fshatit Bajram Prongjia dhe Hito
Lekdushit ose siç njihet nga kënga Hito Labi. Të dy qëlluan mbi bimbashin dhe
mbi shoqëruesit e tij. Të dy rrezikuan dhe fituan. Hito Lekdushi paskësh qënë
më me fat sepse kënga e përmënd kur thotë... me Hito labnë, por si është
haruar Bajram Ligu dhe ç’kërkon Çerçizi te vrasja e bimbashit, ende nuk është
marë vesh. Nuk besoj se Bajrami do kishte ndonjë ‘’cen në biografi’’,
gjithashtu nuk besoj se Çerçizit do ti
pëlqente kjo shmangie e shokut të armëve nga lavdia e merituar duke e hedhur
atë në haresë, dhe aq më tepër që kjo
lavdi ti vishej atij. Portreti i Çerçizit, që njohim nga bashkëkohësit dhe
bashkëluftëtarët e tij është krejt ndryshe nga ai i një përvehtësuesi të
meritave të shokëve.
Kush është në fakt
Çerçiz Topulli? Origjina e tij është nga Suli dhe mbiemrin e parë e kanë patur
“Syziu”. Ky mbiemër u greqizua në “Mavromati”. Kur erdhën në Gjirokastër, ishte
koha që në kalanë e qytetit po instaloheshin topat turq. Në fakt, topat e
atëhershëm turq kishin shumë numërorë, ushtarë që shërbenin si artilierë.
Koinçidoi që dhe fëmijët e familjes së paraardhësit të Çerçizit, të ishin shumë
fëmijë dhe që loznin në kala, rrotull topave dhe që me humor i quanin
“topullarë”, dmth “artiljerë”. Kështu ndodhi që asaj dege të familjes ju vendos
llagapi “Topullarë”, në kuptimin “shumë
fëmijë”, si ushtarët e artilerisë turke, duke u dalluar kështu nga pjesa tjetër e vëllazërisë që turqizoi emrin Syziu në
“Karagjozi”.
Duke u rikthyer te
kënga themi se ajo nuk do humbiste asgjë
në qoftë se do këndohej...”Të vran o bimbash të vranë/Bajrami me Hito
labnë”.
Mandje ne besojmë
se në këtë mënyrë do ketë qënë varianti
origjinal i kënëgs së mësipërme, ose sëpaku i tillë. Sepse populli kur
këndon, i pasqyron realisht ndodhitë,
trimëritë apo edhe tradhëtitë. Shtrëmbërimet e këngëve, qoftë si tekst apo si
melodi, apo edhe veshja e melodisë të një kënge ndonjë kënge tjetër (thua se
meloditë janë si vellot e nuseve që një herë e një kohë e vishnin të gjitha
vajzat që martoheshin, se vetëm një ose dy vello qenë në gjithë krahinën), pra
këto lloj marifetesh janë vepra jo të popullit, por të atij që kërkon ti
imponohet popullit. Dhe që në një farë mënyre ja ariti qëllimit sepse populli
donte ta këndonte me doemos këngën e Çerçizit, qoftë edhe me ndonjë ndryshim,
qoftë edhe me ndonjë sakrifikim. Në fakt as Bajrami e as Çerçizi nuk e kishin
mëndjen te kënga që do t’u këndohej, se ata kishin të tjera halle. Por ne që si
kemi ato halle që kishin ata, ne pra na duhet
ti vëmë në vendin e tyre ca gjëra.
3- Prishja e
këngëve ka marrë përmasa më të gjëra këto kohët e fundit; Nuk e kam fjalën
thjeshtë për tekstet e tjetërsuara të këngëve, por edhe për vijën melodike të
tyre. Emigracioni ekonomik dhe lëvizja e popullatave drejt qyteteve bëri që të prishej baza e këngës
isopolifonike që ishte në fshat. Nëpër qytete zbritën këngëtarë nga zona të
ndryshme folklorike, me tradita dhe stile të ndryshme të të kënduarit, të cilat
gjetën ose jo traditë folklorike në qytetet ku u vendosën. Dashuria për këngën
isopolifonike i bashkoi këta këngëtarë nëpër grupe folklorike, por problem
ishte se këta këngëtarë ishin me tradita dhe stile të ndryshme kënge. Kështu
ndodhi që ndërsa marrësi këndonte psh në stilin e Picarit, kthyesi ja kthente
sipas fshatit të tij psh Radhimë, hedhësi lëshonte një sokëllimë skrapariote
dhe iso ishte varianti bënçiot. Kjo nuk është këngë, ky është një mozaik
zërrash që krijon një “turli” muzikore dhe kjo ndodh sepse asnjë këngëtar nuk i lëshon rrugë tjetrit, por duan të jenë
të gjithë të parë sepse…”fshati im këndon më bukur se yti”. Kemi parë grupe të
tilla me këngëtarë të njohur deri dje, por që sot të bashkuar në një grup nuk
janë në gjëndje të na japin një këngë të kënaqëshme sepse nuk janë në gjëndje
të përsshtatin
në vijën melodike
të këngës zërrin e tyre. Për ta kuptuar më qartë, po mar për krahasim
këngëtarët pilurjotë dhe himariotë. Nqse një këngëtar pilurjot do shkonte te
grupi himarjot dhe do këndonte psh këngën “Vajz e valeve” me tonalitetin dhe
melodicitetin e këngës pilurjote, ai jo vetëm që do stononte, por do ta prishte
fare këngën.Për të qënë këngëtar i këngës himarjote, ai duhej të
“pasaportizohej” në grupin e Himarës, pra të “bëhej himarjot”. Kjo ka vlerë për
çdo rast. Nuk mund të këndohet kënga e Skraparit me stilin e të kënduarit të
këngëtarëve lebër, çemër ose hjimariotë.
Çdo krahinë ka vijën e saj melodike dhe stilin e saj të të kënduarit,
madje edhe çdo fshat ka tiparet e saj të këngës dhe në qytetet me komunitet të
konsoliduar (Gjirokastra, Berati, Himara)
edhe çdo lagje ka stilin e saj të këngës.
Të këndosh në
kohën e sotme do të thotë të mësosh, të
përshtatesh, të evolosh. Nuk mjafton të jesh psh “lab” dhe detyrimisht
të dish të këndosh labçe.
4-Nuk dua të flas
për disa grupe që janë trasformuar në shpk kënge dhe këndojnë me pagesë. Le të mos na e ndotin
mjedisin isopolifonik të pastër e të shënjtë, le të shkojnë në lëndina të tjera
kënge ne daulle, me zurna e me gërnetë. Aty ka para, këtu te ne ka këngë.
5- U nisa ti shkruaj këto radhë jo vetëm për
këto raste, por shohim shpesh që disa
artistë apo të vetëquajtur artistë ja
lëshojnë frerët fantazisë nëpër këngët e popullit, meloditë e këngëve popullore
apo ritmet e valleve popullore, si të jenë në mall pa zot. Hiq një varg e shto
dy vargje, hiq një notë e shto një varg notash, ndrysho një kërcim valltari e
shto tri tundje shamie. Të kuptojmë një
gjë. Në këngët e popullit, në vallët e tij, asgjë nuk është e tepër, dhe asgjë
nuk ka lënë mangët autori anonym popull, që të heqim a të shtojmë nëpër
festivale në lagje apo në fshat. Apo
edhe ne rang kombëtar.
Mund të
krijohet momentalisht bindja e ndonjë
‘’novacioni’’, ecje përpara e traditës etj etj. Mundet që dhe ndonjë ndërhyrje
të ketë edhe ndonjë sukses provizor dhe
të sigurojë të ardhura, por gjithsesi këto novacione janë thjeshtë prishje e
këngës. Këta ‘’novatorë ‘’ s’janë gjë tjetër veçse prishësit e këngës. Në qoftë
se s’bëjnë dot gjë tjetër, vetëm këngët e vallet e popullit të mos na i ngasin.
Ato janë të shënjta.
Dhe në vendet e
shënjta shërbesat i bëjnë vetëm njerëzit që shërbejnë aty, jo ata që vijnë e
falen apo rrëfehen për mëkatet e bëra dhe luten
për shpëtimin e shpirtit.
6-Për këta s’mund
të themi: ‘’Fali zot se s’dinë se ç’bëjnë’’. Sepse mëndoj se e dinë mirë se
ç’bëjnë, por s’na duhet far , bile na dëmton ajo që bëjnë. Prandaj nuk duhet t’i lëmë të bëjnë
këto ndërhyrje e ndryshime në artin e popullit.
Sarandë, më 2008- 2021